More
    KreuLetërsiShënime mbi libra'Agon' me reflekset e 'Samizdatit'

    ‘Agon’ me reflekset e ‘Samizdatit’

    nga Gëzim Basha

    Rrathë brendashkruar, ashtu si të gjitha botimet e mëparshme të Rudolf Markut, sjell jehona verbale, sonike dhe ideore prej traditës më të mirë të poezisë refleksive, pa cak gjuhe a kulture. Libri që marrim në dorë ka peshën e një modeli të atletizmit gjuhësor dhe estetik, është një  tour de force aludimesh dhe aluzionesh, i ndërton kuptimet e veta me zhdërvjelltësi stilistike, ngaqë autori prej pesë dekadash e koncepton shkrimin e poezisë jo si pauzë meditimi, por si një proces të pandërprerë navigimi në galaksinë e mundësive shprehëse.      


    I

    Leximi i poezisë, pavarësisht lenteve personale, përherë nis me një kuriozitet standard, marrëdhënien e tekstit me traditën, më saktë konceptin e autorit mbi traditën letrare. Rudolf Marku hyn ndër autorët tanë të paktë i cili qysh në fillimet e tij letrare në fillimin e viteve ’70, duke refuzuar prerë parimin socrealist të frymëzimit nga jeta, ka praktikuar me sukses leximin për inspirim, ambicie jo fort e lehtë në një kohë kur direktivat zyrtare urdhëronin me ton imperativ shmangien e ndikimeve të huaja, frymëzimin nga jeta dhe pasqyrimin me vërtetësi të realitetit.

     Dy dekadat e para të krijimtarisë së Rudolf Markut të kujtojnë vargun e Preç Zogajt, “qëlloi stinë e thatë për poezinë”, përkojnë me histerinë shurdhuese, anakronike dhe antihistorike ushtruar prej policisë politike në letërsi dhe arte. Vitet ’70-’80 të shekullit të kaluar ishin vite kur atakohej çdo prirje për diversitet estetik, një aksion politik donkishotesk i cili synonte të pamundurën, kthimin e letërsisë shqipe në kohën e mimesis-it.

    “Te Platoni dhe Aristoteli, – thotë profesor Paul Fry i Yale University, – poezia konsiderohej imitim i realitetit, ngaqë grekët nuk patën trashëguar pika të tjera referimi. Prej teoricienëve latinë, Kuintilian dhe Ciceron, ideja e mimesis-it u transformua në imitatio,jo me imitimin e natyrës, por imitim i modeleve letrare paraardhëse”. E tepërt të thuhet se me nocionin imitim Paul Fry nuk presupozon epigonizmin vulgar, por pikat e referimit, ato  koordinata estetike që përcaktojnë pastaj karakterin e krijuesit.

    Shqipëria e dy dekadave të para të krijimtarisë poetike të Rudolf Markut kërkonte të injoronte këtë ligjësi të letërsisë, izolimi politik impononte një gjendje mendore të nderë, e cila shkaktonte një lloj autizmi kulturor masiv. Shumicën refleksi i mbijetesës mentale e drejtonte nga programet e huaja televizive, ndërkohë që një numër i kufizuar, kryesisht shkrimtarë, praktikonin samizdat-in, praktikë gjerësisht e njohur në BS dhe vendet komuniste të Europës Qendrore, – qarkullimin përmes shumëfishimit me makinë shkrimi a shkrim dore të përkthimeve nga autorë të huaj, shumica edhe formalisht të ndaluar.

    Mund të duket e habitshme, por, sado e izoluar, Shqipëria pati hibridin e vet të samizdat-it: Ismail Kadare e lexoi dorëshkrimin e shaptilografuar të Doktor Zhivagos në një apartament të braktisur të Moskës, ndërkohë që Dritëro Agolli, teksa kthehej nga studimet, flaku në det fletoren ku kishte kopjuar me shkrim dore poemën e Tvardovskit, Vasili Tjorkin botën tjetër. Visar Zhiti, përpara arrestimit për motive politike, mbante në çantën e mësuesit vjershat e Jevtushenkos; Zija Çela kopjonte me shkrim dore variantin frëngjisht të romanit të Sabatos, Mbi heronjtë dhe varret;vetë Rudolf Marku përkthente Të vdekurit e Xhojsit dhe autorë të tjerë të modernizmit anglofon, si T. S. Eliot, E. Pound apo W. Oden, ndërkohë që Preç Zogaj bënte diçka edhe më të çuditshme: transkriptimin e emisioneve poetike të Radios Italiane. Në një vend si Shqipëria socialiste, ku në çdo dekadë pushkatoheshin apo vareshin në litar poetë lirikë, përpjekje të tilla, edhe pse rrezikonin çmim të rëndë, ishin mundësia e vetme për emancipim estetik në kohën e paranojës, për konceptimin e traditës jo sipas rekomandimeve politike, por sipas afiniteteve dhe ndjeshmërive personale.


    II

    Poezitë e Rudolf Markut, pavarësisht embrioneve tematike, realizohen si fryt i atij procesi të pashmangshëm për të cilin Harold Bloom-i përdor termin agon dhe e përkufizon si një moment tensioni a përplasjeje të nisur në shtresën instinktive të psikikës mes poetit aktiv dhe mjeshtrit paraardhës. Rudolf Marku në agon-in e vet konfronton modele letrare jashtë traditës së imponuar. Pavarësisht izolimit kulturor të Shqipërisë, modelet estetike të inspirimit të tij vijnë si reflekse prej modernizmit të anatemuar europian, të cilat, pavarësisht izolimit, hynë edhe në Shqipëri me samizdat-in tonë të ndrojtur e sui generis. Simulacrum-i poetik i këtij autori vërtitet midis esencializmit dhe përkujdesjes së përkorë ndaj imazhit.

    Duke qenë se në poezitë me motive nga historia apo mitologjia Rudolf Marku shfaqet qartë si esencialist kavafian, – një poet të cilin e ka shqipëruar jo vetëm në nivel kuptimor, por edhe në shtresën e strategjive retorike, – mundësia e agon-it të provokuar nga Aleksandriani i madh e bën leximin përmes prizmit të influencave dhe kapërcimit të tyre, pak të thuash, atraktiv.  Autori shpesh e mënjanon ekzuberancën gjuhësore në favor të një asketizmi shprehës, i jep poezisë së tij teksturën e një proze të dëshmisë, në dukje me stil a-poetic e prapë thellësisht ritmike, me kadenca jo vetëm sonike, por edhe kuptimore. Ambicioz dhe autentik njëherësh, Rudolf Marku e përqendron vëmendjen ndaj detajit, por dhe e kërkon origjinalitetin te synimi për të dislokuar tensionin a paradoksin e momentit historik duke e veçuar idenë si element strukturor, shpesh në vargjet përmbyllëse. Konsideroni strofën-epilog të poezisë Nata e fundit e Ovidit në Romë:

    Nesër nis udhëtimin për në vendin e barbarëve,

    Tani që barbarët nisen të dynden në drejtim të kundërt, drejt qendrës,

    Sepse barbarët e dinin prej kohësh,

    Kur Roma i përzë poetët e vet

    Është koha e duhur për t’i rënë perandorisë.

     Te poezia Të kryqëzuarit zbresin Golgotës, ku farsa përshkruhet me rekuizitën e sublimes, procedon krejt ndryshe; duke luajtur me tonin, i krijon vetes hapësirë për të shtuar elementet parodike të pastishit; e zgjeron përmasën kuptimore të poezisë, por pa e nënvizuar idenë si element strukturor. I mbetet lexuesit plotësimi i rebusit:

    Të kryqëzuarit zbresin Golgotës…

    …Nuk i njeh askush. Pandehën se ishin Krishti.

    I merr malli për një fishkëllimë 

    A një kurorë gjembash. Janë të vetmuar

    Tek zbresin Golgotës. Ç’të bëjmë, ç’të bëjmë me jetën tonë?

    Historia për të shpesh është rebus, ngaqë Engjëlli i Historisë – ajo kroki e Walter Benjaminit – e humbet natyrën prej spiritus familiaris,nuk bindet lehtë për ta udhëhequr labirinteve gjarpërore të historisë. Më shumë se sa guidë, “Engjëlli i Historisë” për Rudolf Markun shfaqet si gardian në pritë – është një engjëll pagojës:

    Vetë Engjëlli i Historisë të ka zënë pritë,

    Me plagët e përhershme – masakra të Fatit,

    Engjëlli i Historisë nuk na e thotë as vendin se ku jemi,

    O vendi im!

    Në një numër jo të vogël poezish Rudolf Marku i lë vend hapësirës fizike, peizazheve, por të defamiljarizuara për të reflektuar tërë makthet dhe horroret e botës urbane, ku absurdi ekzistencial shpesh shfaqet si rrezik imediat dhe i panegociueshëm, ku transformimi është shpesh trajtë e tehuajëzimit. Si për të shmangur rrezikun e mondanitetit vanitoz, këto lloje lirikash i konstrukton me renditje detajesh të para me syrin e ftohtë të një reporteri neutral:

              Milano. Alpet nuk janë larg prej këtu,

              Por mjegulla rri fshehur, e ndrojtur, e bardhë,

              Në shoqëri ujqërish që i ulërijnë Hënës 

              Presin veç çastin për t’iu sulur qytetit. 


    III

    Duke e adaptuar historicizmin si parim dhe kusht Sin Qua Non debati zyrtar mbi një histori gjithëpërfshirëse të letërsisë shqipe, edhe pse me një trajektore kohore disadekadëshe, ka mbetur ende në terma kuantitativë – shtim apo përjashtim autorësh, kryesisht për arsye joletrare. Leximi në dorëshkrim i librit të fundit të Rudolf Markut, Rrathë brendashkruar, të përforcon bindjen për nevojën e ngutshme të një aparati kritik krejt tjetër: hartimin (më në fund) e një historie të letërsisë shqipe jo më si kënd monokrom emulacioni, por si një kanon korentesh estetike. Në një histori të tillë letërsie roli dhe arritjet e Rudolf Markut si një forcë emancipuese në letrat shqipe do të duhej të zinte një vend të merituar.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË