More
    KreuLetërsiBibliotekë"Nëpër terr e nëpër natë!", tregim nga Bajram Sefaj

    “Nëpër terr e nëpër natë!”, tregim nga Bajram Sefaj

    Tamam kur sapo mbylli sytë e lodhur e ra në gjumë të thellë të natës së dimrit të parë, një ëndërr e keqe, fort e hidhur dhe plot ankth, e trazoi pa masë. Nga pellgu i së cilës s’kishte si të dilte pa u bë ashtu siç u bë. Ideja ishte aq e pamëshirshme, idhnake, katile e rebele në origjinalitetin dhe kryeneçësinë e saj idiote, sa nuk bënte fare, fare nuk bënte, lihej për nesër, ose të qitej pas mëndësh, të  harrohej fare. Humbje e parikuperueshme do të ishte ajo, zot i lumë. Ëndrra, bash si një  bletë e krahëlehtë Mbretëreshe, shtriu dorën dhe shtypi pullën e duhur të kompjuterit. E kyçi (e konektoi!). Dora e dridhur e plakut në natë, nuk i kënaq vetëm me kaq. Me regjistrimin, në faqen e bardhë të kompjuterit, emrin (titullin) e idesë, e të vazhdoi episodin e radhës së gjumit të trazuar pleqërisht. Jo, ai kishte ecur përpara. Kishte vazhduar të shkruaj në ajrin e dendur të ëndrrës së natës terr. Ai vetë, kompjuteri i kyçur në ëndërr, as zogjtë e Alpeve të vendlindjes, as gurtë e thatë të kanioneve e grykave të thepisura, të kaubojve të Perëndimit të Egër, të Amerikës së Egër, ama bash askush, as djajtë e pandemisë, as engjëjt e pabesë të lirisë së humbur, nuk dinin se ç’po ndodhë e ç’po zihej, atje poshtë, në shtratin e një plakushi, nën plafin e jorganit të tij, plotë dergj e duhmë të keqe gazrash.  – Ani, rini qeshu, qeshu rini qeshu, bota është e jote!

    Po atje poshtë, ndërkohë, kishte ndodhë hataja. Kishte lindur ideja për një rrëfim i paparë deri më sot. Një tregim ëndërr. Me tamam. Ashtu taze, siç ishte, simite ende padalë mirë nga furra e bukës, i pa zënë mirë, i pa ngjizur si duhet, kishte marrë turr e, sa ora,  kishte pushtuar Planetin tokë, të gjitha kontinentet,  i gatshëm të pushtojë edhe aq e, më shumë, kontinente që do të zbulohen, do të dalin në sipërfaqe nesër! U bë nami krejt. Agjencitë e njohura, të mëdha e të vogla, gazeta e revista, shtëpitë botuese, anë e manë botës, e  kishin prishë gjumin e natës. Tregimi ëndrrës ishte përkthyer në të gjitha gjuhët e gjalla dhe të vdekura të botës. Në gjuhet jo ekzistuese (inekzistente). Në gjuhë të panjohura, të pa zbuluara. Gjuhë që do të lindin, që do të vijnë, nesër e pasnesër… E tillë ishte jehona e atij tregimi të pashkruar: e rrufeshme, plot shkrepëtima. Vdekjeprurëse për ata që shkruajnë e,  talentin e kanë me grat!

    *

    Të nesërmen e asaj nate të stuhishme dimërore, saktësisht në ora 02.52 minuta, në lindje të agut të ditës së re, në shtratin e tij të gjumit, gdhiu i pa jetë. Tash kish ra në gjumë të përjetshëm, eternel. Gishtërinjtë e duarve të thata i kishin ngelur kacavjerrë, në pozicionin e rrahjes mbi tastaturë të kompjuterit tekstin e tregimit të pa shkruar. Ndër fulqi të ngrira, sikur bluante porosinë e fundit testament, që kjo sajesë e ëndërruar letrare, t’i të zbardhët pikërisht, në faqet e kësaj gazete!  (Gaillard, 03.12.2021)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË