More
    KreuLetërsiBotime të rejaJorina Kryeziu (Shkreta): Një dritare e re europiane për poezinë

    Jorina Kryeziu (Shkreta): Një dritare e re europiane për poezinë

    ANTHOLOGY OF YOUNG ALBANIAN POETS ANTOLOGJIA E POETËVE TË RINJ SHQIPTARË/ ΑΝΘΟΛΟΓΊΑ ΝΕΏΝ ΑΛΒΑΝΏΝ ΠΟΙΗΤΏΝ

    Vakxikon Publications, Athens, 2021

    Antologe dhe parathënia:

    Dr. Jorina Kryeziu (Shkreta)

    Përktheu në greqisht:

    Αsimina Xirogianni

    Autorët e përfshirë: Viola Isufaj, Alisa Velaj, Ledia Dushi, Ani Gjika, Azem Qazimi, Belfjore Qose, Ervina Halili, Rudina Çupi, Nurie Emrullai, Kushtrim Thaqi

    Antologjia në fjalë, e titulluar Ανθολογία νεώνΑλβανών Ποιητών/ Antologji e poetëve të rinj shqiptarë, vjen e radhës, në vazhdën e projektit evropian Anthologies of young poets (Antologjitë e poetëve të rinj)nismë e ndërmarrë nga Βάκξικον Εκδόσεις (Vakxikon Publications), me vendndodhje në Athinë. Përmes saj mundësohet njohja dhe përfshirja e poetëve shqiptarë, bashkëkohëzuar me poetët e tjerë evropianë. Botuesi paraqet përpara lexuesit një antologji dygjuhëshe, ku krahas krijimeve poetike në gjuhën burimore pranëvendosen edhe përkthimet në gjuhën greke.

    Përzgjedhja e poetëve të rinj shqiptarë është menduar me kujdes të posaçëm, për të përfshirë e për të përzgjedhur edhe ata të cilët shkruajnë përtej kufijve administrativë të Republikës së Shqipërisë, përkatësisht në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut po dhe në Diasporë. Përmes prezantimit të krijimeve të tyre poetike, synohen të sillet në sistemin pritës përvoja të vyera të poezisë së sotme shqiptare, duke vërejtur mes syresh se nuk shkruhet vetëm në shqipen standarde, por edhe në dialektin gegë – kësisoj është respektuar dhe vlerësuar zgjedhja autoriale e gjithsecilit. Karakteristikë e subjekteve lirike është se e lëvrojnë poezinë kryesisht si pasion vetjak, duke mos e pasur profesion të parë të shkruarin; kujtojmë këtu se disa syresh edhe pse janë poetë, prozatorë, estetë etj., vijnë prej botës akademike, janë studiues, përkthyes, kritikë etj. Përveç vëllimeve poetike të botuara apo përfshirjeve në antologji, kemi vënë re se më së shumti këta poetë i kanë publikuar krijimet në revista letrare kombëtare e ndërkombëtare, duke bërë që poezitë e tyre të qarkullojnë në disa gjuhë, si: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, rumanisht, portugalisht, turqisht, suedisht, polonisht, maqedonisht, greqisht, serbisht, kinezisht etj. Një pjesë e tyre kanë mbaruar studimet për “Gjuhë-letërsi”, si: prof.asoc.dr. Viola Isufaj, dr. Ledia Dushi, dr. Alisa Velaj, dr. Belfore Qose (Zifla), Rudina Çupi, Nurie Emrullai; gazetari: Azem Qazimi; letërsi angleze dhe poezi: Ani Gjika; ekonomik: Kushtrim Thaqi (shih biot shoqëruese në Antologji); e deri tek ata që kanë filluar të shkruajnë poezi qysh në fëmijëri – rasti i poetes Ervina Halili, e diplomuar për teori letrare dhe psikanalizë, e cila në moshën 11-vjeçare shkroi krijimin e parë, të titulluar Turma 97, ndikuar prej makinës së shkrimit – si relikt – dhe protestave masive studentore të Universitetit të Prishtinës, duke i përthyer çastet e përditshmërisë dhe imazhet hipotetike në art poetik.   

    Kjo pasqyrë poetike – e prezantuar përpara lexuesit evropian e më gjerë – nuk është lënë vetëm në dorë të përpiluesit, shijeve vetjake, rastësisë apo dashamirësisë për secilin zë të fuqishëm poetik, por janë përzgjedhur për krijimtarinë, stilin, risitë e sjella në poezinë e sotme shqipe. Disa prej tyre kanë qenë pjesëmarrës në festivale poetike ose/dhe nominues a fitues të çmimeve letrare kombëtare e ndërkombëtare, siç është rasti i poetes Ani Gjika (çmime nga National Endowment for the Arts, English PEN, Framingham State University’s Miriam Levine Reader Award), poetja Alisa Velaj (në shortlistë për Erbacce-Press Poetry Award, 2014), Ledia Dushi (“Pena e artë” për vëllimin Ave Maria bahet lot) apo Viola Isufaj, Ervina Halili, Kushtrim Thaqi, Belfjore Qose (Zifla) etj.

    Vëmendje e posaçme u është kushtuar emrave të përzgjedhur, e më duhet t’ju parashtroj se kjo detyrë ishte sa privilegj aq edhe përgjegjësi. Në vendin tonë asnjëherë nuk mungojnë botimet e vëllimeve poetike, veçse jo kushdo mund të përfaqësohet ndërkombëtarisht me poezinë që krijon. Prej poetëve që mëtojnë të jenë pjesë e një antologjie është parë e udhës që intuita artistike dhe risitë, që vijnë përmes artit të fjalës, të rezultojnë të suksesshme, në mënyrë që përçapjet për t’u marrë me këtë lëmi të jenë të denja e të ngjallin emocion edhe në sistemin pritës. Mund të themi se për çdo vit prurjet janë dhe mbeten të larmishme, por për të ardhur deri në një paraqitje përtej kufijve të vendit të origjinës, duhet të pranojmë se përveç vlerave mirëfilli poetike duhet të merret në konsideratë edhe veprimtaria e gjithsecilit, sa i përket mirëdrejtimit në zhanrin poetik. Pikënisjet përzgjedhëse nuk janë rastësore, por qëmtim i vlerave artistike, të cilat ngjallin emocion dhe shpeshherë shpërbëjnë ‘kornizat’ e poezisë, duke u paraqitur në trajta të reja jo vetëm të planit të shprehjes, por edhe si risi të formës, duke bërë që poezia të jetë “shprehje e asaj që është nën, që gjendet nën tingujt e heshtur të pëshpëritjeve” (K. Thaqi).

    Urojmë që lexuesi ndërkombëtar të shijojë antologjinë e poetëve të rinj shqiptarë, si një komunikim mirëfilli artistik e kulturor i poetëve tanë, të cilët shfaqin vlera dhe aftësi krijuese, lëvrojnë stile të ndryshme, shpesh edhe të skajshëm mes tyre, duke dëshmuar heterogjenitet stilesh, të dallohen për qenësinë poetike autentike, shprehjet ambige, sugjestionet dhe asociacionet e përfytyrim-mendimeve, abstraksionet metaforike e deri te format ezoterike e ato eliptike.   

    Lexim të këndshëm të disa prej poezive në gjuhën shqipe!


    Viola Isufaj

    Lëvdatë [Haleluja!] Për një zot të vdekshëm

    I dhuroj madhërimit të natyrës një lëvdatë 

    Se imzot s’meriton më dhuratë

    Veçse shkuma e detit si flokët e tij është

    Dhe mëndafshi – çka isha unë për të

    Në një pandehmë të çiltër

    Tymi i hirtë i përngjet mërzisë së tij, pa dyshim

    Në çastin kur duart vë mbi kokë

    Dhe uragani i purpurt marrëzisë

    Dafinat ku drita derdhet janë lavdia e tij 

    Dhe degët e ullirit shpatullat e tij

    Puhia është fryma e tij kur më do

    Dhe avujt e ftohtë janë fjala e tij gjithmonë 

    Dielli në kalimin mrekullor

    Është ecja e tij mes reve

    Dhe mes turmës së damave

    Dëshiroj të shijoj ngazëllimin e natyrës gjer në asht

    Se imzot s’meriton më lëvdatë

    ***

    Po hajt ta falim zotin tim

    Dhe cipën e hollë prej ferri Rrudhë – mbi petka të tij

    Veçse udhës së tij të eci mos më thoni më kot 

    Dhe palmat e tij në rërë, mos më thoni t’i përqafoj

    Dhe të keqen s’e rrëfej që s’e rrëfej dot

    Po hajt ta falim… Ta falim timzot!


    Alisa Velaj

    Arie e një të shastisure
    pas dy gotash xhin

    (Scottit iu deshën dhjetë vjet që ta kuptonte se Zelda ishte e çmendur.
    Marrë nga “Një festë që e ke gjithnjë me vete”, Ernest Heminguej)

    Hej Scott,
    I treti xhin që po rrëkëllen sonte!
    Trinia s’është bekim në përgjumjen e trurit.
    Unë dhe ti iu lutëm Jezuit për çdo herë
    Dhe ndoqëm udhë të gabuara prej fillimit.
    Lëmshi i Ariadnës fati im dhe yti…

    Hija e Zeldës sërish të endet bebëzave
    Ashtu si pa kokëçarje
    Si pa asnjë pendesë…

    Pendestarë janë shpirti im dhe yti, Scott,
    Për të pamundurën që s’e kuptuam kurrë
    Dhe sytë tanë të verbër për të parë errësirën
    Ku ecin majtas djathtas ca qenie të çoroditura
    Me sy, rrashtë e ashtë, sikundër krejt njerëzia.

    Të betohem, për shpirt të të shtatë kryëngjëjve, mik,
    (Zoti më faltë kur nuk kam kam fuqi
    Të nxij a të zbardh asnjë fije floku)
    Për shpirtin e tyre të betohem, Scott,
    Zelda ishte bijë e motër imja
    Po se ishte nënë unë nuk e dija, i dashur,
    Nuk e dija!

    Bijës së saj të parëlindur
    Farës sate të frymëzimit dhe përhumbjes së saj
    Qiellin s’ia mësuam dot as si nostalgji…

    Mahnitur fushave, ku këngën bilbilave s’ia ndal askush
    Vogëlushja e mjerë i trembej dritës
    Njëjtë si zogu i lindur në kafaz lirisë.

    Këtë doja të të thoja sonte, Scott, këtë doja,
    Ndërsa kam mbaruar xhinin tim të dytë
    E ti më sheh me sy të ndezur nga kërshëria.

    Do të doja të bëja një herë dashuri me ty, Scott,
    Për hir të pasionit tonë të sëmurë,
    Pastaj ne të dy do të flaknim njëherë e mirë prej shpirtit
    Këngën e Zeldës dhe shijen e asgjësë…


    Ledia Dushi

    n’nji fije t’thellë gjaku

    ka me kenë mars

    e bari ka me shndritë

    ndër fije t’lidhuna shiu

    deri t’kryhet vezullimi

    ka me u ba natë

    për me dalë kryepështjellun

    n’mjegull shtjellë humbimi

    ballit me i lëshue andrra

    përpos shtrojes s’mbrame

    me u këputë pendazhgulun

    n’ndoj shtroje flijimi…

    prej uji asgja s’vjen

    heshtja na i heqë sytë

    e nuk na len me pa

    si rrëshqitet n’bar

    kur don me kalue n’mars

    e shtegu për atje

    të ndih për kah Qielli

    t’ligë t’plas përtokë

    tue t’shti djegën

    veç për ndoj Njeri


    Ani Gjika

    Paqartësi

    Nuk e mbaj mend më.

    Më duket se një lumë na u vu pas
    kur iu ngjitëm këmbës së malit.

    Burra e gra zbritën autobusit për të pirë.

    Im atë mblodhi grushtet kupë
    e gllënkë pas gllënke unë gëlltita.

    Copëza bore rrëfenin udhën
    drejt një tymi të ftohtë pemësh. Mbi kokat tona
    shqiponjat luanin topa-djegësi me diellin e artë.

    E shpërbëmë luginën
    si hije dimri duke iu futur përmes.

    S’e shoh më në ëndërr kurrë
    por mbaj mend që po më vëzhgonin
    tek qëndroja në buzë të ujit
    e trazoja imazhet me këmbë.


    Azem Qazimi

    «Ecce Homo»

    Edhe një përpjekje të mbrame,

    përpara se pluhuri të vërë gjumë mbi sendet,

    përpara se e dukshmja në hon të shndërrohet:

    është viti një mijë e nëntëqind e dyzet e një

    dhe im gjysh shkruhet si me grafit në luftë.

    Është një hije e zhyer, si njollë vaji.

    Ai mund të vdesë

    dhe të ketë gjithçka i duhet një burri:

    një zemër të zbrazët, si një librari e dorës së dytë.

    Ndërkaq, dhimbja do të jetë bërë e mundshme.

    Planeti i trëndafiltë

    do të kundërmojë erë buke dhe dyshimi.

    Më vonë do të lindë një brez serioz,

    i aftë të shpëtojë

    nga hamendjet e mëdha të zemrës.

    Si bimë kopshti do të kultivohet utopia,

    po edhe paskëtaj

    njeriu do të jetë po ai dollap me rrangulla.

    Dhe drita, e gjymtë do të lindë

    nga trupi i tij në vaj.


    Belfjore Qose (Zifla)

    Agape

    Ka një orë,

    Kur zërat nuk i njohin më fjalët,

    Kur mes dritës dhe errësirës ngrihet heshtja,

    Kur trupat zbrazen nga pesha

    Dhe bëhen flatra,

    Kur fytyrat tona pluskojnë ujërave

    Syhapura, gojëngrira, derisa fundosen

    Në një lumë që merr me vete gjithë ç’kemi mbledhur.

    Dhe atëherë,

    Ndërsa jemi pa fjalë,

    Pa kujtesë të mirë a të keqe,

    Mnemosina na mëkon me një gotë të madhe,

    Dielli plas si një vezë e kuqe,

    Gjithçka përflaket – zjarr krijimi,

    Të tjera jetë na rimenden,

    Të reja a të vjetra.

    Udhëtimi ynë sapo ka nisur:

    Hedhim hapa në një tokë të panjohur,

    Shkojmë drejt gostisë së muzave,

    Me sy e vesh të uritur.

    Në këtë orë

    Rikthehemi fëmijë,

    Palca jonë e butë e mbushet me tinguj,

    Koka me dritë,

    Tashmë e dimë

    Ç’është agape.


    Ervina Halili

    Fetus

    lëshom

    mendje

    vijat e tua thepisun shpojnë

    diell pembe m’pret n’ag

    bebet buzëqeshin sheqershëm

    më zgjidh

    litarët e tu kutërbojnë

    lulkanabisi

    flokët e zotit

    rrjedhin

    rrjedhin

    mendje lermë

    në mitrën e nanës unë kruspullitun

    fle

    lërmë

    kristalet bien mbi flokun e saj të zi

    ajo mendon çfarë emni ka me m’vu

    kur unë të vij te ti

    pa

    shm

    ang

    shëm


    Rudina Çupi

    Fëmija im ujor

    Fëmija im ujor, krejt bardhor,

    lirinë tani ti përhap si syprinë tej-e-tej mes brigjeve-plazhegjera

    shtrirë me shpinë, tek luan me lodrat e qiellit e anijet me vela,

    i trazuar, i përhënur, i dettë.

    Kur brigjet të të marrin, të të afrohen e të të afrohen si kërcënim

    të të shtypin e të të hollojnë si lumë,

    fëmija im i lëngët, mos u anko e as mos bubutij,

    lotët do të të çkripëzojnë,

    do të ndihesh ujë i ëmbël siç janë të gjithë lumenjtë

    i rrjedhshëm nëpër një shteg

    dhe, për ironi, mallin e anijeve të së shkuarës

    do t’ia rrëfesh trungjeve që mbart mbi shpinë.

    Mos mëso të mallkosh, biri im i ujshëm,

    kur të mekesh si dëborë e të tretesh si avull mbi xham

    apo tek kalon mes dy pllakave të tokës aq ngushtë

    sa mes dy duarve të puthitura për lutje,

    atëherë kujto se ke fatin t’i lësh…

    ndaj lëri e lëri vazhdimisht

    e udhëto për të zbuluar forma të reja të vetes nën shtypje

    derisa të kuptosh forcën e qindrafishuar që ke brenda vetes

    për të gdhendur shkëmbinj nëntokësorë

    për ta gjetur rrugën tënde me thonj

    derisa ta shpikësh një të çarë për të gjetur dritën

    dhe të shpërthesh, i mahnitshëm, i epërm, ylberor, si një ujëvarë

    duke mbretëruar me kurorën e mjegullës

    si një mjellmë me aureolë.


    Nurie Emrullai

    Atij që erdhi

    Ti je pjesa më e trishtuar e trupit tim:

    Një gisht i thyer kur të mbaja për duarsh,

    Një dhëmb i rënë prej fjalëve pavend,

    Ca flokë të thinjur nga pyetjet e kota…

    Po s’do e doja veten pa këto, jo.

    Ti je pjesa më e trishtuar e shpirtit tim:

    Kujtime të harruara deri te detajet më të zakonshme,

    sy të zbehtë që i përvidhen të tanishmes,

    buzëqeshje e formuar nga trishtimi,

    puthje e dhënë shkarazi dhe kur je vetëm.

    Një ëndërr e parë veç për ta harruar mëngjeseve.

    Trëndafil i këputur vjeshtës së vonë,

    I vyshkur tashmë.

    Një gjeth i shkelur në tokë

    Nga kalimtarë që nuk nguten për askund.

    Askush as nuk i kërkon.

    Ti je

    Një dridhje e lehtë toke

    Dhe veç ata që e presin dridhjen të ndjejnë.

    Ti je një kuti shkrepëse

    E lagur nga shiu në pallton e njeriut që s’pi cigare.

    Ti je ballë i rënduar

    Nga hallet që s’qenë kurrë të tuat.

    Ti je lule dielli, që diellit kurrë si ra ndërmend të të rrisi.

    Ti je vetë dritë dielli por, parë në netët me hënë.

    Ti je ylber krijuar

    Veç me një ngjyrë…

    Ti je çast

    I pajetuar

    Dhe të të jetonte kush

    S’do kishte guxim.

    Ti mund të jesh gjithçka për dikë

    Po asnjëherë ndjenjë.

    Ti je pranverë e vonshme jetuar në dimrin e hershëm.

    Ti je ujë i mbledhur nëpër duart e atyre

    Që digjen nga etja.

    Je një vijë e hollë

    Varur në mur

    Që imiton hijet e njeriut.

    Ti je një zë

    Ardhur nga pylli atëherë kur ishte lule malli.

    Andaj je ngjyrë dheu.

    Ti je njeriu i parë

    Që erdhe,

    që puthe,

    që dhe

    Atë

    që askush s’mund ta jepte para teje.

    Ti je ajo gjuhë e vdekur

    Që jep jetën e një bote të pajetuar.

    Je çdo shkronjë që s’mund të shkruhet,

    Çdo tingull që nuk shqiptohet.

    Çdo pasthirrmë që shuhet nga heshtja

    Dhe unë të thërras nga toka e nëndheshme.

    Eja këtu i dashur pranë meje,

    Dhe ji çdo gjë në mua, veç ji. Ashtu siç je, veç dhé.

    Gjithë trishtimi i trupit dhe shpirtit tim, ji!


    Kushtrim Thaqi

    Pushim


    do ta baj pallatin tim

    mbi vetëdijet e vdekura të të gjitha veteve të mija.

    asgja mbrenda nuk do t’ketë:
    asnji tavolinë, shtrat, karrike,
    pikturë, libër, shkrime…
    asnji mendim të vdekun të heronjëve të vdekun
    asnji tregim të trilluar të udhëheqësve shpirtërorë,

    asnji qiri, asnji pushkë, asnji shpatë, asnji gjini…
    vetëm dritare në secilin mur;
    në kulm
    po ashtu!

    unë do të ulem aty në qendër,

    e do t’lahem nga drita

    që nuk flet për t’vdekun…
    vetëm këtë gja do ta shijoj,

    vetëm këtë gja,

    vetëm këtë gja,

    asgja ma shumë,

    do ta zhbaj veten,
    do ta krijoj nji tjetër unë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË