More
    KreuTeatërAleksandër Moisiu: Erdha në Rumani të falenderoj Viktor Eftimiun se më shpëtoi...

    Aleksandër Moisiu: Erdha në Rumani të falenderoj Viktor Eftimiun se më shpëtoi nga kampi i robërve

    Nga Viktor Eftimiu

    Kanë kaluar njëzet e pesë vjet që kur, me mushkëritë e bëra copë, u shua në Zvicër, ku ishte tërhequr për shkak të persekutimit të nazistëve, aktori i madh gjerman me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu, të cilin në vitin 1921 e duartrokitën edhe bukureshtasit në “Hamleti” dhe “Kufoma e gjallë”.

    Aleksandër Moisiu ishte i fundit nga falanga e madhe  e tragjedianëve që ilustruan skenat kryesore të Vjenës dhe të Berlinit si Sonnenthal, Matkovski, Leinz, Schildkraut, Albert Bassermann dhe Paul Wegener. Këta shtatë yje-kjo plejadë kanë ndriçuar harkadën e artit skenik gjerman, paralel me Salvini-n, Rossi-n, Eleonora Duse, Zacconi, Ermete Novelli, de Sanctis në Itali, me Mounet-Sully, Sarah Bernhardt, Coquelin, Lucien Guitry, Suzanne Despres, Eduard de Max në Francë, ndërsa tek ne me Grigore Manolescu-n, Aristizza Romanescu-n, C.I.Nottara, Agatha Birsescu, Ion Petrescu, Iancu Brezeanu, Petre Liciu, Ar.Demetriade…

     Hamleti i admirueshëm i realizuar nga Aristide Demetriade u rindje nga interpretimi që i dha këtij roli Aleksandër Moisiu, të cilin aktori ynë e pa në Berlin.Të dy, Moisiu dhe Demetriade ishin temperamente melankolike, kishin një zë muzikal, thekse lirike që bënin të vibronin çdo shpirt. U shuajtën të dy nga e njëjta sëmundje, pasi i dhanë një jetë të re princit shumë të trishtuar të Danimarkës.

     Deri tek Hamleti, Demetriade ishte një aktor i cili nuk e kishte shpalosur të plotë talentin dhe personalitetin e tij të vërtetë.

     Luante në rolet e të rinjve elegantë në pjesë bulevardeske dhe ndonjëherë në rolet e heronjve romantikë, por pa gëzuar ende emrin e mirë që e arriti më vonë.

     Aleksandër Moisiu interpretoi role të ndryshme, por ka mbetur në kujtesë me tre: me Hamletin, me personazhin kryesor nga “Kufoma e gjallë” e Tolstoit dhe me Jedermanin, nga pjesa përrrallore mistiko-fetare e Hugo von Hofmannsthal.

     Ashtu si dhe poetët, aktorët jetojnë përmes disa krijimeve përfaqësuese, përreth të cilave gjallojnë të tjerat, më pak prestigjioze. Mjaftojnë edhe tre. Kush mund të lëvdohet me tri vepra të padiskutueshme.

     Aleksandër Moisiu u lind në Durrës, në bregun lindor të Adriatikut-ku jetojnë edhe sot disa familje që mbajnë këtë emër. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në gjuhën greke, ashtu si dhe unë, në fillim, mësova në gjuhën greke (nën sundimin e sulltanit, nga të krishterët, vetëm grekët kishin të drejta për shkollë dhe kishë).

     I ati e çoi në Trieste. Atje Aleksandri studioi në një lice italian. I ndarë nga njerëzit e vet artisti i madh i ardhshëm dramatik e harroi gjuhën greke. I joshur nga magjia e skenës largohet nga Trieste dhe shkon në Vjenë. U regjistrua në Konservatorin e artit dramatik, të cilin e përfundoi pa ndonjë sukses të madh.

     Filloi të shëtitë në provincën austriake, me një trupë ambulante, duke luajtur në role të parëndësishme, deri sa u vu re nga Max Reinhardt. Brenda një kohe të shkurtër aktori i ri u bë bashkëpunëtori kryesor i regjisorit të famshëm, së bashku me piktorin Ernst Stern, me origjinë rumune, nga familja e Adolf Stern, përkthyesit të admirueshëm të Shekspirit.

     Spektaklet më të bukura të Max Reinhardt-it i detyrohen Ernst Stern-it, ashtu sikurse sukseset e tij më të mëdha i arriti me pjesët ku Moisiu kishte rolin kryesor.

     Aleksandër Moisiu nuk ishte një njeri shtatlartë, i fuqishëm…Përkundrazi. Ishte delikat, gjithmonë i munduar nga mushkëritë e dobëta. Ai e pushtonte publikun me anë të lirizmit të tij, dhe poezisë që sillte, përmes artit me të cilin fisnikëronte çdo personazh që paraqiste. Kur luajti personazhin komik në “Mbreti Lear”, Aleksandër Moisiu doli nga drejtimi konvecional.

    Viktor Eftimiu

    Nuk ishte më bufoni klasik, kllouni që duhej të argëtonte oborin mbretëror. I frymëzuar nga një replikë e pjesës: “Që kur u largua zonjusha Kordelia bufoni vuan nga malli për të”, e shndërroi karagjozin e gjorë në një të dashuruar me vajzën e vogël të mbretit. Kështu roli i bufonit u vesh me një vello ëndërrimtare dhe me një melankoli që pëshkruante të gjithë spektaklin dhe e zotëronte.

     Aleksandër Moisiu i kishte sytë të mëdhenj, të zinj, magjikë dhe një zë të ngrohtë e të harmonishëm, nga magjia e të cilit pushtoheshin të gjithë dëgjuesit…Ai i jepte gjuhës gjermane një tingëllim dhe një muzikalitet mesdhetar, të cilin e sillte nga brigjet plot me diell të Adriatikut. Secili artist bart në vete dhe reflekton nostalgjinë e atdheut.

     Gjithashtu, tragjediani i madh Eduard de Max, moldovean nga origjina, i ka dhënë gjuhës franceze një modulacion si të doinës (këngë folklorike rumune që shpreh mallin, dashurinë, apo vajtimin, shënimi i përkthyesit), ndryshime të largëta dhe pushtuese të tonit të zërit, drithërimën dhe poezinë e pllajave të vendlindjes.

     Dhe ishte kaq e madhe magjia e këtyre dy të huajve, de Max dhe Aleksandër Moisi, sa që aktorët e rinj dhe nxënësit e konservatorit imitonin theksin e tyre ekzotik që të përfshinte në mënyrë torturuese.Atë vlerë të rëndësishme që përfaqësonte de Max për gjuhën franceze, Aleksandër Moisi e përfaqësoi për gjuhën gjermane; ata ishin folës melodiozë që vinin nga kufijtë e njëmijë e një netëve. Po ashtu, pas tyre, Raul Asllan, dekani i Burgtheatrit të Vjenës, i ardhur nga Selaniku, sillte një ëndërrim, një përkundje orientale të destinuar të mbulojë dhe të ngrohë ftohtësinë gjermane. Raul Asllan, i cili vdiq para dy vitesh në Vjenë, ishte një mik i mirë dhe admirator i Moisiut dhe i de Max.

     Aleksandër Moisiun e pashë herën e fundit në Salzburg, ku luante në Jedermann, në katedralen e dëgjuar të qytetit. Ishte në një kongres botëror të kritikëve dramatikë dhe muzikorë.

     Më kujtohet se kemi ngrënë disa herë në ambiente të hapura, së bashku me disa intelektualë, midis të cilëve  Ossip Dimof, autori i dramës “Nyu”, të luajtur edhe tek ne.

     Për nder të kongresistëve Max Reinhardt dha një pritje luksoze në pallatin episkopal në kodrën që dominon Salzburgun, pallat të cilin e kishte blerë dhe të cilin e kishte bërë një dekor të vërtetë teatror. Po atë mbrëmje, midis miqve të regjisorit të madh, kam njohur Stefan Zweig-un, romancierin dhe eseistin me famë botërore. I larguar nga atdheu nga tmerri i nazistëve, ai vdiq në Brazil. E ndjente se çfarë po afrohej dhe deshi të shihte atë që pamë ne.

     Moisiun e kisha parë të luante para Luftës së parë Botërore, por ende nuk e kisha njohur personalisht.Më 1915, duke u gjendur në Berlin, botova një artikull në gazetën “Berliner Tageblatt”. Flisja aty edhe për Moisiun në interpretimin e Hamletit. Ditën e dytë pas daljes së artikullit prita në vizitë aktoren Johanna Therwin, gruan e ardhshme të Moisiut, vejushën e tij të sotme. Më tha se Aleksandri ishte rob në Francë, ishte i sëmurë dhe nëse do qëndrojë akoma midis telave me gjëmba ka rrezik të vdesë. Për habinë time të madhe më tha se vetëm unë mund ta shpëtoj. Lufta ishte në kulmin e saj. Rumania ishte neutrale. Johanna Therwin më parashtroi një plan të cilin e ndoqa pa ndonjë besim të madh në sukses. Pasi u ktheva në Bukuresht ndërhyra pranë ambasadës së Francës dhe në të vërtetë, ia arrita: aktori i madh u lirua duke u ndrruar me një gjeneral francez, cili kishte qënë rob tek gjermanët.Veçse Moisiut nuk i lejohej të rikthehej në Gjermani.Deri në mbarim të luftës luajti në Zvicër. Pastaj shkoi në Rusinë revolucionare. Ashtu si pjesa më e madhe e intelektualëve gjermanë, aktori i madh i pranonte idetë marksiste. Në Rusinë sovjetike, ai dha një sërë shfaqjesh triumfuese. Ishte i pari aktor perëndimor i cili vizitonte vendin e Leninit. Prej atje më solli një siluetë të tij, të gdhendur në dru dhe të ngjyrosur nga një artist sovjetik, e cila e paraqiste në rolin e endacakut nga “Kreu i të këqijave”, një pjesë me një akt të Tolstoit “Ai e ka fajin për gjithçka”…Ky endacak është pritur si mik nga disa njerëz të mirë i është dhënë për të ngrënë dhe për të pirë, por ai kur u largua vodhi një objekt nga shtëpia. E bëri këtë veprim nën mbretërinë e alkolit, i cili është fajtor për gjithçka, kreu i të këqijave.

    Moisiu ma solli këtë statujë të vogël në Bukuresht, më 1920.

    -Erdha në Rumani të falenderoj Viktor Eftimiun se më shpëtoi nga kampi i robërve-i – deklaroi ai një gazetari gjerman, i cili e shkroi këtë gjë në një intervistë.

     Rreth viteve 1920-1921 isha drejtor i përgjithshëm i teatrove dhe i krijova lehtësitë më të mëdha Aleksandër Moisiut dhe trupës së tij që të prezantohen në kondita të favorshme dhe optimale.

    Aleksandër Moisiu dhe gruaja e tij, aktorja Johanna Therwin

     Ai dha një seri shfaqjesh në Teatrin Eforia, duke entusiazmuar publikun bukureshtas.

    Për të u shtrua një u shtrua një banket i madh në sallën e mermertë e hotelit Bulevard. I kam mbajtur dy javë në shtëpinë time Moisiun dhe gruan e tij Johanna Therwin. Prej atëhere na ka lidhur një miqësi e madhe. Për vite me rradhë jemi takuar në Vjenë dhe në Salzburg, ku ka luajtur para katedrales së Salsburgut, në misterin mesjetar Jedermann të Hugo von Hofmennsthal.

     Poeti i madh i cili i paraqiti publikut gjerman tragjedinë Prometheu ishte një mik i mirë me interpretin e tij të preferuar. Orët që kam kaluar së bashku me Hugo von Hofmennsthal dhe me Aleksandër Moisiun më kanë mbetur të gdhendura në shpirt për gjithmonë.Të dy këta korifej të dramaturgjisë europeane vdiqën shumë shpejt. Projektonim me Aleksandër Moisiun një udhëtim në vendin e sovjetëve. Projektonim edhe të prezantonte Prometheun tim në skenat gjermane.Por asnjë nga këto ëndërra nuk u plotësua. U shuajt një ditë të mirë, ende i ri, duke lënë një boshllëk të madh në botën e teatrit dhe në zemrat e miqve të cilët e adhuruan dhe e deshën…

     Një gur i thjeshtë,  një pllakë e sheshtë mbi të cilën shkruhet “Aleksander Moissi” i përjetëson emrin në një varrezë të Zvicrës.

     E veja e Moisiut, aktorja e madhe Johanna Therwin, i ruan me devocion kultin e gjallë dhe të ndritshëm. Johanna Therwin me të cilën kam evokuar, të emocionuar para dy vjetësh në Vjenë, të shtrenjtin, të madhin, të paharrueshmin tonë Aleksandër.

    1960

    Përktheu nga rumanishtja Pandi Bello

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË