KreuArte pamoreSuzana Varvarica Kuka: Fanfara dhe Quasi-Modu

Suzana Varvarica Kuka: Fanfara dhe Quasi-Modu

Fatmir Juka, artisti i ri shkodran, prezantoi pikturat e tij në Galerinë e Artit të Tiranës

Fatmir Juka, artisti i ri shkodran, prezantoi pikturat e tij në Galerinë e Artit të Tiranës. Ai, njëkohësisht drejton me profesionalizëm Galerinë e Artit të qytetit të Shkodrës. Njohja me krijimtarinë e tij është një proces në vazhdim, pasi çdo kohë krijon duke kërkuar në individualitetin stilistikor, krijon duke shtresëzuar përvojë. Edhe pikturat e paraqitura, për herë të parë në Galerinë e Artit të Tiranës, në një ekspozitë vetjake, janë arritje e suksesshme e kërkimeve gjatë kohëve të fundit. Propozimi për të kuruar ekspozitën e tij në Tiranë ishte një ide shumë domethënëse për të dy ne. Kurimi i një ekspozite, në ditët e sotme, është impenjim serioz. Është transmetimi i ideve dhe informacionit të artit pamor drejt publikut bashkëkohës. Në këto ditët tona, hapësira e artit pamor e paraqitur në tri salla ekspozimi, është më shumë se një takim me pikturën dhe artistin, është një bashkëbisedim i artistit me proceset galeriste, kuratoriale dhe krijuese mbi ciklet, imazhet, stilet, subjektet, detajet, vijën dhe ngjyrën, estetikën, qasjet filozofike, frymëzimet te lëvizjet e artit modern të shekullit XX dhe kapërximet e tyre në shekullin që jetojmë .  

Fatmir Juka, për të qenë sa më i qartë afër shikuesit, tenton të mos sillet vetëm si piktor, por në bashkëbisedimet e tij kërkon të tërheqë vemendjen se piktura nuk është thjesht një kombinim ngjyrash e vijash mbi sipërfaqe telajosh, por është një produkt figurativ i lidhjes së vet intelektuale me subjekte sociale. Në këtë arsye procesi kuratorial u mbështet thelbësisht jo vetëm në imazhet piktorike, por edhe në idetë e përqëndruara të artistit në kryerjen e çdo akti krijues.

Bes Bekteshi, gazetar i njohur i Shkodrës e sheh pikturën e Fatmir Jukës si “art kozmopolitan”. Termi art kozmopolitan nuk ekziston në rrjedhën e drejtimeve artistike në historinë e artit, por është shumë i qartë aspekti filozofik i kozmopolitanizmit, i cili vë në pah raportin e universales kundrejt lokales. Në rrafshin filozofik, kozmopolitanizmi është një betejë intelektuale midis detyrimeve tona ndaj njerëzimit dhe besnikërisë ndaj vendit ku kemi lindur. Në këtë vështrim estetik të shpejtë e pranojmë përcaktimin e gazetarit të njohur, sepse kozmopolitanizmi estetik sjell përkufizimin mbi “qytetarin e botës”, i cili nuk udhëhiqet më vetëm nga ligjet e nocionit komb, por nga ndjesitë, estetika dhe shkëmbimi kulturor. Dhe, duke hyrë në thellësinë figurative të Fatmir Jukës e zbulon këtë përcaktim që në titull “Fanfara dhe Quasi – Modu”, të cilët janë përfaqësi titujsh të dy cikleve, që duket se na informojnë mbi akte kulturore, sa universale siç janë fanfarat ushtarake e jo vetëm, po aq dhe lokale saç është figura Kuazimodo, i lindur me deformime të shumta, kryesisht në shpinë, të cilën e kishte të përkulur. Ai ishte personazhi kryesor i romanit gotik, të shkrimtarit francez Viktor Hygos, i botuar 1831. Artisti mendon se: “Dy ciklet janë produkt i notave të forta të shoqërisë dhe të individit, e se ky i fundit formësohet nga presioni e logjizmi…Për herë të parë merrem me njeriun jo si qenie e kërkuar nga filozofia humaniste, por me dehumanizmin që synohet nga programet e konsumizmit ose të orientuara.” Ky është një qëndrim i qartë i artistit ndaj ideologjisë dhe realitetit ndërlidhjes të kulturave dhe njerëzve në mbarë botën, ku dominon sistemi global dhe kufijtë kombëtarë bëhen më pak të rëndësishëm.

Cilklet ndahen në tituj, por kanë lidhje të forta. Pikturimi i tyre është nxitur nga mendimet e artistit mbi fenomene social-politike, që e rrethojnë individin në përditshmërinë e tij. Ai për të përshkruar aktet krijuese të pikturës sa abstrakte dhe aq reale të detajeve shoqëruese të cikleve, te “Fanfara” paramendon sebandat e muzikantëve apo fanfarat e ushtrisë ekzekutojnë në harmoni, falë një rregulli të padiskutueshëm dhe dirigjimit nga lart. Ndërsa artisti e shesh ekzekutimin harmonik të dyzuar dhe ironik. Kur po kjo fanfarë ushtarake lajmëron me tam-tame të rënët, mendon se ekzekutimi orkestral dëgjohet edhe si muzikë e harmonizuar, por gjëmon edhe si gjamë. Artisti për ciklin “Quasi -Modu” krijon figura duke paramenduar të refuzojë harmoninë e përherëshme. Figurat e tij njerëzore lindin prej idesë së një kulture “oppresive/shtypëse”, e cila formon normat e saj dhe, të cilat vendosen nga mjedisi politik dhe emocional mbi shoqërinë apo njeriun, që janë të  detyruar t`i pranojë.

Fatmir Juka, për të arritur të materializojë në imazhe idetë e tij bashkëkohore mbi situatën njerëzore të këtij shekulli, i cili tashmë i ka vendos kufijtë e veta të ndryshimit global, ka krijuar një pikturë që në shikim të parë i përket ngjyrës dhe linjave gjeometrike. Piktura e Fatmir Jukës shfaq më së pari ose me shikim të parë cilësitë figurative, një element dhe parim i drejtëpërdrejtë i artit pamor kundrejt çdo shikuesi. Ky element lidhet me stilin apo mënyrën e të krijuarit, në këtë rast të pikturuarit, ku lejohet kuratori të bashkëbisedojë rreth qendrimit estetik të artistit. Bësoj se për secilin individ, që merret me artet pamore, qoftë si artist apo qoftë si mendimtar, studiues, kritik, historian apo filozof arti ka rëndësi kjo përballje e drejtëpërdrejtë, pasi lidhet me shprehjen artistike. 

Fatmir Juka është piktor i shekullit XXI. Ai tenton të rrokë situatat më bashkëkohore të shprehjes artistike dhe në këtë kuptim krijimtaria e prezantuar i përket artit gjeometrik viceversa abstraksionit organik i kombinuar me neo-ekspresionizmin. Për të vendosur këtë cikël veprash në vendin e duhur mendoj të theksoj se arti gjeometrik mbështetet në struktura të organizuara. Abstraksionizmi organik mbështetet te format e lira, të ngjashme me ato të natyrës. Kjo na mundëson të kuptojmë që artisti krijon pikturë me forma të parregullta, por të organizuara me shumë kujdes. Struktura gjeometrike dhe marrëdhënia e qartë e formave dhe ngjyrave nuk kanë saktësi matematikore, por ndërtojnë një sistem vizual të qartë dhe harmonik. Por nëse do mbeteshim me kaq, do të ngrinim shumë dyshime dhe paqartësi. Piktori bën ndërhyrje emocionale përmes ngjyrave të forta, të cilat u shfaqën në vitet 70 – të shekullit XX në Europë dhe ShBA. Ato i dhanë jetë një drejtimi të ri modern, neo-ekspresionizmit. Dhe nëse i ndjekim pikturat një e nga një do të zbulojmë karakteristikat kryesore të këtij drejtimi, të cilat theksoj se janë: ngjyrat e forta të përdorura me emocion dhe kontrast. Penelatat energjike dhe spontane, të cilat duket se krijojnë shtresa, tekstura dhe gjeste të ndryshme.

Ky këndvështrim estetik parimesh dhe cilësisësh arti na tregon se dy ciklet “Fanfara dhe Cuasi-Modu” kanë përmbajtje të energjisë emocionale pasi shprehja e tyre artistike lidhet me drejtimet artistike të lartëpërmendura dhe ato simbolike, pasi përsëri shprehja artistike ka afruar mbi sipërfaqet piktorike detaje figurative si: duar, këmbë e portrete të gjeometrizuar, të cilët janë epiqendra e zbulimit të figurës njerëzore; shtëpi, varka, zogj e luledele, si lengu i jetës njerëzore. E gjithë situata figurative e të dy cikleve është krijuar si rezultat i ekzekutimit dhe ndërthurjes së formave gjeometrike të parregullta, disa ngjyrave intensive në kontrast me disa nëngjyra të heshtura, si dhe atij të krijimit të një figurë qëndrore, që shprehet nga kombinimi i abstraktes me figurativen, të cilat janë ekszekutuar me liri dhe ekspresivitet.

Qershor 2026

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË