…National Gallery of Art për Londrën është si Louvre për Parisin. Dallimi mes këtyre dy galerive të arteve figurative më të famshme të botës është dallimi mes Londrës dhe Parisit, apo, edhe më gjerë, dallimi mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës. Për G. K. Chesterton-in, “London is a riddle. Paris is an explanation: Londra është rebusi, Parisi është shpjegimi i rebusit”…
Në të vërtetë, mendoj se National Gallery është ku e ku më e pasur nga Louvre dhe tërheq ekspozita botërore shumë herë më tepër se Louvre. Por, ndërsa francezët i kushtojnë më shumë vëmendje ambalazhit, dukjes – një instinkt ky latin – (Louvre është një përzierje e stilit të Renesansës Franceze, barokut, neoklasicizmit, me shtesën e mëvonshme moderniste), ajo e Londrës është thjesht një ndërtim neoklasicist dhe postmodern.
Para disa ditësh, në National Gallery of Art u hap ekspozita e piktorit spanjoll të shekullit XVI – konsideruar Epoka e Artë e artit spanjoll – Francisco de Zurbarán (1598-1664).
Zurbarán shpesh quhet edhe Caravaggio i pikturës spanjolle, sepse piktura e tij mbizotërohet nga kontrastet e mprehta të dritës dhe të hijeve. Pa përmendur edhe ngjashmëritë e një jete të turbullt të piktorit spanjoll, mes krimit, varfërisë dhe famës, që ta kujton jetën e vetë Caravaggio-s.
Zurbarán – i quajtur edhe piktor i Seviljes – ka qenë për shumë kohë “piktor i nënvlerësuar”. Për disa arsye, për mendimin tim:
Zurbarán është i eklipsuar nga dy kolosë bashkëkohës, Velázquez dhe Murillo. Ndonëse Velázquez e çmonte pikturën e Zurbaránit (i cili ishte piktor i Seviljes), aq sa shumë porosi të pallatit mbretëror, të vetat, ia kalonte shpirtmadhësisht Zurbaránit. Po ashtu, piktura e Zurbaránit është më religjioze, më e devotshme, më asketike, më katolike.
Në këtë pikëvështrim, Zurbaráni duket se është më i afërm me El Greco-n e madh. Në një botë ateiste, kjo nuk i sjell asnjë favor! Nuk është e rastit që gjatë Luftës Civile të Spanjës, republikanët internacionalistë merrnin udhëzime nga Kominterni që të digjnin me urrejtje pikturat e Zurbarán-it. Përfytyroni një Asim Voksh a katundarë të tjerë të inatosur shqiptarë si Ramiz Varvarica, Zef Hoti, Musa Fratari, Thimio Gogozoto, Emrush Myftari, tek hynin nëpër kishat e Spanjës dhe përballeshin me pikturat e Zurbarán-it….
Megjithatë, ashtu siç ka ndodhur me pikturat e Caravaggio-s dhe të El Greco-s, edhe piktura e Zurbarán-it ka ndikuar jo vetëm te shumë piktorë pasardhës të njohur të botës, por edhe te disa prej regjisorëve më të mëdhenj të kinematografisë botërore.
Pa pretenduar të paraqes vlerat dhe veçoritë e artit të tij – gjë që është jashtë mundësive të mia – më lejoni të paraqes disa nga veprat e Zurbaránit, të cilat më pëlqyen deri në tronditje, ashtu siç ndodh kur je përpara Artit më të Madh të Njerëzimit.




Piktura ‘Krishti në Kryq’ më duket si një vepër në të cilën piktori duket sikur përpiqet të njësohet me idhullin e vet, me El Greco-n.
Ndërsa vepra tjetër, ‘Shën Luka përpara Krishtit të Kryqëzuar’, është një celebrim i artit të pikturës, i shenjtërimit të këtij Arti. Shën Luka është protektori i piktorëve. Shën Luka paraqitet me paletën e ngjyrave dhe është si një vetëportret i piktorit.
Në ‘Shfaqja/Apparition e Shën Pjetrit’, apostulli i madh na shfaqet me kokë poshtë dhe ai duket sikur nga çasti në çast do të ngrihet në këmbë. Dhe njëra ndër pikturat më prekëse është portreti i Kasildës së Toledos, një princeshë myslimane, e bija e Emirit të Toledos. Kasilda njihej si islamike e devotshme, e megjithatë kjo nuk e pengonte të shkonte fshehurazi në bodrumet ku sundimtari i Toledos, babai i saj, mbante në zinxhirë robërit e krishterë. U çonte bukë fshehurazi, u mjekonte plagët dhe i ngushëllonte me fjalë shprese… Legjenda thotë se ndodhi që i ati i saj u ndesh përballë me Kasildën, pikërisht kur ajo po mbante në prehrin e vet bukët për të burgosurit. Sundimtari dyshues e pyet të bijën se çfarë mban në prehrin e saj dhe ajo, tek do të tregojë sekretin e vet, bukët shndërrohen në një buqetë trëndafilash… Pikërisht ky është edhe momenti që Zurbarán-i na shfaq në veprën e tij… një vajzë e çiltër, e devotshme, e pushtuar nga mirësia e vetësakrificës dhe e ndriçuar nga besimi i vet…
Ndërsa piktura ‘Koka kolosale’ është një vepër enigmatike, e afruar instinktivisht me artin që do të vijë tre shekuj pas vdekjes së Zurbaránit. Vepra është mbi 2 metra e lartë!
P.S.: Gjatë kohës që vizitoja Galerinë e Londrës, nuk e di përse, por kisha një ndjesi të rreme dhe më dukej herë-herës sikur ndodhesha në Muzeun Mesjetar (Galeria Ikonografike) në Korçë… Apo ky ishte një aparicion i pavullnetshëm, nën ndikimin e pikturave të Zurbarán-it?


