KreuNjë letër e panjohur e poetit Gaspër Pali drejtuar kolegut të universitetit...

Një letër e panjohur e poetit Gaspër Pali drejtuar kolegut të universitetit dhe të letrave, Filip Ndocaj, si dhe dy foto të panjohura të asaj kohe

Paraqitur nga Stefan Çapaliku

Letra e poetit Gaspër Pali mban datën 27 prill 1940 dhe është nisur nga Firence për në Shkodër, ku jetonte shoku i tij i kursit, prozatori Filip Ndocaj. Siç mund ta lexoni në të Gaspër Pali shfrytëzon rastin “t’i pikojë” mikut të vet dy përshtypje nga leximi i novelës “Jetë të vetmuemish”, botuar në gazetën “Tomori”, më 7 prill 1940.

I dashtuni Filip.

Novela jote m’erdh pa pritun; prandej kam dashtë me e kndue me nji herë, ma teper se nji herë e me shijue jeten e dikurshme. E mbahet si me të pas tye ngjet. Kujtoj diten qi shetitshim bashkë në pjazen e DUOMIT. Ftytyrat t’ona ishin të zbeta porsi qiella mbi krye t’onë; a e din se novela jote me njalli njatë gjendje shpirtnore? Bekue kjofshin kohet kur na u sjellshim; e kur androjshin per Jolen e Klejden; e kur u endshim udhësh të pazhurmë, nsa hana nga snalti na shiqote!

Të bjen ndër mend? Kur ndonji dritsore u ndritte n’errsinë e kur ndonji endacak na soditte me çudi ne shetitsat e natës.

E tanë kjo botë m’u ngjall e thirrun nga penda magji-plote e jotja. E Klejde m’u paraftyrue vasha që në zemër m’kishte ndez nji flakada dashnijet. Ti më fryene në hinin e shpirtit tim, më preke nji varrë.

Der ktu foli shoku, tash due të flasë kritiku. Motivi i novelës ma pëlqye tejet. Asht ……i andjes, që s’mund të arrihet, që përban …. karakteristike. E prandej ai ves pesimizmi e trishtimi.

Por due të pves nji gja: n’at ambjent tepër të ngushtë, a thue s’ishte me kenë mirë…….. për nji ditë tjetër?

Mandej për stil. Unë bindem që ti Filip, që je nji ndjekës i rrymës moderne përdorë aq shumë pika. Leni shejat konvencionale e që i shërbejshin dikur romanticizmit dekadent, për me shprehë, ata shka s’ndiheshin…

Mandej, novelës nuk i ke dhanë nji unitet si duhet. Un e di nga të ka rrjedhë.

Ti novelën e ke shkurtue shumë në “Tomorri”, e kjo gja e ka zbe. Kuptoj arsyet, por un kostatoj faktin. Mandej, për me u kuptue nga marë bota shqiptare duhet të ….. disa forma dialektore kosovare.

Provo dialektin e Elbasanit e novela jote ka me pasë lexues të shumët.vKaq kritika jeme…

Për mue si Gaspër, qi i kam kalue disa skena, e kam kuptue novelën e për kët arsye të jam edhe ma tepër mirnjohës.

Ti rreshtova kto oroe se e die se je tue përgatitë mbledhjen për botim. E mue më don zemra që të dalë për bukuri.

Filip, pse kësaj here  nuk të shkruej ma gjatë: jam shumë melankolik, gati i dëshpruem. S’die se pse.

Të përqafoj,

Gaspri

p.s.

……Gati kjeq tue harrue emnin t’and. T’uroj ditën emnit. E gzosh e përshumë mot. Mot, ishalla, ishalla me nji nuse të vogël (në kje se në shtrat jo) ….. i fejuem.

Al professore di latino

Ad multos anos

Gaspri

Fotot janë të datës 22 shkurt 1939 në Firence. (Foto 1) Duke nisur nga e majta:
Gasper Pali, 3. Ndrek Dema, 5. Filip Ndocaj. (Foto 2) Gaspri i gjashti nga e majta. (Arkivi personal Stefan Çapaliku)

NJË KOMENT

  1. Rrofsh,BUJAR HUDHRI për këtë përkthim për BULGAKOVIT që,për 50-vjet të kohës së diktturës,qe fare i panjohur,kur dhjetra autorë të tjerë RUSË apo të kohës “SOVJETIKE”i gjeje me shumicë. Kujtoj,veç tjerash, shkrimi për DANTESIN famkeq që vrau PUSHKININ. EX-Libri të ngopë me shkrime cilësore.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË