More
    KreuLetërsiBibliotekë"Zotërinjtë e padukshëm japonezë" tregim nga Graham Greene

    “Zotërinjtë e padukshëm japonezë” tregim nga Graham Greene

    Tetë zotërinj japonezë po hanin një darkë peshku te Bentley’s. Rrallë shkëmbenin fjalë në gjuhën e tyre të pakuptueshme, por pa harruar buzëqeshjen e sjellshme dhe shpesh përkuljen e lehtë të trupit. Të gjithë mbanin syze, me përjashtim të njërit. Zonjusha tërheqëse, e ulur në një tavolinë pranë dritares disi më tej, hidhte herë pas here një shikim kalimthi drejt tyre, ndonëse problemi i saj ishte serioz dhe nuk e lejonte t’i kushtonte kujdes të veçantë askujt tjetër në botë veç vetes dhe mikut të saj.

    Kishte flokë të rralluar biondë, fytyrë tërheqëse e të imët në stilin e kohës së Regjencës, por edhe ovale që shëmbëllente si një miniaturë edhe pse mënyra e të folurit ishte e vrazhdë. Theksin ndoshta e kishte përvetësuar në shkollën prej së cilës ishte larguar para pak kohësh dhe që duhej të ishte Kolegji i Vajzave në Roedean ose Cheltenham. Mbante një unazë-vulë në gishtin e fejesës; në kohën që unë zura vend në tavolinë, me zotërinjtë japonezë të vendosur midis nesh, ajo ia dha një britme, ‘E shikon pra, javën e ardhshme mund të martohemi’.

    ‘Vërtet?’

    Miku i saj e humbi toruan. Ai i mbushi gotat rishtazi me Chablis dhe tha, ‘Sigurisht, por Mamaja…’ Nuk arrita ta kap të gjithë bisedën sepse më i moshuari i japonezëve u anua mbi tavolinë me një buzëqeshje e një përkulje të lehtë të trupit. Në vijim, ai murmuriti një paragraf të tërë, bash ashtu siç do të kishin çuçuritur trumcakët në një kafaz. Ndërkohë, të gjithë të pranishmit rreth tryezës përkulën trupin në shenjë respekti tek buzëqeshnin e dëgjonin, gjë që nuk më la aspak mospërfillës.

    Nga ana fizike, i fejuari i ngjasonte zonjushës. Për mendimin tim, që të dy mund të kishin qenë dy miniatura, të varura pranë njëra tjetrës, në një panel druri të bardhë. Ai duhej të kishte qenë një oficer i ri në flotën e admiralit Nelson në kohën kur dobësia dhe ndjeshmëria nuk përbënin pengesë për ngritje në detyrë.

     ‘Si fillim, do të më paguajnë pesëqind sterlina,’ tha ajo, ‘Për më tepër, të drejtat e librit tashmë janë shitur.’ U befasova nga kjo deklaratë e fortë që i përkiste botës së biznesit; fakti që ajo i përkiste profesionit tim ishte një shok i vërtetë për mua. Ende nuk i kishte mbushur të njëzetat. Meritonte një jetë më të mirë.

    ‘Por xhaxhai im…,’ tha ai.

    ‘Ti e di e që marrëdhëniet me të nuk i ke të mira. Kjo është e vetmja mënyrë për të qenë të pavarur.’

    Ti do to jesh e pavarur,’ tha ai me smirë.

    ‘Tregtia e verës nuk të vjen për shtat aspak, apo s’është kështu? Për ty fola me botuesin tim dhe ka shumë të ngjarë …sikur ta filloje një herë me leximin…’

    ‘As që e kam idenë e librave.’

    ‘Ndihma ime nuk ka për t’ju munguar kurrë.’

    ‘Mamaja thotë se të ardhurat që vijnë nga të shkruarit janë një mbështetje e mirë ekonomike, por…’

    ‘Pesëqind sterlina dhe pesëdhjetë për qind e të drejtave të librit janë një mbështetje e madhe,’ tha ajo.

    ‘Chablis-i është i shijshëm, si të duket?’

    ‘Vërtet i shijshëm.’

    Mendimi im për djaloshin filloi të ndryshojë – brumin e Nelson-it nuk e kishte. Ishte i destinuar të dështonte. Ajo iu afrua dhe e qortoi rëndë. ‘E ke idenë se çfarë tha zoti Dwight?’

    ‘Kush është Dwight-i?’

    ‘I dashur, ti nuk po më dëgjon, apo gaboj? Dwight-i është botuesi im. Ai më tha se kishte dhjetë vjetë që nuk kishte lexuar një roman të parë me një forcë të tillë vëzhguese.’

    ‘Fantastike,’ shpërtheu ai, ‘kjo është vërtet fantastike.’

    ‘Nga ana tjetër, ai këmbëngul që unë t’ia ndryshojë titullin.’

    ‘Vërtet?’

    ‘Titulli Përroi i pareshtur nuk i pëlqen. Kërkon ta zëvendësojë me Kompleti i Chelsea-it.’

    ‘Ç’ përgjigje i dhe?’

    ‘Rashë dakord me të. Jam e mendimit që, me romanin e parë, gjithkush duhet ta lumturojë botuesin. Veçanërisht kur është fjala për atë që, në fakt, do t’i mbulojë shpenzimet e martesës sonë, apo s’është kështu?’

    ‘Të kuptoj mirë.’ I hutuar ashtu siç ishte, me ndihmën e një piruni, përzjeu Chablis-in – ndoshta ngaqë përpara fejesës kishte blerë gjithmonë shampanjë. Zotërinjtë japonezë kishin mbaruar së ngrëni peshkun dhe në atë çast, me një anglishte të mangët, po i jepnin kamerieres  -një mesogrua – porosinë për një sallatë të freskët. Zonjusha iu hodhi një vështrim dhe pastaj ktheu shikimin nga unë; besoj se hodhi vështrimin drejt së ardhmes. Kisha një dëshirë të madhe ta paralajmëroja atë për planet e saj të së ardhmes që mbështeteshin në romanin e parë Kompleti i Chelsea-it. Mendimi im përputhej me atë të mamasë së djaloshit. Ishte një mendim aspak miklues, por kjo ndoshta vinte ngaqë mosha ime ishte e njëjtë me atë të «mamasë» së saj.

    Doja ta pyesja, A jeni e sigurt se botuesi ju thotë të vërtetën? Botuesit janë qenie njerëzore. Ata nganjëherë e teprojnë kur është fjala për virtytet e të rinjve dhe të njerëzve të paraqitshëm. A do ta lexojë ndokush romanin Kompleti i Chelsea-it pas pesë vjetësh? A jeni e përgatitur që përpjekjet e shumë viteve të pësojnë, ‘një disfatë të madhe për arsyen se nuk keni bërë asgjë të vlefshme?’ Me kalimin e viteve të shkruarit bëhet më i vështirë, përpjekjet ditore bëhen më sfiduese, fuqitë ‘vëzhguese’ dobësohen; kur t’i arrish të dyzetat, të tjerët do të gjykojnë për atë që jep dhe jo për atë që premton.

    ‘Romani i dytë do të ketë si subjekt të mahnitshmen St Tropez’

    ‘As që e dija se paske qenë atje.’

    ‘Jo, nuk kam qenë kurrë, por një sy vëzhgues është tepër i rëndësishëm. Në krye të gjashtë muajve, mund ta fillojmë jetën nga e para së bashku në St Tropez.’

    ‘Pagesa paraprake do të jetë katandisur në një grimcë të vetme deri atëherë.’

    ‘Pagesa paraprake është vetëm një pagesë fillestare. Kam për të marrë edhe pesëmbëdhjetë për qind mbas pesëmijë kopjeve dhe njëzetë për qind mbas dhjetëmijë të tillave. Sigurisht, i dashur, pas përfundimit të librit të dytë do të marr edhe një paradhënie tjetër. Madje një shumë më të madhe nëse Kompleti i Chelsea-it shkon mirë me shitjet.’

    ‘Po sikur kjo të mos ndodhë?’

    ‘Zoti Dwight thotë se do të ndodhë. Ai diçka di.’

    ‘Biznesin tim xhaxhai do ta fillojë me njëmijë e dyqind sterlina.’

    ‘Si do të vish në St Tropez atëherë, i dashur?

    ‘Ndoshta do të ishte më mirë që të martoheshim pasi të ktheheshe ti.’

    Me një zë të ashpër ajo tha, ‘Nëse Kompleti i Chelsea-itshitet në një numër të konsiderueshëm kopjesh, mund të mos kthehem fare.’

    ‘Oh.’

    Ajo i hodhi sytë nga unë dhe nga grupi i zotërinjve japonezë. Verën e ktheu deri në fund dhe më pas iu drejtua djaloshit me pyetjen, ‘Mos po grindemi, vallë?’

    ‘Jo.’

    ‘Titullin e librit të dytë e kam gati – Bluja e kaltër.’

    ‘Mendoja se e kaltra është blu.’

     Ajo e vështroi e zhgënjyer. ‘Me sa duket, ty nuk të pëlqen të martohesh me një shkrimtare, apo e kam gabim?’

    ‘Ti, nuk je shkrimtare.’

    ‘Jam, dhe madje shkrimtare e lindur – këtë e thotë vetë zoti Dwight. Forca ime e vëzhgimit…’

    ‘Po, këtë ma the e dashur, por a nuk do të ishte më mirë të vëzhgonit pak më afër shtëpisë suaj? Për shembull, këtu në London?’

    ‘E kam bërë këtë në romanin Kompleti i Chelsea-it. Nuk kam asnjë lloj dëshire ta përsëris vetveten.’

    Llogaria kishte kohë që prehej mbi tavolinë. Ai nxori portofolin për ta paguar, por ajo, ia rrëmbeu faturën në mënyrë të rrufeshme duke shtuar, ‘Sot festoj unë.’

    ‘Po për…?’

    Kompleti i Chelsea-it, natyrisht. Je shumë i lezetshëm i dashur, por nganjëherë – nejse, ti thjesht nuk kupton.’

    ‘Do të preferoja…nëse nuk ke kundërshtim…’

    ‘Jo i dashur, sot paguaj unë. Dhe zoti Dwight, natyrisht.’

    Ai u tërhoq pikërisht në momentin kur dy zotërinj japonezë filluan të flisnin me zë të lartë në të njëjtën kohë. Më pas, ndaluan fare papritur dhe përkulën trupin përballë njeri-tjetrit, a thua se ishin bllokuar në hyrjen e një banese.

    Në fillim kisha menduar se dy të rinjtë ishin dy miniatura të përngjashme, por në fakt kontrasti mes tyre ishte tepër i madh. I njëjti tip bukurie mund të përmbajë njëkohësisht dobësi dhe forcë. Nëse partnerja e tij do të kishte jetuar në kohën e Regjencës, do t’i kishte lindur, mbase, një duzinë fëmijësh pa anestezi, ndërsa ai, fare lehtë do të binte viktimë e syve të parë zeshkanë në Napoli. A do të vinte një ditë që në raftin e saj të kishte një duzinë librash? Ama, edhe librat duhet të lindin pa anestezi. Unë mbaja veten me shpresa se romani Kompleti i Chelsea-itdo të përfundonte në një katastrofë të vërtetë dhe se ajo përfundimisht do t’i futej modelimit fotografik, ndërkohë që ai do të përforconte pozitat e tij në biznesin e tregtisë së verës, diku aty afër parkut St James. Nuk doja kurrsesi ta përfytyroja zonjushën si një dytëshor të zonjës Humphry Ward (1) të brezit të saj – për më tepër se nuk prisja të rroja aq shumë. Mosha e madhe na ruan nga të perceptuarit e shumë gjërave të frikshme. Doja të dija se cilës shtëpi botuese i përkiste Dwight-i. Nuk e kisha të vështirë ta përfytyroja përmbledhjen në kapakun e pasmë të librit që ai do ta shkruante për fuqinë zhbiruese të vëzhgimit të saj. Nëse ishte i zgjuar, do ta bashkëngjiste fotografinë e saj, gjithnjë në kapakun e pasmë, sepse kritikët, ashtu si edhe botuesit, janë qenie njerëzore, dhe për më tepër, sepse ajo nuk i ngjante zonjës Humphry Ward[1].

    Vazhdoja t’i dëgjoja të dy kur flisnin tek merrnin palltot në fund të restorantit. Ai tha: ‘Nuk po e kuptoj se ç ‘bëjnë këta japonezë këtu.’

    ‘Japonezë?’ u përgjigj ajo. ‘Çilët japonezë, i dashur? Nganjëherë, më shmangesh aq shumë, sa më bën të mendojë se nuk ke ndërmend të martohesh me mua.’

    Përktheu nga anglishtja: Aristidh Shqevi

    Oslo, 19.08.2020


    [1] Mrs Humphry Ward (1851 – 1920), shkrimtare britanike që përdori emrin e të shoqit, Humphry Ward në të gjitha librat e saj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË