More
    KreuLetërsiBibliotekë"Zonja halucinante" nga Mimoza Ahmeti

    “Zonja halucinante” nga Mimoza Ahmeti

    Drita rrokullisej mbi xhamat e veturës, ndërsa ajo, me një ndjenjë padurimi nxitonte atë paradite të gjente dyqanin më të parë të aromave.
    Qëndroi. Edhe u çudit me besnikërinë e veturës: qëndroi menjëherë!
    Ajo dhimbje koke do t’i merrte jetën, por pak aromë e mirë do t’i bënte mirë gjer atëherë. Qirinj aromatikë e dhimbja do të lehtësohej!
    Askush nuk e dinte se sa vuante ajo nga dhimbjet, por do të ishte e kotë të thoshte ndonjë fjalë, pasi e gjitha ishte një gjuhë tjetër…
    Qirinj nuk kishte, të paktën jo aromatikë. Shitësja ofroi disa lule të thara dhe ato ishin vishnje.
    Gruaja u mahnit nga bukuria e tyre dhe ideja se të gjitha aromat e mira bashkë jepnin ngjyrën vishnje, e tronditi. Ishin lule të futura në mëndafsh rozë dhe tyl të së njëjtës ngjyrë.
    Flokët i kishte të drejtë, por ndjeu se iu bënë me onde; rrobat i kishte të thjeshta, por u ndje e veshur në vishnje; buzët e palyera i shihte gjak vishnje.
    Në vagulli gjeti derën dhe doli me lulet në dorë, me aromën e pafundme të grykave e luginave të vjeshtës.
    Ishte pranverë.


    Sa e bukur dukej ajo rrjetë lulesh në veturën e saj! E kuptoi se nuk ishte vetëm dhimbja që e pati shtyrë të nxitonte në kërkim të aromave, por edhe malli i pafund për dikë që kishte muaj pa parë. I dha veturës si e çmendur nga gëzimi që e takoi, megjithëse… nuk kishte tjetër veçse: një veturë, një grua dhe një qese mëndafshi me lule vishnje – ky ishte takimi.
    Gruaja po u merrte erë luleve. Kënaqësia ishte e pafund, pasi nuk po ndahej dot prej tyre. Ishte si një e puthur e rrallë nga ku nuk ke dëshirë të shqitesh.
    Nëse dikush do ta shihte ashtu, mund të mallëngjehej, por një sy i stërvitur mashkulli, në ditët tona, do të neveritej. Kish ikur koha e këtyre puthjeve. Një mirësi e tillë të ngjall krupë! Sidomos e rrethuar me flokë të ondeve të mrekullueshme që, në fakt, janë fare të drejtë.
    I shoqi e pati cilësuar si një halucinante, femër që vuante nga përfytyrime të pabazuara dhe nuk e fshihte njëfarë neverie për gjendjen e saj të rëndë.
    Por edhe ai tjetri, për të cilin ajo përmallej kaq shumë, nuk kishte ndonjë qasje më të mirë.
    Ajo sillej në hapësirën midis burrit dhe të dashurit pa pasur as njërin as tjetrin dhe këtë e quante lumturi qyteti.


    Gruaja ishte aq e bukur, saqë mosha e saj nuk kishte rëndësi, por bukuria e saj ishte në një gjendje aq të gjorë, saqë do të duhej të ishe njeri i prekur nga jeta që ta quaje të bukur atë grua. Vuajtjet e nervave e kishin sfilitur. Por nuk ishin ato vuajtje të cilat na vijnë sepse vetë i kërkojmë. Dhe as nga ato që rastësisht na gjejnë.
    Nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi prej tyre, pasi ato që e drejtonin, ishin vullnet i paparashikueshëm, i futur në trupin e saj, kushedi nga.
    E kishte marrë malli të mërzitej. Por e kishte humbur këtë të drejtë njerëzore, pasi edhe mërzia më e vogël ndihmonte atakët nervorë. I dukej e mrekullueshme koha kur mund të mërzitej, kur mund të vuante nga mendime të kundërta dhe dëshira të papërmbushura dhe kur mund t’u jepte ditëve të saj një pamje të zymtë si moti në kohë me re.
    Sa i lumtur është dhe nuk e di, mendoi ajo, sa i lumtur është njeriu që mund të mërzitet. Mërzitet dhe nuk vdes!


    Te dera e klinikës mentale gjeti disa fytyra të murrme. Prisnin, të ulura, radhën. Nuk e kuptoi çfarë e pati atë farë tronditjeje mbi shtresën e përhershme të tronditjes! Pacientët dukeshin të rrënuar. Jo aq nga neurozat, sesa nga skamja. I shkoi ndoshta nëpër mend se mund të ishte një nga ata? Sakaq, dalloi në kokën e njërit një lungë të madhe, plot damarë. I luajti kërthiza. U nis të dilte, por te dera u shfaq ndihmësmjeku që i tha:

    • Urdhëroni, zonjë!
      Kaloi e trembur midis të sëmurëve që nuk reaguan.
      Pas tryezës, me një regjistër të madh përpara, i urtë, si një kec i bardhë, qe ulur doktori. Vitet e shumta ua shtonin freskinë ninëzave që emetonin burim.
    • Kam ardhur vetëm të pyes… – tha me ndrojtje gruaja.
    • Flisni lirshëm. Nuk do të shkruaj asgjë, zonjë, – tha ai. – Nuk po ju hap kartelë.
    • Vuaj nga kontraksione, ngjethje të trurit…
    • Keni provuar qetësues?
    • Nuk m’i pranon trupi.
    • Do të mësoheni!
    • Ka ndonjë mënyrë tjetër? – belbëzoi ajo. – Ka shërim?
    • Duhet besim i jashtëzakonshëm, – tha ai, – është thuajse e pamundur.
      Ajo doli pa e mbaruar ai fjalën.
    • Mendohuni për një kurë, zonjë! Kur të merrni vendim për ta përballuar, ejani, por nuk lejohet pirja e qetësuesve me hope! Kuptuat!

    Gruaja u gjet përsëri në rrugë. Një shtresë e re pikëllimi u shtrua mbi të përhershmen: mosshërimi! Ç’ishte kjo jetë e përzier përditë me vdekje? Plani i vështrimit të saj luhatej, perspektiva e pamjes kurbëzohej. Ishte një luftë e pamatë për t’u bashkuar me unin.
    I dukej se merrte urdhra nga një drejtim i panjohur. Sjelljet ishin bërë të çuditshme: midis gjendjeve dhe dëshirave nuk kishte më lidhje. Nuk qëndronte dot në një vend…
    I vetmi fakt i pandryshueshëm në ndërgjegjen e saj, në atë ndërgjegje aq të ndryshueshme, ishte fiksimi pas një ideje: Kishte rënë në dashuri!
    Ishte kapur për vdekje pas kësaj fijeje, si e vetmja që e mbante në frymë. Vdiste e ringjallej çdo çast duke u mbajtur në të, por edhe kjo ide kishte problemet e saj. Bëhej fjalë për një djalosh të parritur që asaj i dukej burrë. Por nuk ishte ky problemi.
    Ndërsa ndodhej përballë tij, ajo ndiente se fusha e tërheqjes krijohej pak më anash tij, disa centimetra më tutje, le të themi. Ajo i ngulte sytë aty, buzëqeshte aty, përgjigjej aty.
    Djaloshi herë pas here kthente kryet anash për të parë se çfarë shikonte ajo aty.
    Një ditë ajo guxoi dhe i tha se, pak më anash, diku më anash tij, ishte një dritë e mbledhur, e bardhë si qelibar, ndoshta… dashuria!
    Por ai u egërsua nga ky pohim:

    • E shikon që nuk je reale? – Përsëriti: – Ta kam thënë që nuk je reale!
      Kaq iu kujtua asaj në atë përhumbje dhe hyri sërish në jetë.
      Shpesa e frymës u ringjall. Kërkonte shembuj shërimi e riardhjeje në frymë, në çdo jetë njeriu.
      Të ishte kaq i madh pasioni i të jetuarit, apo e papërballueshme një vdekje kaq e gjatë?

    Kishte qenë një ditë me re të zeza kur kuptoi se do të vdiste. Një morsë e tmerrshme ia shtrëngoi tëmthat deri te nyjat poshtë qafës. Njësoj si dikujt që e kanë abuzuar… Por ngado që kthente kryet, jeta i dukej një abuzim pa fund.
    Kishte vite që ndihej e zbrazur. Njerëzit nuk e tërhiqnin. E kish mbyllur kapitullin e të dashurit.
    A nuk kishte dashuruar aq shumë ajo dikur? Por edhe kjo ide nuk e ngacmoi.
    Si katandisi kështu? Goxha grua! I vinte zor që rronte. Po kurrë s’e pati menduar vetëvrasjen, madje as tani.
    Dhimbjet bënin kërdinë në gjithë trupin. Duhej një fuqi e mbinatyrshme për të mbetur të gjallë. Ajo s’ishte veçse një mëdyshje fizike.
    (Pjesë nga romani “Zonja halucinante”)

    NJË KOMENT

    1. Një përshëndetje zonj… Mimoza me urimin më të dashur rrespekti, nderi , një intelektuale e përkryer tash më, Po ashtu edhe në krijimtarinë e letrave Shqipe. Duke lexuar fragmentin nga ,Romani : ,, Zonja halucinante ” aq shumë u frymzova , prandej pyes: Si ka mundesi ta kem kët libër ,me që unë jam larg mundesie ta gjej, në mergim. Ka ndonjë mundesi dergese nëpérmes , Linjes adresë interneti. Ju falenderoj si do që të jetë përgjegjéja juaj. Mergimtari

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË