More
    KreuOpinionZija Vukaj: Poetika e trishtimit

    Zija Vukaj: Poetika e trishtimit

    Brezi i parë romantik nuk ishte aq i tërhequr nga nata dhe nga makabriteti, sesa nga natyra dhe ëndrra. Për këtë shkak në lëndën e ngjyrave parapëlqimet e tyre shkuan para së gjithash ndaj të gjelbrës dhe blu-së, vetëm në një moment të dytë ndaj të zezës. Në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, për herë të parë në Perëndim, ideja e natyrës nuk është më e lidhur sistematikisht me katër elementët (ajri, uji, toka, zjarri), siç kishte qenë praktikisht gjithmonë nga Aristoteli e më pas, por me vegjetacionin. Tashmë natyra është e përbërë nga livadhet e pyjet, nga pemët dhe prozhmet, nga gjethet dhe degët. Është bërë një vend pushimi e meditimi dhe merr kështu një vlerë metafizike; në fshat Krijuesi duket se është më i pranishëm se në qytet dhe manifestohet në një mënyrë tjetër, në një mënyrë më të drejtpërdrejtë e paqësore, në të njëjtën kohë. Natyrisht, ide të tilla nuk janë krejtësisht të reja, por në periudhën 1760- 1780 marrin një rëndësi të tillë, sa ndikojnë në ndryshimin e ndjeshmërisë. Veçanërisht për sa u përket ngjyrave. E gjelbra, deri atëherë e shpërfillur apo pak e dashur nga poetët, bëhet ngjyra e preferuar e dashnorëve të natyrës, atyre “shëtitësve të vetmuar”, për të cilët Zhan Zhak Ruso u bë këngëtar. Dhe jo vetëm e gjelbra, por edhe bluja, ngjyra e ëndrrës, sepse këta shëtitës humbisnin në ëndrrat e tyre dhe aspironin botë të paarritshme. E mistershmja “lule blu” për të cilën flet Novalis (1772- 1801) në romanin e tij të papërfunduar “Heinrich Ofterdingen” është ndoshta simboli më i përsosur i këtyre kërkesave të pamundura, por krijon një pikë mbërritjeje, jo një pikë nisjeje. Moda e blusë romantike fillon një brez më parë, me gjasë në vitin 1774, kur Gëte boton romanin e tij epistolar “Vuajtjet e djaloshit Verter” dhe e vesh heroin e tij me një xhaketë blu të kombinuar me pantallona të verdhë. Libri ka një sukses të paparë- nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve- dhe “werthermania” vërshon në të gjithë Evropën, duke arritur më pas deri në Amerikë. Jo vetëm artistët duan t’i paraqesin me pikturë apo gdhendje skenat kryesore të romanit, por së paku për dy dekada të rinjtë donin të visheshin “alla Werther” dhe mbanin të famshmin kostum blu.

    Një tjetër ngjyrë, megjithatë, fshihej në hije dhe priste çastin e saj. Në fillim të shekullit që vjen, në fakt, e gjelbra dhe bluja e romantikëve apo e pararomantikëve rezultuan thuajse të zhdukura dhe e zeza nisi të merrte epërsi gjithandej. Në lidhje të ngushtë me natyrën, me ëndrrat e së bukurës e të pafundësisë ndodhin ide pastërtisht më të errëta që do të mbeten në plan të parë në skenën letrare dhe artistike për gati tre breza. Për të refuzuar sovranitetin e arsyes, për të shpallur mbretërinë e emocionit, për të derdhur lotë dhe përdëllyer nuk mjafton më: heroi romantik është bërë një personazh i paqendrueshëm e i ankthshëm, që jo vetëm rikthen “lumturinë e parrëfyeshme të qenies së trishtuar” (Viktor Hygo) por beson se është shenjuar nga fataliteti dhe ndihet i tërhequr nga vdekja. Që në vitet gjashtëdhjetë të shekullit XVIII- “Kështjella e Otrantos” të Horac Walpole del në vitin 1764- romanet “gotikë” anglezë kishin vendosur një lloj shijeje për makabren, por kjo modë u theksua në fundin e shekullit. – “Misteret e Udolfos” të Ann Radcliffe dhe të 1794, “Murgu” të Matthey G. Lewis të 1795- dhe me të e zeza bën kthimin e saj të madh. Është triumfi i natës e i vdekjes, i shtrigave e i varrezave, i të jashtëzakonshmes e i fantastikes. Vetë Satanai rishfaqet dhe bëhet heroi i poezive të panumërta e i shumë tregimeve- në Gjermani ato të Hoffmann; në Francë ato të Charles Nodier, të Théofile Gautier e të Villiers. “Fausti” i Gëtes ushtroi në këtë fushë një ndikim të njohur, sidomos pjesa e parë e tij botuar në 1808. I frymëzuar nga një personazh historik- një astrolog i shekullit XVI, i bërë personazh legjendar- heroi i Gëtes bën një pakt me Mefistofelin (një prej emrave të Djallit, “ai që nuk do dritën”): në këmbim të shpirtit të tij, ky i fundit i premton Faustit t’i kthejë rininë e humbur dhe me të të gjitha kënaqësitë që mund të kënaqin shqisat e tij. Historia zhvillohet në një atmosferë vaçanërisht të zezë. Nuk mungon asgjë: nata, burgu, varreza, kështjella e rrënuar, qelia, pylli, shpella, shtrigat dhe sabati, nata e Valpurgës në lartësitë Blocksberg, në malet e Harzit. Epoka e Verterit duket shumë e largët dhe kostumi i tij blu është zëvendësuar, nën penën e Gëtes, me një paletë që nuk mund të bëhet më e zezë.

    Me romantizmin vetë nata fiton një përkohshmëri të veçantë. Për të gjithë poetët ajo është në të njëjtën kohë e ëmbël dhe mizore, vend strehimi dhe ankthesh, fantazmash e udhëtimesh të errëta. “Himnet e natës” të Novalis (1800) e “Netët” e Myse (1835-1837) janë një përgjigje ndaj “Ca net” të Edward Yung, botuar disa dekada më parë (1742-1745). Këto meditime, të mbizotëruara nga ideja e vdekjes, qenë përkthyer në të gjitha gjuhët e Evropës dhe në vazhdim të shoqëruara nga gdhendjet në stilin marramendës të William Blake (1797). Në “Natë dhjetori” Muse është sfilitur nga një personazh misterioz që merr hera- herës aspekte të ndryshme (një fëmijë i varfër, një jetim, një i huaj), por që është gjithnjë “i veshur në të zeza” dhe i ngjan poetit “si një vëlla”. Shopen bën të njëjtën gjë në shumë prej “Nokturneve” të tij (1827- 1846), duke e përkthyer në muzikë këtë temë të dukjes së dyfishtë natën. Gjithkund mbizotëron një ndjenjë trishtimi, kjo e keqe e shekullit, që në mesjetë konsiderohej një sëmundje e vërtetë- etimologjikisht, një teprim i vrerit të zi (malinconia)- dhe që për poetët e shekullit XIX bëhet një kusht i detyrueshëm, gati një virtyt. Çdo poet ndjente se duhej të ishte melankolik, të ishte i destinuar të vdiste i ri (Novalis, Kits, Shelli, Bajron) ose të mbyllej në një zi të pashërueshëm. Zherard de Nerval e bën më mirë se çdokush tjetër në fillim të sonetit të tij “El Desdichado”- I pafati, (1853), në katrenën më të njohur të të gjithë poezisë franceze:

    “Unë jam i errët,- i ve, i dëshpëruar,

    Princ i Akuitanës me kullë të hequr:

    I vetmi yll ka vdekur,- e mbi udë të yllëzuar

    Është shtypur diell i zi, veç trishtimi ka mbetur.”

    (shq. z.v.)

    Ky diell i zi, që kthehet shpesh në veprën e Nervalit dhe ka pa dyshim origjinën e vet piktorike në një miniaturë të shekullit XIV, ka zënë vendin e lules blu të Novalis. Është simboli i një brezi të tërë që kënaqet nga sëmundja e vet dhe paralajmëron vargun e frikshëm dhe çjerrës të Sharl Bodlerit të disa viteve më vonë: “Satana, ki mëshirë për vuajtjen time të gjatë”. Marrëveshja e Faustit me djallin mbetet më aktuale se kurrë.

    Përveç kësaj, një rrymë “fantastike” përshkon pothuajse gjithë shekullin XIX. Edhe pse në frëngjisht kjo fjalë bëhet emër vetëm në vitin 1821, ajo çfarë shenjon është e mëparshme. Nuk bëhet më fjalë për mrekulli përrallore të romantizmit të parë, por për një rrymë shumë më të zezë, në të cilën bëjnë aleancë grotesku, okultja, tërbimi, e madje satanizmi. Ezoterizmi e spiritizmi janë shumë në modë; disa poetë mblidhen në varreza, të tjerë kërkojnë të praktikojnë magjinë e zezë, të tjerë akoma janë anëtarë të shoqërisë sekrete apo marrin pjesë në bankete të përmortshme, duke pirë pije alkoolike në kafka boshe. Akoma në fundin e shekullit në romanin “Në kthim” (1884), Joris Karl Huysmans (1884- 1907) e fillon tregimin e tij duke ndërmendur një të tillë “drekë të përzishme”, të shërbyer nga zezake të zhveshura në një sallë ngrënieje me perde të zeza, ndërsa një orkestër e padukshme luan marshe funebre”. Konsumohen vetëm ushqime të zeza, të errëta apo ngjyrë lejla dhe pihen pije të kësa ngjyre:

    “Ishin shërbyer në pjata me bordurë të zezë, lëng breshke, bukë thekre ruse, ullinj nga Turqia, havjar, putarga qefulli, pastiçe të tymosura të Frankfurtit, kafshë gjahu në salcë jamballi apo lustrues këpucësh, krem tartufi, krem i qelibartë çokollate, ëmbëlsira alla angleze, kumbulla, konserva rrushi, mana të zinj, qershi të zeza. Kishin pirë në gota të errëta, verëra të Limanjes e të Roussillon, të Tenedos, të Val del Peñas e të Portos dhe, pas kafesë e rakisë së lëkurës së arrës, ishte shijuar kwas, birra e zezë stout.”

    E njëjta shije për zinë dhe vdekjen shfaqet në fushën teatrale në vitet njëzet të shekullit XIX. Nuk ngurohet më të tregohet në skenë dhuna dhe krimi. Fundi i shekullit XVIII kishte zbuluar Shekspirin; romantizmi shtyhet më tej dhe përshtat nga shumë prej personazheve të tij, prej të cilëve bën perënditë e veta mbrojtëse. Hamleti, sidomos, bëhet një hero romantik dhe kostumi i tij i zi, një uniformë e vërtetë, shumë më e ngjashme në ndjeshmëri dhe në modën e momentit sesa kostumi blu tepër për së mbari i Verterit, tashmë krejtësisht i dalë nga moda.

    Shoqëria nuk bie më poshtë dhe e bën të zezën ngjyrë mbizotëruese të veshjes mashkullore, një tendencë e destinuar të zgjasë shumë. Dukuria fillon të shfaqet në vitet e fundit të shekullit XVIII, theksohet në kohën e revoluconit francez- një qytetar i nderuar duhej asokohe të vishte një kostum të zi- triumfon në epokën romantike, humbet gjatë gjithë shekullit XIX dhe shteron vetëm në vitet njëzet të shekullit XX. Konsideratë, qoftë për veshjen elegante, atë prej ‘dandy’ dhe të personave të botës, ngritur në modë nga Brummel në Angli rreth vitit 1810, qoftë të burrave me pasuri më modeste, garderoba e të cilëve është e kufizuar dhe që besojnë (mbase me pafajësi?) se gjejnë tek e zeza një ngjyrë mbi të cilën papastërtia dhe ndotja lënë më pak gjurmë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË