More
    KreuLetërsiBibliotekë"Zgjimi i detit", tregim nga Enver Kushi

    “Zgjimi i detit”, tregim nga Enver Kushi

    Ka ditë, që në orën 700, sapo hap zyrën dhe ulem në karrige, për disa minuta vështroj me vëmendje fotografinë nën xhamin e trashë të tavolinës. Është një fotografi e vjetër, dalë 10 vjet më parë në një nga qytetet e veriut. Atëherë sapo kisha filluar punë në dikaster dhe pas një jave isha nisur me shërbim. E ndërsa vështroj fotografinë, ndez cigaren dhe nuk e di pse më kap trishtimi, kur kujtoj ato vite. Isha 10 vjet më i ri, kisha botuar ndonjë vjershë në shtypin letrar dhe mbaj mend që i ngjitja dhe i zbrisja shkallët e dikasterit me vrap. Kanë kaluar 10 vjet, mendoj. E megjithatë e njëjtë është zyra, tavolina, karrigia e vjetër e marrë ndoshta nga ndonjë rekuizitë teatri, telefoni i hirtë dhe numri 23772, makina e shkrimit, një mprehëse lapsash në ngjyrë blu, madje dhe një gomë e përgjysmuar, dosjet… Vetëm muret e ndërtesës matanë rrugës janë bërë gri, degët e fikut gati po trokasin në dritaren e katit të tretë dhe ka tre vjet që vajza bionde nuk del më në ballkon për të ujitur karafilat. Ajo është martuar dhe rrallëherë del në ballkon një plakë e vogël, që seç mërmërit nëpër dhëmbë dhe pastaj futet brenda, duke përplasur me forcë derën.

    Tani më quajnë nëpunës të vjetër, mjeshtër të formulimit të shkresave zyrtare, të gatshëm për të marrë detyra shtesë dhe nga shefa të tjerë. Vitet e fundit pi shumë cigare, eci pak i kërrusur dhe seç kam një druajtje sa herë që më thërrasin për ndonjë problem eprorët ose kur i shkoj në zyrë shefit tim. Shumë prej tyre janë larguar, kanë ardhur të rinj, që i ngjitin ose i zbresin shkallët e dikasterit me nxitim, si unë dikur, ose pinë rrallë kafe në orën 700 si ata të parët. I tillë është edhe shefi im i ri. Ndonëse i ka të 50-at, nuk është marrë me punë zyre. Herë-herë më duket i heshtur, i zymtë, i pakënaqur ndoshta me punët e zyrës ose me informacionet e mia të para. Herë-herë kam përshtypjen se është i çliruar nga komplekset e eprorëve. Duart i mban në xhepa, qesh me të madhe me shefat e tjerë nëpër korridore, më vjen në zyrë e më jep ndonjë porosi në këmbë, pa më thirrur zyrtarisht në telefon, thotë se nuk i duron dot mbledhjet dhe materialet e gjata, më kërkon ndonjë mendim për filmin e parë në televizion, hidhet papritmas në ngjarjet e fundit në Evropën Lindore. E rrallë duket i nervozuar, më mirë të them njëfarë nervozizmi ose pragnervozizmi, që asnjëherë nuk shpërthen. Ndryshe nga shefat e tjerë, që kam pasur këta 10 vjet, – them me vete. Dhe kujtoj ndërkohë një nga shefat që punoi vetëm dy vjet në drejtorinë tonë e që vuante nga ulcera dhe mania e pastërtisë. Mbaj mend që dorezat e dyerve të zyrave nuk i prekte asnjëherë me dorë të pambështjellë me shami. Thonin se në zyrë mbante edhe një shishe me alkool për të larë duart në fund të orarit zyrtar. Ndonëse zyrat i kishim ngjitur, vazhdimisht na thërriste për ndonjë problem vetëm me telefon. Mbaj mend edhe një tjetër që qëndroi më gjatë. Nxinte në fytyrë dhe kishte frikë nga firmat që hidhte. Porosia e parë që na dha ishte; “Asnjë lëvizje pa lejen time. Edhe në bufe po të shkoni. Në rast të kundërt do t’ju djeg. Do t’ju kontrolloj gjatë orarit zyrtar. Beso dhe kontrollo, ka thënë Asdreni. Shkruajeni me germa kapitale në faqen e parë të blloqeve tuaja. Kaq për fillim. Shkoni!”

    Kanë kaluar kaq vite e megjithatë hijet e tyre më ndjekin pas. Nuk më hiqet ajo druajtje e pse të mos ta them hapur, njëfarë përuljeje e ndoshta njëfarë servilizmi, që nuk e kam pasur kur fillova punën këtu. Ndoshta nuk është servilizëm. Ndoshta është një ndjenjë e trazuar respekti për eprorët e mi, për cilindo epror. Ja, trokas në zyrën e shefit të ri dhe, kur dëgjoj që nga brenda zërin e tij të fortë: “Hyr!”, hap me ngadalë derën dhe pastaj i kërkoj të falur, i them se po të jetë i lirë, t’i hedhë një sy materialit që sapo kam përgatitur.

    – Mos rri në këmbë, – më thotë shefi. – Ulu dhe më jep një cigare.

    Unë i zgjas me drojë cigaren, ndërsa ai ngrihet në këmbë, lëviz nëpër zyrë e pasi më sheh me vëmendje thotë:

    – Dukesh i lodhur. Në orën 1000 do të pimë bashkë një kafe. Do të të qeras unë sot.

    Unë përpiqem ta kundërshtoj me mirësjellje e ai ia pret:

    – Lëri këto. Nesër e ke radhën ti.

    Po kur vjen e nesërmja nguroj t’i trokas shefit në zyrë e ta ftoj për kafe. Dhe kur pas dy-tri ditësh dalim të dy në orën 1500 dhe në rrugicën përballë dikasterit shoferët presin pranë makinave. “Fute në garazh, – i thotë shoferit. – Edhe sot në këmbë. Edhe pasdite nuk është nevoja. Drekën e mirë.”

    Kështu ndodh pothuajse çdo ditë. Të paktën sa herë dalim bashkë këto fjalë dëgjoj. Rruga nuk është më shumë se 400 metra, por…

    – E dëgjuat mbrëmë tërmetin! – them unë sa për të thyer heshtjen.

    – Mos ke parë ëndërr? – thotë shefi.

    Unë hesht papritur. Ndoshta mund të ketë qenë ëndërr…

    – Të ecurit në këmbë na bën mirë, – thotë shefi. – Sa kilometra ecën ti në ditë?

    – Jam i papërgatitur për t’u përgjigjur, – them unë. – Ndoshta gaboj po të them se eci dy kilometra.

    – Më informo nesër me shkrim, – thotë ai me seriozitet. – Dua një informacion të plotë edhe për inspektorët e tjerë. Qartë!

    Dhe kur bëhem gati për t’iu përgjigjur ai qesh me të madhe sa tërheq vëmendjen e njerëzve.

    – Nesër materialin e keni gati, – i them unë. – Do të punoj edhe pasdite, ndonëse kam pasur dhimbje stomaku.

    – Ha bukë të thekur ti?

    – Rrallë, – them unë.

    – Bën mirë të hash vazhdimisht, më thotë shefi.

    – Do të bëj përpjekje për të zbatuar porosinë tuaj, – i përgjigjem unë.

    – Do të ha thuaj, – më tërheq vëmendjen shefi, duke qeshur. – Buka e thekur të bën mirë për stomakun.

    Ne ndahemi duke i thënë drekën e mirë njëri-tjetrit e ai më kujton se pas tri ditësh do të kem shërbim në qytetin “L”. Do të shkojmë bashkë, më thotë.

    Është shërbimi i parë dhe unë do të shoqëroj shefin e ri. Se si e pres këtë udhëtim. Disa orë në një makinë me shefin, ndalemi në restorantin e Ujit të Ftohtë, të ngrënët bashkë, hoteli, dhoma dyshe… Unë dhe gërhas në gjumë… E kam zili Gonin. Të vijë dhe ai me shërbim. Të paktën ai s’e ka këtë druajtjen time. Edhe anekdota di shumë dhe i tregon bukur. Pastaj se si më duket shefi i ri… Më tremb, ose më mirë të them sikur ma shton druajtjen jozyrtarizmi i sjelljes së tij, qëndrimi i shpenguar që mban me mua… Dhe më kujtohet shefi i mëparshëm që në fund të çdo mbledhjeje na përsëriste shprehjen: “Beso e kontrollo” (gjatë vitit e ndryshonte autorësinë e kësaj thënieje. Herë thoshte është e Asdrenit, herë e Mjedës ose njërit prej klasikëve të marksizëm-leninizmit). Të paktën ai edhe në shërbim sillej si në zyrë. Dhe isha i kënaqur. Sapo niseshim nga Tirana, më dukej sikur nuk lëvizte makina, po zyra e shefit: asaj i ishin vënë timoni dhe katër rrota. Atje ishin tavolina, telefoni i kuq, disa lloje lapsash të mprehur me kujdes, dosjet, kalendari javor dhe shënimet për mbledhjet e ndryshme, thirrjet në raport të inspektorëve, orari i pirjes së kafesë… Të gjitha këto, me shefin hijerëndë të ulur në karrige, niseshin me shërbim.

    Kështu mendoja ato ditë për shërbimin e parë me shefin e ri. Çdo mëngjes pyesja time shoqe nëse kisha gërhitur natën, e, kur ajo më thoshte: “si vazhdimisht”, mendoja me ankth hotelin dhe dhomën e përbashkët ku do të flija me shefin. Dhe ditën kur u nisëm, gjatë udhëtimit, sikur i harrova të gjitha, edhe atë dreq drojë. Mendjen e kisha te nata dhe shqetësimi që mund t’i sillja shefit nga të gërhiturat. Por, për habinë dhe jashtë natyrës sime, isha unë ai që ngula këmbë që të qëndronim atë natë në atë qytet e të flinim në një nga kabinat e kampit të pushimit në periferi të qytetit e fare pranë bregut të detit. Ishte vonë kur mbaruam konsultën dhe u ndamë, duke refuzuar lutjen e inspektorit të qytetit për të pirë të paktën një kafe. Nxitojmë, tha shefi. Të paktën një kafe, ngulte këmbë inspektori. Jeni i lodhur. Nuk pi kafe mbasdite, tha shefi. Ka kakao, ka çaj bliri, tha inspektori. Jemi vonë, tha shefi. Ju do të qëndroni, tha inspektori. Kemi njoftuar drejtorin e kampit të pushimit. Akoma s’kemi vendosur, tha shefi. Apo jo shoku Lea? Do të qëndrojmë, thashë unë menjëherë. Është shumë vonë për t’u nisur. Atëherë ndahemi, i tha shefi inspektorit të qytetit.

    – Një kafe mund ta kishim pirë, – tha ai.

    – Natën e mirë, – tha shefi.

    – Do të lidhem prapë me drejtorin, – tha inspektori.

    Makina ecte në një rrugë fare pranë bregut. Shefi nuk fliste. Shihte i përqendruar detin, dritat e dobëta të anijeve të peshkimit. Kishte kohë që nata kishte rënë mbi det.

    – Kthehu majtas, – i thashë shoferit. – Ja kampi.

    – Mund të ishim nisur për Tiranë, – tha shefi, duke zbritur nga makina.

    – Tani është vonë, – i thashë.

    – Duhej të kishim ikur me kohë, – tha ai.

    – Le të kalojmë një natë këtu, – i thashë.

    – Nuk duhej të qëndronim këtu, – tha prapë ai i menduar.

    – Hoteli është i mirë, – thashë. – Edhe deti pranë.

    – Duhej të kishim ikur, – tha ai.

    – Do ta kalojmë mirë, – thashë unë.

    – Po të kishim mbaruar para një ore, mund të ishim nisur për Tiranë, – tha ai, duke vështruar godinën e bukur të kampit të punëtorëve.

    Unë i thashë prapë se do ta kalonim mirë, se hoteli ishte i qetë e se mund të hanim supë të shkëlqyer e të pinim verë me peshk të pjekur. Pastaj i thashë se vërtet ishte fundi i tetorit, por i ftohti nuk ndihej e se mund të shëtisnim gjatë bregut të detit. E pse të iknim natën, kur mund të pushonim e të nesërmen të niseshim ndoshta që në orën shtatë ose të ndalonim më gjatë në Manastirin e saporestauruar të Ardenicës. I thashë shefit nëse kishte qenë kohët e fundit në këtë manastir. Më tha se kishte vite pa shkuar. Është një vend i shkëlqyer, thashë unë, duke hapur derën.

    Holli i kampit ishte i gjerë, me shqiponja që kishin zënë me gjethet e tyre të mëdha muret dhe kishin mbuluar disa tablo pikture të varura në to.

    Përshëndetëm sportelisten, cila u ngrit menjëherë në këmbë dhe na tha se shoku Sotir e kishte marrë disa herë në telefon. Në këtë sezon kemi disa dhoma të lira, tha ajo. Është një stinë kur njerëzit kanë frikë nga shirat, por ja që po mban më mirë se në maj, vazhdoi të fliste ajo. Shoku Sotir më dha porosi të veçantë për ju… Edhe për të ngrënë kemi marrë masa.

    – Atëherë pa humbur kohë, të mbarojmë punë me formalitetet, ndërhyri shefi.

    – Kemi edhe dhoma teke, – tha sportelistja.

    – Shumë mirë, – thashë unë.

    – Jo, tha shefi. – Më mirë dhomë dyshe.

    – Për të mirën tuaj e kisha, – tha sportelistja. – Si të doni, – tha ajo, duke buzëqeshur. – Shoku Sotir më porositi disa herë…

    – Si të doni, – përsërita unë mekanikisht fjalët e sportelistes.

    – Letërnjoftimet ju lutem, – tha ajo si e zënë në faj. – Unë për të mirën tuaj e kisha. Dhomën e keni nga ana e detit, – shtoi ajo, duke na zgjatur çelësin. – Është e ngrohtë.

    – Më mirë jo nga deti, – tha shefi.

    – Janë me pushues, – tha sportelistja.

    – Po ngjis çantat, – thashë unë.

    Dhoma ishte në fund të korridorit të katit të tretë. Çantat i lashë mbi tavolinë, mbylla derën dhe nxitova për të zbritur në katin e parë.

    – Çdo gjë në rregull, – i thashë shefit.

    – Darkën e keni gati, – tha sportelistja. – Në sallën përballë.

    E falënderuam sportelisten për kujdesin dhe u ulëm në një nga tavolinat e sallës së restorantit. Na shërbeu menjëherë një kamerier i ri. Kur dolëm nga restoranti, sporteli ishte pa njeri. Në kolltukët e hollit ishte ulur një burrë rreth të gjashtëdhjetave dhe dremiste. Ndoshta ishte roja i natës dhe me siguri flinte, sepse nuk ndjeu as derën e jashtme kur u hap dhe ne dolëm.

    Kaluam sheshin e vogël para kampit dhe po ecnim drejt bregut të detit. Shefi qëndroi dhe, duke kryqëzuar duart, vështronte hapësirën e gjerë që shtrihej para nesh. Është një përgjumje e pabesueshme e detit, që mund të ndodhë vetëm në një natë tetori e ndoshta aq rrallë, sa është me fat ai që mund ta shohë e ta prekë vetëm një herë në jetën e tij këtë përgjumje. Shefi është krejt i përqendruar në vështrimin që ka hedhur përpara. Duket sikur ka frikë t’i afrohet bregut ose të flasë, ka frikë se mos zgjon detin.

    – Ecim, – them ngadalë unë, fare ngadalë.

    – Po, – thotë ai pas pak.

    Dhe ne ecim në heshtje me kujdes, me shumë kujdes. Se deti fle, mendoj. Se ai mund të flejë një herë në 100 vjet, mendoj. Ndoshta një herë në 1000 vjet. Ndoshta ky nuk është gjumë. Është vetëm një dremitje e shkurtër, fare e shkurtër… Pastaj i them shefit se tetori ka herë-herë një qetësi nanuritëse ose është një nga muajt kur njeriu seç ndjen, ndoshta diçka që ka të bëjë me lamtumirën, me një ndarje të përmallshme…

    Shefi më shikon me vëmendje dhe pas një heshtjeje të gjatë thotë: “Nuk ka si vjeshta e dytë. Edhe unë në këtë muaj seç kam një përmallim. më merr malli. Më kupton? Dhe dua të iki, të vrapoj, të zhytem në det, t’i zgjoj këto hapësira. A ke menduar ndonjëherë për zgjimin e këtyre hapësirave të përgjumura? Nuk mund ta duroj dot përgjumjen… Më kupton? Asnjë lloj përgjumjeje. Përfytyro këtë det memec. Dhjetë vjet, njëzet vjet memec… Nuk besoj të ketë gjë më të tmerrshme. Sonte na pëlqen vetëm në këto çaste kjo përgjumje…”

    Ai ka ndaluar dhe hedh vështrimin tej hapësirave të përgjumura të detit dhe unë mendoj se këto hapësira mund t’i zgjosh me një zë, me një të goditur ose me një zhytje në të. Pastaj përfytyrova zgjimin e detit dhe nuk e di pse u drodha. Le të flejë ca, mendova. Ndoshta një orë, ndoshta më shumë e ndoshta deri në mëngjes pa dalë dielli, e pastaj le të zgjohet për të fjetur pas një mijë vjetësh… Dhe herë-herë më merr malli për të dhe deti ma shuan këtë mall, thotë shefi, duke më shkëputur nga mendimet e mia. Kështu më ndodh sa herë që jam pranë detit, shton ai.

    U rënqetha nga ajo e folur dhe nga fytyra disi e verdhë, zbehtësia e saj, sytë e turbullt… Përse fliste ashtu ai, me atë zë të thellë, sikur kërkonte diçka nga hapësira e përgjumur? Për ç’mall e kishte fjalën? Ndoshta për fëmijërinë, për nënën që s’e kishte apo për një fëmijë, që me sa dija, i kishte vdekur shumë vite më parë.

    Unë them diçka nëpër dhëmbë. As vetë nuk e di se ç’them. E teprova, mendoj, por s’ka gjë. Ndoshta nga vera e mirë që pimë, ndoshta largësia nga Tirana, ndoshta sytë e përmalluar dhe trishtimi që për herë të parë e vë re te shefi. Kam pirë disi më shumë. E ndiej këtë. Avujt e alkoolit po pushtojnë dalëngadalë trurin. Bëra mirë që piva, mendoj. Gjithë jetën i ngrirë. Mos e pi kafenë shumë… Me shefat kujdes… Mos zgjo mërinë e tyre… Kujdes… Pastaj mendova se si nuk ka një monument për këtë heshtje e qetësi vjeshte të dytë, për këtë det të përgjumur. Le të vendosim këtu, pranë këtyre brigjeve, ku deti dremit një herë në një mijë vjet… një monument për vjeshtën e dytë dhe përballimin gërryes njerëzor.

    Dua t’ia them shefit të gjitha këto. T’i them se nuk ka asgjë të keqe që, pikërisht në këto brigje, të ngrihet ai monument. Por papritur heq dorë. Marrëzira, them me vete. Nuk duhej të kisha pirë aq shumë, mendoj. Të kisha pirë më pak verë. Ose më mirë të kisha pirë birrë. Të isha pirë një shishe birrë. Por vera ishte e shkëlqyer dhe bëra mirë që piva. Ose ta kisha përzier verën me ujë gline, si4 më tha shefi. Shefi kështu e pi verën. Megjithatë më mirë që e piva të papërzier me ujë gline, se vera ishte e shkëlqyer… dhe uji i glinës do t’i prishte shijen…

    – Qëndro pak, – tha shefi.

    – U lodhët? – e pyeta unë.

    – Shih nga kurorat e pishave, – tha ai.

    Tutje mbi kurorat e pishave, po del hëna. Ajo ngjitet ngadalë e ngrihet, sikur shtyn me duar heshtjen e natës së vjeshtës së dytë. Drita e bardhë mbulon gjithçka. Edhe detin që vazhdon të dremisë, e ka mbuluar si qefin hëna. Tani bregu duket më mirë. Më mirë duken në rërën e butë gjurmët e rralla të ditës, copa gazetash, ndonjë rrënjë peme… I them shefit të qëndrojmë dhe pak sa të ngjitet hëna më lart.

    – Më mirë lëvizim, – tha ai.

    – Po të keni ftohtë…

    – Nuk kam ftohtë, – tha ai. – Nata është e butë dhe hëna sikur ngroh sonte.

    E ndërsa ecim ngadalë dhe vështrojmë hapësirën e ndriçuar nga hëna, befas qëndroj.

    – Ç’ke? – pyeti shefi.

    – Dëgjoni gjë? – them ngadalë.

    – Jo, – përgjigjet ai.

    – Sapo e dëgjova, – thashë. – Ishte një zë… Një zë i thellë me një përmallim njerëzor.

    – Pusho, – thotë shefi. – Mbase e dëgjojmë prapë.

    Ç’është kjo natë, them me vete, duke pritur të dëgjoj atë zë. Dhe zëri u dëgjua pas pak. I njëjti si më parë. I përmalluar a si një klithmë lamtumire.

    – Është zog i vjeshtës së dytë, – thotë shefi, – këndon rrallë, vetëm në netët si kjo kur vjeshta e dytë është në mbarim të saj. Në njëfarë kuptimi është zëri i lamtumirës i vjeshtës së dytë… Se pastaj ai ikën. Shtegton larg, në vise me pranverë.

    – E çuditshme, – them unë me zë të ulët.

    Ai fliste për zogjtë e vjeshtës së dytë, për hënën që kishte dalë nga kurorat e pishave, për detin e përgjumur, si të ishte poet.

    Zëri i zogut të lamtumirës u dëgjua edhe kur hapa dritaren e dhomës dhe pashë kupolën e qiellit. Ajo shtrihej paanë nën pushtetin e hënës. Mbylla dritaren dhe tërhoqa perden për të zënë dritën e neonit që vinte nga jashtë.

    – Hape perden, – tha shefi. – Dua të vijë dritë nga jashtë.

    – Ndoshta bën ftohtë, – thashë. – Perdja…

    – Lëre hapur, – më ndërpreu ai. – Natën dua të kem një ndriçim sado të vogël.

    – Po të doni lëmë dritën ndezur, – thashë.

    – Nuk është nevoja, – tha ai. – Në çantë kam një peshqir, – shtoi pas pak. – Hiqe nga çanta dhe vëre mbi tavolinë.

    Peshqiri ishte i madh. Ndoshta e ka marrë për t’u fshirë pas dushit, mendova. Doja t’i thosha se mund të kishte bërë dush sapo erdhën, se tani ishte vonë… Por nuk thashë asgjë. Shefi kishte mbyllur sytë dhe dukej se po flinte. U zhvesha, eca në majë të gishtave për të fikur dritën dhe u shtriva në krevatin tim. Gjumi më zuri vonë dhe zogun e vjeshtës së dytë e dëgjova disa herë…

    Mund të ishte ora dy ose tre pas mesnate kur nëpër gjumë dëgjova një si bubullimë e m’u duk sikur u hap dritarja dhe u thyen xhamat. I përgjumur u ngrita përgjysëm mbi krevat dhe pashë shefin që rrinte në këmbë te dera. Ndeza menjëherë dritën e abazhurit. Shefi kishte zënë dorezën dhe përpiqej të hapte derën. Fytyra e tij ishte e kuqërremtë. Edhe krahët kështu m’u dukën. Nuk arrita t’i thosha: “Ç’bën shef!”, kur ai hapi derën dhe doli jashtë.

    U ngrita menjëherë, instinktivisht mora peshqirin mbi tavolinë dhe dola në korridor. Vrapova. Kur zbrita shkallët e katit të dytë, shefi kishte dalë nga dera e hapur e kampit. Mendimi i parë ishte të zgjoja portierin. Kolltuku ishte bosh. Edhe sporteli gjithashtu. Atëherë rrëmbeva receptorin e telefonit. Të njoftoj spitalin, mendova. Ç’spital, thashë, duke ulur menjëherë receptorin dhe vrapova jashtë. Nga larg pashë shefin që vraponte drejt bregut të detit. Ç’është kështu, gati sa s’thirra me zë të lartë. Po sikur të mbytej? Po përse të mbytej? Mos ishte somnambul? Kisha lexuar një novelë dikur dhe parë në film televizor për somnambulizmin. Mendova me ankth shefin e mbytur. Gjurmët… Ekspertiza… Hetimet e gjata. Urdhri i arrestit me nr… Viktima u gjet e mbytur më 31 tetor…

    M’u prenë gjunjët dhe mbeta si i ngrirë fare pranë bregut. Si nëpër mjegull shikoja shefin e zhytur në det dhe këmbët nuk më bënin të shkoja më tej. Vura duart në kokë dhe thirra me sa fuqi kisha. Thirra prapë… Por shefi vazhdonte të zhytej në det. Pastaj dëgjova zërin e zogut të vjeshtës së dytë e pas pak shefin që kishte dalë në det e po vinte drejt meje. Kur më erdhi pranë, i zgjata peshqirin. Doja t’i thosha se ç’ishte ajo që bëri, se mund të ishte mbytur se… Mbeta si i vuvosur. Ai po ecte drejt kampit, duke u fshirë me peshqirin e madhe dhe kur hyri në dhomë, ai ishte shtrirë dhe dukej se e kishte zënë gjumi. Dola në dritare.

    Bregu i detit ndriçohej nga hëna. Dukeshin gjurmët e shefit tim. I ndoqa me vëmendje ato gjurmë që shkonin deri në breg. Dukeshin dhe gjurmët e mia, fare pranë atyre të shefit ose të ngatërruara me të tijat. Nuk po e merrja akoma veten. Ndieja të rënqethura, ndonëse brenda ishte ngrohtë. Ishin të rënqethura ëndrre, kur papritur zgjohesh si në kllapi e kur e merr veten ndjen të ftohtë. Fika dritën e abazhurit. Drita e hënës sikur ia shtonte zbehtësinë fytyrës së shefit. Ç’ishte kjo që ndodhi, mendoja. Krizë nervore? Apo somnambul? Apo diçka tjetër që lidhej me detin… A i ndodhte shpesh kjo? Ndoshta vetëm atëherë kur ishte pranë detit… Përse vallë ai vrapim, pastaj ajo zhytje në det, pastaj dalja nga deti dhe qetësimi i shefit? Nuk duhej të kishim fjetur kaq pranë detit, mendova. Ndoshta mund të kishim fjetur në hotelin tjetër në qytet, nga ku deti nuk duket. Ose në një nga dhomat e po këtij kampi nga dukej pylli me pisha. Hodha edhe një herë vështrimin jashtë. Deti ishte zgjuar. Dallgë të vogla përplaseshin lehtë në breg dhe tutje në horizont, hëna po binte në det. Ajo m’u duk e lodhur e sikur po shkonte të qetësohej. Rashë për të fjetur. Gjumin e bëra me copa. U ngrita disa herë i trembur…

    Të trokiturat vinin të mbytura. Kur u hap dera ata më ngritën me forcë e më thanë: “Këtu është kryer një krim. Viktima është gjetur në bregun e detit. Jeni i arrestuar!”

    Hodha menjëherë batanijen dhe u ngrita nga krevati. Pashë orën. Donte edhe dhjetë minuta të shkonte shtatë. Shefi flinte. Ora e shefit mbi tavolinë donte dhe dhjetë minuta të shkonte shtatë. Çdo ditë në këtë orë dal nga shtëpia. Nga rrugica, deri në stacionin e autobusit e bëj me vrap. Pastaj dyqind metrat e fundit, eci me hap të shpejtë dhe në orën shtatë përshëndes portieren e dikasterit. Kam dhjetë vjet që e bëj këtë rrugë. Çdo ditë kështu…

    Ndërsa sot jam disa qindra kilometra larg zyrës, në një dhomë ku kam bërë një gjumë të trazuar dhe me ëndrra. Ëndrra që mund t’i shihja vetëm këtu, thashë me vete, në këtë kamp pushimi të qetë, pranë një deti të përgjumur, në një natë të fundit të vjeshtës së dytë. Ëndërr, thashë, duke parë jashtë rërën e qullur nga vesa, që mund të kishte rënë pas mesnate. Nga vera që piva, mendova. E teprova me verën që piva. Më ra në kokë dhe prandaj bëra gjumë të trazuar… Ëndërr do të ketë qenë dhe deti i përgjumur…

    Tani në brigje dallgët përplaseshin me forcë dhe gjëmimi i tyre binte mbi xhamat e dritares. Doja të zgjoja shefin, t’i thosha të ngrihej e të shihte hapësirat që gjëmonin. Por në çast ngurrova. Përsëri m’u shfaq druajtja e tmerrshme e nëpunësit të vjetër të dikasterit… Le të flejë, thashë me vete. U vesha dhe dola jashtë. Zbrita me nxitim shkallët dhe pastaj vrapova drejt brigjeve të detit.

    ______________

    Shënim: Ky tregim është shkruar në vitin 1987. Duke përdorur metaforën e detit dhe zgjimin e tij, jam përpjekur të jap atmosferën e kohës në Shqipërinë e përgjumur, që kërkonte të zgjohej, ashtu si deti.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË