POPULLI IM
Ky populli im i lashtë
Që deri këtu ka ardhur,
Ishin dhe nuk ishin bashkë
Po në luftë nuk kanë falur.
Ai kurrë s’e shkeli fjalën
Se e kishte me besë shumë,
dy duart i kish për pallën
Kishte gjunjë, po s’ra në gjunjë…
Kështu ishim, kështu mbetëm
Se ishim lulja e burrit,
Ai u përkul vetëm
Para ZOTIT dhe FLAMURIT…
DY LUMEJTË…
Gjithë lumejtë do vërshojnë
Herë vrullshëm, herë avash.
Ata ecin dhe s’ndalojnë
Asnjë herë nuk kthehen pas.
Dhe lumejtë njerëzorë
Gjithmonë para do vërshojnë,
Ndryshe nga lumejt, luginash
Do kthehen që të kujtojnë…
Do kthehen që të kujtojnë
Gjithë ata që kanë ikur,
Asnjëherë mos i harrojnë
Sepse në shpirt na ka pikur…
Këta lumej kthehen mbrapa
Se brenda digjen nga zjarri,
Mjerë ata që s’hedhin hapa
Tu shpien lule te varri…
MORA RRUGËN
Mora rrugën për tek nëna
Zot o Zot,
Ku flinte më rrahu zemra
Fortë e fortë.
Atje ishte dhe babai
Perëndi,
Zemra filloi të më qajë
Si dy sy…
Erdha nënë, dielli im
Të të shoh,
Nëna nuk ka perëndim
Lindjen njoh.
Ati im rrezet e diellit
Zot o Zot,
Zgjuar unë i kam në gji
Jetë e mot…
MOJ PIKA E LOTIT…
Moj pika e lotit sa e vogëël je
Këputesh nga sytë dhe bije përdhe,
Moj pika e lotit që brenda ke zjarr
Dhe me flakën tënde djeg drurë dhe bar.
Moj pika e lotit që rrjedh si burimi
Kur bie në tokë ndizet gjelbërimi,
O moj pika e lotit ti je ndarë në mes
Gjysma për atin, tjetra nëna, s’vdes…
VARGJET ÇANË MURET E KALASË
Burgosur te shtatë penxheret, atë mot
Kuçioti që tundi muret si rapsod,
I lidhur këmbë e duar me zinxhirë
Pas tërhiqte një copë hekur me pahir.
Qelia po rridhe ujë sa shumë pikonte
Kuçioti me zemrën stërrall, do duronte,
Po brenda qelisë hyri si një bubullimë
Lufta që bëri Çerçizi, vetëtimë.
Ishte lufta e Mashkullorës, histori
U vra Hajredin Tremishti dhe u mbajt zi,
Po turku doli i mundur për liri
Ngjarja u fut brenda burgut, në qeli.
Duart lidhur, prangat zvarrë, me gjëmim
Hodhi vargjet për Çerçizin, me një frymë,
Muret e trashë të burgut vargu i ç au
Edhe turqit nga qelia, sec i vrau…
Leri djemt e mi të shkojnë, turk o turk
Dhe me vetëtimë qëlloi, nga ai burg,
Se ai ishte Çerçiz Topulli, zoti vet
Dhe ju skuqi ju me bojë, po ju vret.
Ja kështu e çau burgun, kënga e kuçiotit
Se ishte nga Labëria, bir i Zotit,
Ka një shekull historia, që ndriçohet
Do vijnë me qindar të tjerë, do këndohet…
VAZHDIM I KËNGËS SË POPULLIT
Dola në udhë e të prita
moj nepërka pika – pika
me tre gurë të godita
të vrava më vraftë pika
-Qenë mollë po dil e priti
I mora nga degë e shpirtit
Të ëmbla si zemra tënde
Cilin djalë ti nuk e çmende.
Të vrava më rëntë pika
Të godita po ti s’ike
Bëra shaka si për dita
Jo mor jo nuk vritet drita
Jam i joti yll me çika…
PORTRET
Për kapele i kam retë
Dhe për supe kam malet,
Për duar kam përrejtë
Për këmbë lumejt që nuk ndalen.
Për kokë do kemë diellin
Dhe yjet i kam për sy,
Goja ime është burimi
Dhe për qafë një selvi.
Dhe jetoj nën qiell
Jam bërë flakë zjarri,
Por në gjoksin tim, si diell
Mbaj zemrën e Shqiptarit…
Atë e kam nga të parët
Brenda meje si minierë,
Ngaqë e kam nga Shqiptarët
Nuk e ndërrova asnjë here…
TEPELENA MËMA E ERËS…
Malet janë burrat
Grykat janë gratë,
U lidhën në çift
Për një jetë të gjatë…
Grykat janë gratë
Që prodhojnë erën,
Që të çajnë stuhitë
Hapur e kanë derën.
Grykat janë mëma
Lindi Tepelena,
Lindën dhe kalanë
Bashkë me bedena.
Vjosa është bija
Përkëdhel kalanë,
Me valët e saj
Gjitone, aq pranë…
Mëma grykë lindi
Birin, trim Alinë,
Era më e marrë
Tundi Rumelinë…
Era mëmë lindi
Gjithë bilbilejtë,
malet baballarë
Nuk i lanë të shkretë…
Selam të foli zemra
Trego veten, të ra shorti,
Me këtë erën e mëmës
Vulosi me grykë të topit…
Mëma erë lindi
Trimin Matohiti,
Orator që bindi
Popullin e ngriti.
Bija e erës lindi
Dhe bijën Nimete,
Lavdia s’e la
E mori me vete…
Shih sa erëra ka
Tepelena Mëmë,
Se na lindi Paron
Golikun për këngë
Lindi Agim Shehun
Edhe Petrit Rukën,
Që i kishin vargjet
Më të shtrenjtë se bukën…
Këto janë erëra
Që i lindi Mëma,
Ata s’vdesin kurrë
Se pronë i ka kënga…
S’janë vetëm këta
Është gjithë historia,
Që i lindën malet
Grykat, mëmësia.
NJERIU KRYQ KRYQËZUAR NË KRYQ
O i dashuri im lexues
Me vëmendje pak më ndiq,
Njeriu në këmbë, krahëhapur
As ngjan vetë me një kryq?
Unë them nga vetë njeriu
Dhe këtë ma thotë shpirti,
Nuk them se e lindi feja
Nga njeriu lindi kryqi.
Ky njeriu krahë hapur
As nuk shpreh dashurinë?
është gati që me zemër
Të të japi përqafim…
Njeriun kryq e mbërthyen
Krishtin krahë hapur në kryq,
Se qe zemra e përqafimit
Në ato mote dhe në atë vit…
Meqë i kishte brenda vetes
Mund të ndodhte ndryshe vallë?
ai u ngjall për dashurinë
për mirësinë ai u ngjall…
DO TË LË MOR BUKUROSH…
Kur i hedh dy sytë e shkruar
Sheh lulen apo sheh mua
Nëse na vështron të dyja
Do dehem nga kënaqësia
Del se qënkemi njësoj
Një puthje do ta dhuroj…
Kur mi hedh dy sytë jeshilë
Të ngjaj si maj a si prill
Sheh sythet a më sheh mua
Të dyja pëllumb i shkruar
Them se do jemi njësoj
Nga ti qafimin kërkoj
Je i mirë e s’të kam faj
Do të puth dhe unë pastaj.
Kur i hedh dy sytë mbi mua
Sheh sythe, filiza shkruar
Nëse vjen më prek me duar
Puthjet do të jenë krua
Dy buzët për ti freskuar
Do ti shpupuris flokët
Dhe do të lë bukurosh
Përmbi gjinj ti ta vësh kokën…
DUA…
Dua një gur të filloj murin
Dua një fjalë të vazhdoj fjalinë
Dua një kokërr të shtoj grurin
një notë kënge për dashurinë.
Dua një puthje të shtoj lumturinë
Dua një lule që të nxjerri sythe
Dua një pikë lot ta mbyll fatkeqsinë
Dua fole të më vijnë dallëndyshe.
Gjeta gurët, e bëra murin
Gjeta fjalët, e ndërtova fjalinë,
Nga kokërra doli ara që mbajti grurin
Notat sollën këngën për burrërinë…
E gjeta puthjen, por jo lumturinë
E gjeta lotin dhe mu bë rrëke
I gjeta sythet, ma dhanë dashurinë
I gjeta dallëndyshet dhe ngritën fole.
Lulështari e lulështoi jetën
Desha, dua dhe do të dua,
Dashuri e lule më dhanë të vërtetën
Që hyri dhe mbeti tek mua…