More
    KreuLetërsiShënime mbi libraYzedin Hima: Miti i femrës në poezinë e Visar Zhitit

    Yzedin Hima: Miti i femrës në poezinë e Visar Zhitit

    Në “Letërsinë e penguar”, për shkak të rrethanave në të cilat kjo letërsi u nyjëtua, figura e femrës është vërtetë një mit. Për shumë të burgosur femra ka qënë ylli polar që i udhëhoqi drejt lirisë përmes vuajtjeve mbinjerëzore të burgut. Femra, ose dashuria për të, ishte për të dënuarit i vetmi qëllim për të cilin ia vlente të mbijetoje në atë ferr, ku ajo që vlente më pak se hiçi qe jeta. Përballë brutalitetit, dhunës, shëmtisë, pisit, ushqimit të pështirë, mjedisit të ashpër mashkullor të burgut, figura e femrës qe si imazhi i oazit për njeriun që vrapon mes shkretëtirës. Urrejtja në burg qe me tepri, kurse dashuria mungonte.Vizatimi i një nudoje në një pllakë guri në mjediset e burgut të Spaçit u përjetua nga diktatura dhe krijoi një shtjellë më keq se shkrimi i një parrulle kundër saj. Linjat e saj të buta, arti i vizatimit, ishte në kundërshtim me parrullat, altoparlantin, britmat e kapterëve, dhunën e tyre mbi të burgosurit. Ajo nudo femre qe e kundërta e gjithçkaje që përjetonte i burgosuri në atë mjedis. Diktatura kujdesej pikërisht për të goditur aty ku dhembte më shumë, te dashuria, duke detyruar gratë apo të fejuarat e të dënuarve politikë që të divorcoheshin me ta. Duke ua këputur këtë lidhje me botën tej telave me gjëmba, dënimi dhe vuajtja merrnin përmasat që diktatura dëshironte dhe izolimi nga bota bëhej i plotë. Pas divorceve, i dënuari nuk largohej nga burgu as me mëndje, se s’kishte se ku të shkonte. Në librat me kujtime nga burgu janë të shumtë shembujt kur të burgosurve u njoftohej divorci me femrat e tyre, sikurse pati shumë e shumë raste kur femrat e të burgosurve u shndërruan në torsa dhembjeje në pritje të burrave të tyre, që dënoheshin dhe ridënoheshin nga diktatura më diabolike në botë. Diktatura qe e vetdijshme që t’i drejtonte ndëshkimet e saj jo vetëm te trupi, por më shumë te shpirti, sikurse nënvizon Mishel Foucault.

              Miti i femrës në tekstet poetikë të  Visar Zhitit është po kaq i pranishëm sa miti i poezisë. Femra dhe poezia në tekstet e tij shpesh shndërrohen në njëra – tjetrën. Krijimi i poezisë i ngjet zhveshjes së femrës, ku zbulohet forma magjepse jo vetëm e saj, por edhe e poezisë: E si të mos të të vijë keq / për ato duar që të zhvishnin / nga kotësia e rrobave prej mjegulle / duke të bërë lumë pa brigje / ndërsa gishtat e dridhjes / pikonin yje, yje blu, ar dhe bardhësi yjesh…/

    Një krijues si Visar Zhiti, në gjendje permanente mahnie, arrin të estetizojë edhe burgun, këtë ferr, jo më femrën që në analizë të fundit, nga pikëpamja e formës është vërtetë një vepër arti. Në tekstin e poezisë “Duart e keqardhjes”, poezi e shkruar në burg, Visar Zhiti vizaton format artistike të femrës që duart e tij njëkohësisht e zhveshin dhe e krijojnë: … e shtrirë, lakuriqe, / reliev hyjnor, e butë dhe rënkonjëse / vazhdimisht braktisëse formash  / bëheshe hapësirë e hutuar, / zjarr brenda akullit, borë që bie në ëndërr…/

    Dhe pas gjithë kësaj dehjeje estetike teksti sjell një pamje krejt tjetër. Duart që aq bukur zhvishnin, zbulonin, modelonin e krijonin, mbërthehen padrejtësisht në pranga, pikërisht pse krijuan: Dhe kumbonin duart e frymëzuara / mbi trupin tënd / si një piano. / Ato duar që i arrestuan / dhe u vunë pranga të rënda sa e shkuara pa ty./… Ah, ikën duart e mia, vetëm / Vijnë tek ty si dy lejlekë të trembur./

    Në tekstet poetikë të Visar Zhitit femra mitizohet jo thjesht për hiret e saj, por edhe për virtytet. Gratë e të burgosurve politikë, sikurse shkruam edhe më lart, në më të shumtën e rasteve kanë ditur të mposhtin diktaturën pikërisht me virtytet e tyre, “material” shpirtëror i paasgjesueshëm nga asnjë lloj dhune. Në një tekst poetik pa titull të Visar Zhitit, gruaja e të burgosurit shihet si një pemë që qëndron buzë humnerës. Gjethet e saj janë të heshtura, nuk

    mund të fëshfërijnë. Nga pikëllimi këto gjethe bien e bien. Vjeshta është stina e tyre e

    përhershme, si stinë e ndarjes, e pikëllimit. Gruaja është pemë e brishtë, e rrezikuar: Gruaja e të burgosurit / është pemë / buzë humnerash / gjethe të heshtura / nga pikëllimi i saj / bien dhe mbushin / botën./

    Uni poetik trishtohet shumë nga shpërdorimi që i bëhet së bukurës, trajtimi jonjerëzor i femrës, fyerja e dinjitetit të saj, mungesa e respektit për të. Në tekstin e poezisë “Në kullën e gruas së bukur” poeti Visar Zhiti vizaton me dhembje portretin e saj të poshtëruar nga statusi i saj i ulët në familje. Poezia është shkruar në vitin 1979 në fshatin Vilë të Kukësit, ku autori punonte si mësues. Është një himn, por edhe trishtim për femrën, për të bukurën e traumatizuar: …Në odën e madhe, shtrirë mbi qilimat e tu, /dëgjoj i ngrysur / hapat e tua prej ballade. / S’e di nga e kuptova, ti je dëshpërimisht e bukur, / nga qëndismat mbase. / Futesh vetëm për të na larë këmbët, / fytyra jote çdo mbrëmje mbytet nëpër legenët. / Trarët e kullës ndjejnë dhembje / si atëherë, kur i ndanë nga pemët./

    Propaganda për emancipimin e gruas në diktaturë ishte qesharake. Pa u emancipuar e gjithë shoqëria, nuk mund të ketë emancipim të femrës. Në diktatura as që mund të bëhet fjalë për shoqëri të emancipuar, ku mungon kriteri numër një për këtë proces, liria: Po unë a të pranoj të m’i lash ti këmbët? / A nuk do më zërë mallkimi i krojeve? Vështrimi im si unazë që bie në ujë, / të ra në zemër / dhe u hutove. /

    Janë dy pyetje retorike që flasin për refuzimin e këtij shërbimi që i bëhej mikut si nderim, duke poshtëruar krijesën delikate dhe të bukur, femrën. Vargu “vështrimi im si unazë që bie në ujë të ra zemër” ndërtohet nga një krahasim: vështrimi im si unazë që bie në ujë dhe një metaforë: të ra zemër. Parë në rrafshin estetik krahasimi është i gjetur dhe origjinal. Fjala unazë mbart tërë ngarkesën e semantikës estetike dhe semantikës kuptimore: vështrimi është tepër i rrallë dhe i vyer si unaza, si ari. Rënia në ujë e unazës është e butë, por disi dramatike, nga frika e humbjes. Metafora të ra zemër shkakton hutimin e femrës, pra ajo e merr mesazhin dhe e pranon atë. Ajo, ndonëse me një status përbuzës ende nuk e ka humbur ndjeshmërinë, sikurse edhe bukurinë. Uni poetik revoltohet duke refuzur nderimin, (larjen e këmbëve), që njëkohësisht është çnderim. Duke e mitizuar femrën ai bën thirrje për sjellje të qytetëruar ndaj saj: Largomani legenin – këtë verbëri të turbullt! / Cohuni në këmbë ju shkëmbinj! / Që të mos mbeteni të egër bëjini vend të Bukurës, / Perëndeshës së jetës! /

    Në këto vargje dallohet qartë mitizimi i femrës si rezultat i destruksionit të mitit të saj nga zakonet dhe kodet shqiptare. Ajo thirret Bukuri me B- të madhe dhe Perëndeshë e jetës.

    Më lart folëm për vizatimin e një nudoje në burgun e Spaçit, e cila solli tronditjen e krejt kampit, edhe të të burgosurve, edhe të komandës, natyrisht në sens të ndryshëm. E kanë  përmendur në kujtimet e tyre këtë fakt edhe shkrimtarë dhe artistë të tjerë të burgosur, ndërsa poeti Visar Zhiti e sjell në mënyrë artistike në tekstin e poezisë së tij me titull “Gruaja komplotiste”: Dy sy të mëdhenj…/ …buzët, / …supet e zhveshura të mermerta…/ barku, fundi i  barkut… / Lakuriq, pa turp / para nesh qendronte jeta. / Në shtjellën e krijuar kemi dy trazime: a.Trazimi i të burgosurve, i cili ishte shpirtëror, estetik, mendor: Një grua / doli nga muri i burgut…buzëqeshte…/ Ajo u dha shpirt gurëve, / gurët nuk ishin më heshtje. / Efekti i nudos te të burgosurit, te uni poetik është krejt njerëzor: Buzët e saj / pakëz  të hapura /na mërmëritën fjalët e dashurisë së parë. / Këmbët tona të zbathura / shpikën vezullueshëm një bulevard. / 

    Duke qënë njerëzor, shkakton edhe zgjimin instiktit dhe kërkimit të lirisë. Në tekst përdoret grotesku për të dhënë përmasat e pështjellimit shpirtëror të të burgosurve: Desh filluam një kryengritje / mbas pak. / Erdhën përforcime, / Se nga doli një tank./

    b.Trazimi i diktaturës, i cili ishte trazim idelogjik, instiktiv mbrojtës nga e bukura, nga arti si agresion. Poeti përdor sërish groteskun për të vizatuar pështjellimin e diktaturës: Filluan reprezaljet. / Të gjendet piktori që organizoi komplotin kundra shtetit / Dhe kjo grua agjente që u hodh me parashutë mbi kamp / të pushkatohet. /  Teksti mbyllet me dy vargje, ku nënvizohet qartë se frymëzimi artistik është frymë hyjnore, sikurse edhe shpresa për liri: Vërtetë / nga qiejt erdhi , nga lart… /

     Në tekstin e poezisë të titulluar “Zemër…”, e cila është shkruar në burgun e Qafë- Barit në vitin 1983, Visar Zhiti thotë: Nxitojnë muzgjet, / Nxiton dhe ti që të arrish më përpara se muzgjet. / Ecën në këmbë, / sepse s’lejohen takimet natën. Nxiton, / që të vesh ti më parë se mbrëmja. /

    Paralelizmi figurativ ku muzgjet dhe gruaja pranëvihen në lëvizjen  e tyre në ngjitjen drejt maleve ( në fakt muzgu nuk ulet, por ngrihet), parë në rrafshin semantik sjell figurativisht sakrificën e femrës që sfidon kohën në të mirë të burrit të saj të burgosur. Në vargjet e fundit të tekstit gjejmë dy metafora: dita shtanget, dita ngrin, të cilat sjellin imazhin poetik se edhe koha ndalet në respekt të altruizmit të femrës dhe synimit fisnik të saj për të takuar burrin në burg: Dhe dita shtanget, / Ngrin. / Të lë ty të ecësh përpara, / që të të vijë nga pas. /

    Në një tekst poetik, i titulluar “Mirënjohje”, i shkruar në Spaç më 6 tetor 1982, mungesa e femrës në burg është shumë më torturuese se të gjitha mungesat bashkë. Një vajzë kalon përbri burgut dhe shtang një burg të tërë. Burgu bëhet më burg: …Të shohim, / të shohim, / por s’të ndjekim dot, / veç me sy…Na u plasaritën sytë si xhamat…Zbathur shkelim mbi xhamat e syve tanë / dhe s’të arrijmë e s’të arrijmë dot…/ Metaforat befasuese si: na u plasaritën sytë (plus krahasimin si xhamat ), zbathur shkelim mbi xhamat e syve tanë, hapim mjegullat (plus krahasimin si perdet ), shtyjmë kullat e rojeve, shtyjmë robërinë apo malet, apo krahasimi: gjethet bien si puthjet tona të thara në rrugë, vizatojnë me dramacitet e tragjizëm mungesën e femrës, natyrisht e vizatojnë femrën si një qenie mitike. Teksti mbyllet me një varg ku krahasimi i peshës së prangave me peshën e gurëve të varreve flet në të mirë të argumentit se mungesa e femrës në burg është ndëshkim që i drejtohet njëkohësisht edhe trupit edhe shpirtit. Dhe ky ndëshkim i padrejtë vazhdon me dhjetra vite, apo edhe  një jetë të tërë. Prania e femrës rastësisht përbri burgut bën që: Prangat rëndojnë më shumë se gurët e varreve. /  

    Visar Zhiti, pas daljes nga burgu, u dërgua të punonte si punëtor në fabrikën e tullave në qytetin e Lushnjes. Në tekstin e poezisë “Gratë e fabrikës së tullave” gjejmë këto fjalë dhe shprehje çelësa: gra, lule, sy, rimel, peizazhet e trishta, stivosin tulla, bluzë qiejsh, enigmë, dallëndyshe, duart e dashurisë, shtyjnë njera tjetrën si hallet,  si duaj gruri, balta, unaza, poezi. Është një tekst si vijim i tekstit të poezisë “Në kullën e gruas së bukur”. Femra, përherë një mit për poetin Visar Zhiti, punon në një fabrikë ku puna është tejet e vështirë edhe për meshkujt. Në këtë mjedis feminiteti i saj vritet çdo ditë: Gra, të cilave / askush mund të mos u ketë dhënë lule në jetë /… punojnë stivosin tulla nëpër rafte metalike… / …Balta nëpër duar / e mbuloi unazën / bashkë me retë që mbuluan hënën. / U lodhën gratë, / u ulën së bashku tufë. / Si duaj gruri ngjajnë- rënë nga qerrja rrugës…/ 

    Balta që mbulon unazën dhe retë që mbulojnë hënën pranvihen si dukuri që përbaltin kujdesin dhe errësojnë të bukurën. Ndërsa krahasimi Si duaj gruri ngjajnë- rënë nga qerrja rrugës, sjell në kujtesën tonë trajtimin jo dinjitoz të gruas. Në tekst ndërtohet edhe ëndrra e çdo femre, të vishet bukur e me dinjitet: …të kesh një bluzë qiejsh me një papjon të zi si enigmë dallëndyshesh, / një fund bluxhins, i çarë, sikur e çanë duart e dashurisë që u çmend. /

    Në tekst, krahas mungesave që vijnë nga varfëria materiale, e njohur kjo në vitet e diktaturës, vihet re edhe varfëria shpirtërore e burrit: Gra, të cilave / askush mund të mos u ketë dhënë lule në jetë, / Nëse ishte e pamundur të falje një bluzë qiejsh, një tufë me lule apo një lule gjendej kudo. Në tekstet poetike të Visar Zhitit femra është mit, jo vetëm si rrjedhojë e mungesës së saj, por edhe si rrjedhojë e pranisë së saj: Me vetëtimën / a mund të lësh takim? Si vetëtima je ti, si vetëtima / kaq bukur e frikshme. / Shkrepëtin dhe mbush me dritë të harbuar / hapësirën e tjetrit. / Krahasimi si vetëtima dhe vargu kaq bukur e frikshme mbartin një ngarkesë të fortë semantike edhe në rrafshin estetik, edhe në rrafshin kuptimor. Vetëtima bën dritë, shfaqet befas, shfaqet e rrezikshme, të godet  krejt si bukuria (edhe ajo bën dritë, të godet, është e rrezikshme). Vargu kaq frikshëm e bukur me mjete mjaft të kursyera vizaton bukurinë e femrës. Dihet, kur një fenomen, një dukuri, në këtë rast bukuria e femrës, shfaqet në përmasa të mëdha dhe me një intesitet të pazakontë, të frikëson. Në tekstet poetike të Visar Zhitit femra vizatohet me të gjitha hiret e saj fizike dhe shpirtërore, herë- herë me natyralizëm, shpesh te estetizuara deri në mit. Visar Zhiti mungesën e femrës e shikon si mungesë të gjysmës më të mire të burrit, por edhe të gjysmës së domosdoshme të tij, pa të cilën burri është i papërsosur, i pamjaftueshëm, i frustuar. Prania e saj e bën burrin më të bukur, më njerëzor, më të mirë.  Uni poetik gjen te femra gjerat e vogla që na mbushin jetën e përditshme, por edhe gjerat e mëdha, me të cilat burri merr dimesionin e botës. Në tekstin e poezisë “Nga kokrra e qershisë deri te universi” thuhet: Si një fryt gjithë lëng / gati të bjerë nga dega, / Ti mbushur tërë dashuri je / ja ashtu si buzët e tua gjysmë të hapura, / si gjinjtë rënkimtarë / si trupi yt i kaltër / që valvitet nëpër dallgë ere, / rrotullohet, rrotullohet / dhe ajri nxjerr shkëndija nga fërkimi me Ty. /

    Vargu i fundit na shtie në mendje se Visar Zhiti beson te e bukura verbërisht, me sigurinë se e bukura është gjithmonë e vërtetë, ndonëse e vërteta nuk është gjithmonë e bukur. Bukuria jepet jo e ngrirë, por në lëvizje, në veprim duke jonizuar edhe objektet me shpirt edhe ato pa shpirt si ajri.

    Mitizimi i femrës kap kuota të larta në vargjet e mëposhtme, po tek i njëjti tekst: Ti çahesh për të më futur mua. / Që të më shpëtosh nga humnerat e hiçit /

    Ndërsa dy vargjet në vijim, uni poetik përsosjen e tij edhe fizike edhe shpirtërore e shikon si rrjedhojë e daltës së dashurisë, daltë e cila u përdor mjeshtërisht nga duar gruaje: M’i hoqe gjithë pjesët e tepërta dhe le / Fytyrën e njeriut tek unë. /

    Poezia e Visar Zhitit është “thuruar” me fije humanizmi sikurse shkruan tek teksti i poezisë me titull “Trokitje patjetër”: E jeta që s’mjafton për dashurinë… e tmerrshme të gjesh kohë / për urrejtjen. /

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË