Shënime për poezinë e Martin Camajt “Drekë malësore”
Poezia “Drekë malësore” e Martin Camajt evokon një pejzazh tragjik nga jeta e arbërve. Teksti është ndërtuar me formën, ritmin dhe ngjyrat e tragjedive të lashta, ku rolin e korit e luan vargu që përsëritet tri herë: Sot ashtë marrë një gjak. Ky është edhe vargu nismëtar i tekstit. Në tercinën e parë kemi dy vargje të njëjtë dhe midis tyre vargun: Dy plumba lëshuan përdhe një burrë:
Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.
Gjakmarrja nuk shihej si krim, por si detyrim, veçanërisht, në jetën e malësorëve mbi Drin, aty ku nuk arrinin kurrë gishtat e ligjit të shtetit, edhe kur ai ekzistonte. Kanuni i Lekë Dukagjinit, kushtetutë e pashkruar, por e mirënjohur edhe nga malësorët që nuk dinin shkrim e këndim, përcaktonte qartë dukurinë, që përsëritej rëndom në jetën e malësorëve, marrjen e gjakut, ndaj në tekst vargu që sjell lajmin nuk ka asnjë lloj tensioni, por thjesht, sikurse kori i tragjedive të lashta, lajmon atë që ka ndodhur.
Në vargun Dy plumba lëshuen përdhe një burrë, qetësia dhe mungesa e tensionit sërish është e pranishme. Shprazja e dy plumbave nuk është befasi, nuk evokon as bujë as kujë. Është një veprim që pritej të ndodhte. Ka qetësinë ligjëruese të njoftimit si: ra shi, apo sot nisi borimi i parë në Alpe.
Dihet se askush nuk i shpëtonte gjakmarrjes, pas një krimi. Janë dy plumba që derdhen mbi gjaksin, jo një batare, siç ndodh rëndom në kohën e sotme. Plumbat e derdhur nuk përcjellin urrejtje, por thjesht detyrimin e malësorit para Kanunit. Në tercinën e dytë kemi rrjedhojën e asaj çfarë u lajmua në tercinën e parë:
Në tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
( Drekë të mëdha po bahen sot! )
Kjo tercinë përcjell një tension jo të zakonshëm. Tuni i spatës, ana e prapme e saj, ka goditur fort rrashtën e kaut, e cila plaset te prroni. Pikërisht, te tercina e dytë ndihet fort efekti i tragjedisë. Në këtë rast rrjedhoja forcon shkakun, mbart tërë dramacitetin e aktit tragjik.
Të bën përshtypje mungesa e fjalës vdekje. Kur lexon vargun Drekë të mëdha po bahen sot, fjala dreka destruktohet te sytë, veshët dhe mendja e lexuesit në deka, vdekja në të folmen gegnisht. Pas një vdekjeje, vjen një tjetër dhe pas saj do të vijojnë deka e dreka pa fund. Gjakmarrja do të ishte pjesë e jetës tragjike të malësorëve tanë.
Midis dy vrasjeve bie në sy se vrasja e parë, marrja e gjakut: Dy plumba lëshuen përdhe një burrë, është me pak e dhunshme se vrasja e kaut: Pëlset rrashta e kaut te prroni. Pse? Mendoj se tragjizmi shkallëzohet nga strofa në strofë për të arritur te vargjet drithëruese:
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue
Pas dy tercinave vijon sërish “kori”: sot është marrë një gjak, varg i vetmuar midis dy tercinave dhe dy katrenave vijuese. Katrena e parë na shpërfaq një skenë që të kujton gjëmën e Akilit te “Iliada” e Homerit, pas vrasjes së mikut të tij, Patroklit:
Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme
E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
Ndë tryeza, jashtë
Martin Camaj është mjeshtër i nyjëtimit të tekstit më fije mitologjike, duke sjellë një tekst tejet modern me substancë e ngjyrime nga trualli arbëror. Në këtë katrenë dramaticeti dhe tragjizmi kulmohet. Këta njerëz që vrasin me gjakftohtësi, me tej kthehen në interpretues të të gjithë tragjedisë së tyre që luhet gjatë shekujve: çjerrin faqet, shkulin flokët, lëshojnë piskama rrënqethëse. Britmat dhe kuja e tyre duket sikur vijnë nga thellësia e shekujve, nga antikiteti. Kjo ndjeshmëri e pazakontë tregon për një barbari dhe kulturë që jetojnë një simbiozë të hatashme, simbiozë që ka tronditur dhe trondit studiues të folklorit dhe etnologë vendas dhe të huaj.
Tronditëse është edhe metamorfoza e cermonisë mortore në një spektakël artistik. Duke lexuar katrenën, të gjëmojnë në vesh britmat e burrave të fisit të të vrarit: Oooooo, i ziu unë për ty, o Gjon! Pastaj lëvizjet ritmike të trupit dhe gjymtyrëve në një koreografi të sinkronizuar. Një harmoni sa trishtuese, aq edhe estetike. E gjithë gjama, edhe në realitetin e njëmëndtë, edhe e lujtur në skenat e festivaleve folklorike, për nga forma e shfaqjes, tregon për një estetizim të vdekjes. Ky mund të jetë rasti i krijimit të së bukurës me rrënjë te e keqja, dukuri e njohur te estetika bodleriane.
Në poezinë e Martin Camajt përzihet nderimi i të vrarit, me dhimbjen për të, përzihet gjama që del nga shpirtat njerëzorë me erën e mishit ndër zjarme, përzihet shpirtërorja me materialen vulgare, në një dikotomi absurde.
Kulmi i tensionit dramatik që takojmë të katrena e parë e tekstit poetik, shuhet, shndërrohet në një trishtim të thellë, në një meditim për jetën dhe vdekjen, për përjetësinë dhe përkohshmërinë e jetës mjerëzore:
Natë. Në vorrezat mbi kodër
Tokë e re, hanë e re.
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue
Dimesioni i dhimbjes dhe i pikëllimit merr përmasa kozmike. Vdekja është më vdekje në natë dhe varret janë më varre, sikuse vëren një tjetër poet i dhimbjes njerëzore që quhet Mark Strand. Në këtë katrenë pranëvihen dy togfjalëshat: tokë e re, hanë e re. Ke ndijesinë se edhe hana e re pikon një dritë dhimbje prej meiti, ndëra toka e ka sendërtuar dhimbjen në një tokë të re (varr i ri), si pritëse e të gjitha pikëllimeve tokësore dhe qiellore. Dy vargjet e fundit të katrenës së dytë dhe të të gjithë poezisë plotësojnë skenografinë ku u luajt tragjedia njerëzore:
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue
Pjesëmarrja e ujqërve në këtë “gosti” të trishtë tregon se edhe njerëzit, edhe ujqërit në këtë peizazh plotësojnë njeri – tjetrin. Në tekstet epiko – tragjike arbërore, pjësëmarrësit natyrorë janë ose korbat, ose ujqërit. Njerëzit në këto anë, me mënyrën e jetesës, me ashpërsinë, me luftën dhe dhunën e pranuar si formë ekzistence, janë më tepër forca të natyrës se sa pjesë e peizazheve të civilizimit.
Në tekstet poetike hermetike të Martin Camajt simbolet luajnë një rol të dorës së parë. Simbolika e këtij teksti nuk është e errët si në mjaft poezi të tjera të tij. Pezazhi arbëror nuk është i sofistikuar si në vende të tjera, besoj, ky fakt e ka detyruar poetin të përdorë një simbolikë të njohur dhe të qartë, lehtësisht të dekodifikuar si: gjak, plumba, burrë, spatë, përrue, rrashtë, gjama, kapuça të bardhë, vorreza, male, ujq, tokë e re, hanë e re.
Materiali gjuhësor është tipik për të ndërtuar simbole të mjedisit malësor në ndërtimin e tragjikes së maleve tona. Le të shohim ngjyrat e imazhit të fortë që evokon teksti poetik: e kuqja e gjakut, e hirta e plumbave dhe tunës së spatës, rrjedhja e shpejtë e jetës së njeriut si rrjedha e përronit, deri në shterrim të beftë të saj, gjethi i djegur që bie mbi kapuçat e bardhë. (Poeti përdor figurën stilistike të metonimisë: në vend të fjalës kokave, përdor fjalën kapuçat, duke përcjellë mesazhin se kapuçat janë më të qendrueshëm në këto anë, se sa kokat e njerëzve.)
Në katrenën e fundit sërish ngjyrat të japin idenë e një perdeje të errët që do të ulet për të fshehur, për të mbyllur skenën tragjike: terri i zi i natës, ngjyra e zbehtë e hanës, dheu i zi i tokës së re të varrit, e përhimta e ujqëve që i bashkohet të përhimtës së plumbave dhe tunës së spatës. Dhe një përrua si simbol i jetës së njëmëndët. Përroi nuk shterret kurrë, kur thahen buronjat e ujit, shfaqen buronjat e gjakut, kur thahen buronjat e ujit dhe të gjakut, rjedh buronjat e kohës. Duke lexuar tekstin e Martin Camajt “Drekë malësore”, përroni shfaqet edhe si përroi ku rrjedh koha, e cila nuk shterret kurrë. Buronjat e përroit të kohës janë thellë në kohë, në lashtësi. Edhe fjalët, edhe forma e ligjërimit poetik të Camajt kanë substanë e formë kohe, nga primitivia te modernia.
E gjithë tragjedia si prolog ka një varr si tokë e re, një përrua gjaku, ku ujqit e gjakmarrjes shuajnë etjen me gjak njeriu dhe me gjak kau dhe një hënë e pikëlluar si meti, që e kqyr nga lart jetën e trishtë njerëzore.
Berat, më 7 qershor 2024
Martin Camaj
Drekë malësore
Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.
Nën tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)
Sot ashtë marrë një gjak.
Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
Ndë tryeza, jashtë
Natë. Në vorrezat mbi kodër
Tokë e re, hanë e re.
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue