More
    KreuLetërsiShënime mbi libraYoko Ogawa thërret shpirtrat e fshehur: ‘Hodha sytë në botën e tyre...

    Yoko Ogawa thërret shpirtrat e fshehur: ‘Hodha sytë në botën e tyre dhe mbajta shënime’

    Kur Yoko Ogawa zbuloi “Ditarin e Anne Frank-ut” ishte një adoleshente e vetmuar në Japoni, dhe u pushtua aq shumë prej tij sa filloi të mbante një ditar të vetin, duke i shkruar Anne-s sikur ta kishte mike të afërt.

    Për të sjellë në mendje llojin e robërisë fizike që përjetoi Anne, Ogawa zvarritej, me fletore në dorë, në një sirtar ose nën një tavolinë të mbështjellë me jorgan.

    “Zemra dhe mendja e Anne-s ishin kaq të pasura”, tha Ogawa, tani 57 vjeçe dhe autorja e më shumë se 40 romanesh dhe vëllimesh me tregime. “Ditari i saj dëshmoi se njerëzit mund të rriten edhe në situata kaq të izoluara. Dhe të shkruarit mund t’i jepte njerëzve liri”.

    Dekada më vonë, Ogawa shndërroi përfytyrimin e saj të botës së Anne-s te “Policia e Kujtesës”. [Një roman distopik i cili del në shqip javën tjetër, me përkthim të Eni Myrtollarit, nga Shtëpia Botuese Onufri]. Ngjarjet vendosen në një ishull misterioz ku një qeveri autoritare bën kategori të tëra objektesh apo kafshësh të zhduken brenda natës, duke i fshirë nga kujtesa e qytetarëve.

    Ata që i ruajnë kujtimet e tyre janë të jashtëligjshëm që fshihen. Rrëfimtarja, një romanciere, fsheh redaktorin e saj, i cili mban mend çdo gjë, në një dhomë të ngjashme me atë ku u fshihet Anne me familjen e saj.

    “Doja ta përtypja përjetimin e Anne-s në mënyrën time dhe pastaj ta rikompozoja në veprën time”, tha Ogawa gjatë një interviste në shtëpinë e saj, në një periferi mes Kobe dhe Osaka.

    Megjithëse “Policia e Kujtesës” u botua fillimisht në Japoni në 1994, është veçanërisht rezonues tani, në një kohë të ngritjes se autoritarizmit përmes globit. Përgjatë librit, qytetarët jetojnë nën vëzhgimin e policisë. Romanet digjen. Njerëzit ndalohen dhe merren në pyetje pa shpjegime. Fqinjët rrëmbehen në mes të natës.

    Ndërkohë, qytetarët, të strukur nga frika, nuk bëjnë asgjë për të ndaluar zhdukjet. “Paçka se ç’kishte ndodhur, në pjesën më të madhe të rasteve qe ndonjë rastësi e pafat dhe,” shpjegon rrëfyesja, “paskëtaj, ishe në rrezik edhe sikur vetëm të flisje për atë gjë.

    Anna Stein, agjentja në gjuhën angleze e Ogawa-s, tha se ajo dhe Stephen Snyder, përkthyesi prej kohësh i shkrimtares në gjuhën angleze, zgjodhën “Policinë e Kujtesës” për përkthim në vitin 2014. “Sigurisht që tmerri i tij vlen tani më shumë se kurrë në jetën tonë”, tha Stein.

    Në Japoni, kur vetë historia ka qenë subjekt i ripunimit, dhe ata që përmendin të kaluarën e vendit gjatë kohës së luftës mund të denoncohen apo dhe të censurohen – vajtimi i romanit për kujtimet e fshira mund të lexohet si kritikë e mbuluar. Sidoqoftë, Ogawa tha se nuk kishte si qëllim të shkruante një alegori politike. “Thjesht po përpiqem të shfaq secilin personazh individual dhe se si këto personazhe po jetojnë në kohën e tyre të tanishme”.

    Asnjë prej protagonistëve te “Policia e Kujtesës” nuk ka emër. Pak shenja e identifikojnë ishullin, një trajtë që haset edhe në romanet e tjera të Ogawa-s. “Unë vetë pëlqej të mbaj një farë distance nga kultura apo mjedisi im,” tha Ogawa, shtëpia e madhe e së cilës është në një lagje të pasur, me pamje nga deti, me çati me tjegulla spanjolle, ballkone prej hekuri të farkëtuar dhe karrige të veshura me tapiceri franceze me lule.

    Snyder, një profesor i studimeve japoneze te Middlebury College, tha se romanet e Ogawa-s lidhen me kulturën japoneze në “mënyra ndihmëse”. Megjithëse ngre tema të rëndësishme shoqërore, tha, nuk është kurrë doktrinare.

    “Ka një natyrshmëri te ajo që shkruan sa nuk duket kurrë e forcuar”, tha ai. “Rrëfimi i saj duket se rrjedh nga një burim që është i vështirë për t’u identifikuar”.

    Duke u rritur, Ogawa shkroi për veten e saj. Kur u martua me një inxhinier kompanie çeliku, la punën si sekretare në një universitet mjekësor – një hap i zakonshëm jete për shumë  gra të brezit të saj.

    Ndërkohë që bashkëshorti i saj punonte, ajo shkruante. Nuk e mbajti të fshehtë qëllimisht, tha, por bashkëshorti i saj e mori vesh vetëm kur romani i saj i parë, “The Breaking of the Butterfly”, fitoi një çmim letrar.

    “Nuk po i thosha askujt me zë të lartë, ‘Po shkruaj një roman’”, tha ajo. “Por gjithmonë mendoja, pavarësisht se si do të ndryshojë jeta ime, dua të kem një jetë me shkrime. Nuk e dija nëse do mund të bëja parà prej kësaj.”

    Ogawa lindi një djalë, dhe kur ishte i vogël, novela e saj “Pregnancy Diary” fitoi çmimin prestigjioz Akutagawa për letërsi, duke ngulitur kështu reputacionin e saj në Japoni.

    Ajo vazhdoi të shkruante. “Ndërroja një pelenë dhe pastaj shkruaja një fjali,”  kujtonte. “Pastaj gatuaja një vakt dhe shkruaja një fjali.”

    Ndonjëherë, Ogawa mendonte se si do të ishte të shkruante pa këto ndërprerje. “Por tani që im bir është rritur, ndihem sikur isha më e lumtur kur po shkruaja teksa rrisja fëmijën tim,” tha ajo. “Tani që mund të shkruaj sa të dua 24 orë në ditë, nuk është se po prodhoj ndonjë vepër më të madhe se sa në të kaluarën.

    Tani shkruan në një tavolinë pune në një dhomë të ajrosur me një krevat tek për dremitje dhe një raft që rrëshqet anash për të zbuluar një raft tjetër pas. Një sektor i tërë i dedikohet librave për Anne Frank dhe Holokaustin. Ajo nxori një kopje të ditarit të Anne-s për të treguar se kishte shënjuar çdo faqe me letra ngjitëse.

    Në tavolinën e saj, Ogawa mban një kafkë kastori, një kafshë të cilën e adhuron për industrinë e saj. Tha se i jepte frymëzim, duke i bërë jehonë ndjenjave të redaktorit te “Policia e Kujtesës”, i cili thoshte se të prekte objektet që ishin zhdukur “u kthye në një mënyrë për të konfirmuar se ishte ende i plotë”.

    Ogawa arriti statusin bestseller dhe një përshtatje në film, me “The Professor and the Housekeeper,” një tjetër roman me kujtesën si tematikë. Me një ton shumë më të lehtë se “Policia e Kujtesës”, tregon historinë e një nëne beqare që fillon punë si kuzhinierja dhe pastruesja e një matematikani i cili nuk mund të mbajnë mend asgjë të re për më shumë se 80 minuta.

    Së bashku me kujtesën, një tjetër preokupim i Ogawa-s është kapaciteti njerëzor për dhunë. Te “Diving Pool”, një koleksion novelash, shfaq karaktere të cilët përdorin manipulimin për të shkaktuar dhimbje te njerëzit e tyre të afërt. Te “Hotel Iris”, një i ve sadist përfshin një 17-vjeçare të larguar nga gjimnazi në takime seksuale mizore.

    Ogawa tha se nuk shkruan për personazhe mizorë për t’i mallkuar, por për të eksploruar se çfarë mund ta shtyjë dikë drejt dhunës fizike apo emocionale. “Njerëzit përpiqen ta fshehin nga të tjerët ose përpiqen ta mbulojnë,” tha ajo. “Por në botën e letërsisë, mund ta shfaqësh këtë natyrë, dhe është mirë ta bësh”.

    Duke qenë se ajo shkruan gjallërisht për trupat femërorë, dhe dhunën që mund t’i bëjnë burrat, disa kritikë e kanë cilësuar si shkrimtare feministe.

    “Në shumë vepra të saj është e interesuar në rolin e gruas në familje dhe në trupin e  grave,” tha Kathryn Tanaka, profesoreshë e asociuar e studimeve historike dhe kulturore në Universitetin Otemae në Nishinomiya, Japoni. “Me të vërtetë që nuk mund ta ndash nga çështjet e feminizmit dhe ta zgjidhësh atë nga ajo hapësirë private gjinore ku jetojnë tekstet e saj.”

    Ogawa i reziston etiketës, duke thënë se e konsideron veten si përgjuese të personazheve të saj. “Hodha sytë në botën e tyre dhe mbajta shënime mbi ç’po bënin”, tha ajo.

    “Shoh një urë nga aty për te skena tjetër, ose shoh një ylber të cilin duhet ta kaloj për të lëvizur drejt skenës tjetër,” tha ajo. “Kështu shkruaj”.

    Përktheu Enxhi Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË