More
    KreuLetërsiShënime mbi libraYmer Çiraku: Vepra deradiane si referencë estetike për letërsinë shqipe

    Ymer Çiraku: Vepra deradiane si referencë estetike për letërsinë shqipe

    Letërsia shqipe, ashtu si dhe letërsitë e gjuhëve të tjera, ka funksionuar e funksionon si polisistem. Nga ana e tyre, vet sistemet brenda tij, kanë njohur zhvillime specifike, specifika këto të ardhura prej ndikimit të realiteteve socioletrare apo idolatrive të ndryshme – në këtë apo atë hapësirë letrare. Por përherë ka funksionuar një varësi e këtyre sistemeve, thuaj si me fuqinë e tërheqjes gravitacionale për nga qendra, pra, nga gjuha (në këtë këtë rast nga magjia e shqipes), që është dhe materja themeluese e etnikumit letrar.

    Pikërisht kësaj rruge ka shkuar letërsia shqipe, që prezantohet në format triptiku: ajo e lëvruara në Shqipëri, letërsia në trojet etnike, si dhe letërsia në diasporë. Në kohë të ndryshme e në rrethana të ndryshme, ato sisteme letrare kanë luajtur sipas rastit rol ekuilibrues/komplementar në raport me polisistemin. Pra, kanë plotësuar apo kanë refuzuar atë arsenal estetik, që shfaqte apo i mungonte tjetrit, prej rrethanash të ndryshme.

    Letërsia arbëreshe rezulton të ketë një status sui generis në raport me polisistemin letrar shqiptar. Për shkak të mjedisit ku u formua e u lëvrua, ajo mbarti dhe një varg dukurish prej ndikimeve e drejtimeve impresionuese që qarkullonin në letërsitë e gjuhëve evropiano-perëndimore dhe kësisoj, u bë faktor emancipimi estetik ndaj polisistemit. Duke qënë bijë natyrale e shqipes, nga pikëpamja letrare, ajo pati njëherazi edhe rolin/funksionin dhënës le ta themi prej amësie, duke e ushqyer dhe duke e pasuruar letërsinë shqipe me stile dhe frekuenca artistike të niveleve (më) të avancuara të kohës.

    Si emblema e gjithë kësaj letërsie shqipe të përtej Adriatikut, De Rada e shfaqi në mënyrën më të autoritetshme profilin e krijuesit, ku letrarësia mbeti principi zotërues i endjes së teksteve të tij dhe ku filozofia e gjërave, fryma përsiatëse labirintike, hareja dhe tragjikja, qartësia dhe mjegullat mistike, shpalosin artin e tij genuin, që i kapërxen dukshëm dimensionet lokale dhe vlerat letrare afatshkurtëra. Gjykojmë se pritja e qendrueshme/e pandërprerë e lexuesit ndaj veprës së De Radës (do të thotë moshumbja e lexuesit të saj) është e lidhur para së gjithash me faktin se ajo kishte krijuar e përcjellë nga ato vlera substanciale estetike, që vazhdonin të mbeteshin modele të lakmuara për proceset pasardhëse letrare. E thënë më qartazi, kur letërsisë sonë pos deradiane nuk i kanë munguar, madje i ka patur (në faza të ndryshme të saj) deri dhe me tepri strukturat narrative lineare, proliksitetin dhe varfërinë/skematizmin  ligjërimor, trysninë e ideve jashtëletrare, një lloj mbylljeje në guackën regjionale/provinciale, tekstet skajshmërisht të angazhuara apo të konformuara prej rrethanash sociale apo ideologjish të ndryshme; atëhere vepra e De Radës do të fitonte statusin e një  reference të autoritetshme, përpara së cilës, edhe në situatat më të vështira që do t`i krijoheshin letërsisë shqipe, kjo letërsi do të ndjente përgjegjësinë dhe kredon që, përmes krijuesve të saj më përfaqësues, ta ruante e ta përvijonte me çdo çmim integritetin e vet estetik.

    Pikërisht rolin e kësaj reference kishte parasysh Eqrem Çabej, kur artikulonte në fillim të viteve `30 tezën e tij të njohur se letërsia arbëreshe, e posaçërisht vepra e De Radës ishte lëndë ballkanike (do të thotë shqiptare) e derdhur në formë romane, pra, një letërsi që stilistikisht e kishte kapërxyer periferinë dhe mbetej e hapur dhe e ballafaquar me artin europian. Po të kihet parasysh postulati kritik i Konicës tek revista e tij Albania, sipas të cilit gjykimi i çdo vepre letrare bëhet duke i krahasuar ato me modelet më të larta/më të realizuara, të cilat nga ana e tyre shërbejnë pastaj si pasqyra vereifikuese, atëhere vepra e De Radës mbetet për letërsinë shqipe e përfshirë në këtë mision autoriteti përherë të referuar, apo le ta themi në këtë lojë pasqyrash. Pra, mbetet referencë estetike, kujtesë apo model estetik, me shumë vlera e prestigj letrar.

    Rolin/atributin, që kishte vepra e këtij autori, si një referencë e fortë artistike në raport me letërsinë shqipe, kërkoi të kujtonte/aktivizonte dhe Ismail Kadare përmes një shkrimi të tij (me titull: Duke lexuar Milosaon), botuar mbi 50 vjet më parë, me rastin e 150 vjetorit të lindjes së autorit. Shkrimtari fare i ri aso kohe (27 vjeç), gjente rastin që përmes atij shkrimi, të shprehte disa pikëpamje, të cilat, jo vetëm dëshmonin vlerësim të lartë për këtë ikonë të traditës, por mbi të gjitha, ajo që kishte më shumë rëndësi ishte se, përmes autoritetit të kësaj vepre, synonte të përcillte apele të forta për aktualitetet letrare në Shqipërinë e asaj kohe, madje të atilla apele, që trondisnin nga ato tema e skema, të cilat konsideroheshin tabu. Ajo çka vlerësohej guximshëm tek ky autor arbëresh, ishin pikërisht dimensionet e munguara apo të ndaluara në kontekstin e soc.realizmit në Shqipëri, madje pikërisht mu në atë kohë, kur kjo doktrinë ishte në stadin e vet më të rehatuar.

    E kemi shprehur dhe në një rast tjetër se ai shkrim i Kadaresë i fillimit të viteve `60,  nxitur nga interpretimi i një vepre deradiane, pati për kohën formatin në miniaturë të një manifesti letrar. Aty ai gjeti bukur shtysën, gjeti argumentin dhe modelin e një letërsie të njëmendtë, për të ngritur pastaj prej këtej apelin provokues, se, letërsia shqipe s`duhej kurrsesi t`i braktiste apo t`i dobësonte strukturat dhe hapësirat e saj artistike. Përmes vlerësimit të lartë të artit të poetit arbëresh, shkrimtari i ri ndërkaq projektonte edhe kredon dhe tendencën e vet artistike – me tërë variacionet stilistike, me prirjen sintetizuese, filozofike, me figuracionin e begatë dhe kumtet pankohore, universale, që ai i dha aq mjeshtërisht në veprën e tij të mëvonshme.

    Konkretisht, në këtë shkrim Kadareja e çmonte lart De Radën dhe e vinte theksin tek vlerësimi i tij si novatori më i madh i letërsisë shqipe, kur aso kohe, autorë si ai mjaftohej të konsideroheshin si kontribues të rëndësishëm – por kryesisht brenda qarkut të traditës e sa për novatorizëm, ky nuk mbetej veç si monopol kryesisht i soc.realizmit (!) Më tej akoma, në atë shkrim vlerësohej fort fryma universale e kësaj vepre, në një kohë kur kritika zyrtare prezantonte e konsideronte për vlerë, para së gjithash frymën dhe dekorin nacional e lokal të letërsisë. Në gjykimin e Kadaresë, tek kjo vepër, vrehet një prirje konciziteti e eliptizmi konseguent, që arrin deri në virtuozitet dhe De Rada, përcaktohet si pararendësi i aplikimit të parimit të ajsbergut, i cili do të ketë rastin të shfaqet vite më pas në letërsinë europiane. Dhe ky tipar, vihej në dukje, kur pikërisht, letërsisë shqipe të kohës, i imponohej dhe i vlerësohej para së gjithash, qartësia e thjeshtësia (maksimale) e ligjërimit. Duke e çmuar këtë vepër, që vinte nga bota arbëreshe e përtej detit, si një trajtë mirëfilli artistike, poeti i ri e konceptonte/konsideronte atë edhe si urë të mbarë komunikimi mes kësaj ane (d.m.th. letërsisë shqipe) dhe metropolit perëndimor kulturor e letrar. Pra, këtu ai takohej me tezën që kishin hedhur vite më parë  E. Çabej, Namik Ressuli, apo dhe ndonjë studiues tjetër, se, letërsia shqipe, lipsej që të interpretohej përtej skemave izolatriste. (Këtu mund të kujtojmë dhe Vittorio Gualtierin, i cili, Milosaon, e shihte të lidhur me romantizmin kalabrez, pikëpamje së cilës i përmbahet vite më pas Arshi Pipa, tek studimi i tij i gjerë monografik Jeronim De Rada 2013: 72, sipas të cilit, ato ndikime nuk ia heqin dot gjithsesi kësaj vepre celebrimin, se, afërmendsh, ajo i përket letërsisë shqipe, jo për diç tjetër, por sepse është gatuar prej humusi shqiptar…) Krahu i kritikës entusiaste apo supernacionale, kur u ka mëshuar fort kryesisht vlerësimit të faktorëve e lëvizjeve të brendshme lokale letrare, duke mos përfillur aq, apo duke neglizhuar përcjelljen e kontakteve dhe ndikimet estetike mbi të, në fakt, i mohonin asaj letërsie këtë atribut esencial, që e ka pjesë të vetën natyrale çdo letërsi e sigurisht edhe ajo shqipe, e cila, nuk do të fitonte veçse do të prezantohej e varfër me atë prirjen për t`i neglizhuar ato ndikime e intereferenca me letërsitë e tjera (që në fakt, nuk konsiderohen tjetër, veçse si struktura pasuruese për të).

    Kujtesa/prania e veprës deradiane, mund të themi se e ka kryer në mënyrë konstante rolin e një lloj kujdestarie estetike ndaj letrave shqipe. Ajo kishte e vazhdon të ketë ndaj krijuesve të  gjeneratave të ndryshme, peshën e një autoriteti të fortë letrar, i synuar për t`u arritur e ndjekur prej tyre. Motivet egzistenciale e spirituale të jetës, cipa e paqtë e narratives, që fsheh poshtë saj  rrëmete dramash e pasionesh njerëzore, personazhet e shajnuar prej të panjohurash e dilemash, sinfonia koloristike e kangjelave deradiane, të gjitha këto e të tjera elemente të dekorit e të substancës së kësaj vepre, riciklohen nëpër krijime e sidomos në poezinë e jo pak krijuesve, në funksionin e atyre kapitoleve mbajtëse, për ta formatuar në mënyrën më të sigurt letërsinë – në limanin/territorin e saj autentik. Mund të bëheshin sot disa antologji krijimesh të poetëve të ndryshëm – që përcjellin shenjat e kësaj kujtese – me motive deradiane e me thekse të drejtpërdrejta veneruese ndaj Poetit të Maqit, nisur nga vlerësimi i lartë i vizioneve komplekse estetike, që përcjell poezia e tij.

    Por figura si ajo e De Radës, shkojnë përtej misionit e vlerave referenciale estetike, që ato kanë dëshmuar për letërsinë shqipe. Kujtojmë atë që Koliqi shkruante dikur tek revista e drejtuar prej tij Shêjzat (nr 1-3/1971) se: … Shqipnȋja e pamvarun, atdhe i të gjithë atyne qi e quejnë veten stërnipa të Teutës e të Skanderbegut, u krijue kryesisht me ndihmën e letravet. Mund të thuhet se (ajo) asht bijë e letrësȋs…

    Atëhere, nisur nga ky përcaktim koliqian, mund të themi se vepra deradiane duhet njohur e duhet vlerësuar, si një referencë e çmuar – edhe përtej letrare. Krahas të mëdhenjve të tjerë të letrave shqipe, këtyre dalëzotsave të Shqipërisë – po ta huazojmë këtë cilësim të Arshi Pipës për figura të këtij niveli, atëhere, kjo vepër e De Radës, duhet kuptuar se është bërë shpirt dhe frymë e botës shqiptare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË