More
    KreuIn memoriamYmer Çiraku: Dritëro Agolli – pelegrini i shenjtërisë së fjalës shqipe

    Ymer Çiraku: Dritëro Agolli – pelegrini i shenjtërisë së fjalës shqipe

    Nuk teprohet aspak po të thuhet se tashmë D. Agolli mbetet një legjendë e gjallë e mjeshtrit të përpunimit artistik të fjalës shqipe, me fijet e arta e të kulluara të së cilës, ai ka endur në mbi gjysëm shekulli një gjerdan veprash të shquara, nga ato që kanë zënë vend në panteonin e vlerave kombëtare. Në krijimtarinë e tij, renditen rreth 30 vepra, disa prej të cilave, janë vlerësuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe janë botuar në disa gjuhë të botës. Numërohen mbi 150 shkrime e studime letrare, përfshi dhe vepra monografike,  mbi këtë krijimtari të pasur, ku nuk mungojnë edhe kritikë  të huaj, që kanë vrejtur e vlerësuar, sidomos në disa nga romanet e tij, penelata të atij niveli artistik, të krahasuara denjësisht edhe me ato të mjeshtrave të shquar botërorë të satirës e humorit.

    Me tërë aktivitetin e tij të shumanshëm dhe mjaft aktiv: letrar, qytetar e intelektual, D. Agolli mund të thuhet se mbetet një institucion i vërtetë, për nga prestigji i lartë që ky lloj institucioni rrezaton, ku çdo njeri mund të shohë e njohë veten dhe vendin e tij, historinë dhe aktualitetin, endërrën dhe zhgjendërrën, heroiken dhe tragjiken, besimin dhe dëshpërimin, utopitë dhe mitet e rrejshme, morfologjinë e jetës dhe të vdekjes. Në tërë këtë univers letrar të tejskajshëm – për nga moria dhe kontraversi i ngjarjeve, të situatave dhe personazheve, shquhet qartazi e i dalluar profili i këtij shkrimtari sui generis, ndjekës i konceptit dhe i frymës naimiane – mbi misionin dhe natyrën humaniste e sublimuese të letërsisë, si akt iluminimi e sakrifice për të tjerët. Prandaj diku në një nga poezitë e tij poeti shkruan në stil apelitiv:

    Poeti hesht, kur hesht dhe perëndia,

    Kur Apolloni për flijim s`e fton,

    Ndaj sheh me frikë nga njerëzia,

    Çdo hall të botës vetes ia ngarkon…

    Vargu i fundit për natyrën/misionin e poetit, si njeriu i paqetë që …Çdo hall të botës vetes ia ngarkon, është metafora dhe deviza e modelit të krijuesit idealist të epokës rilindase, model që nuk u venit dhe pati ndjekësit e vet edhe në kontekstet e mëvonshme në letërsinë shqipe dhe që Agolli e shfaqi në mënyrë mjaft evidente.

    Dihet se pelegrinët janë njerëzit e besimeve të forta, të cilët, shtyhen të zotëruar e pothuaj si të hipnotizuar nga dashuria e nderimi i thellë – drejt vendeve të shenjta. Është ky një shtegëtim biblik dhe i gjithkohshëm i tyre, ditën dhe natën, në vite e shekuj, jo pa sakrifica, e për më tepër, pa llogaritur për vete kurrfarë shpërblimi imediat. Metafora e pelegrinit, është jo rastësisht edhe titull i një prej librave të Dritëro Agollit, i botuar në fundin e shekullit të kaluar, por kjo gjetje stilistike, është më shumë se vetëm kaq, ajo shenjohet si metafora e epërme e këtij poeti, pra, e tërë krijimtarisë së tij, i cili, në harkun e mbi gjysëm shekulli, i është falur e përkushtuar me devocionin e atij besimtari të palëkundur shtegtimit, apo motivit të udhës, drejt botës së njëmendët etnoshqiptare.

    Shtegtimi i këtij pelegrini të palodhur, shfaqet i pandalur në kohë dhe në hapësirë: në histori dhe në aktualitet, te fshatari dhe te intelektuali, në auditore dhe në stane, te realiteti dhe të shenjtat që flenë nën dhê, te vyrtuti dhe veset, te e bukura dhe e shëmtuara, te gjestet sublime dhe paranojat donkishoteske të figurave të historisë sonë, te ledhet e qëndresave dhe te plojet e humbjeve… Përballë gjithë këtij universi shumë dimensional të botës dhe shpirtit shqiptar, është ndjerë ligjërimi i një pene, jo vetëm prej mjeshtri të palodhur, por dhe e spërkatur me dashurinë dhe magjepsjen e sinqertë, derdhur në çdo faqe libri. Udhëtimi i poetit (heroit lirik), ka qënë motiv i pandalur nëpër epokat historike, të kaluara dhe aktuale, si dhe në lëvrimin e gjinive të larmishme letrare.

    Vështruar integralisht, krijimtaria e tij përfshin një pasuri të çmuar me vjersha e poema, tregime, novela e romane, drama e përkthime, publicistikë dhe esè, fabula dhe mbledhje e përpunime këngësh antologjike popullore. Pa e tepruar, mund të thuhet se tashmë kjo vepër, ka arritur që të jetë bërë një bibliotekë e tërë, e cila, përveç kohës së madhe e mundonjëse të shkrimit, vazhdon që të transmetojë kënaqësi të madhe leximi.

    Në gjithë këtë hipotekë të pasur vlerash, lexuesi arrin që të përjetojë lirikat dhe baladat, të cilat, përcillen në funksion të tematikave të ndryshme, si akuarale avujsh pranverorë, toke e qielli, apo dhe ngjyrash gjaku. Lexuesi njihet me sagën shqiptare të burokracisë së famshme ala zylojane, me arketipin e atyre karaktereve unikalë, rezistentë, të fortë, të paprekur e të palatuar lehtësisht nga ojnat (sirenat) urbane – të vendosur në mjediset e virgjëra antropologjikë, të cilët, nuk dinë të përthyhen as lehtësisht e as skematikisht nga mokrat e ideologjive (si tek libri aq i njohur: Zhurmërat e erërave të dikurshme), apo që dëshmojnë sjellje të pashëmbullta qëndrese e deri groteske në marrëdhëniet mes tyre (romanet: Njeriu me top, Arka e djallit). Do të njihet ky lexues gjithashtu me besimin e patundur të shkrimtarit te prania e përhershme në jetë e njeriut të mirë (në kuptimin humanisto – filozofik e jo thjesht politik të këtij njeriu), do të shijojë me harmoninë elegante të shqipes – ligjërimin e mjaft poetëve të shquar të botës, përkthyer mjeshtërisht prej tij, ku dallohen veçmas: Robert Bërnsi, Bagricki e Pol Elyari.

    Vepra e Agollit mbetet një dhe e pandarë, por stilistikisht, ajo, besojmë të përcillet në dy faza, pra, si një sinfoni e madhe epiko-lirike në dy kohë: para dhe pas viteve 90-të. Pati nga ata krijues që u ankuan/justifikuan se nuk arritën të shpreheshin dot në diktaturë, por koha tregoi se ata heshtën e nuk u dëgjuan më, as kur ajo diktaturë ishte fikur përgjithmonë. Madje, pati në radhën e tyre edhe ndonjë prej tyre, që në vend të bënte vet letërsinë e premtuar, gjente të vetmin rast t`i dilte emri, duke i hedhur baltë shkrimtarit. Por, siç e thotë poeti në një nga poezitë e tij, ai e priti drejt e në gjoks këtë baltë dhe e bëri atë tokë, dhe e gjelbëroi me pemë dashurie. D. Agolli, në tryezën e tij të punës, si një bujk i mirë i selitjes së fjalës, shpërtheu kësaj kohe me botime të njëpasnjëshme, në prozë e poezi, duke dëshmuar kësisoj se kishte jo vetëm talentin dhe formimin e njimendët letrar, por kishte realisht edhe shumë vizione e paradigma poetike, që s`mundi t`i thoshte dot më parë, apo që nuk i tha dot deri në fund, ashtu si ai i ndjente. Madje, pati vizionin e kurajon, ndër të paktit, ta dëshmonte sinqerisht në vargje, situatën e ndërlikuar të krijuesit në regjimet totalitare, në model autorrëfimi të emancipuar, si ai i botuar qysh në shtatorin e vitit 1991:

    Më lodhi mundimi në shpirt tërë jetën

    Të them lakuriq të vërtetën…

    Por gjen rastin të ngushëllohet prej kësaj situate me sjelljen e një detaji artistik, kur, sipas këtij detaji, qysh në kohërat më të largëta biblike, prej tundimit, gënjyen edhe Adami e Eva:

    Të parët gënjeshtarë të mjerë

    Dhe kjo më jep ngushëllim hera-herë…

    Poeti e shkroi këtë vetrrëfim të ndjerë, qysh në vitin e parë të 90-ës, pa llogaritur të shohë njëherë se si e nga do të frynin erërat ciklonike të politikës në Shqipëri. Katarsisi estetik shpallet kësisoj, në mënyrën më të besueshme, dëshmi e një vetëdije krijuese, jo vetëm të guximshme, por edhe dinjitoze e qytetare. I dorëzuar tërësisht në urdhërin e artit, ai nis që ta shfaqë tashmë veprën e tij – të dominuar jo pak nga motivet egzistenciale të njeriut, me prirjen për të depërtuar në zonat e mistereve të tij, duke e projektuar artistikisht me tërë dritë-hijet, pra, si një qënie pafundësisht komplekse.

     Duke e vështruar tërë krijimtarinë tejet të pasur, me larmi stilesh e zhanresh letrare të D. Agollit, mund të formulohen e të bëhen shumë qasje interpretimi, çka e sugjerojnë veprat me kualitet të lartë letrar.

    Kjo vjen pasi vepra e tij, nuk përcillet në struktura lineare, si konceptualisht – ashtu edhe stilistikisht. Përkundrazi, ajo është polikromatike dhe me kryqëzime ndikimesh nga traditat e mëdha dhe nga risitë poetike.

    Na tërheq vëmendjen, sidomos në poezinë e tij, shfaqja konstante e motivit të udhës. Këtë e ka vrejtur edhe kritika e kohëve të ndryshme, por është minimizuar, duke e spieguar atë kryesisht si pasojë e raporteve aktive që manifeston heroi lirik me jetën, ose, e shfaqur si një prirje dominante në këto tekste agolliane e modelit militant (si letërsi e angazhuar) – përkundrejt modelit meditant (letërsi e pastër), të njohura këto në fakt si modelet principale të teksteve letrare, në të gjitha kohërat. Por gjykojmë se ka vend për t`iu bërë një intepretim më i brendshëm këtyre teksteve agolliane, prej nga do të buronin për pasojë, edhe konkluzione më bindëse.

    Rruga, udhëtimi, lëvizja e përhershme në aktualitet dhe në histori, janë motivi kaq i shpeshtë e pothuaj obsesional, aq sa e ndeshim të stampuar dhe në shumë tituj librash, që nga ai i pari si p.sh. Në rrugë dola (1958), e pastaj më pas te Hapat e mia në asfalt (1961), Shtigje malesh e trotuare (1965), Udhëtoj i menduar (1985), e në libra të tjerë të pas `90-ës si: Pelegrini i vonuar, Lypësi i kohës, Vjen njeriu i çuditshëm, të cilët, të tërë e kanë të pranishme semantikën e udhës, të lëvizjes. Pa rënë në kurthin e influences, që mund të ketë ndikuar sindromi i kohës për artin e angazhuar, duhet treguar vëmendje për ta arsyetuar e për ta spieguar më drejt e më thellë këtë zinxhir të pandalur të metaforës së udhëtimit, që si dukuri estetike, kaq frekuente dhe në larmi formash e kumtesh poetike, i ka shoqet e rralla në letërsinë shqipe. Në këtë rast, besojmë se kemi të bëjmë me rishfaqjen, apo rimarrjen e natyrshme të arketipit universal odisejan të udhëtimit, sa i lashtë, aq dhe modern ky motiv, që në fakt, dëshmon prirjen e shtegtimit dhe kërkimit të përjetshëm të njeriut, drejt të panjohurave e mistereve, brenda e rrotull tij.

    Ky lloj udhëtimi centrifugal e centripetal, pra, së brendshmi (drejt thelbit të njeriut), dhe së jashtmi (drejt hapësirave të pafundme, që e rrethojnë atë e ku ai ka një mision të caktuar), krijojnë gjithë atë atmosferë sovrane poetike, ku shndrijnë e thurren artistikish: si detaje nga më jetësoret, ashtu dhe ato nga më të çuditshmet e më grotesket. Në këtë udhëtim të tij poetik, Agolli nuk harron të zbresë edhe te protoletërsia/paraletërsia shqiptare, pra, te kënga popullore. Në librin e tij Kënga e gjyshërve, ai të kujton ata lulishtarët e kopshteve të famshme babilonase, të endur e të magjepsur pas luleve më të bukura, për të sjellë në këtë rast te lexuesi i tij një tufë lirikash e baladash prej krijimeve popullore. Por pa i prekur kurrsesi ato në strukturat e tyre primare, autentike, por vetëm sa duke i shkundur paksa ato nga pluhuri i krijuar, prej të mbeturit mënjanë, si për t`i zgjuar e rifunksionalizuar këto bukuroshe të fjetura, perla të lirikës shqiptare.

    Të diel me natë

    Të ngrihesh të vish;

    Të vish nga të vish,

    Fushës të mos vish,

    Fushës ka ushtarë,

    Futesh – u fut zjarrë

    Të diel me natë

    Të ngrihesh të vish;

    Të vish nga të vish

    Malit të mos vish,

    Mali ka kusarë,

    Hyn- i nxjerr të marrë… (Të diel me natë)

    Komplekse e shumëdimensionale shfaqet kjo krijimtari e pasur edhe për faktin se në aspektin estetik, megjithë besimet dhe utopitë e kohës, shkrimtari dinte t`i gjente hapësirat për ta shprehur lirinë e tij artistike, pikërisht në veprat e tij më të mira, të cilat, vazhdojnë t`i qëndrojnë kohës, por dhe në ato krijime që nuk i shpëtuan syrit dhe ndëshkimit të çensurës. Është pikërisht kjo arsyeja se përse, vitet e pas `90-ës, e gjetën të përgatur Dritëro Agollin për t`i derdhur në disa libra radhazi, ato që s`mundi t`i shkruante dot më parë, kryesisht motivet e përjetshme, universale dhe egzistenciale të njeriut, duke zbritur pra, në kufijtë delikatë e aq domethënës të dimensioneve metafizike.

    Një shi monoton

    Me pellgje të mekur

    Harruar e lënë…

    Këtu nën ballkon

    Një dallëndyshe e vdekur

    Që mbrëmë.

    Udhëtar i heshtur,

    Ku shkon

    Nën qiellin e rrjepur

    Me shi monoton?                        (Shi monoton)

    Lëvizjet dhe kapërximet e mbara estetike, dihet, që i bëjnë shkrimtarët e shquar dhe Dritëroi i bëri se mbetet njeri prej tyre.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË