Adem Demaçi (1936-2018) mbetet mjaft i njohur si një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare në Kosovë. Ai kaloi një kalvar burgosjesh gati 30 vjeçare në ish Jugosllavi, akuzuar si disident i rrezikshëm. Për qëndresën e tij legjendë si “Mandela i Europës”, është vlerësuar me çmimin “Saharov” në Strasburg. Aktiviteti i tij vazhdoi edhe si përfaqësuesi politik i UÇK-së. Gjithkush pas viteve `90-të, ka patur rastin që të njihet përmes medias me aktivitetin e tij të palodhur patriotik e intelektual, sa në Kosovë e sa në Shqipëri. Kam patur privilegjin që ta njoh nga afër në një nga takimet në Tetovë, ku organizohej Festivali i njohur Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit”. Këtu ai ishte i ftuar nderi dhe i pranishëm në tryezat e takimeve për diskutime. Kujtoj se në tërë qënien e tij, ndihej sikur ishte derdhur statura e një misionari, prej të cilit, buronte një ligjërim tejet i natyrshëm dhe njëherazi tejet zotërues.
Pjesë e aktivitetit të tij të shumëanshëm është edhe krijimtaria letrare. Kjo krijimtari, është e përmbledhur dhe botuar tashmë në 10 vëllime në Kosovë. Që në krye të një studimi të gjerë e mjaft vlerësues , bën përshtypje pohimi i studiuesit të mirënjohur Rexhep Qosja se kjo krijimtari nuk mund që të prezantohet dot asnjëherë e plotë dhe kjo, pasi aty ka jo pak pjesë të munguara, të cunguara, të ndaluara, të konfiskuara, pse jo, të mallkuara, nga çensura shoviniste – nëpër vite të ndryshme.
Këto janë fate apo histori shqiptare, ku realiteti ka dëshmuar se në këtë hapësirë nuk regjistrohen vetëm troje e njerëz të cunguar, apo të humbur e të syrgjynosur – në stilin më të egër mesjetar, por edhe vepra letrare të ndjekura nga ky fat. Mu për këtë arsye, edhe fazat e krijimtarisë së këtij autori, nuk përcaktohen dhe klasifikohen lehtazi aq nëpër kufij estetikë e kulturorë, sikundër ndodh në proceset letrare normale, por në faza burgimesh dhe ja se si: fillimisht krijimtaria e tij para dhe gjatë burgosjes së parë (kur nuk ishte veçse një djalosh 20 vjeçar në kulmin e rinisë). Si fazë e dytë, është krijimtaria nëpër vitet e burgosjeve të radhës – deri në lirim më 21 prill 1990, si dhe faza e tretë, ajo e pasburgimeve – deri sa ishte gjallë. Një kronologji e krijimtarisë letrare nëpër këtë model togfjalëshi, ku në çdo periudhë të klasifikuar shquan fjala “burg”, është vërtet nga rastet unikale në historinë e letrave. Por ndërkaq, ajo kohë legjendë burgosjesh politike e shkrimtarit, për shkak se qytetari dhe intelektuali Adem Demaçit e kishte sfiduar në paqe të plotë me veten heshtjen, apo ca më shumë konformizmin ndaj padrejtësisë, pra, ajo kohë, mbetet unitarisht kurora më e ndritur e veprës së tij, si vlerë modeli tempullar për të tjerët.
Koha e provoi vlerën e këtij modeli, sigurisht me koston e lartë të sakrificave ekstreme të njeriut, të individit, por ama me dobinë e madhe që pati populli, të cilit, i dolën zot martirë të tillë të lirisë, që atij populli të mos i zhbëhej dhe mos t`i shuhej kurrsesi kujtesa, qëndresa dhe rezistenca qytetare e nacionale, të cilat, sistematikisht, kishin qenë tejet të rrezikuara.
Vepra të tilla si kjo e Adem Demaçit, me pengesat dhe pjesët e munguara, nga ato që ia censuruan, ia asgjësuan nëpër kalvare hetimesh e gjyqesh, apo që mund t`i kishte realizuar, po të shkonte jeta e tij në rrjedha normale, u ngjajnë atyre skulpturave antike, të cilat, u flasin njerëzve me tërë elementet e tyre, madje edhe me ato të munguarat. Të shfaqura para publikut si të tilla, ato arrijnë të përcjellin në mënyrën më besnike atmosferën e kohës, me tërë pamjet e ndritshme dhe të errëta të saj, me pengesat dhe peripecitë.
Kësisoj, edhe kjo vepër e autorit, duhet vlerësuar si një “kalendar artistik i kohës” së tij dhe i kohës së popullit të tij, si dy skaje këto, që nuk ndahen dot, por që puqen e shkrihen mes tyre tërësisht. Në tërë përbërësit e saj zhanrorë e stilistikë, ajo rezulton të jetë pasqyruese, interpretuese dhe përcjellëse e qashtër mesazhore, e kësaj kohe. Mund të themi se kemi të bëjmë me një nga ata krijues, të cilët, po bëhen gjithnjë e më të rrallë në racën e shkrimtarëve, në veprën e të cilëve, qendrojnë pranë: shkrimtari i strukturave artistike dhe po aq, misionari i ideologjive dhe i aksioneve sociale. Për një shkrimtar si Adem Demaçi, ky do të ishte një lloj kushtëzimi dhe haraçi, por i paramenduar dhe i llogaritur me sa duket fort mirë prej tij, që kishte të bënte me vendosmërinë dhe paktin e bërë (që në krye të herës), për të mos i ikur apo bishtnuar kurrsesi, në çdo rrethanë, sado të vështirë, as zërit të kohës dhe as zërit të vetes.
Duke lexuar këtë vepër, ku përfshihen krijime në prozë të shkurtër dhe romane, poezi dhe dramë e publicistikë, kupton se autori i saj ka pasur një pasion dhe energji të madhe krijuese, për ta zotëruar gjithësisht letërsinë, duke e synuar të shprehurit artistik, pothuaj në tërë zhanret e saj. Pamvarësisht rrethanave të jetës, të cilat, jo vetëm nuk ia mundësuan, por dhe ia vështirësuan këtë mision artistik, kjo krijimtari e pandalur dëshmonte se ai kishte një talent të lindur dhe një vullnet të bekuar për ta mbajtur gjallë e për ta realizuar këtë talent. Ndërkaq, izolimet e gjata nga kontaktet me jetën sociale e kulturore, nuk arritën dot që t`ia shuanin apo t`ia atrofizonin shijet letrare. Brenda kaushëve të burgjeve, të kontrolluara sistematikisht, ai dijti të krijojë lirinë e tij, ku edhe në ato rrethana ferri, letërsia e tij gëzonte mbase statusin më të pacënuar të kësaj lirie, çka e bënte autorin e saj të mos ndjente kurrfarë kufizimi – për të qënë në kontakt me vlerat dhe shijet e larta letrare, nga ato shqipe dhe ato botërore, të cilat, i ruante të depozituara në shpirtin dhe në fantazinë e tij.
Në veprën e Adem Demaçit ka jetë dhe ritëm, që s`mund të shihen të pashkëputura dot nga ritmi i biografisë së popullit dhe ritmi i jetës së tij. Kuptohet, se në ligjërimin letrar, pra, sipas principeve të kodeve letrare, këto realitete historike e sociale shqiptare, përthyhen në struktura narrative dhe dominanca specifike emocionale, por ku ato e ruajnë gjithsesi, karakterin dhe pushtetin e tyre identitar.
Le të kujtojmë një tregim si atëme titullin “Ezopi”. Është konceptuar si një rrëfim në vetën e parë dhe brenda pak fletësh, portretizohen me doza humori, me ngjyra groteske e deri burleske, një radhë personazhesh me emrin Hasan, të cilët, jetojnë sipas mënyrës së vet në një qytet provincial. Njëri shtatlartë, që femrat i sillen si mizat lugës së mjaltit, tjetri dajrexhi, që ia ka ënda të gënjejë shumë – por pa dëmtuar kënd, Hasani tjetër – pjesëmarrës në luftën antifashiste – por që as i bie një herë në mendje ta kujtojë atë për ndonjë përfitim. Pastaj Hasani tjetër, i shkurtër nga shtati, por që ecën i kacagjelur edhe në përcjelljen e ndonjë të vdekuri – sikur të ishte ndonjë gardist i vet Napoleonit. Për të vazhduar me Hasanin pëllumbaxhi – që më shumë rri pranë kotecit të pëllumbave se sa në shtrat me gruan. Dhe në fund, një Hasan tjetër, vet heroi i rrëfimit, me një defekt fizik: është gungaç. E kjo i faneps atij drojë e ndjenjë inferioriteti mes shokësh e deri në familje, ku edhe dashuria e nënës, në raport me fëmijët e tjerë, i ngjante se më shumë i përcillej si mëshirë e kjo mëshirë nuk mund ta rriste dot, se ngjasonte si ajo drita e hënës ndaj lules së vyshkur. Por pikërisht tek ky Hasan i fundit, si në një dinasti mbretërore – apo si në shpalljet biblike, ka zbritur ylli për të shenjuar njeriun, që do të mbartë një mision të lartë. Me një kontrapunkt sugjestionues, pra, me një kapërcim artistik, ku dalin pamjet kontrastuese mes pamjes së jashtme dhe vlerave të brendshme shpirtërore, arrihet që të krijohet në këtë tregim, një emocion i thellë human dhe përcillet një mesazh i gjithkohshëm – për t`u orientuar në vlerësimin e njeriut nga shpirti dhe karakteri i tij dhe jo nga lulkat e dukjeve.
Sikundër vrehet, edhe brenda një teksti minimal si ky për nga vëllimi, kryqëzohen shumë fate njerëzore, ndihen alegoria dhe përthyerjet autobiografike, tonet përsiatëse dhe pasazhet përshkruese, ndihet sidomos ritmi i lartë i lëvizjes së lavjerrësit të kohës së ngjarjeve – që i jep këtij tregimi formatin e një skeleti romani.
Në tërësinë e vet, vepra e Adem Demaçit përcillet si zëri i kohës së popullit të tij. Këtu ai mori me vullnetin e tij pengun e përgjegjësive – për t`i mbajtur dhe dëshmuar ato me çdo çmim. Po këtu, mori edhe gëzimin, mbase më të madhin e jetës, për ato që pa të realizuara më pas. Dhe ky realitet i ri në botën shqiptare, i cili po vinte i mbarë (për koincidencë) me mijëvjeçarin e ri, që sapo hynte, do të ishte dhe një blatim i merituar pë atë çka ai bëri për këtë vend, pa bërë paraprakisht llogaritë për “hipotekën” e tij personale.


