Pyetësori “Librat e jetës sime”
Libri që po lexoj ndërkohë:
“Serotonina” e Michel Houellebecq
Libri që më ka ndryshuar jetën:
Efektshmëria e fenomenit “ të ndryshuarit të jetës” ka qenë kushtëzuar, a diktuar nga faza të ndryshme të moshës, të kohës e sidomos të emocionit që buronte nga statusi libër i ndaluar ose jo, pasi pranohet se shija e leximit apo aftësia thithëse e një libri shtohet ndjeshëm kur në një regjim të rreptë censure të bie në dorë një libër i ndaluar.
Natyrisht kjo varej dhe nga rrethanat, pra se cili libër i ndaluar të binte rastësisht në duar. Bie fjala, një herë kur rastësisht më ra në dorë një libër në anglisht “Imoralisti” i Andre Zhidit, mbaj mend që efekti ishte tronditës, gati trullosës.
Përtej rastësive të librave të ndaluar ose jo, në kohëra të ndryshme përgjithësisht them se më kanë lenë mbresa të thella libra të tillë si “Portret grupi me një zonjë” e Hajnrih Bël, “Vdekje në Venecia” të Tomas Mann, “Përçmimi” i Alberto Moravias, “Koncert në fund të dimrit” e Kadaresë, “Ferri i çarë”, i Visar Zhitit…
Libri që do të doja të kisha lexuar
Ka shumë, dhe sot ndjej peng të madh që pjesë të madhe të jetës sime e kam humbur, a rralluar ndjeshëm ritmin e leximit, ndërkohë që ka aq shumë libra të mirë që nuk i kam lexuar dhe që druaj se nuk do t’ia dal dot t’i lexoj…
Por siç thoshte një këngë e viteve 70’ “Bisogna saper perdere..”
Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia
Janë disa:“Viti i vdekjes i Rikardo Rais” i Saramagos, “Novela e tregime” të Çehovit, tregimet e Heminguejit…
Libri që më ndryshoi mendjen
“Armëpushimi” i Primo Levit
Libri i fundit që më bëri të qaj
S’e mbaj mend, mbase kur kam qenë i ri duke lexuar “Tre shokët” e Remarkut.
Libri i fundit që më bëri të qesh
Dikur në rini kam lexuar një libër të një autori thuajse të panjohur, përkthyer e botuar në Shqipërinë e asaj kohe, përzgjedhur kushedi se për çfarë arsyeje: “Zjarr në kadastër” i një autori që nuk ka lënë ndonjë gjurmë në mozaikun e letërsisë italiane, a më gjerë, Carlo Montela.
Atëkohë, u befasova se si mund të bëhej letërsi kaq argëtuese me jetën rutinë të nëpunësve të një qyteti provincial në Italinë e Jugut, në limontinë e jetës monotone, pa ndonjë ngjarje të bujshme, shoqëruar kjo me një stil ironik, thuajse neutral në dukje..një humor tipik i neorealizmit italian (realizuar më pas në një film të ngjashëm të një regjizori të dashur për mua, Ermano Olmi, te filmi “Il posto”)
Këto kohë jam argëtuar shumë duke lexuar “Dita e mbetur” e Ishiguro Kazuo.
Libri që më vjen turp që s’e kam lexuar ende
Janë shumë: “Komedia hyjnore”, “Bibla”, “Kurani”, veprën e plotë të Borhesit, Dostojevskit…
Librat që kam dhuruar
Kryesisht librat e mi, por shpesh më ndodh që kur dhuroj ndonjë libër timin, përftuesi i dhuratës më ndrron rrugën sa herë që rastis të kryqëzohem me të. Natyrisht, e kuptoj që nuk e ka lexuar librin dheiI vjen zor të ma thotë.
Madje në një rast, dikush që më kishte blerë në panair një libër timin, kur e pyeta pas ca kohësh mbi përshtypjet, mu kthye i habitur :interesant me ju shkrimtarët e sotëm, pak se po jua blejmë apo pranojmë librat si dhuratë,po doni që dhe tjua lexojmë…Kush ka kohë sot, o burrë!!!
Libri me të cilin dua të mbahem mend
“Metamorfoza e një kryeqyteti”
Libri që me bën të ndihem mire
“Një rrëfenjë me ndërkombëtarë”, “Parrullat me gurë”…
Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar
Nuk kam ndonjë keqardhje në këtë drejtim, përgjithësisht ato pak libra që kam shkruar më janë vlerësuar nga lexuesi apo kritika Brenda dhe jashtë vendit…