Në vitin 2010 gazeta The Economist botoi një artikull mbi “gjeografinë e lumturisë”, ku Bulgaria së bashku me Rumaninë u deklaruan si vendet më të mërzitshme në botë. Shqipëria nuk figuronte në këtë klasifikim.
Një vit më vonë shkrimtari bullgar, Georgi Gospodinov, botoi romanin e tij, “Fizika e trishtimit” gati si një përgjigje ndaj artikullit të mësipërm, por në një plan më të gjerë, ndofta si reagim ndaj klisheve perëndimore në lidhje me temperamentin e Evropiano-lindorëve.
Jo rrallë herë dëshmuar kjo dhe nga përvoja shqiptare ku ndjeshmëritë ndërkombëtare ndaj vendit janë dallaur për prirje standartizimi, retorika të konsumuara, këndvështrime sensacionale, apo ekzotike, të cilat kanë ofruar hapësirë të mjaftueshme për opinione të deformuara,
Por, a mund të flitet, pra, për një hierarki apo shtrirje gjeografike të trishtimit?
A ka secili komb mënyrën e tij të të trishtuarit, sipas parimit kultura të ndryshme kanë forma dhe përmbajtje të standartizuara trishtimi. Thënë ndryshe, a ka secili komb larminë e tij të melankolisë, dhembjes, zhgënjimit?
Apo, së fundi, a është trishtimi aq sa universal, po aq dhe individual dhe se secili ka mënyrën dhe shkaqet e veta të të trishtuarit, pra mënyrën e tij të pikëllimit?
Janë mëdyshje e dilema që dalin nga vetë leximi i romanit “Fizika e trishtimit”.
Gospodinov përpiqet të tregojë pikërisht një histori të tillë,duke i kundërvenë “vendit më të mërzitshë në botë”, pra Bullgarisë, trishtimin e vet, trishtim ky që sipas shkrimtarit kërcënon të pushtojë krejt Europën.
Fare lehtë, atë mund ta quash dhe Kronikan i ironik i jetës së përditshme bullgare, në një kohë kur epikave sublime i ka ikur tashmë koha, dhe jo vetëm në Bullgari,
Fjala është për një roman që, kur u botua në vitin 2012 në Bullgari , kontigjenti i parë u shit brenda ditës. për të marrë më pas të gjitha çmimet kryesore brenda dhe jashtë vendit e për tu përkthyer në mbi 16 gjuhë.
Nuk është e lehtë të bësh një shkrim përmbledhës për romanin “Fizika e trishtimit”, pasi aty Gospodinov përzjen historitë e vogla personale me historinë e madhe njerëzore, vepra kryqëzon disa tregime, nga vetëm një rrëfimtar, nganjëherë unik, nganjëherë shumplanësh, një katalog vëzhgimesh joshëse.
Vetë titulli “Fizika e trishtimit”, një bashkim i dy termave dalë nga regjistra leksikorë rrënjësisht të ndryshëm ( fizika është karteziane, ndërkohë që melankolia është më pikëlluese, më e avullt, subjekt luhatjesh kapriçioze…,) lë të mendosh se individi njeri është një univers më vete, dhe se ekzistojnë aq universe të veçanta melankolie sa dhe individë.
Natyrë melankolike, i brishtë, me ndjesinë e fëmijës së braktisur dhe diagnostifikuar që në moshë të hershme me sindromën somatiko-empatike obsessive, (empati e pavullnetshme) bën që ai të përfshihet dhe futet në përvojën e gjithçkaje rrotull tij, familiarët, fqinjët, kafshët, madje dhe ndaj një kërmilli që gëlltit gjyshi I tij për të lehtësuar ulcerën e stomakut.
Ai ka aftësinë të hyjë sa brenda trupit dhe shpirtit të të vet, aq dhe duke u shkrirë në trupin e shpirtin e një të tjetrit, për ta ndjerë atë më mirë, duke kaluar nga veta e parë në atë të tretë, duke mbushur kështu hendekun mes vetes dhe tjetrit.
Eshtë kjo prirje për të shkrirë “unin” me “ai” dhe “ne” që të bën të kujtosh devizën “unë jemi ne”.
Gjithçka në roman është e krijuar dhe njëkohësisht reale, fluide, e huaj dhe njëkohësisht familiar, duke përmbledhur histori që lidhen e shkëputen herë pas here. Me një vështrim të ndjeshëm mbi shoqërinë ai përpiqet të tregojë trishtimin e llojit bullgar, poaq si dilemë gjuhësore, aq dhe metafizike, ku secili individ është i pangjashëm në melankolinë e tij, në kërkim të vetes, ku ndërthuren e kaluara me të sotmen, personalja me universalen, kujtesa kolektive me atë individuale, ndjenjat sublime me melankolinë.
Gospodinov i largohet temave të mëdha, kategorizimeve morale dhe përshkrimeve, duke ofruar në vend të tyre një polifoni mikrokronikash të çastit, me hapësirë ndaj formave të tjera të trishtimit.
Teksa kalon nga njëri identitet në tjetrin: fëmijë, adult, gjysh, apo duke u shëndrruar në figurën emblematike të mitologjisë greke Minotaur, (të cilën ai e punëson dhe shfrytëzon si një metaforë komplekse), të duket sikur ai i përdor personazhet e tija për të ngazëllyer frikërat e veta.
Dikush që ndjen nevojën të kuptojë dhe pranojë melankolinë e tij, në kërkim të vetes së tij: një vajtje ardhje mes emocionit dhe analizës, lexuesit, tregimtarit, shkrimtarit,që nuk rreshtin së identifikuari, e së ndari, duke theksuar kësisoj të gjitha format e empatisë dhe dhembshurisë.
Fare lehtë shkrimtarin mund ta quash Kronikan i jetës së përditshme bullgare, në një kohë kur epikave sublime i ka ikur tashmë koha, dhe jo vetëm në Bullgari. Tekefundit ajo gjithçka që na mbetet është rutina e mërzitshme e jetës së përditshme. Ai na fton të gjejmë një mënyrë për të bashkëjetuar me trishtimin, për ta lejuar atë si burim empatie, për tu ballafquar me hezitimet apo mëdyshjesh tona të përditëshme, antidot ky mjaft efikas ndaj zymtësisë së jetës.
Me një lehtësi dhe fluiditet, në dukje konfuz, romani presupozon detyrimisht pjesmarrjen e lexuesit në një bashkëveprim real, aq sa nganjëherë është e pamundur të mos ndalosh leximin, për ta rilexuar,
Dhe së fundi, nuk duhet të ketë qenë aspak e lehtë për përkthyesen Milena Selimi, me përkthimin e këtij romani labirinth, me shumë lojë fjalësh, atmosferë, poezi, referenca kulturash të ndryshme e duke ruajtur njëkohësisht formulimin atipik dhe muzikalitetin e gjuhës së shkrimtarit.