More
    KreuArte pamoreYlli Drishti: “NËNQYTETI”/ POGRADECI i rikujtuar nga mjeshtri Taso

    Ylli Drishti: “NËNQYTETI”/ POGRADECI i rikujtuar nga mjeshtri Taso

    “NËNQYTETI” / POGRADECI I rikujtuar nga MJESHTRI TASO

    Kush e ka vizituar Pogradecin këtë sezon turistik sigurisht ka ndjerë, se përveç magjisë së peizazhit, ajrit të freskët, ka admiruar nga afër kujdesin e përditshëm të Bashkisë për një qytet të pastër e të gjelbëruar. Ajo që tashmë është bërë traditë në çdo sezon turistik është respektimi i natyrës duke ndërtuar struktura portative druri për: Kafe – Bar – Restorante që në mbrëmje mes luleve dhe dritave  – krijojnë një atmosferë magjike. Në këtë këndvështrim qyteti i Pogradecit zë një vend të veçantë si në mikpritjen e vizitorëve, kulinarisë, pastërtisë, rregullit por edhe të veprimtarive artistike & kulturore. Kështu gjatë muajve maj-korrik në këtë qytet të vogël vogëlushët ndoqën nga afër festivalin e kukullave “Xinxifillo”, gjatë 24 – 30 Qershorit, u zhvillua Edicioni i 21 – të i “ALBAMONO” – International Monodrama Festival  – një event kulturor ndërkombëtar, që  mblodhi së bashku artistë profesionistë të skenës nga 8 shtete të ndryshme, USA. Shqipëria, Ukraina, Greqia, Kroacia, UAE, North Macedonia, Polonia. Në vazhdimësi në Odeonin e qytetit u zhvilluan e zhvillohen koncerte të vazhdueshme me këngëtarë lokalë. Në Pogradec dha  shfaqje  Cirku Kombëtar si dhe grupet e të rinjve të Pallatit të Kulturës. Gjithashtu  u zhvillua dhe “Ring – show” me nxënësit e gjimnazeve të qytetit. Ndërkohë dhe Galeria e Arteve e qytetit në kalendarin e saj ka renditur disa ekspozita arti. Më 12 korrik u përurua – Projekti (ekspozita) me titull: ”NËNQYTETI” i artistit të njohur Anastas Kostandini “TASO”, më tej do të ekspozohen veprat e kolonisë së artistëve të ftuar në Pogradec si dhe do të çelet ekspozita vetjake e piktorit të njohur Agron Polovina.

    Piknisja e një Projekti – “NËNQYTETI”

    “…Kështu nis dhe ky projekt! Bisedat për Pogradecin e vjetër me babin janë të shpeshta; herë të befta, herë të ngeshme, por gjithmonë të pasura dhe emocionale. Ato burojnë nga dëshira për mos harruar dhe nevoja për të kuptuar. Diku në këtë shkëmbim nisi të ndërtohej Nënqyteti…Bisedat për Pogradecin e vjetër me babin janë të shpeshta; herë të befta, herë të ngeshme, por gjithmonë të pasura dhe emocionale. Ato burojnë nga dëshira për mos harruar dhe nevoja për të kuptuar. Diku në këtë shkëmbim nisi të ndërtohej Nënqyteti. Bota e Tasos është e mbushur me imazhe të jetuara e të dëgjuara. Kërkimi i tij artistik është i lidhur ngushtë me temat që burojnë nga historia, marrëdhëniet njerëzore dhe natyra e Pogradecit. Njohuritë e mbledhura ndër vite, repertori vizual që ka ndërtuar dhe arkiva e shumëllojshme janë një burim i pashtershëm drite. Ai e mat qytetin me copëza kujtimesh.Por pavarësisht ndjeshmërisë së thellë, gjykimi i tij nuk bie pre e nostalgjisë. Bisedat i shoqëron me një revoltë të heshtur për atë që humbet dita-ditës, dhe një dashuri të thellë për vlerat që brendashkruan Pogradeci. Taso flet gjithmonë në emër të dashurisë! Ndaj figura e tij është qendrore në këtë projekt, jo thjesht si artist, por si bartës i një kujtese të gjallë. Qyteti është një temë edhe mes miqsh! Flasim për çfarë mbetet dhe çfarë zhduket. Për ata që ikin dhe ata që vijnë. Për ata që harrohen dhe ata që na harrojnë. Qyteti shpesh duket si i zbrazët, megjithëse njerëz ka. Jeta është e ngadaltë. Banorët e Pogradecit kanë një butësi që ngjan me liqenin. Janë të thjeshtë, të qetë, me shpirt të pastër dhe një mister të brendshëm. Edhe natyra ka të njëjtat tipare. Cilido që ka sadopak ndjenjën e përkatësisë, është mbrojtës i saj. Kujdesi për natyrën është si kujdesi për njëri – tjetrin…”

                                                                      Nga Ledia Kostandini (pjesë nga teksti në Katalogu i Ekspozitës)

    Ekspozita e çelur para pak ditësh(më 12 korrik) në GA, Pogradec (Shtëpia e Kulturës Lasgush Poradeci) e artistit TASO (Anastas Kostandini) ka tërhequr vëmëndjen e publikut artdashës si një ngjarje e veçantë në konceptimin e saj, por edhe në vizionin modern të trajtimit. Ekspozita titullohet: “NËNQYTETI” dhe paraqet në fakt një koleksion prej 31 punimesh në vizatim në format A3  me imazhe nga qyteti i vjetër i Pogradecit. Ekspozita është realizuar si një projekt mes artistit TASO dhe vajzës së tij artistes Ledia Kostandini, e cila këto punime i ka transformuar në QR kode të vendosuara kudo në qytet, pikërisht aty ku janë realizuar imazhet e vizatimeve nga mjeshtri TASO. Pra, është krijuar një hartë poetike e Pogradecit që nuk egziston më, por që mund ta admirosh nëpërmjet kësaj ekspozite dhe më e veçanta në këtë projekt është vendosja e Hartës Orientuese e shtrirë në hyrje të ekspozitës, e cila të fton që pasi të vizitosh ekspozitën të ndihmon të orientohesh dhe ti lidhësh ato vizatime pikërisht me vëndet ku ato objekte të vizatuara kanë qenë prezent si pjesë e qytetit vite më parë, por që tashmë nuk janë më. Projekti “Nënqyteti” është një iniciativë (koncepti & realizimi nga Anastas Kostandini, Taso) e komisionuar nga COSV Albania, në kuadrin e Projektit “Liqenet e Shqipërisë”, financuar nga AICS Tirana / “Agensia Italiana per la Cooperazione allo Sviluppo” – Cooperazione per lo Sviluppo COSV Albania VIS Albania. Koncepti dhe drejtimi artistik  – Ledia Kostandini dhe komunikimi & kurimi nga Paola Iljazi. Në veprat e këtij koleksioni vizatimesh mjeshtërore, ndjehet që Taso ndërton apo më saktë i thur “poezi” në art qytetit të tij të lindjes real dhe imagjinar, si në një skenografi realiste, magjike, që mjafton ta shohësh vetëm një herë dhe e dallon që është qyteti i vogël i Pogradecit. Anastas Kostandini – Taso, ja ka kushtuar jetën me artin e tij, këtij qyteti, i ngritur në bregun shqiptar të liqenit të Ohrit. Taso është piktori bashkëkohor shqiptar më interesant i Plain – Air, duke mbetur ndër piktorët e pakët që krijon sipas traditës impresioniste “natyrë – natyrë – studio“. I mbështetur mbi një koncept “arkeologjik“ të pikturimit të peizazhit, ku një “objekt i gjetur“ndihmon në zbulimin dhe ndërtimin imagjinar të historisë dhe qytetërimeve (jetës ekonomike–sociale të shoqërisë),Taso, preferon tematikën e jetës tradicionale të qytetit: qilarët e vjetër të verës, brendi familjare në banesat e vjetra, njerëz të thjeshtë që ecin apo rrinë ulur në rrugët & rrugicat e qytetit, sheshet e vjetër simbol të qytetit, Berberhanën e njohur buzë rrugës, gratë tek burimi tradicional duke mbushur ujë, gratë e qytetit që hapin petët e petkave dhe trahanasë për dimër, burra që pinë kafe në klub dhe mijra e mijra episode nga jeta e përditëshme të fiksuara nga piktori.

    Koleksioni i 31 vizatimeve të Tasos i përket cikleve të pafund të tij (me mijra vizatime), me kohëzgjatje mbi 50 vjeçare. Ai i realizoi  vizatimet e këtij projekti të veçantë me një përkushtim dhe pasion brenda 2 muajve në fillimin e këtij viti (shkurt-mars).  

    Vajza e artistit Ledia Kostandini bashkautore e këtij Projekti të veçantë, evidenton se në realizimin e ciklit prej 31 vizatimesh Taso, citoj: “…ka punuar në tri – madje katër – nivele kohore. Në nivelin e parë, ai shkon në thellësinë e kohës: aty ku kujtesa nuk është personale, por e lidhur me rrëfime të trashëguara, dëshmi të të tjerëve, fragmente dokumentesh apo foto të rralla. Është koha që nuk e ka jetuar vetë, por që e ka përthithur si përfytyrim, si në rastin e pazarit të vjetër i cili u dogj në 1943-shin. Niveli i dytë është koha e përjetuar në fëmijëri dhe rini të hershme — një kohë që rikthehet me ndjeshmëri të lartë, por edhe me një lloj mjegullimi emocional. Në këtë pikë, kujtimet vijnë më shumë si gjendje sesa si fakte. Kjo është ndoshta zona më e ndjeshme e kujtesës së tij. Niveli i tretë është ai i moshës së pjekur, tashmë me një vetëdije më të qartë për atë që ka humbur. Kjo kohë sjell me vete racionalitet, qëndrim kritik dhe një qasje më analitike. Vizatimet bëhen më të përqendruara në përkufizimin e hapësirës dhe strukturës. Ai kujton tashmë jo vetëm për të rikthyer, por për të dëshmuar, dhe dëshmia e tij është e kthjellët dhe e përpiktë.

    Përmes teksteve që shoqërojnë vizatimet, Taso përfshin edhe një nivel të katërt kohe: atë të së tashmes…”.

    Piktori me mjaft mënçuri e  vizaton qytetin e tij në dy mënyra të ndryshme që përbëhen nga dy rrathë brënda njeri – tjetrit. I pari është rrethi i jashtëm që e sheh (vizaton) qytetin nga periferia, nga larg dhe rrethi i dytë dhe më i rëndësishëm është koleksioni i punimeve që zbulojnë jetën e brendëshme, shpirtin e qytetit dhe rrugicat, lagjet që tashmë ruhen vetëm në memorien e brezit të tretë. Kostandini – Taso, në peizazhet urbane kujdeset që pika e shikimit të jetë sa më afër (horizontale): mbi ndërtesat në lagjet tradicionale, tek krojet e vjetër të qytetit, brenda  qytetit dhe buzë & pranë liqenit.  

    Piktori – Artisti TASO ka derdhur me mjaft delikatesë dhe dashuri shpirtin e qytetit të tij të vogël provincial. Nga ky cikël i madh dhe në përgjithësi nga vepra e mjeshtrit – piktorit Anastas Kostandini, Taso, njihesh me jetën e përditëshme, zakonet, bisedat, thashethemet, dashuritë, dasmat dhe vdekjet. Piktori edhe pse pikturon në natyrë në vazhdimësi si dhe në studio, adhuroi dhe eksperimentoi sipas magjisë piktorike të mjeshtrave si: Picasso, Chagall, Leger, Durer të cilët pas viteve 1990 i kontaktoi direkt në muzetë e mëdhenj (Francë, SHBA, Hollandë, Gjermani, Itali etj).  

    Peizazhi për Tason është një formë e veçantë e komunikimit dhe e dialogut me publikun e tij.   Në realizimin e tablove të qytetit të Pogradecit, TASO “zgjedh” dy mënyra të ndryshme e mjaft interesante shikimi. Një pjesë e vizatimeve të tij kanë “shijen” e realizimit të një piktori “poet” romantik të qytetit dhe natyrës, ndërsa në vizatimet e tjera arrijmë të “zbulojnë” qytetin tjetër ashtu siç vetëm artisti e njeh. Qyteti i tij, i cili nuk fle, por “gjallon heshturazi” me thashetheme, biseda e kontradikta, intriga e dashuriçka të fshehta, varfëri, magji e mister. Mënyra e vizatimit të rrugicave të lagjeve të qytetit të tij me detajet e çative me tjegulla, dyerve të vjetra, mureve me suva të rënë e shkallëve të drunjta të mbeshtetura në mur, ku flenë macet dhe maçokët nën diell, japin një kronikë realiste e magjike, të papritur që nuk e shohim në asnjë piktor tjetër shqiptar. Peizazhi për Tason është një formë e veçantë e komunikimit dhe e dialogut artistik që ai bën çdo ditë me veten dhe me publikun e tij. Aty ai ka të plazmuar shpirtin e tij poetik, muzikalitetin dhe fantazisë krijuese në variacionet shprehëse që të entuziazmojnë.  Pogradecin  – Taso – e realizon me shumë  dashuri e mjeshtri artistike, duke zbuluar hijeshinë, bukurinë e brishtë dhe magjinë e tij delikate. Pogradeci është memorizuar thellë në koshiencën e tij dhe në ekspozitë vemë re punime ku ai i ka lënë liri kujtesës, fantazisë dhe interpretimit modern & realist  të jetës dhe arkitekturës së qytetit. Në realizimin e vizatimeve mbi qytetit të Pogradecit, Taso  këtë herë na fton ta  “zbulojnë” ashtu siç vetëm artisti e njeh dhe e ndërton qytetin e tij  duke theksuar graficitetin e arkitekturës, apo dhe të personazheve të tij të shumtë që të krijojnë idenë e “boceteve kompozicionale”. Në disa vizatime ai e rikrijon qytetin si në një skenografi teatri ku mund të gjesh të gjithë personazhet e dashur e të zgjedhur prej tij. Pogradeci, i cili duket i heshtur, i qetë dhe sikur fle, në fakt “gjallon” nën vizatimet magjike të mjeshtrit Taso. Pra 31 vizatimet e Tasos mund të konsiderohen dhe si: “Ditari i madh” – “Kujtesa” e qytetit, pasi nuk ka rrugë e rrugicë që të mos jetë vizatuar disa herë. Ekspozita e Tasos me titullin e veçantë: “NËNQYTETI”, i jep vizitorit  mundësinë e privilegjin që si në përralla të jetë në një qytet që tashmë ka “humbur” – nuk egziston më. Pra – mund të gjendesh papritur në Pogradecin e vogël e të qetë si dikur, por i bukur e i mbuluar me magjinë e peizazhit të tij unik. Artisti nuk është rastësi që e mendoi ta quante kështu ekspozitën e tij vetjake, pasi ai ka rikrijuar një “Qytet Përrallë” që duke shëtitur në rrugët e tij mund ta shohësh  vizatimet në telefonin celular falë zhvillimit të sotëm të teknologjisë dhe bashkpunimit me vajzën e tij artisten konceptuale Ledia Kostandini. Patjetër aty ne zbulojmë shpirtin krijues të artistit, por nëse ndalojmë pak më gjatë në çdo vizatim të tij do të ndjejmë, apo më mirë do të zbulojmë përveç arkitekturës edhe “muzikalitetin” e poezinë e jetës së “fshehtë e të harruar” të banorëve të tyre. Në punimet e ndryshme të artistit Taso, që kanë përfshirë kryesisht të gjitha lagjet e vjetra dhe jetën e dikurshme të  qytetit, do të ndjejmë mjaft qartë qëndrimin artistik, mbi të gjitha mjeshtrinë e tij si vizatues i klasit të parë dhe dashurinë e pafund që ai si piktor mban ndaj vendlindjes – Pogradecit. Vizatimet e Tasos mbi sipërfaqen e tyre janë „të mbuluara“ me tinguj muzikorë dhe me  dashurinë e një talenti të veçantë. Ekspozita shoqërohet dhe nga një Katalog cilësor i cili përfshin të gjitha vizatimet dhe shoqërohet me tekste mjaft interesante të disa autorëve: Ledia Kostandini, “Nënqyteti — një kalim i brishtë”,  Amanda Cici  “Pëlhura e nënqytetit” dhe Dejvi Dauti “Midis përshkrimit dhe mbishkrimit: mjetet e memories grafike”

    Tiranë më 16.07.2025 

    Ylli Drishti   Historian & Kurator Arti, Tiranë

    Xhamllëku / Berberhana

    “…Në krye të rrugës “Naim Frashëri”, aty ku dikur niste pazari i vjetër, rrinin rresht dyqanka të vogla prej druri. Të gjitha këto dyqane të improvizuara nisën të ngriheshin pak nga pak pas vitit 1943, kur pazari u dogj. Pikërisht në këtë zonë ishte berberhana e vogël, një qoshe plot gjallëri e humor. Batutat, thashethemet dhe humori i çliruar e bënin jetën më të durueshme për njerëzit e thjeshtë. Berberi njihej për pasionin ndaj vitrinave prej xhami, dhe ndoshta prandaj vendi u quajt më vonë “Xhamllëku”. Prej andej mund të sodisje gjithë nyjën e qytetit, njerëzit që ndalonin për të blerë diçka, ata që ngrohnin shpatullat në diell, etj. Ishte një vend ideal për të parë e komentuar. Këtu, rrinin lloj-lloj personazhesh të veçantë për nga humori e temperamenti: Maqo Pelivani, llustraxhiu i vogël që këndonte me pasion teksa punonte. Gjorgji Gusho, një lloj shpikësi i lagjes, që përpiqej të lëshonte një “sputnik” në qiell. Sotir Zderja, gjithmonë i veshur shik dhe me humor të pashtershëm, ishte mjeshtër në ndërtimin e puseve të thella të ujit (çdo shtëpi kishte nga një që mbante vulën e tij)…” 

    Nga Taso

    Burimi i Toplecit

    Topleci dhe “Kroi i fshatit tonë” janë dy burime të afërta, të vendosura në të njëjtën lagje. Janë ujëra të lashta dhe të gjalla. Thuhet se fillimet e jetës së banuar në Pogradec kanë nisur që këndej. Ujërat rrjedhin ngado, madje edhe në themelet e shtëpive. Kështu është krijuar një intimitet i rrallë, ku komunikimi mes fqinjëve ndodh si brenda një familjeje. Dikur, uji rrëshqiste nëpër rrugica e derdhej në lumë. Edhe vetë lumi ka qenë po aq i pastër e i pijshëm sa burimet. Lagjja është e dendur me banesa të periudhave të ndryshme. Gjatë luftërave, këto rrugica kanë shërbyer si strehë për të fshehur, mbrojtur dhe mikpritur njerëz. Rruga e Toplecit sot ngjan me një oborr të madh shtëpie. Banorët ndjekin jetët e tyre të përditshme, me zakone, rituale dhe besëtytni. Dritaret, të shumta e përballë njëra-tjetrës, qëndrojnë pezull mbi ujë. Ajri është i freskët, i mbushur me aromën e pyllit të gështenjave, që nis vetëm pak më sipër. 

    Nga Taso

    Rruga “24 Maji”

    Mëhalla ime e dashur, dikur ishte plot gjallëri. Oborret e vogla ishin fushë-lojë, mikpritëse e bujare për gjithë shoqërinë gazmore të mëhallës, dhe jo vetëm. Në shtator, kur binte ai behari i vogël qytetar, ndodhte një tjetër ritëm i njohur: përgatitja e zahireve të dimrit. Petkat e trahanaja përgatiteshin me kujdes, traditë e thjeshtë që ndihmonte një jetë me pak mundësi. Gratë i shtronin petkat në tavolina, e i nxirrnin në rrugicë për t’i tharë në diell. Rrugica shndërrohej në një panair të gëzueshëm, plot aromë, diell dhe jetë. Personazhet e kësaj rruge ishin si figurat e një libri që vazhdon të shkruhet. Regjisori Tomo Mato sillte humorin e teatrit në përditshmëri. Një fotograf, një mekanik, një piktor, një plak që fliste pak, por mbante mend gjithçka, të gjithë jetonin aty. Ka ndodhur shumë: e bukura dhe e trishta, zhurma dhe heshtja. Sepse kjo rrugicë, e vogël sa për t’u harruar, është pikërisht ajo që të mëson rrugën e jetës: fillon me hapat e një fëmije dhe përfundon me hapin e një plaku.

    Nga Taso

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË