Ngrita jastëkun pak më lart dhe mandej u çova në pozicionin gjysmështrirë. Matanë tylit të tejdukshëm dhe dritares me dopio xham perceptova dëborë që po binte me flokë të imët dhe të rallë. “Ndoshta ka filluar gjatë natës. Dhe sigurisht që gjatë natës ka filluar, sepse mbrëmë tek isha i ulur mbi kolltuk e po shijoja çajin me boronicë, sikur përjashta nuk pash të kishte dëborë!”, arsyetova. Ndërsa gjumi më ka dalë plotësisht dhe ndërkohë po bëhem gati për të braktisur ngrohtësinë e krevatit, pasi më duhet të shkoj në punë, dëgjova zilen e telefonit.
-Kush po të merr kaq shpejt?-ndërhyri Evina.
Zgjata krahun dhe pa u ngutur mora celularin nga komodina dhe mandej shtypa butonin për të komunikuar. Papritur më njoftuan nga institucioni për të filluar lejen vjetore.
“Oh, më në fund”!
-Më kanë regjistruar lejen e vitit, i thashë.
Pavarësisht se pata një pështjellim brenda vetes, nuk them se se s’u ndjeva i lumtur, sepse prej kohësh kemi vendosur të nisemi me Evinën diku larg qytetit për t’i shijuar më ndryshe pushimet e këtij viti. Një çast qëndrova në heshtje, pa folur. Pastaj reagova:
-Faleminderit, u përgjigja dhe e mbylla me nervozizëm telefonin.
-Sa është ora?
-Është herët. S’ke pse çohesh kaq shpejt. Për në punë ke ende kohë, i them. Dëgjova një “eeh” që doli nga brenda mbulesave, pastaj asgjë, por që unë nuk munda ta deshifroj dot atë “eh” të saj për shkak të mërzisë që më kishte lindur.
Çuditërisht pushimet e mia nuk përkojnë kurrë në muajt e stinës së verës, sikundër i kalon përherë nëpër vendet më ekzotike administrata e lart e institucionit tim. Sidoqoftë kjo padrejtësi dhe mënyra se si po duken gjërat, pavarësisht se më revolton, për momentin nuk më ndryshon mendimin për t’i shijuar e përjetuar fundja edhe unë pushimet e mia në mënyrën time. Gjithsesi dhe larg çdo xhelozie, njerzit jashtë meje nuk kam pse i pengoj të ecin brenda mendimeve të veta, por që edhe veten time ndërkohë nuk do e lejoja të jetë asnjëherë pranë tyre. Dhe është ky vendim arsyeja pse për momentin nuk më vjen të çohem nga robat e t’i prish qetësinë rehatisë. Tek e fundit shtrati është i vetmi vend ku ti mund të bësh ç’të duash, sidomos me imagjinatën. Kështu që në vazhdim unë mund ta zë kohën time shumë më mirë me parafytyrimet që më sjellin veç dëshirat e mia, pasi dëshirat që nuk janë të miat, unë i urrej. Pa u vonuar u futa në hapësirat boshe të kohës, ku mes tyre imagjinoj tek notoj në ujin e pastër të lumit të Drinos, aty, në zonën e Budukut rrethuar nga shelgje të harlisur e të dendur, që ndodhet jo më shumë se dhjetë minuta larg nga shtëpia ku banoj. Në vazhdim të kësaj mënyre apstrakte të përjetimit të realitetit, pasi i kam shijuar të gjitha kënaqësitë e mundshme, i mbuloj përfytyrimet me tepër kujdes të veçantë, por gjithmonë me qëllimin për t’i ruajtur si prova të vetme të lumturisë që zotroj. Sidoqoftë brenda kësaj hapësire një parehati e fuqishme më shtyn të çohem nga shtrati.
-Po çohesh? Ndërkohë Evina u kthye nga unë.
-Sigurisht.
Ende mbi mbajtësen në afërsi të kolltukut qëndrojnë dy librat dhe mbi librat filxhani me çaj, të cilin, mbrëmë tek po lexoja, nuk pata dëshirë ta përfundoja. Vërej se ka dal një diell i zbehtë. Pasi e shoqërova puthjen që i dhashë Evinës edhe me një, ”je shumë e mirë”, u çova. Me tu ndodhur më këmbë menjëherë u përballa me pasqyrën e rrethuar nga një kornizë estetikisht e bukur, po ku fatkeqësisht në thellësin e pafundme të së cilës, pasqyrimi i ngjyrës së qiellit mu reflektua si për ironi në ngjyrën impresionuese të detit të Karaibeve. Nuk u habita aspak kur edhe në një nga cepat e pasqyrës, edhe lumi i qytetit tim u pasqyrua mbi xham si lumi Vollga. Nuk është i vetmi rast. Kështu ka ndodhur edhe në raste të mëparshme. U shkëputa nga pasqyra edhe më i zhgënjyer e i trishtuar. Nuk di se çfarë të bëj. Duket sikur në këtë dhomë banon vetëm zhgënjimi e hipokrizia, dhe jo unë. Sidoqoftë kjo gjëndje s’ka pse duhet të përbëjë një pengesë për të mos gjetur një zgjidhje të përshtatëshme, zgjidhje, e cila të më qetësoj e të më largoj nga cfilitja.
Përfundimisht në fund të këtij gjykimi e analize, pasi prura në vend ngjyrën normale të fytyrës, nuk mu desh shumë kohë të vendosja për një zgjidhe konkrete e të thjeshtë. Krejtësisht i qetë, pa shqetësuar sigurisht Evinën, menjëherë i rikthej të gjitha bagazhet me robat e plazhit në dhomën më të errët të shtëpisë. Pas këtij veprimi është e kuptueshme se as dëshira për të pushuar pranë detit, apo dhe për të shëtitur nëpër vëndet më klasike e të bukura të vendit, nuk më shqetëson dhe as më tundon më. Më në fund jam i qetë me zgjidhjen që bëra. Jam i qetë sepse nuk di të kem gabuar për të merituar këtë ndëshkim. Sidoqoftë më mirë të veproj se sa të gjykoj. Pasi bëra një dush dhe u vesha me robat që po më prisnin t’i vishja, mbrita përpara hyrjes së dhomës. Pështjellimin që pata pak më parë në kraharor sikur nuk e ndjej më. Dëgjova Evinën tek sa po çohet nga krevati të thotë:
-Çfarë po bën?
Ktheva kokën dhe vështrimin dejt saj dhe u përgjigja:
-Unë po dal.
-Kur të dal edhe unë nga puna takohemi tek “Bora” për një kafe.
-Të dua shumë! Dhe pasi i them edhe “Shihemi”, shtyj derën me lehtësi, zbres shkallët prej druri dhe menjëherë dal në rrugën me gjithfarë pemësh pa klorofil. Qysh në hyrje të rrugës ndjeva një aromë të lehtë parfumi. Dëbora ka kohë që ka pushur së rëni dhe se qielli për momentin çfaqet me ngyrën e vet blu. Gjithashtu përjashta si përherë është e njëjta kohë, por që brenda së cilës lëvizin qënie të ndryshme. Është e pamundur teksa ecën së bashku me ta, të mos ballafaqohesh me fytyra njerzish të veshura me gjestikulacione të pakuptueshme të tipit surrealist: të ftohta, të mjegullta, të lumtura, të vrenjtura e qesharake, që të sjellin menjëherë në mëndje krijimtarinë e Andre Breton, Salvador Dalit e Dychamp, krijimtari e cila ngaqë më tërheq shumë, e shikoj me kënaqësi sa herë më duhet që të largohem nga realiteti. Gjithsesi tek vazhdoj të shëtis, unë nuk ngutem, sepse nuk kam arsye pse duhet të ngutem. Pranë shitësave ambulantë të perimeve të vendosur në gjatësinë e trotuarit e të veshur me roba të ngrohta dimri, me doreza e kokore kush prej leshi e kush prej lëkure, shikon përherë veç blerësve edhe qenë endacak. Ndoqa me kërshëri për një moment lëvizjet e tyre, pastaj largohem. Sidoqoftë ky konglomerat gjëndjesh nuk ja zbeh aspak shijen llojit të pushimeve që po kaloj nëpër ambjentet e qytetit. Përkundrazi. Përkundrazi sepse për mua tek e fundit argëtim do të thotë jo domasdoshmërisht të jesh duke pushuar në bregdetin e Jonit ose Santa Cruz, por të gjesh qoftë edhe një vend nga ku mund ta soditësh botën edhe nga çdo lloj distance e lartësi, por, veçse përmes syzeve me ngjyra. Ndërsa lash mbrapa një pijetore bohemësh, imagjinata më nxori një të qeshur me ngjyra ironie.
“Duhet të jet vërtet diçka e bukur. Po e provoj njëherë. Fundja nuk humbas gjë të imagjinoj atë që nuk ekziston”, thashë pas atij mendimi e parafytyrimi të përatyshëm. Menjëherë këputa dy gjethe nga një pemë aty afër, sigurisht nga ato pemë të gjelbërta që janë anësh trotuarit, dhe i mbajta përpara syve, biles i ngjesha fort pas tyre për të improvizuar sa më mirë ekzistencën e xhamave. Pavarësisht se në thelbin e vet çdo gjë është e njëjta gjë, në dukje gjithçka ka marrë ngjyrat e syzeve të mia. Sidoqoftë ky realitet e kjo gjëndje e çuditëshme, më bëri ta ndjej veten më shumë mirë, sesa të ligështuar. Pasi kalova trotuarin dhe gjethet ende si kam flakur, u drejtova për nga rrugica që të shpie te muzeumi. Por pavarësisht reflektimit aty për aty të një entuziazmi të dukshëm, që mora sigurisht prej iluzionit të çastit, një këputje e lehtë më përshkoi shpirtin e lodhur nga mashtrimet dhe mendimet më rimorën përsëri ngjyrat e errëta të dëshpërimit.
“Ç’realitet i bukur por çuditërisht dhe i çuditshëm”, artikulova.
Nejse, jam me pushime e më shumë se çdo gjë tjetër, më duhet të mendohem se si të shplodh veten. Pasi lashë muzeumin, u nisa për te lokal “Bora”. Vërejta se mali pëballë është bërë plotësisht i padukshëm, ndërsa hapësirën mbi qytet po e mbulojnë përsëri retë e bardha të dëborës.


