More
    KreuLetërsiShënime mbi libraXhoina Salaj: Një udhëtim nëpër metafora, histori dhe trillime të pazakonta

    Xhoina Salaj: Një udhëtim nëpër metafora, histori dhe trillime të pazakonta

    Kur lexon një libër që të del jashtë parashikimeve, është e natyrshme të ndihesh i ngatërruar, i hutuar, ndoshta edhe i pasigurt për atë që ke tjerrë pas leximit. Kështu ndodhi me mua kur mora për herë të parë në dorë romanin “Lakimi” të Durim Taçit. Fillimisht, pas leximit të disa faqeve, më brenin dyshimet. Ky libër ka linjën e trillerit, po pse autori po më shpie nëpër qorrsokakë të tjerë? Do të arrij të futem në atë që ne quajmë “thelb” të veprës, që duket kaq ndryshe nga çdo gjë që kam lexuar më parë? Po shumë shpejt, dyshimet u shuan dhe qeshë e sigurt se rezultoi një vepër që ia vlente të shijohej, të diskutohej gjatë, të studiohej, përtej paragjykimeve apo pritshmërisë së zakonshme që shpesh kemi për autorët shqiptarë.

    Feminizmi, historia dhe lidhjet që shkruhen me fjalë

    Në librin “Lakimi”, Taçi na ofron një interpretim të mrekullueshëm dhe të thellë të rolit të gruas, duke e vendosur atë në qendër të një narrative që shtrihet në një kalendar kohor prej pesë mijë vjetësh. Nuk është thjesht një roman që rrëfen një histori të zakonshme dashurie, por një ftesë për reflektim mbi vendin e gruas në histori dhe shoqëri. Autori sjell një grua të guximshme dhe të pavarur, Elirën, që përballet me një botë të mbushur me sfida dhe paragjykime, ku roli i saj si arkeologe dhe si grua priret të ngarkohet me tensione dhe kontekste të thella kulturore dhe historike.

    Nuk është e rastësishme që ky libër trajton temën e shkrimit dhe ndikimin e tij te gruaja. Elira, një personazh goxha kompleks, e shikon shkrimin si një instrument që mund ta çlirojë, por gjithashtu e sheh atë edhe si një mjet të përdorur për të mbajtur gratë nën kontroll. Ky element i shkrimit si një lloj lakimi, i lidh ngjarjet e së njëjtës linjë, por edhe ato ngjarje që shihen si të ndara dhe të pavarura nga njëra-tjetra, duke krijuar një dimension tjetër të kuptimit. Një nga shtyllat më interesante të romanit është edhe goditja e shkrimit me shkrim, që në këtë rast është një akt i fuqishëm i vetëndërgjegjësimit, por gjithashtu edhe një mjet manipulues nga ata që kontrollojnë historinë.

    Një shkrim që ndërton histori mbi histori

    Një nga elementet më intriguese të këtij romani është përdorimi i metafiksionit. Autori ndërton një narrativë që ndërthur brenda saj disa histori të tjera, disa realitete dhe disa lloje të shkrimit, duke i bërë ato të dukshme dhe transparente për lexuesin. Është lloji i shkrimit që reflekton në procesin e krijimit të vetë shkrimit, duke e bërë të qartë se çfarë është e trilluar dhe çfarë është reale, duke shuar çdo dallim midis të dyjave. Në këtë mënyrë, “Lakimi” reflekton në natyrën e trillimit dhe mundësinë që historia të jetë gjithmonë një konstruksion, një interpretim i vazhdueshëm i asaj që ka ndodhur dhe asaj që mund të ndodhë.

    Do ta quaja një vorbull fiksioni, që kërkon një lexues model e të gatshëm të hyjë në labirinte të pafundme rrëfimesh, për shkak edhe të strukturës së veçantë, ku kalimi nga një ngjarje në një ngjarje është i ndarë veç me paragrafë. Më shumë sesa një histori e zakonshme, kjo vepër është një udhëtim nëpër botën e krijimtarisë dhe shkrimit, duke e sfiduar lexuesin të kërkojë lidhjet e fshehta dhe të zbulojë lidhjen mes fjalëve, ngjarjeve dhe asaj që fshihet pas tyre.

    Një udhëtim i shtrirë në kohë dhe hapësirë

    Romani është gjithashtu një udhëtim i çuditshëm në kohë dhe hapësirë. Ndërsa fillon në Shqipërinë moderne, ngjarjet shtrihen dhe përhapen në vende dhe kohë të ndryshme, duke sjellë me vete një kompleksitet që përfshin histori të largëta dhe të afërta, ama të gjitha të lakuara. Ky është një projektim i zhvillimeve të shoqërisë, duke pasqyruar sesa thelbësor është ndryshimi dhe përplasja e kohëve të ndryshme, por gjithashtu sesa të ngjashme janë luftërat dhe sfidat që përjetojnë gratë, pavarësisht nga periudha historike.

    Me një stil unik dhe terminologji të pasur, Taçi ofron një analizë të detajuar të mënyrës se si gratë janë trajtuar në histori dhe shoqëri. Nëpërmjet gruas si protagoniste, ai na rrëfen se çfarë ka humbur shoqëria kur ka përjashtuar dhe shpërfillur rolin e saj të plotë, dhe se si ajo ka qenë gjithmonë një aktore e fshehur pas perdes, e shndërruar në të njëjtën kohë në objekt dhe subjekt të shkrimit dhe shprehjes.

    Një vepër që përcjellë tensionin e të gjitha kohërave

    “Lakimi” është një roman që përveç se ofron një histori të pasur dhe të larmishme, mbetet një thirrje për reflektim mbi shkrimin, historinë, dhe rolin e gruas në shoqëri. Përdorimi i teknikave narrativë si metafiksioni dhe lakimi i ngjarjeve është një mënyrë brilante e Taçit për të thyer kufijtë e narrativës tradicionale dhe për të krijuar një tekst që përcjellë më shumë sesa një “kuptim” dhe mund të studiohet në shumë anë të prizmit.

    Për ata që kërkojnë një lexim ndryshe, një përvojë që sfidon kuptimin e zakonshëm, “Lakimi” është një roman që nuk do t’ju zhgënjejë e do t’ju mbetet gjatë në kujtesë. Ndërsa Elira kërkon lirinë e saj dhe lufton me pasion për të gjetur të vërtetën, në të njëjtën kohë bëhet edhe një udhërrëfyese për të gjithë ata që janë të gatshëm të përballen me të panjohurat dhe vështirësitë e shkrimit dhe historisë. Është një ftesë për ata që duan të shijojnë një letërsi ndryshe, një letërsi që e sfidon dhe e ndihmon lexuesin të kuptojë më shumë për botën që e rrethon.

    Kur i shkova në fund këtij romani që në fillim më ngjalli dyshime, ndihesha njësoj si Elira: në një zallamahi emocionesh, ku kërkoja me ngulm edhe një copëz tjetër të romanit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË