More
    KreuLetërsiShënime mbi libraXhevat Syla: Një paraqitje e gjerë e kontributit të krijuesit dhe studiuesit...

    Xhevat Syla: Një paraqitje e gjerë e kontributit të krijuesit dhe studiuesit Astrit Bishqemi

    Rudina Alimerko, “Astrit Bishqemi, krijues dhe studiues i shquar i letërsisë për fëmijë dhe të rinj”, bibliografi monografike, Europrint 2019

    Rudina Alimerko është pedagoge në Universitetin e Vlorës. E gjithë puna e saj deri tani lidhet me procesin e arsimit dhe edukimit. Ka punuar mësuese në shkollën 9 vjeçare  “Musa Çakërri” në Vlorë, zv/drejtore në shkollën 9 vjeçare “28 Nëntori” në Vlorë, ndërsa që nga viti 2008 e tutje është pedagoge në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, në Fakultetin e Shkencave Humane, Departamenti i Mësuesisë. Aty ka ligjëruar lëndët mësimore Letërsi shqipe për fëmijë, Didaktika e gjuhës shqipe, si dhe Metodikë e mësimdhënies së gjuhës shqipe. Fokus i interesimeve të saj studimore është kryesisht letërsia për fëmijë, por edhe çështjet që kanë të bëjnë me mësimdhënien. Është autore e shumë artikujve nga këto fusha të dijes dhe pjesëmarrëse aktive në shumë konferenca shkencore të mbajtura kryesisht në Tiranë dhe në Prishtinë.

    Një kontribut i veçantë i saj në fushën e studimit të letërsisë për fëmijë është tema e masterit “Letërsia shqipe për fëmijë e të rinj nga Rilindja e deri në kohët e sotme”, të cilën e mbrojti në vitin 2024 nën udhëheqjen e shkencore të Prof.asoc.dr. Astrit Bishqemit, para komisionit vlerësues: Prof. dr. Bashkim Kuçuku, Prof. Dr. Floresha Dado, Prof. Dr. Ali Xhiku, Prof. Dr. Klara Kodra dhe Prof. Asoc. Dr.Kristaq Jorgo.


    Në këtë libër, që është edhe një kontribut i rëndësishëm në studimin e fillimeve, të zhvillimit dhe të vlerave të letërsisë shqipe për fëmijë, bëhet fjalë për burimet e letërsisë shqiptare për fëmijë, ku posaçërisht veçohet folklori për të vegjëlit dhe vazhdohet me traditën romantike të Rilindjes në letërsinë shqiptare për fëmijë, duke ofruar edhe një tablo panoramike. Përmenden Konstantin Kristoforidhi si autor i vjershës së parë dhe i prozave të para për fëmijë në letërsinë shqipe; Naim Frashëri si themelues i letërsisë shqiptare për fëmijë; Sami Frashëri, si autor i Abetares së Stambollit dhe i prozave të shkurta  për fëmijë, të cilat bënë jetë të gjatë nëpër librat e leximit të shkollës sonë si materiale të rëndësishme didaktike, por edhe si vlera artistike; Çajupi, i cili në letërsinë për fëmijë më shumë se për krijimet e tij në poezi që janë të afërta edhe për fëmijët përmendet për përshtatjen e përrallëva të La Fontenit; Papa Kristo Negovani si themelues i novelës për fëmijë (I vogli Donat Argjenti).  Në këtë punim kemi edhe një pasqyrë të letërsisë shqiptare për fëmijë në dy-tri dekadat e para të shekullit  XX (para dhe pas shpalljes së Pavarësisë), duke u ndalur në kontributet e Anton Xanonit, Ndre Mjedjes, Asdrenit dhe Luigj Gurakuqit. Në kapitullin që ka të bëjë me trajtimin e letërsisë moderne shqiptare për fëmijë bëhet fjalë për revistat për fëmijë dhe kontributin e tyre në zhvillimin e letërsisë për fëmijë, duke u ndalur në kontributin e Ilo Mitkë Qafëzezit, si letrarizonjës për fëmijë e të rinj dhe Të Dhimitër PaskoS (Mitrush KuteliT) të përrallave dhe të rikrijimeve. Për ta kompletuar edhe më shumë studimin e saj, studiuesja Alimerko ofron të dhëna dhe vlerësime të rëndësishme për veprën edhe të shkrimtarëve bashkëkohorë për fëmijë, si Bedri Dedja, Odhise Grillo, Petro Marko, Adelina Mamaqi, Xhevat Beqaraj, Gaqo Bushaka, Ferhat Çakërri, Skënder Hasko, Bardhyl Xhama, Tasim Gjokutaj, Astrit Bishqemi, Xhahid Bushati, Ferit Lamaj, Viktor Canosinaj, Bardhosh Gaçe, Andrea Petromilo, Vilhelme  Vranari dhe Pëllum Velo. Libri përmbyllet me përfundimet e autores, si dhe me shënimet bibliografike.

    Rudina Alimerko, pas këtij studimi të thelluar, veçon njërin nga autorët më prodhimtar dhe studiuesit më të shquar të letërsisë sonë për fëmijë, Astrit Bishqemin, për t’iu përkushtuar studimit të jetës dhe veprës së tij letrare. Ky ishte një hap i guximshëm i saj, por edhe një zgjedhje e mirë. Pikënisje do t’i kenë shërbyer njohuritë që ka marrë gjatë shkrimit të veprës së parë, ku si mbështetje dhe frymëzuese më kryesore do t’i ketë shërbyer vepra studimore e këtij shkrimtari dhe studiuesi, por edhe profesori të spikatur pikërisht në lëndën e letërsisë për fëmijë.  Librin e titullon “Astrit Bishqemi, krijues dhe studiues i shquar i letërsisë për fëmijë e të rinj”, i cili na jepet si një bibliografi monografike me të dhëna të shumta dhe të rëndësishme për autorin dhe veprën e tij.

    Libri është mjaft i vëllmshëm, me mbi 500 faqe, që e dikton veprimtaria e gjerë dhe shumëdimensionale e autorit vepra e të cilit merret në shqyrtim, por në këtë vëllim dhe në këtë gjerësi studimore do të ketë ndikuar edhe koncepti i autores të përfshijë gjithanshëm jetën dhe krijimtarinë e tij, madje krijimtarinë në të gjitha zhanret letrare, si dhe mendimin e tij kritik e studimor për letërsinë për fëmijë. Edhe vepra, edhe qasja realizimit të saj nga ana e autores është e veçantë, përdor një metodë, do të thosha origjinale, të sajen, jokonvencionale, siç jemi mësuar të shohim shkrimet monografike për autorët dhe veprat e tyre. Bie fjala, shënimet për jetën e autorit, për konceptet dhe botëkuptimet e tij letrare, për metodologjinë e tij të punës ajo i jep nëpërmjet shkrimeve të tjerëve për të, por përdor edhe intervista apo deklarata të vetë autorit për këto çështje.

    Këtë metodë, pra intervistat e Astrit Bishqemit, por edhe bisedat që ka pasur me të si autore, i shfrytëzon edhe për paraqitjen e të dhënave biografike për të. Pas shënimeve të shkurtra, koncize, se kur dhe ku ka lindur, për shkollat që ka mbaruar dhe për punët që ka bërë, si dhe për botimin e vjershës së parë (1959) si hyrje të tij në botën letrare, të dhënat e tjera jepen në mbështetje të njohurive që ka marrë ajo si autore për rrënjët gjenealogjike, për traditën e mirë dhe intelektuale e patriotike që ka ai si nga ana e së ëmës (Blloshmët), ashtu edhe nga ana e babait (Bishqemët). 

    E gjithë kjo trashëgimi e pasur intelektuale e patriotike familjare edhe Astrit Bishqemit i kishte qenë me pasoja në sistemin në të cilin hyri Shqipëria pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Autorja përmend këtu pengesat që i ishin bërë që nga fëmijëria e deri në moshën e rritur, qoftë për shkollim, qoftë për paraqitje të ndryshme publike si shkrimtar apo pedagog. Këtë autorja e ilustron më së miri me një deklaratë të vetë Astrit: “Jeta nuk më përkëdheli kurrë, por veproi si një uthull me shumë aciditet. Veç, si duket, ena që e mbajti qëlloi e fortë.”

    Mirëpo pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, Astri Bishqemi u trajtua me plot dinjitet, ndaj edhe iu besuan dhe kreu punë shumë të rëndësishme në sferën e arsimit dhe të kulturës. E kemi shkrimtar të shquar për fëmijë, studiues tejet i përkushtuar për të mos thënë më i përkushtuari i letërsisë për fëmijë, ligjërues i lëndës letërsi për fëmijë në universitet, autor tekstesh shkollore, mentor në marrjen gradave shkencore të shumë studentëve, autoritet i respektuar në gjithë hapësirën kombëtare për angazhimet dhe rezultatet në punën krijuese e studimore.

    Pas të dhënave biobibliografike, autorja Alimerko i përkushtohet trajtimit të veprës së tij letrare dhe studimore. Edhe këtu gjen një mënyrë të veten për t’iu qasur gjithë atij mali veprash të Astrit Bishqemit.

    Si e bën këtë studiuesja Alimerko?

    Në  Kreun II, me titull Vepra e krijuesit dhe studiuesit Astrit Bishqemi, të cilën që në Parashtresë e cilëson të begatë, bën një hyrje interesante, jo duke u nisur nga ndonjë konstatim apo përfundim nga studimi, por duke shfrytëzuar përgjigjen e Bishqemit në pyetjen në një intervistë: “Keni një mori botimesh. Siç duket shkruani lehtë…”, në përgjigjen e së cilës ai shpalos gjithë punën dhe përkushtimin e tij shumëvjeçar të nateditshëm: “Jo, gaboheni, nuk tërhiqem e nuk kënaqem lehtë. Ato botime janë rezultat i një pune sistematike, të vazhdueshme e këmbëngulëse ndaj cilësisë. Sesa ia kam arritur, është tjetër gjë.  Por unë kam zhvoshkur bërrylat në syprinën e tryezës së punë…” Autori me veprën e të cilit merret studiuesja, shpalos një të vërtetë, ngase pa një përkushtim të këtillë, nuk do të mund të kishim një vepër aq të vëllimshme dhe në aq shumë zhanre letrare, vjersha, tregime, përralla, novela, romane, pjesë skenike për fëmijë apo për kukulla, skenare filmash, arikuj studimorë, tekste të plota të studimeve letrare, përkatësisht vepra që do të jenë bazë e rëndësishme për mësimin e historisë dhe teorisë së letërsisë shqipe për fëmijë, por edhe të historisë së letërsisë botërore për fëmijë. Pas komenteve hyrëse apo paraprijëse, në vazhdim jepet bibliografia e gjerë e botimeve të autorit Bishqemi, si: a) Botime (libra) të autorit;  b) Krijime artistike të botuara në organe të ndryshme; c) Artikuj studimorë për letërsinë, kulturën, artin e problemet pedagogjike; d) Artikuj publicistikë; e) Vepra skenike, kinematografike etj. Të gjitha këto shënime bëjnë qindra njësi bibliografike, të radhitura me kujdes në aspektin zhanor, por edhe kronologjik të botimit. Krahas njësive bibliografike për artikujt dhe veprat, në vijim jepet edhe lista e shkrimeve kritike  për veprën e Astrit Bishqemit, si dhe lista e çmimeve letrare të fituara nga ai.

    Në kreun IV bëhet vlersimi i kritikës letrare për veprën e A. Bishqemit, duke e ndarë sipas llojeve tematike, si: a) Vlerësimi për krijimtarinë fantastiko-shkencore, ku Astrit Bishqemi renditet ndër autorët tanë më kryesorë për fëmijë, e ku jepen nëntë shkrime të autorëve të ndryshëm; b) Për krijimtarinë letrare, ku pas parashtresës së autores, renditen 42 shkrime  të autorëve të ndryshëm,

    Autorja Alimerko vë në pah edhe kontributin e Astrit Bishqemit në shkrimin dhe përgatitjen e teksteve për skenën dhe kinematografinë. Që në parashtresë të kësaj pjese të studimit ajo përmend titujt e veprave të shkruara apo të përgatitura, në fillim dramat e pastaj pjesët për kukulla, skenarët e filmave, tablotë muzikore, si dhe tekstet e këngëve nëpër festivale. Edhe kjo pjesë shoqërohet me disa nga vlerësimet kritike të autorëve të ndryshëm, si Hyjni Ceka, Roland Arani, Bashkim Çarçani, Bujar Hudhri etj. Pjesë mjaft mbresëlënëse, por edhe përplotësuese e kontributit të Astrit Bishqemit në këtë fushë, e sidomos në praktikën e tij arsimore, janë kujtimet dhe vlerësimet e nxënësve të dikurshëm të Astritit nëpër shkollat ku ka punar, në të cilat vihet në pah profesionalizmi, njerëzillëku, përkujdesja për nxënësit e tij, puna e palodhshme dhe e përkushtuar e tij në arsimin dhe edukimin e tyre.

    Në pjesën po ashtu shumë të gjerë si edhe ajo për krijimtarinë letrare të Astrit Bishqemit, për veprën studimore të tij, autorja thekson kontributin dhe rolin e tij të madh në fushën e tij të studimeve – letërsinë për fëmijë. Alimerko na zbulon se çfarë i ka shërbyer si nxitje atij t’i përkushtohet studimit të letërsisë për fëmijë, ku e përmend shkrimin e tij me titull “Mbi letërsinë artistiko-shkencore për fëmijë”, të përgatitur për Konferencn e Talenteve të Reja që do të mbahej në Durrës në vitin 1970. Ky punim përgatitet vetëm një vit para se për herë të parë letërsisë sonë t’i vijë një vepër studimore në fushën e letërsisë për fëmijë “Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë“(1971) e autorit Bedri Dedja, ndërkaq si nxitje edhe më vendimtare theksohet t’i ketë shërbyer punimi i tij i diplomës në fundin e studimeve të larta me temë “Letërsia fantasitiko-shkencore për fëmijë”, me udhëheqës shkrimtarin, profesorin dhe studiuesin Bedri Dedja, për të cilin punim njëri nga oponentët e Komisionit të mbrojtjes, Qamil Buxheli, thotë: “Nuk merrem me letësinë për fëmijë, ndaj të më falë Astriti që nuk ia kam lexuar krijimtarinë letrare, por punëdiploma e tij, në të cilën mua më caktuan oponent, ia kalon shumëfish studimit të një studenti. Do ta këshilloja Bishqemin që këtej e tutje t’i përkushtohet seriozisht fushës së studimeve…” Një nxitje shtesë për punën në këtë plan ia fuqizon edhe puna me studentë si ligjërues i lëndës Letërsi për fëmijë, që nga viti 1981.

    Sa i përket veprës studimore të Astrit Bishqemit, janë dhënë shënime vlerësime të mjaftueshme, si për librin Teoria e letërsisë për fëmijë (1997), Eja, të lexojmë bashkë një vjershë, komentar, (1998), Letërsia për fëmijë nëpër botë (1999), e cila më vonë botohet me titullin Historia e letërsisë botërore për fëmijë(2006) etj., por studiuesja Alimerko është marrë më gjatë me verën e tij më të vëllimshme dhe pa dyshim më të rëndësishme në fushën e studimeve të tij “Historinë e letërsisë shqiptare për fëmijë dhe të rinj”, e cila, e botuar për herë të parë në vitin 2001, vjen si kurorëzim i një pune të madhe studimore. Kjo vepër u ribotua katër herë gjatë këtyre viteve, duke përjetuar redaktime e plotësime të vlefshme. Autorja Rudina Alimerko, edhe në këtë rast, përveç shpjegimit të përmbajtjes dhe karakterit të shkurtër të veprës, e jep atë në dritën e vlerësimeve kritike të bëra për të. Del e mendimit se më mirë se ç‘do të mund të fliste apo të shkruante ajo si studiuese për ato vlera, do të flasin shkrimet e atyre që kanë ndier nevojën të shprehen për to nëpërmjet recensionesh apo shkrimesh të tjera. Këtë ajo e përzgjedh si metodë për t’iu qasur studimit të veprës shumë vëllimore dhe shumëdimensionale të autorit që e ka në shqyrtim. Dhe, pa dyshim, vërtetohet se është metodë e përshtatshme për t’i bërë një prezantim sa më të gjerë asaj, për t’i mundësuar lexuesit një njohje sa më të thellë si për autorin që studiohet, për jetën e tij, ashtu edhe për veprimtarinë e tij tejet të gjerë dhe tejet të frytshme, thjesht për të bërë një vepër monumentale.

    Prandaj edhe për veprën e tij më të vëllimshme, për punën mbase më të madhe studimore të tij, veprën “Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë dhe të rinj” ajo zgjedh metodën që në fillim të jepen vlerësimet të cilat e mirëpritën botimin e saj si përmbushje të një mungese të kahmotshme në historiagrafinë tonë letrare, edhe përkundër synimeve dhe përpjekjeve të organizuara në nivel institucionesh kombëtare. Në këto vlerësime theksohet merita e autorit Bishqemi që arriti të na ofrojë një tekst të këtillë, si dhe vihen në pah vlerat e kësaj pune të madhe studimore. Po përmendim këtu shkrimet e akademik Bedri Dedjes, të shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë për fëmijë Odhise Grillos, të shkrimtarit Gaqo Bushaka, Dr. Luçiano Boçi, Milianov Kallupi, Ferirt Rama e të shumë të tjerëve. Bedri Dedja, ta zëmë, në shkrimin e tij për këtë vepër, pasi vë në pah meritat dhe punën e mirë që ka bërë autori Bishqemi dhe pasi shkruan edhe për disa të meta që i konstaton tek ajo, përfundon: “…mund të thuhet se ne, dashamirësit e letërsisë për fëmijë, tanimë mund ta quajmë veten relativisht të qetë, pasi kemi në duar të parën histori kombëtare të letërsisë për fëmijë në një tekst universitar” (faqe 279). Merita, lavdërime dhe shprehje gëzimi për botimin e këtij libri shprehen edhe në shkrimet e autorëve të tjerë, shkrimtarë, kritikë e studiues. Mirëpo as ky libër nuk do të shpëtojë edhe pa ndonjë kritikë tendencioze, siç është shkrimi i kritikut letrar Ali D. Jasiqi, i cili me disa kritika të pargumentuara do t’i ketë lënë shije të keqe jo vetëm autorit të librit, por edhe dashamirësve të tjerë të letërsisë për fëmijë, qofshin shkrimtarë apo studiues të saj. Vërejtjet që Jasiqi I bën në këtë shkrim autorja e këtij libri monografik i vë në pah nëpërmjet kundërshtisë me argumente të forta që iu bën atyre Prof. as. Dr. Abdulla Ballhysa në shkrimin e tij. Kjo pjesë e paraqitjes së mendimit kritik për këtë vepër flet për faktin se edhe veprës më të mirë, edhe punës më të mirë të bërë do të ketë njerëz që nuk do t’i gëzohen dhe se do të gjejnë arsye për t’i bërë vërejtje e kritika, më tepër sa për t’i bërë.

    Krahas vlerësimeve që jepen për veprat, t’i quaj kryesore studimore, që kanë të bëjnë me letërsinë për fëmijë, në këtë libër janë përfshirë edhe vlerësime të vlefshme për veprat dhe kntributet e tjera studimore letrare të autorit Bishqemi, siç janë ato për librin “Autorë e tekste letrare, probleme e vlera” (2007), për të cilin kritiku Rakip Zhguni shkruan se është  “një gur i rëndë në muret e studimit e të kritikës së letërsisë sonë për fëmijë” (faqe 318). Ndërkaq Prof. Ass. Dr. Arian Kadiu për librin “Vlera të anatemuara… gjurmë e studime” (2005),  shprehet: “…në këtë libër (autori Bishqemi, vër. ime) ka bashkuar shkrimtarin dhe studiuesin, por edhe anasjelltas. Kjo është arsyeja që këto lloj botimesh priten me interes dhe lexohen me ëndje, pasi kanë brenda tyre magjinë tërheqëse” (faqe 310). Ngjashëm, vlerësim që ka të bëjë me karakterin e studiuesit, me qasjen dhe stilin e tij të shkrimit, kemi edhe në shkrimin për librin “Braktisja e happy end-it”: “Vetë mënyra se si i nis shkrimet, përveçse i bën ato tërheqëse për lexim, vë në pah edhe motivin e autorit të shkruajë. Të tilla, tërheqëse, rëndom na vijnë edhe përmbylljet e këtyre shkrimeve. Bëhet një kombinim i mirë stilistik i tekstit të mirëfilltë letrar dhe atij shkencor…” (faqe 334) (Xh. Syla). Me shkrime të shumta, plot mirënjohje e shprehje kënaqësie, u mirëprit edhe libri, fjalori apo leksikoni Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj 1886-2009”, (2009), të cilin shkrimtari dhe miku i autorit Milianov Kallupi e vlerëson “një vepër e madhe unikale, me vlera të padiskutueshme njohëse, historike e studimore” (f.328). Ndërkaq për ribotimin e kësaj vepre të Bishqemit në bashkautorësi me Migena Arllatin, studiuesi i letërsisë për fëmijë Prof. dr. Faik Shkodra shkruan: “…me fjalorin enciklopedik “Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj 1886-2017” (2017)”, autorët, mbi të gjitha, nderojnë kulturën e historinë e letërsisë shqipe, në përgjithësi, e në mënyrë të veçantë historinë e letërsisë shqipe për fëmijë, me krijuesit dhe studiuesit e saj.” (faqe 349). Shkrime të ngjashme, me respekt për vlerat, bëhen edhe për libra të tjerë studimorë të Astrit Bishqemit, si për librin “Elbasani ndër vite për librin” (2016), që vlerësohet si një bibliografi enciklopedike. Për tëPanajot Lena shkruan: “Është fat që populli elbasanas ka në gjirin e vet një personalitet të tillë që gjurmoi dhe mblodhi si bleta punëtore ëmbëlsinë e shpirtit krijues elbasanas, tërësinë e veprave të shkruara dhe të botuara nga elbasanasit në të gjitha fushat e dijes.”(f.336)  Për librin më të ri studimor të Astrit Bishqemit “Bibliografi e kritikës letrare për fëmijë e të rinj ndër vite”, shkrimtari dhe studiuesi Xhahid Bushati shkruan: “Duke qëmtuar me kujdes dhe vëmendje çdo faqe të këtij Fjalori madhor e të vetëm, ndiej atë qëmtim prej studiuesi që autori Bishqemi e bëri papushim vite e dekada me radhë. Në hapësirat e tij shtegtojnë informacone pafund për veprat, shkrimtarinë, mendimet, analizat për vlerat dhe domethënien e librave si përçues të mesazheve drejt zemrave dhe shpirtrave të fëmijëve, për t’ua bërë botën e tyre më të bukur, më të hijshme dhe më ëndërrimtare.” (faqe 476).

    Pas vlerësimeve për veprat letrare dhe studimore të A. Bishqemit, studiuesja Rudina Alimerko e ndien të nevojshme që për përmbushjen e synimit të japë një pasqyrim sa më të gjerë të veprimtarisë së autorit për të cilin shkruan, të përfshijë në një pjesë të veçantë edhe shkrimet përgjithësuese për veprën e tij, pra jo vetëm vlerësimet që kanë të bëjnë me një vepër të caktuar, por shkrimet që bëjnë fjalë përgjithësisht për të si shkrimtar, studiues i letërsisë, profesor dhe si njeri e mik i mirë. Kjo pjesë, që përmban shkrime mjaft interesante, është titulluar Shkrime përgjithësuese për veprën e Astrit Bishqemit. Shkruajnë autorët që janë njohës të mirë të krijimtarisë së tij, si Prend Buzhala, Prof. dr. Faik Shkodra, Hyqmet Hasko, Dr. Rudina Alimerko, Prof. dr. Abdulla Ballhysa, Dr. Skënder Karriqi, Xhahid Bushati. Këto shkrime shpërfaqin vlera të krijimtarisë letrare dhe të studimeve të Astrit Bishqemit, në përgjithësi. Po në këtë pjesë të librit përfshihen edhe disa intervista të Astrit Bishqemit dhënë kryesisht kolegëve të tij krijues, si Tomor Jolldashit, Fatmir Terziut, Shahbaze Vishajt, Ibrahim Kadriut. Në këto intervista, që bëjnë material të shkruar gati për një libër më vete, shpaloset shpirti i shkrimtarit dhe studiusit Bishqemi, rruga e tij jetësore, vështirësitë dhe kënaqësitë që ka pasur në rrugën e tij krijuese, botëkuptimet e tij për artin dhe letërsinë, posaçërisht për letërsinë për fëmijë. Të dhënat që nxirren nga intervistuesit kureshtarë përplotësojnë, argumentojnë dhe sqarojnë edhe shumë vlerësime të autorëve të ndryshëm për veprën e tij letrare në përgjithësi.

    Libri përmbyllet me një shtojcë në të cilën jepet a) bibliografia ndër vite e Astrit Bishqemit, dhe b) disa nga librat e tij, ballinat. Këtë shtojcë autorja Alimerko në parashtresën e saj e quan “Veting” letrar. Me njësitë bibliografgike që përfshihen këtu autorja ka dashur të tregojë periudhat në të cilat autori ka qenë më aktiv dhe më prodhimtar në krijimtarinë apo në studimet e tij. Shprehjen “veting” ajo e ka përdorur duke nënkuptuar vlerat që do të mund t’i rezistojnë kohës, meqë nga shkrimet e botuara nëpër periodikun letrar të kohës dhe në disa libra del se Astrit Bishqemi, duke qenë aq prodhimtar, nuk ka mundur të jetë indiferent ndaj kërkesave të kohës dhe sistemit në të cilin ka jetuar dhe e ka zhvilluar krijimtarinë e tij. Kjo ka të bëjë me kohën para rënies së sistemit komunist, kohë kur llogaritet se autori do të ketë botuar rreth 60 tituj librash në lloje të ndryshme letrare, disa prej të cilëve shprehin ideologjinë e kohës. Në vitin ‘90 autorja sheh prerjen që bëhet me rënien e sistemit, prandaj edhe të kornizave kufizuese të realizmit socialist, ndaj krijimtaria pas kësaj kohe e autorit Bishqemi, si ajo imagjinative krijuese, si ajo studimore, nuk i nënshtrohet atij “vetingu”, thekson ajo.

    Jo vetëm freskuese, në mbarim të këtij libri, na vijnë disa përkushtime Astrit Bishqemit nga miqtë dhe kolegët e tij, të cilat autorja Alimerko i rendit në ndarjen Ngrohtësi kolegësh. Dashuria, miqësia, respekti dhe konsiderata e lartë e kolegëve për Astrit Bishqemin dhe veprën e tij shpërfaqet duke filluar nga autografet nëpër libra, nga krijimet letrare kushtar atij e deri te veprat e tëra monografike për të. Krejt në fund, një pasqyrë e këndshme vizuele jepet me botimin e ballinave të librave të këtij autori të vyeshëm.

    Me librin “Astrit Bishqemi, krijues dhe studiues i shquar i letërsisë për fëmijë e të rinj”, studiuesja Rudina Alimerka i ka bërë një dhuratë tejet të çmueshme subjektit për të cilin ka hulumtuar dhe studiuar, profesorit, krijuesit dhe studiuesit tonë të shquar. Mirëpo kjo njëherësh është dhuratë edhe për të gjithë dashamirësit e letërsisë për fëmijë, posaçërisht për ata që kanë kërshërinë të dinë më shumë për të. Ajo e bëri këtë duke ofruar aq shumë të dhëna të vlefshme biografike, si dhe nëpërmjet recensioneve e shkrimeve të tjera, aq shumë vlerësime për veprën e tij letrare. Ka arritur që lexuesit t’ia ofrojë një pasqyrë të qartë për të që nga rrënjët, edhe nga ana e babait, edhe nga ana e nënës, me të dhënat për jetën, shkollimin dhe kontributin e dhënë në letërsi dhe përgjithësisht në jetën kulturore dhe arsimore të vendit të tij. Një vlerë të veçantë kanë njësitë aq të shumta bibliografike të krijimeve dhe shkrimeve të tij të publikuara, por edhe të shkrimeve kritike për veprën e tij letrare në tërësi, që jepen si shtojcë në mbarim të librit.

    Si i këtillë, ky libër është edhe një kontribut i çmueshëm i autores Alimerko në fushën e studimit të letërsisë për fëmijë. Përveç tjerash, ajo këtu aktualizon dhe ndërmend debatet që janë zhvilluar lidhur me fillimet dhe me periodizimin e letërsisë për fëmijë, që dalin si preokupime dhe rezultate shkencore të krijuesit dhe studiuesit veprën e të cilit e shqyrton, por edhe si përfundime të studiuesve tanë të tjerë të letërsisë për fëmijë. Duke dhënë dromca nga rruga jetësore dhe krijuese e Astrit Bishqemi, autorja jep edhe një pasqyrë të rrethanave në të cilat u zhvillua në përgjithësi krijimtaria letrare për fëmijë te ne dhe mendimi kritik e studimor për të.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË