Intervistë me Prof. Dr. XHEVAT LLOSHI, autor i librit “Udhëkryqet e K. Kristoforit dhe aventura e librit shqip” në proces botimi nga UEGEN…
Është një histori e pabesueshme e aventurës së librit shqip. Duke lexuar dhe përgatitur librin ‘Udhëkryqet e K. Kristoforit dhe aventura e librit shqip’ për botim, të bën përshtypje dhe të ndiesh tronditje të veçantë, teksa mëson këto ngjarje të jashtëzakonshme, nën hijen e një emocioni fantastik, duke vënë re me ngashënjim të hollë, sa kohë do të ecim në këtë bisedë me profesor Xhevat Lloshin. Bëhet fjalë për një vepër shteruese dhe me rreth 700 faqe të formatit të madh. Një libër që cek qindra e qindra emra studiuesish shqiptarë e të huaj, të rinj e të vjetër, që kanë bërë historinë e gjuhës shqipe e që të dhurojnë fuqinë e një energjie përvetësuese, gjithmonë në gjendje t’u përgjigjet problemeve të mprehta të studimeve të Kristoforit, me një befasi të natyrshme, të thjeshtë dhe logjike. Dhe, duke arsyetuar kështu, bashkë me profesorin mundohemi të ruajmë qetësinë, gjakftohtësinë, me një lloj ndjesie ethesh për të njohur kureshtje, hollësi, imazhe, dashuri, dhimbje…
Xh. Ll. – Profesor, ku është befasia dhe e papritura e këtij libri?
Profesori – Mund të krijohet përshtypja, se me këtë libër disa herë e kam thyer ikonën Kristoforidhi që nga mbiemri i tij. Në të vërtetë, jam përpjekur të jap jetën e trazuar të një njeriu të ditur dhe fatin e trazuar të librit shqip gjatë shekullit XIX. Nga kjo rrjedhë me tallaze e njeriut dhe e librave janë përftuar fryte fisnike me vlerë të pavenitur për kulturën shqiptare në tërësi dhe për gjuhën shqipe në veçanti.
Xh. Ll. – Po, bukur. Një lloj frike më përshkon të tërin, më bën të ndihem i shqetësuar. Kur qëllon të ndiej afër disa nga veprimtaritë për personazhet e librit, ndoshta me një pamje indiferente, të njohim një histori e rrallë libri. Ku gjen shprehje aventura e mahnitshme e librit shqip? Në Elbasan? Në Shkodër? Në Prizren, apo në Korçë e gjetiu?
Profesori – A më thua dot ku nuk gjen shprehje?… Ndërkaq Kisha Autoqefale e Shqipërisë, pasi e pranoi veprën e Kristoforit dhe ribotoi një pjesë të saj, më 20 maj 1931, me rastin e festës së Shën Konstandinit vendosi të bëheshin përshpirtje në të gjitha kishat për “apostolin e gjuhës shqipe, së cilës i ka dhënë, përveç veprave të tjera, përkthimet e para të Dhiatës së vjetër e të re, që përdoren edhe sot.” Kështu më 21 maj u bë përshpirtja në Kishën e Shën Gjergjit të Durrësit. Drejtori i Seminarit Ortodoks Kombëtar, Dhimitër Përmeti mbajti fjalën për një nga atdhetarët, që e sakrifikuan jetën e tyre për idealin kombëtar. Në Elbasan përshpirtja u bë po atë ditë në Kishën e Shën Mërisë nga kryepeshkopi Visarion. Për jetën dhe veprat foli mësuesi Vasil Llapushi. Tre nxënës shkolle thanë fjalë mallëngjyese dhe hodhën lule mbi varrin e tij. Ishte i pranishëm edhe i ngarkuari me punë i Bullgarisë, i cili kishte ardhur enkas nga Tirana. Në Shkodër shërbesa fetare u bë krejt shqip dhe Jorgji Paftali foli për jetën dhe idealizmin atdhetar të shkëlqyeshëm të të ndierit. Tre vjet më pas Jakov Milaj (tek ‘Illyria”, 20 maj) e ka përkujtuar përshpirtjen e bërë në Shkodër në Kishën ortodokse, ndërsa tregon që jashtë kishës plaku Kol Kraja i kishte thënë: “Ishte një nga apostujt më të gjallë të idealit kombëtar.” Për vetë Jakovin, Kristofori ishte i pari shqiptar, që i dhuroi gjuhës sonë më të spikaturat faqe të prozës. Më 7 mars 1945 banorët e Elbasanit vunë kurora te varri i tij.
Xh. Ll. – Profesor, pse themi që kjo aventurë e librit shqip lidhet ngushtë me emrin e K. Kristoforit? Me siguri duhet të jetë një nyje që i lidh të gjitha zhvillimet?
Profesori – Ndoshta keni të drejtë, por përgjigjen më të mirë mund ta njohim nge personalitete të njohur të historisë. Shahin Kolonja më 1903 bënte këtë sintezë: “Kristoforidhi nga Elbasani u përpoq shumë, shqipes i bëri të madh shërbim, librat që na ka lënë janë shumë të vyera, shkruante shumë mirë toskërisht e gegërisht. Punëmbari Kristoforidhi punën e kishte zënë nga kryeja e nga rrënjët, përktheu librat e shenjta me gjuhë të drejtë e thjesht shqip, mblodhi fjalët e shqipes, fjalët e huaja i qëronte e dëlironte gjuhën.” Për jetën e tij ka shkruar Papa Kristo Negovani një muaj përpara se të binte dëshmor i çështjes kombëtare, duke e ndier për detyrë të thoshte diçka për këtë punëtor të shqipes, me të cilin e lidhte vazhdimësia e të njëjtave ideale e përpjekje: “Fjalori i Kristoforidhit duket punë e vetme, që s’e ka bërë tjetër gjer më sot. Gramatika e tij është fort e mirë edhe e bukur për shqiptarët, që dëshirojnë të mësojnë e ta shkruajnë sikundër duhet gjuhën shqipe”. Artikulli u botua më 1906. Gjergj Qiriazi, që punoi në të njëjtën vazhdë, që u kujdes për dorëshkrimet e tij dhe që bëri çmos për të mbrojtur Fjalorin, ka shkruar më 1905 artikullin më të mirë deri atëherë, duke e çmuar edhe se: “Të përpjekurat dhe shërbimi që ka sjellë i ndjeri për kombin e vet janë të rralla. Kombi ynë gjithë jetën lipset të ketë kujtim të shenjtëruar për këtë mëmëdhetar të nxehtë. Zilia dhe të përpjekurat e tij le të jenë një shembull i gjallë për çdo shqiptar, sepse ky është qëllimi i lartë në jetë të njeriut.” Edhe Gjergj Pekmezi po atë vit, duke shkruar për alfabetin e N. Mjedës, shprehej se nuk mund të lihej mënjanë puna e Kristoforit: “Puna e një njohësi kaq të mirë, ndoshta e njohësit më të mirë të gjuhës shqipe, duhet të jetë për ne, të cilët jemi në krahasim me atë vetëm laikë, vetëm një model.”
Xh. Ll. – Vërtet, jam befasuar se kjo aventurë e pabesueshme e librit shqip ka njohur sfida që lidhen ngushtë me falsifikime, prapaskena, interpretime tendecioze dhe qëndrime të shpifura që, natyrisht, dhëmbin fort?
Profesori – Si mund të mos habitet dhe të mos revoltohet sot një studiues, kur lexon falsifikimin e pacipë që u bëhet këtyre të vërtetave? Faik Konica i ka dërguar nga Londra një letër Gijom Apolinerit më 29 shtator 1904. Pas botimit të një artikulli nga Andreadesi, emrin e të cilit e kam përmendur lidhur me Fjalorin e gjuhës shqipe, Konica i ka shkruar Apolinerit: “Kancelaritë po i hedhin poshtë rregullisht si të pavërteta të gjitha ato, që kanë burim grek… të cilën kam vendosur t’ia dërgoj revistës ‘Européen.’… Duhet të jesh grek për të parë në këtë punë një synim filohelenik nga ana e Kristoforidhit. Mirëpo mjaft folëm për këta gënjeshtarë profesionistë.”
Edhe antropologia e njohur angleze, Edith Durham, pasi takoi Gjergj Qiriazin në Manastir po më 1904, ka shkruar: “Në fakt, thuhet se një peshkop grek e kishte dënuar përhapjen e Dhiatës së re dhe të veprave të jera, që janë kundër mësimeve të Kishës së shenjtë ortodokse.” Këto fjalë janë në librin “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike” të vitit 1920, botuar shqip më 1990 (faqe 346-347).
Prej kohësh e kisha quajtur me rëndësi ndriçimin e drejtë të kësaj plekseje aspak miqësore të historisë së përkthimeve biblike të Kristoforit me ndërhyrjen e ashpër të veprimtarëve ortodoksë grekë. E kisha quajtur me rëndësi, sepse siç shihet, nuk ka mbetur një ndodhi e historisë së kaluar, por rishfaqet e aktualizuar në ditë tona me prapaskena aktuale. Kam shkruar më sipër për librin e vitit 1978 të historianes janinjote E. Nikollaidhu. Vetë titulli i librit të saj ngjall dyshime, sepse flet për propaganda të huaja dhe lëvizjen kombëtare shqiptare në eparkitë mitropolite të Durrësit e të Beratit. Nuk mund të rri pa ia shpjeguar lexuesit, se çfarë dredhie ka në këtë titull. Durrësi dhe Berati kështu nuk janë treva shqiptare, por janë njësi administrative të Kishës ortodokse greke… Prandaj një çerek shekulli më parë vendosa të shkoja në Janinë dhe të takohesha me historianen. I shkrova një miku grek, profesor në atë kohë në Universitetin e Janinës, ai bisedoi me E. Nikollaidhun dhe ajo pranoi që të takoheshim për të biseduar. U nisa në Janinë dhe të nesërmen kishim takimin e caktuar. Pritëm gjatë, derisa u bindëm se ajo nuk do të vinte. Miku im u dëshpërua, u bë dhé, siç themi shqip. Ndërsa m’u forcua bindja, se aty ku ndërhyn pikërisht propaganda, politike apo fetare qoftë, dëbohet e vërteta.
Për fat të keq, falsifikimet ashtu si edhe thashethemet, janë ngjitëse si viruset; e vërteta e ka të vështirë që të zërë vend. Po në vitin 2016 është botuar studimi Kisha Ortodokse Shqiptare. Një histori politike (1878-1937) nga Ardit Bido, i cili ka përdorur një shkrim pikërisht të këtij Joan Pelushit lidhur me historinë e përkthimeve shqip. Në faqen 25 prandaj aty ka një gabim, sepse nuk përmendet Dhiata e re e vitit 1927, madje del sikur më 1892 është ribotuar Ungjilli sipas Mateut, domethënë jo libri i plotë. Është fshirë gjithë historia prej vitit 1814, duke përmendur vetëm “tratativa të R. Pinkertonit me Patrikanën.”
Më mjafton të vë në dukje, se janë falsifikues. E vetmja gjë për të cilën më vjen keq, është kur në një studim serioz citohet Pelushi, për shembull, për letrat e R. Pinkertonit (f. 26), të cilat jo vetëm i kam zbuluar unë, por edhe janë bërë të njohura në përkthimin tim, domethënë shqip janë thjesht fjalë të miat…
Xh. Ll. – Po ka edhe një falsifikim të vonë?
Profesori – Po, ka dhe do të ketë. Ja, në numrin 7 të revistës Art & trashëgimi për vitin 2016 i kushtohet trashëgimisë ortodokse të Shqipërisë. Është një revistë jo vetëm shumë e pasur me lëndë, por edhe shumë e bukur. Autorët kanë paraqitur pikëpamjet e tyre dhe interpretime, të cilat nganjëherë bien në kundërshtime ndërmjet tyre, por kjo nuk e pakëson vlerën e përmbledhjes, sepse lexuesi ka mundësinë të formojë me një pamje më të gjerë qëndrimin e vet. Ndër këto kundërshtime bëjnë pjesë përmbajtja e shkrimit tim E para Dhiatë e re shqip dhe shkrimi Një vështrim i shkurtër historik mbi përkthimet fetare në Kishën Orthodhokse në Shqipëri nga Joan Pelushi, mitropolit i Korçës.
Ky vështrim i një mitropoliti, që na është bërë historian, është një falsifikim qëllimkeq, i mbushur me trillime antihistorike. Që në fillim na serviret se “Shekulli XVIII është i pasur me dëshmi të shumta rreth përkthimeve të teksteve fetare në Kishën Orthodhokse.” Ky është një budallallëk, madje i shkruar duke iu kundërvënë drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Është një budallallëk i frymëzuar nga një falsfikues tjetër, Evllogji Kurilla, i cili na mësoka se “Lëvizjen për gjuhën shqipe ne ia kushtojmë me siguri erës (…) që frynte nga Akademia e Re, e cila në një shkallë të lartë ndriçonte Shqipërinë e Jugut dhe ndihmoi që ky vend të ndiejë i pari pulsin kombëtar.” Kam shkruar punime të veçanta për Perikopenë e Ungjillit, për Nektar Tërpon dhe për Teodor Kavaliotin, punime që i hedhin në koshin e plehrave këto pohime. Po këta kalorës të greqizimit të kulturës shqiptare sot kujt ia fshehin fjalët e stërnjohura të Dhanil Voskopojarit me thirrjen e tij të hapët shkombëtarizuese: “O ju shqiptarë, vlleh e bullgarë tjetërgjuhës, gëzohuni e gatituni të bëheni të gjithë helenë dhe lini gjuhën e zakonet tuaja barbare…”? Kjo thirrje e egër ka buçitur pikërisht nga njëri prej ithtarëve të asaj akademie…
Xh. Ll. – Një emër i madh: Lasgush Poradeci. Është një personazh i rëndësishëm i aventurës së mrekullueshme të librit shqip? Cili është detaji?
Profesori – Sipas Lasgush Poradecit (1943) N. Naçoja ishte shprehur hapur kundër alfabetit të Stambollit, të cilin e quante të Jani Vretos, dhe këmbëngulte për një alfabet vetëm me shkronja latine, jo të përzier, prandaj ashtu e botoi gazetën “Shqiptari” të Bukureshtit. Për këtë kishte gjetur edhe pëlqimin e Kristoforit, siç e dëshmon letra. Ndoshta ishte takuar me Kristoforin më 1884, kur kishte qenë për pak kohë në Elbasan, ndërsa po largohej pas tetorit fshehurazi prej Selanikut.
Kristofori i ka shkruar ashpër për dështimin e botimit të Fjalorit. Arsyetimi për këtë ishte jo thjesht sepse kishin prishur për një gosti fondin e mbledhur për Fjalorin, por sepse nuk e kishin kuptuar, që përgatitja e librave në radhë të parë për shkollën shqipe nuk mund të bëhej me themel pa pasur më parë një bazë të gjuhës shqipe të shkruar, dhe këtë bazë e përbënte fjalori i shqipes. Këtu është zanafilla e mitit të fjalorit të shqipes, mit i cili ka ardhur deri në ditët tona dhe u turbullon mendjen disave, që kujtojnë se shqipja ka mbi 200 mijë fjalë. Një fjalor i shqipes së shkruar në kohën kur merrej me të Kristoforidhi vërtet kishte rëndësi të jashtëzakonshme dhe sipas tij muri nuk qëndron pa themeli, as mund të ngrihet shtëpi pa themeli, “nuk e zunë kalin nga freri, po nga bishti, që shpëton e ikënë.”
Xh. Ll. – Po pse pikërisht Fjalori vihet në epiqendër të kësaj historie gati legjendare?
Profesori – Fjalori i Kristoforit mbetet si përpjekja për të përpiluar një fjalor të tipit akademik. Jo rastësisht G. Majerit dhe G. Vajgandit ai i ka përmendur mundësinë për t’u botuar nga ndonjë akademi. Kjo përpjekje ishte e paracaktuar të mbetej përgjysmë, e paplotësuar, ndonëse ishte në nivelin më të mirë të njohurive shkencore të kohës mbi shqipen dhe prej saj doli një vepër, që zë një vend të palëkundur në historinë e leksikografisë shqiptare. Në vargun e fjalorëve të gjuhës shqipe katër përbëjnë kulme, që shënojnë njëkohësisht edhe etapa të ndryshme të zhvillimit të shqipes: Fjalori i Frang Bardhit më 1635, Fjalori i Kristoforit më 1904, Fjalori i Gjuhës shqipe i vitit 1954 dhe Fjalori i gjuhës së sotme shqipe më 1980. Rëndësia e punës së Kristoforit nuk është se mbyll një etapë, por sepse hap një të re, etapën e zhvillimit të shqipes drejt një gjuhe letrare të përpunuar. Njëkohësisht Fjalori i tij mbetet një dokument i shqipes i çerekut të tretë të shekullit XIX, që meriton të studiohet edhe nga pikëpamja e dialektologjisë historike dhe e historisë së gjuhës. Fjalori është vepra më e rëndësishme në trashëgiminë e Kristoforit. Prandaj ai ndihmon të ndriçohen edhe pikëpamjet e përgjithshme të autorit mbi gjuhën shqipe. Të gjitha shkrimet e përkthimet e tij janë të përcaktuara si të njërit ose të tjetrit dialekt, Fjalori është e vetmja vepër që cilësohet “e gjuhës shqipe”. Lënda e tij përmbledh në një vend fjalët e marra nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, edhe nga shkrimtarët e vjetër, duke i paraqitur me një alfabet dhe sipas të njëjtave parime drejtshkrimore. Kjo më shtyn të shoh në Fjalor një ide mbi bashkëjetesën e varianteve të ndryshme brenda një trajte të shkruar, që do të çonte në bashkëveprimin e tyre dhe në shoshitjen deri në njësimin mbi një bazë. Prandaj vënia në një artikull e baj dhe bëj, bënë e bërë, e kambë dhe e këmbë etj., si dhe hollësi të tjera të ndërtimit të Fjalorit nuk janë çështje të teknikës leksikografike, por kanë të bëjnë me një vështrim më të përgjithshëm gjuhësor. Historia e mëtejshme e shqipes tregoi se kjo ide i parapriu zhvillimit objektiv… Një çerek shekulli veprimtarie të dendur dhanë si fryte Abetaret, Gramatikën, Fjalorin dhe tekste të gjuhës shqipe, pra gjithçka nevojitet për një gjuhë. Më 1888 Kristofori shkruante: “Neve gjan të mundohemi e të përpiqemi sa të jemi gjallë, sepse pa thënë një s’mund të thuash dy”.
Xh. Ll. – Cili qe konkretisht roli i Fjalorit në periudhën e përgatitjes dhe si e mendonte vetë autori?
Profesori – N. Naços më 1888 ai i shkruante ndër të tjera: “Shqipëria ka shumë njerëz të ditur, që kanë kënduar në Elladhë e në Europë, edhe duan të shkruajnë vivlia shqip, po nuk e dinë shqipen mirë… Këta njerëz të ditur presën të shtypet leksikoja e shqipes, që të mësojën mirë gjuhën e shqipes, edhe të zënë e të shkruajnë gjithë farë vivliash shqip, prandaj thashë përpara se zunë të ngrehnë shtëpi pa vënë më përpara themeli”. Pra autori mendonte se fjalori do të ishte baza e gjuhës shqipe të shkruar. Për ta përcaktuar këtë bazë ai vuri dy kritere themelore: i pari, të përjashtohen fjalët e huaja, që nuk kishin hyrë në brumin e shqipes që së lashti. Këtë kriter e gjejmë të formuluar qartë që më 1860. Turqizmat i mënjanoi pa ngurrim; sllavizmat e domosdoshëm dhe fjalë nga disa gjuhë të tjera i trajtoi veçan, ndërsa nga huazimet e reja la vetëm ato, që nuk ishte në gjendje t’i shoshiste; një pjesë i shqipëroi siç bënë edhe rilindës të tjerë pa sukses.
Xh. Ll. – Nuk është numri i fjalëve që i jep këtij fjalori vlerën. Këtë vlerë ia jep ideja e madhe që e përshkon, një ide kombëtare e mishëruar si zgjidhje shkencore. Për herë të parë bëhej përpjekja për ta paraqitur shqipen si një gjuhë të vetme, pavarësisht nga variantet e saj historike e territoriale, që janë të pranishme për çdo gjuhë. Kjo është pjesë e rëndësishme e aventurës, besoj?
Profesori – Po, sigurisht. Kur shëtiste nëpër Shqipëri, Kristofori kishte një shtysë të fortë të brendshme, një shqetësim të madh po dhe një kapërthim vullneti. Kishte bindjen e patundur, se përparimi kulturor i vendit mund të bëhej vetëm nëpërmjet gjuhës amëtare. Ai ishte ndër ata rilindës, të cilët idenë e zgjimit kombëtar nuk e kishin një formulë ideale, por luftonin për ta bërë realitet, pa u tërhequr përpara vështirësive, pa menduar për përfitime vetjake. Pikërisht një njeri i tillë mund t’i përvishej një vepre, e cila do të ishte përpjekja e parë për të hartuar një fjalor të mbarë shqipes. Autori ishte i vetëdijshëm për detyrën e rëndë që kishte marrë mbi supe dhe ishte i përgatitur për të. Sipas tij, fjalori ishte themeli i një gjuhe dhe i gjithë letërsisë në atë gjuhë. Por derisa i mbylli sytë, ai nuk e pa dot veprën të shtypur.
Pikërisht ky koncept, i mbështetur te bindja për njësinë kombëtare të shqiptarëve, bindje që ishte e domosdoshme për zgjimin dhe bashkimin e popullit në luftë për liri e pavarësi, është realizuar praktikisht në këtë vepër. “Kalendari i maleve” për vitin 1900 e nis një shkrim (ndoshta i Luigj Gurakuqit), i cili pasi rendit “Emënat e arta të kombit shqiptar”: Gjon Bua Shpata, Skënderbeu, Rapo Hekali, vijon edhe me Kristoforidhin, Naum Veqil-Harxhin, E. Mitkon dhe A. Kulluriotin. Pastaj shkruan: “Sot nisim me apostullin e gjuhës kombëtare, me Kristoforidhin.” Nuk po e përmend këtë revistë për fjalët e larta që ka thënë për Kristoforin, por sepse është një dëshmi bindëse, se ideja për një shqipe të përbashkët, si thelbi i punës së Kristoforit, është kapur thellë qysh në atë kohë dhe nuk është një sajim dashamirës i sotëm. Revista shkruan:
“Kristoforidhi asht i pari, mjerisht pothue edhe i vetëmi, ner shqyptarët qi e kish nij nevojën me bashkue të gjith mënyrat foljet të Shqypnies e me kriue nji gjuh të shkrimit. Thom të shkrimit, se merret vesh qi t’flitet shqypia n’shum mënyra si fliten gjith gjuht, por atdhetart e mentshim e të dishëm kan me kuptue sa nevoj kemi me e shkrue shqypen t’gjith me nji mënyr. Kristoforidhi duket se ka ken apostulli ma i pari i këtij bashkimi gjuhës, e prannej emëni i tij s’munnet me u harrue… Por me gjith se nuk mujti me e sjell në drit at menim, n’ato libra fejet qi shkrojti, duket se ka pas dishirën me shkrue nji gjuhë të përbashkme qi t’munnej me u marr vesht edhe prej toskëve edhe prej gegve.”
Xh. Ll. – Më 1950 është botuar edhe monografia e Dh. S. Shuteriqit në “Buletini i Institutit të Shkencave”, që e quan fjalorin e parë me të vërtetë shkencor të shqipes. Për librin dhe gjuhën shqipe ëndrra pak e vagullt e Kristoforit më 1854 ishte bërë një realitet. Pse?
Profesori – Shuteriqi e çmon se Fjalori ka rreth 15 mijë fjalë; sipas Dozonit puna ka nisur që më 1854, por iu vu redaktimit më 1870. Pas dështimit më 1882, leja për botim nga censura u dha sërish më 1884, por sërish pengesë qe alfabeti me shkronjat greke. Lidhur me letrën e Naimit, Shuteriqi e sheh si një “konkurencë, të thuesh, disi të vjetër në mes të vëllezërve Frashëri dhe Kr. për çashtje të fjalorit të shqipes… janë bamë xhelozë e nuk deshën t’ia lanë këte nder të rallë nji tjetri.” E. Çabeu më 1954, pas një shqyrtimi të lëndës që përmban vepra, nënvizonte se emri i autorit ka të drejtë të hyjë në fushën e kërkimeve etimologjike të shqipes.
Pesëdhjetëvjetori i botimit të Fjalorit të Kristoforit binte më 1954. Nuk kishte mënyrë më të mirë për t’iu përgjigjur këtij përvjetori, sesa botimi i “Fjalorit të gjuhës shqipe”, të hartuar nga Instituti i atëhershëm i Shkencave. Gjuha shqipe për herë të parë kishte një fjalor shpjegues. Ëndrra pak e vagullt e Kristoforit më 1854 ishte bërë një realitet, duke përkuar çuditërisht shifrat e plota të datave: 1854-1904-1954.
Xh. Ll. – Më vjen mirë që edhe Edith Durham ka përfshirjen e saj interesante në këtë aventurë. Si?
Profesori – Etnografja dhe dashamirësja e njohur e shqiptarëve, Edith Durhami ka botuar më 1905 librin “Brenga e Ballkanit” dhe është e kuptueshme, që e kishte shkruar përpara sesa të botohej Fjalori i Kristoforit, prandaj rrëfen: “Në Shqipëri edhe puna prozaike për të bërë një fjalor është e spërkatur me një ngjyrë romanesh dhe aventure. Historia e Kristoforidhit tregohet në të gjithë vendin me indinjatë të hidhur. Ai ka lindur në Elbasan, si atdhetar dhe entuziast i kushtoi rreth dyzet vjet të jetës hartimit të një fjalori monumental, duke mbledhur jo vetëm dialektet kryesore, por edhe duke vizituar çdo fshat për të kërkuar fjalët e vendit… Janë përhapur fjalë se grekët e kanë zhdukur. Disa besojnë se ende ekziston dhe do ta shohë dritën.”
Xh. Ll. – Pjesë e rëndësishme e aventurës është çdo detaj gjen përfshirjen e mjaft personazheve historikë që spikatin natyrshëm. Do t’më pëlqente të gjeja vërtetësi, duke e ditur që libri juaj është i mbushur përplot detaje, gjetje interesante, përshkrime të holla…
Profesori – Sipas A. Kralit, Stefanin (Stefan Kristoforidhi) e nxiti papa Germanosi të shkonte në Durrës. Atje kishte shkuar tri ditë më parë edhe Lef Nosi, ndoshta për shkak të kërcënimeve të Stefanit. Ky ia refuzoi nënkonsullit grek në Durrës edhe propozimin për një çmim më të lartë, 175 napolona ar. Por greku i tha, që ta kërkonte Fjalorin atje ku e kishte dhënë. Kur Stefani po kthehej në Elbasan më 18 shkurt, bashkë me një shokun e vet mirditas, Mëhill Zefin, i arrestuan autoritetet turke, te të cilat i kishte denoncuar konsullata greke, sepse kishin shfaqur haptaz ndjenja atdhetare shqiptare. Iu gjetën me vete gazeta shqipe dhe ndoshta edhe letra e Qiriazit; për këtë mund të dënoheshin për tradhti të lartë. Më 20 shkurt i nisën të dy të lidhur në Shkodër. Mund ta kishin arrestuar edhe Lef Nosin, por një mik dërgoi një lajmëtar, që e zuri rrugës për Elbasan dhe e porositi të ruhej. Librat dhe gazetat shqipe që kishte me vete i futi në tokë në Kavajë dhe dy xhandarët, që e kishin ndjekur nga prapa, nuk i gjetën gjë të dyshimtë gjatë kontrollit. Por edhe kur po i afrohej Elbasanit, më 21 shkurt, ra në duar të zaptijeve, që po e prisnin, sepse kishin marrë telegram nga Durrësi. A. Krali shkruan, se Lefit iu gjetën edhe gazeta shqipe, vjersha e letra të tjera, ndër to një shpatarak i ri nga konvikti grek i Kotilit pranë Siatistës shkruante: “Zemra ime rreh vetëm për kombin tim, për gjuhën tonë.” Megjithatë, meqë nuk u gjet diçka që të fyente myslimanët, në Manastir çështjen e tij nuk e quajtën të rëndë. Stefanit iu gjetën letërkëmbimi për fjalorin, disa kopje të revistës “Albania”, që ia kishte dhënë Dom Nikollë Kaçorri bashkë me një letër të tij, dy letra të dragomanit italian, tri letra të Qiriazit dhe një formular kuitance, që ishte përgatitur për grekët.
Xh. Ll. – E shoh zjarrin në sytë dhe shprehjen e tyre. E ndiej se në këtë rast do të kemi një shaka të hidhur. I shkojnë besoj kësaj aventure…
Profesori – Eh, pa to nuk rrimë dot. Fakti më i rëndësishëm është se në dorëshkrimet Kristofori ka 400 turqizma, për të cilët ka vënë pranë një sinonim të shqipes. Për të dalë e qartë se çfarë peshe ka ky fakt, kam bërë një krahasim me Fjalorin sinonimik të vitit 2004. Ka një varg fjalësh, të cilat për arsye jo shkencore Fjalori sinonimik nuk i ka përfshirë, domethënë një Fjalor sinonimesh i shekullit XXI nuk ka sinonime, që i kishte paraqitur Kristofori një shekull e gjysmë më përpara. Sinonimet Kristofori nuk i ka vënë për të dëshmuar pasurinë e leksikut të shqipes, por i ka dhënë për të treguar se me cilat fjalë të shqipes mund të zëvendësohen këta turqizma. Atëherë përfundimi i përgjithshëm është, se Kristofori e mendonte si purist shqipen e shkruar, e lëvruar, domethënë pa fjalë të huaja, si shqipe të pastër, sepse kështu dëshmohej lashtësia e saj dhe kryhej roli kombëtar i saj. Mënjanimi i fjalëve me prejardhje të huaj nuk do ta varfëronte shqipen e lëvruar, në rast se do të ishin barasvlerëset shqipe. Do të pranohet madje, se disa prej atyre sinonimeve mbeten edhe sot me vlerë për pasurimin e pastërtinë e shqipes.
Libri, që ndër veprat shqipe ka, ndoshta, historinë më të gjatë e më të ndërlikuar si të hartimit ashtu edhe të botimit, është pikërisht Fjalori i gjuhës shqipe i Konstandin Kristoforidhit. Ai doli nga shtypi njëqind e njëzet vjet më parë dhe as kjo periudhë e gjatë prej atëherë nuk ka qenë plotësisht e mjaftueshme për ta përfunduar diskutimin rreth tij. Dokumentet e gjetura rreth tij japin njoftime të reja sa të vlefshme për gjurmuesin e historisë së tij, aq edhe interesante për lexuesin e gjerë, ndërsa shkalla e përpunimit të shqipes letrare dhe metodat më të përsosura të studimit që ka në dorë shkenca jonë e sotme gjuhësore bëjnë të mundur që krahas historisë, të bëhet më i plotë edhe vlerësimi i kësaj vepre, rëndësinë e së cilës për shqipen dhe kulturën shqiptare e kanë quajtur për detyrë ta theksojnë të gjithë ata, që e kanë pasur për zemër përparimin e tyre.
Xh. Ll. – Edhe ‘Gjahu i malësorëve’?… Sërish mund, aventurë…
Profesori – Pasi botoi me parathënie një pjesë te gazeta “Bashkimi” (1950, b), botimin e plotë e bëri më 1950 Ziaudin Kodra, i cili i paraqiti në një libër dy tekstet, toskërisht e gegërisht, me faqet përballë njëra-tjetrës, me një HYRJE dhe me disa shënime në fund:
GJAHU I MALËSORËVET (HIEJA E TOMORRIT)
– Në versionet toskërisht dhe gegënisht –
Nën redaktimin e ZIAUDIN KODRËS.
Këto i riprodhoi edhe botimi më 1997 nga Shtëpia Botuese “Onufri”, me po atë parathënie nga Z. Kodra.
Më 1998 po nga ajo shtëpi botuese u bë një ribotim, për të cilin kam shkruar Parathënien, të mbështetur në dokumentimin e mëvonshëm dhe me interpretim të ri. Natyrisht, parathënia e Z. Kodrës dhe shënimet janë kapërcyer pas kaq kohësh, sidomos nga gjetja e dokumentacionit të pasur për gjithë veprimtarinë e Kristoforit, por u ruajtën në atë botim më 1998, sepse ishin të dobishme për kohën e vet. Sipas Z. Kodrës, ndryshimet ndërmjet dy varianteve gegërisht janë të vogla.
Sektori i Albanologjisë e i Ballkanologjisë i Qendrës Kërkimore Shkencore në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’ të Elbasanit më 2001 nisi një varg botimesh, por fatkeqësisht nuk pati vijim. U botua nga “Silver’ vetëm vëllimi “Kosntandin Kristoforidhi. Vepra I”, në të cilin janë riprodhuar dy tekstet nga botimi i vitit 1950, ndërsa Parathënia sërish është nga ana ime.
Xh. Ll. – Është hera e dytë, që i shkruaj disa faqe të këtij libri, duke ndier një shtrëngim në zemër, shkruani ju në krye të kapitullit ‘Dëshpërimi’. A është ky edhe fragment i aventurës së librit shqip?…
Profesori – Po, patjetër. Ndërkohë do të më duhet të qëndroj në disa pika. Në pranverë 1881 qeveria osmane e kishte shtypur me dhunë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe i përndoqi veprimtarët e saj. Varfëria, problemet familjare, shëndeti i dobët, mosha mbi të gjashtëdhjetat. “Atdheu im nuk i ka kushtet për të më ndihmuar dhe as mund ta bëjë, sepse qeveria e ndalon.” Shkruante Kristofori.Interpretimi nga ana ime për këtë letër është ky: Ai në atë gjendje i kërkonte G. Majerit që t’i gjente një rrugë për botimin e Fjalorit. Letrën e Kristoforit e kam gjetur në Grac greqisht dhe anglisht, por nuk e di nëse Majeri i është përgjigjur. Ishte një shpresë e rreme në një gjendje in extremis, sepse Majeri ishte në fillimet e botimeve të tij dhe praktikisht nuk mund të ndërmerrte organizimin e një fushate, siç kujtonte Kristofori. Ndërkaq, me interes të veçantë është se i ka shkruar edhe që i ka dërguar D. Karl Foy-t një punim:
Një vështrim i shkurtër mbi letërsinë shqipe (1883)
Ma merr mendja se është fjala për Karl Arthur Philipp Heinrich Foy (1856-1907), autor i librit Këngë nga Briri i Artë. Më tej: Më 2 janar 1884 Komiteti në Londër vendosi: “I quan të mbyllura përfundimisht marrëdhëniet me Kristoforidhin.” Ngushëllimi i vetëm për të në ato rrethana pa asnjë dritë për të ardhmen ka qenë botimi i Gramatikës… Në pjesën e dytë libri i A. Dozonit (1875) ka një gramatikë të toskërishtes. Ai e kishte përfunduar veprën e vet, kur e takoi Kristoforin më 1874. Besoj se për shtojcën me veçoritë kryesore të gegërishtes është këshilluar me Kristoforin, ashtu si kishte ndodhur me Hanin. Emrin e shqiptarëve e ka pranuar me prejardhje nga ‘shqiponja”, ashtu siç e kishte Kristofori te Abetarja… Botimi i Gramatikës sipas toskërishtes dhe mungesa e një varianti të saj gegërisht, siç kishte bërë për shumicën e librave të tjerë të tij, i ka shtyrë studiuesit të shprehin mendime të ndryshme për të gjetur një shpjegim të pranueshëm. Synimi i parë i Kristoforidhit ishte shkolla shqipe në kuptimin e gjerë të këtij termi. Abetarja dhe Gramatika e tij do të ndihmonin drejtpërdrejt edhe për t’u lexuar gjerësisht përkthimet e tij… Përkthimi i parë shqip i Gramatikës së K. Kristoforidhit është bërë më 1940 nga Simon Shuteriqi, por ka mbetur dorëshkrim dhe sot ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë…. E pra, e gjithë kjo aventurë të ngashënjen po edhe të ngashëren…
Xh. Ll. – Një odise e vërtetë e kësaj aventure janë librat e tjetër të Dhjatës së Vjetër, të kthyera në shqip nga Kristofori…
Profesori – Po. Një odise e vërtetë. I vetmi përkthim i ri nga Kristofori, që u botua më 1880 ka qenë: Të Bërëtë edhe Të Dalëtë. Këthyerë pas Evraishtesë vietërë Shqip ndë gluhë Toskërishte. Konstantinopolë, Ndë shtypa-shkronjë të A. H. Bojaxhianit. 1880. Do të vijmë tek Abetarja e Naum Veqilharxhit (Ëvetari, 1845), ku ndërsa nuk është përfshirë asnjë copë nga Dhiata e Re, të gjitha copat nga Dhiata Vjetër janë të përshtatura për nxënësit dhe si përkthim besnik ndaj origjinalit janë Dhjetë urdhërimet. Kjo është copa e parë që njohim nga Dhiata e vjetër e përkthyer në variantin toskërisht dhe njëkohësisht është përkthimi i parë shqip i plotë i Dhjetë Urdhërimeve, sepse te Buzuku ka vetëm një pjesë të vogël. Kështu, deri në mesin e shek. XIX nuk ka pasur asnjë libër të plotë prej Dhiatës së vjetër të përkthyer shqip. Kjo çështje më pas nuk do të shtrohej veçan, por e lidhur me përpjekjet për të arritur përkthimin e plotë të Dhiatës së re. Sapo erdhi nga Izmiri në Stamboll më 1857, Kristoforidhi nisi përgatitjen e një përkthimi të Dhiatës së re, i thirrur në Stamboll nga Sajrus Hamlini… Nga mbarimi i vitit 1865 Kristofori po e përfundonte përkthimin e Katër Ungjive e të Punëve, duke e ndjekur rishikimin Xh. N. Serreqi. Ishte zgjidhur problemi i alfabetit për të ndjekur sistemin e K. Lepsiusit, menjëherë më pas do të shtypej abetarja shqipe në të dy versionet, që do të ndihmonte për të mësuar leximin. E para ka qenë Abetarja, e cila u shtyp në të dy versionet në dhjetor 1866 – janar 1867. Te të dy variantet e Abetares Kristofori ka dhënë për herë të parë gegërisht Dhjetë urdhërimet. Ka rëndësi të vihet në dukje se copa e Dekalogut është përkthimi i parë i mirëfilltë i tij nga Dhiata e Vjetër, si dhe përkthimi i parë i plotë i Dhjetë Urdhërimeve gegërisht, kurse i bie kështu në vitin 1866… Në fund të qershorit 1867 për herë të parë u krye përkthimi i plotë shqip i një libri prej Dhiatës së vjetër, i Psalmeve gegërisht, dhe pas një muajitoskërisht. Një odise që vijon gjatë…
Xh. Ll. – Edhe dijetarë të asaj kohe, sidomos nga Shoqëria Biblike s kanë pranuar se botimi i librave është një mundim i madh po edhe një punë e bukur… Si mendoni?
Profesori – Punë e bukur dhe e mundimshme, por atëherë ishte një torture e vërtetë. Duhej në vullnet përbindëshi. Kristofori kërkohej të vinte nga Tirana për të botuar Dhiatën e re toskërisht. Më një gusht Tomsoni e vijoi fushatën me letra, duke thënë se u zhgënjye në dy rastet për të gjetur një njohës tjetër kompetent veç Kristoforit. As A. Kullurioti dhe as P. Kupitori nuk i plotësonin dëshirat e tij. Ai e kishte parë abetaren e Kristoforit, e ngrinte lart dhe e quante “autorin njeri me kulturë shkencore, të cilit mund t’i besohet nga ana letrare” dhe pa pritur vendimin zyrtar, Tomsoni më 17 gusht i dërgoi Fisherit dorëshkrimin toskërisht, të bërë nga Kristofori në Maltë. Më në fund përgjigjja pozitive erdhi, leja u dha pas leximit të letrës së një gushtit. Ndoshta tashmë e kishte përgatitur Gramatikën, sepse Tomsoni i shkruante, se kishte mbledhur rreth 12 lira turke, por e mira ishte të përgatitej me kujdes dhe mundësisht të ishte sa e plotë, po aq edhe e shkurtër. Gjithashtu dorëshkrimin e Dhiatës së re toskërisht e dërgoi në Berat, që përkthyesi ta kishte mbështetje për një variant të ri. Më 18 shtator Tomsoniu e autorizoi Kristoforin të merrte si ndihmës Konstandin Kolean. Ishte nga një familje e mirë, dinte greqishten e vjetër e të re, pak italisht e gjermanisht gjithashtu. Nga disa tregtarë të besueshëm dhe nga peshkopi kishte siguruar edhe rekomandimet për cilësitë e tij.
Shkëmbinjtë ishin kapërcyer, ekipi ishte ngritur dhe sipërmarrja për një libër të ri shqip kishte marrë udhë. Për Kristoforin kjo do të thoshte përsëri punë dhe punë sipas pikësynimit të tij. Por përkthimi i tij do të pranohej, por me një kusht: të mos dilte emri i tij në faqet e librave. Si origjinal nuk do të merrej më teksti i përkthyer në greqishten e re, por në greqishten e vjetër. Për hir të së vërtetës, duhet treguar se Kristofori nuk ishte në Stamboll, por merrej me rishikimin e Dhiatës së re në Berat.
Demokrati garibaldin P. Kiara, ka udhëtuar në atë kohë nga Janina e Gjirokastra deri në Lesh e në Shkodër dhe më 4 prill i ka shkruar De Radës një letër. Emrin e Kristoforit ai e kishte përmendur që tetë vjet më parë, kështu që nuk do ta humbiste rastin ta takonte: “Isha në Tiranë mik i Kristoforidhit, njohësit të famshëm të gjuhës shqipe dhe përkthyesit të librave të shenjtë. Shqipëria është e denjë për t’u bërë shtet i pavarur.” Kjo do të ketë qenë tema qendrore e bisedës së tyre miqësore. Kristofori vazhdoi në Berat përkthimin e ri të Dhiatës së re, duke pasur si ndihmës Kolean, siç ia njoftoi Tomsonit më një prill…
Më mirë të shtypeshin libra të vegjël në periudha më të shkurtra. Kështu nisën botimet e reja me Mateun: Shenjti Ungjill pas Mattheut. Këthyerë prej Greqishtesë vietërë Shqip ndë gluhë Toskërishte. Konstantinopolë, Ndë shtypa-shkronjë të A. H. Bojaxhianit, 1878. Shenjti Ungjill pas Mattheut, nën redaktimin e Pandeli Sotirit pa asnjë ndryshim; me lejen osmane të shtypjes; 92 faqe; tirazhi 5000 kopje. U ribotua edhe më 1889 te shtypshkronja e Shoqërisë “Dituria”, me titullin: Ungjilli pas Mattheut. Kthyerë prei Elinishtesë shqip ndë të folë Toskërisht. Përmban vetëm pjesën shqip me alfabetin e Stambollit, redaktuar nga Gjerasim Qiriazi; 154 faqe; tirazhi 5000 kopje. Ndryshimi i alfabetit u bë me kërkesën e Shoqërisë së Stambollit më 1887. U rishtyp më 1910 në Manastir, Ungjill pas Mattheut, 96 faqe dhe do të përfshihej në Dhiatën e re të plotë. Vetëm një gjë mungonte: emri i përkthyesit. Dh. Shuteriqi (1950) duke e vënë re këtë, shënon: “Kështu do të bajë Kristoforidhi edhe me gjithë përkthimet e tjera që do të botojë ma vonë. Nuk dimë përse tani vepron kështu.” Pastaj botimet e mëpastajme: Shenjti Ungjill pas Markut.1879. Titulli është sipër faqes greqisht. Në faqet 93-151 me tekstin e greqishtes paralelisht. Ka ndihmuar për redaktimin edhe Naim Frashëri. U ribotua në Manastir nga Shtypshkronja “Bashkim’ i Kombit” më 1909 me titullin Ungjilli pas Markut, Shenjti Ungjill pas Lukësë.U ribotua në Manastir nga Shtypshkronja Tregtare Ndërkombëtare më 1910 me titullin Ungjilli pas Llukajt 106 faqe, me alfabetin e sotëm, transliteruar nga A. Sina dhe vështruar më parë prej Naim Frashërit. Në vargun e dhjetë vëllimeve të Shkrimeve e të përkthimeve të K. Kristoforidhit e kam ribotuar më 2021 si vëllimin e shtatë: Konstandin Kristoforidhi. Dhiata e re toskërisht 1879. Paraqitur me alfabetin e sotëm sipas origjinalit nga XHEVAT LLOSHI. Tiranë, 2021.
Tiranë, më 9-10 korrik 2022