More
    KreuOpinionXhevair Lleshi: Libri – urgjencë kombëtare, identiteti ynë në rrezik !

    Xhevair Lleshi: Libri – urgjencë kombëtare, identiteti ynë në rrezik !

    Një vend shumë i vogël si Shqipëria e ka për detyrë të parë të vendosë ekuilibrin e duhur midis librit, pushtetit, bibliotekave dhe kulturës në përgjithësi. Nëse do t’i përballojë globalizimit shteti e ka për detyrë nr. 1 ta vendosë kulturën si parzmore të atdheut, pa iu dridhur qerpiku, madje do t’i duhet t’i japë vendin e dytë pas bujqësisë (në rastin e vendit tonë) në shpërndarjen e të ardhurave kombëtare, po edhe të investimeve kapitale. Kultura bëhet një mbrojtëse e shkëlqyer e thelbit të të mirave që mbajnë në këmbë kombin dhe trashëgiminë, librin, e gjithçka tjetër që meritojnë vëmendjen e fortë të shtetit, pa premtime fare e thjesht me punë serioze, duke ua lënë në dorë institucioneve të drejtojnë sektorët e tyre, për t’mos ndodhur si me ndërmarrjen e filmit shqiptar të sotëm që edhe ato pesë lekë që i ka dhënë po vetë qeveria, ia merr sërish me urdhër. Mos kujtoni që bibliotekat e qarqeve, të strukura në thellësi të pavëmendjes, me seriozitetin më të madh e të përbaltura mos më keq e që pikëllojnë vetëm mungesë fondesh, sigurisht për librat. Po çfarë mjerimi përjetojnë bibliotekat! Është një TURP i madh kombëtar (kombit, sidoqoftë, i marrin të keqen!) prandaj duhet thënë turp shtetëror. Realisht turpi është fshehur pas zgërdhimës për këtë punë “të bukur” që kanë bërë… Mbylljani po deshët gojën së vërtetës ditën, ajo zë e flet natën! Kush është me mend në kokë, mendon qeveria, di t’i vërë fre gojës! Në lidhje me kulturën s’mund të lejohet kurrë që t’i jepen ca thërrime librit, sa për të mbajtur frymën gjallë! Mund të mendohet se një vend i vogël ka kulturë të vogël, njësoj si me gjykimin: një vend i vogël sundohet lehtë duke ia mbytur mendjen, intuitën, pasionin, duke hedhur farën e tretjes së vullnetit të paepur për të mos u nënshtruar, ndërkaq zëri i popullit dëgjohet qartë e prerë. Po e zëmë se për një çast, sytë e kulturës e të trashëgimisë zvogëlohen dhe mbyllen, si të përzhitura nga rrezja e dritës, tek e cila, me kokëfortësi, ata janë ngulur prej kohësh, me një ngulmim të çmendur. Përsëri e përsëri shtrohet pyetja: a është apo jo libri, sot, në po atë rol që ishte dikur në antikitet Klitemnestra e Artidëve të vjetër, që me gatishmëri prej hipokriteje dhe me përkujdesje prej lavireje i përgatiti të shoqit, Agamemnonit, banjën e ngrohtë, në një kohë kur vrasësi i tij, dashnori i saj, Egisti, përgjonte i fshehur me sëpatën e mprehtë në dorë?…

    Si edhe herët e tjera, libri është hedhur tej me përbuzje, duke lejuar që hijet e tij të nxitojnë sa të munden më tepër, duke përsëritur po të njëjtat lëvizje, të njëjtin profil; pastaj, zë e pllakos qetësia edhe e dhimbshme, edhe e frikshme, librat e burgosura apo edhe mbetur stok, përjetësisht (aq sa zgjat jeta e librit!) e që nuk hedh më dritë. Hijet e rritin edhe më tej dyshimin, ndonëse idetë e befta sa vjen e zënë rrënjë te njerëzit, populli, duke u hedhur pastaj në aksion. Ai thjesht ka pritur që tenja që drejton të flaket jashtë nga jeta jonë. Më thoni cili ia ka zgjatur prej atyre që qeverisin librit? A ka pyetur kush për të? Askush! Në vend që të ngrinte në tërë vendin bibliotekat, ku libri të lexohej, sepse ndryshe ndodh ajo që përjetojmë: vdekjen e natyrshme të librit, ku e para vjen për ngushëllim qeveria. (Qeveria jonë nuk vjen as për ngushëllim!) Ajo tallet me ne dhe me librin, me një bullizëm e sarkazëm të paparë, duke synuar vdekjen po të natyrshme të popullit, të gjuhës shqipe për rrjedhojë, dhe për gjithçka që ka të bëjë me trashëgiminë. Qeveria jonë që ka në dorë edhe gurin edhe arrën, është në gjak me librin, ashtu si zonja Makbeth, që me fjalë lajkatare e mikpritëse e përcolli mbretin Dunkan në shtratin e butë pas gostisë, ku e priste vdekja nga kama e burrit të saj? Shkurt fjalët, është apo nuk është libri një nga ata shkelësit e ligjit, që pasioni i shfrenuar dhe anadollak qeverisës, e katandisi aq keq saqë e shndërroi në një gjë të përbindshme, që të mos shikohet dot më me sy!? Asgjë nuk është më e thjeshtë se kaq, më efikase, pa skandale, dhe libri do të sigurohej plotësisht. Thjesht, kultura dhe libri duhet të fitojë me urgjencë kombëtare përkrahjen, të nxirret nga balta ku po kalbet në asfiksi të plotë. Shqipëria ka nevojë urgjente për tremijë biblioteka!…

    Po ju sjell në vëmendjen tuaj atë që kemi pasur gjatë diktaturës, sepse sot Shqipëria NUK KA BIBLIOTEKA PUBLIKE, përveç Bibliotekës Kombëtare (oh, e zeza bibliotekë, e quajtur edhe kombëtare, e dimë të gjithë në ç’ujëra përpëlitet!), të tjerat jo e jo – dihet që janë bosh dhe në një numër për të ardhur keq. Bibliotekat e kohës së diktaturës ishin tjetër gjë. Ndonëse kryesisht përhapnin ideologjinë e partisë në pushtet dhe të E. Hoxhës. Ia vlen t’i përmendim edhe thjesht si statistikë, apo fundja për të mësuar pak edhe nga e kaluara e afërt:

    «Kanë qenë aktive (1946 – 1990): 28 biblioteka rrethesh (të mirëfurnizuara), 74 biblioteka burgjesh (kampe riedukimi, siç quheshin), 12 biblioteka kampesh pune, 672 biblioteka në fshatra (vatra kulture), 21 biblioteka universitetesh dhe institutesh (shkencore dhe studimore), 336 biblioteka në ndërmarrje industriale dhe ferma bujqësore, 2154 biblioteka në shkolla tetëvjeçare, 280 biblioteka shkollash të mesme, 132 biblioteka në vatrat e kulturës të reparteve ushtarake, 46 biblioteka në postat kufitare tokësore, 12 biblioteka në postat kufitare bregdetare, 13 biblioteka në spitalet civile e ushtarake, 22 biblioteka rajonale në Tiranë (11) dhe në qytetet industriale, 26 biblioteka në shtëpitë e pushimit të punëtorëve dhe të pionierëve të Shqipërisë. Kështu në total kemi pasur në gjithë vendin tonë vogël 1372 biblioteka (pa bibliotekat e shkollave) (gjithsej 5213 biblioteka), që furnizoheshin me nga 5 libra deri në 10 libra për çdo titull të botuar. D.m.th numri i librave që shkonte në to lëvizte nga 26 000 libra deri në 52 130 libra për titull… Por tirazhet e librave rrallë e kapërcenin shifrën 30 – 40 000 ekzemplarë për titull, duke nënkuptuar se janë furnizuar me 5 libra për titull dhe pjesa tjetër nëpër libraritë e vendit, që edhe ato kishin një shtrirje të gjerë gjeografike…» (Prof. Dr. Arqile Bërxholi, Statistikat e Shqipërisë, demografia dhe zhvillimi ekonomik e kulturor i vendit tonë.) (Dorëshkrim). Dhe kjo do të ishte një shifër që do ta kishin zili edhe vendet më të përparuar në botë, përveç vendeve diktatoriale. Po sot çfarë kemi? ASGJË. SOT LIBRI BËHET VËRTET LIBËR dhe ngelet STOK! Me botimet kryesisht me 300 – 500 kopje, përveç titujve shumë të veçantë. E dhimbshme! Therëse!

    Le ta pranojmë hapur: nuk do asnjeri që bibliotekat të funksionojnë! Të gjitha shkollat kanë nga një dhomë-bibliotekë, atëherë le ta kthejnë në BIBLIOTEKË SHKOLLE DHE KOMUNITETI, kuptohet me pjesëmarrjen me ligj të shtetit, me përcaktime në buxhetin e shtetit, në mënyrë që t’u shërbejë të gjithëve, duke i bërë shtesa dhe zgjerime, duke punësuar njerëz që e njohin mirë punën me librin, duke u aftësuar edhe më tej. KJO ËSHTË ZGJIDHJA… Mbase, më e drejtë do të qe ta shpallje URGJENCË KOMBËTARE gjendjen e librit, edhe pse me mosdashjen e vullnetshme të ASFIKSIA E LIBRIT, por njëherazi të mos jenë kukulla në duart e pamëshirshme që pa dyshim e duan fort kasaphanën që e pret tërësisht kulturën shqiptare. Po kjo është një temë tjetër…

    Tremijë biblioteka! Jo fjalë goje, por ama edhe një largim i menjëhershëm i ankthit, trishtimit, gënjeshtrës, lodhjes, përkundjes në ëndrra, këndellur për gjumë, fshehur pas gishtit, por, enkas edhe duke rënkuar. Dhe për ta shmangur këtë, duhet organizuar PETICIONI KOMBËTAR I LIBRIT (dhe kur themi librit, nënkuptojmë të gjitha llojet dhe format e sotme të librit!), duke gjetur një lloj magjie në pritjen e tij të përjetshme. Nëse kjo nuk bëhet urgjent, do të thotë se me shpejtësi marramendëse duhet kthyer në strategji të domosdoshme kombëtare, pasi ka të bëjë me identitetin tonë kombëtar. Prandaj është e domosdoshme pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e lexuesve, e popullit, në nënshkrimin e peticionit, sepse LIBRI është etalon humanizmi, mishërim virtyti njerëzor. Gjer asaj dite mbetemi në pritje të këtij gjallërimi në ethet e mendjes që punon për gjetjen e shpjegimit të vërtetë para shqiptarëve si çështje ekzistenciale.  

    Pra jemi para një katastrofe të pritur, të paralajmëruar dhe e ndërtuar me një vetëdije diabolike, diçka fare e pakëndshme dhe tronditëse. S’ka pikë dyshimi se pushteti kërkon që dërrmojë keq shpirtërisht popullin. Mbetet vetëm BIBLIOTEKA (të tremijëta) si gjëja më e arsyeshme. Mos edhe këtë duhet ta shpallim si të pavërtetë? Ndiej predispozitën të bërtas me zë të lartë, jo për ta përligjur veprimin, por me vetëdije mirëdashëse, t’i kthehemi punës së ndërtimit të plotë të bibliotekave, si urgjencë e identitetit kombëtar. Ndaj një lodhje shkatërruese të kaplon të tërin, një trullosje e madhe bën që të harrosh se përse je aty, ç’pret në atë cep ndërgjegjeje e vetëdije kombëtare kur e di mirë që askush s’e ka mendjen aty, por tek fitimet e pallogaritshme me një uri dhe etje të llahtarshme, gjithnjë në jerm, në ethe!… Ndryshe pa librat në gjuhën e mrekullueshme shqipe do të zgjohemi (jemi ende në gjumë letargjik) me alarmin dhe dridhmën e akullt të atij që s’di më se ku ndodhet. Ndërkaq asgjë nuk ia vlen nëse do të mbeteshim përjetësisht nën këtë ankth të dhimbshëm që na është shkaktuar në shpirt. Dhe sado që të themi nesër se ishte shumë errësirë, askush s’do t’i besojë kurrë këto gjëra. Dhe atëherë, gjithçka brenda nesh, madje edhe kureshtja, do të na largohen, nxitur nga një ndjenjë e dëshirë tjetër, nga ajo që e gjitha kjo të marrë fund, për të mos kërkuar diku tjetër një ngushëllim, një lehtësim…

    T’i hedhim në koshin e djegësve tanë që ua shtruan rrugën me flori krerëve tanë, ndërsa hijet e librave vallëzojnë nëpër jetën tonë të mbushur me varfëri të tejskajshme. Në një shikim sadopak të përqendruar, e gjithë ngrehina do të shembet në sytë e të gjithëve si mure kartoni përpara furtunës. Ne e kemi në dorë peticionin. Ta nënshkruajmë atë! Të ftohtit po shtohet, rruga po bëhet e padurueshme. Ky është fundi, nuk ka më asgjë tjetër. Është dhe ka për të qenë një rrugëtim i zymtë përgjatë rrugës sonë në terr. Dhe e dimë që edhe më tej, pandershmërisht, tërë hipokrizi të skajshme dhe ngërdheshje të padurueshme, libri do të shohë vetëm hijen e tij që kthehet, rritet e zvogëlohet te çdo folës në gjuhën shqipe. NE DUAM QË GJUHA SHQIPE TË MOS KTHEHET NË GJUHË TË VDEKUR. Libri e shpreh hapur kërkesën për të qenë pranë, madje, ka lënë të kuptohet se nuk e honeps dot sjelljen e pabesë nga ata që bëjnë dhe zbatojnë ligjin. Asgjë nuk bëhet duke u lutur dhe krejt me përgjërim, duke u sjellë si somnambul dhe pa pikën e vetëdijes kombëtare. Se, sigurisht pa libra (në një botë ku libri ka përmbytur gjithçka) s’kemi ku ta gjejmë këtë vetëdije e personalitet. Pra, i bie që të jemi lënë në këtë derexhe, me qëllim, nergut, me hile, duke na kallur një intrigë të shkalur vetëvrasëse! Kjo s’duhet të na përkulë kurrë, as të na përkundë në ëndërrime, as të na mbërthejë qoftë edhe mekanikisht dhe artificialisht. Më vonë, ne mund të themi se jemi zvarritur një jetë të tërë, duke ardhur rrotull çështjes së mprehtë dhe pa e goditur në ballë me tërë forcën e shpirtit të plasur e të këputur, brenda një rrethi të stërmadh vicioz. E pra, e gjitha kjo, që libri të mos mbetet një kujtim i pastër, por në fillim mjafton kujtesa e turbullt për ta rrafshuar krejt. Edhe sikur të pajiseshe me lupë zmadhuese dhe t’i shihje me mirëdashje çështjet sa të ndërlikuara aq edhe të thjeshta të librit, prozvalur, përbaltur e shkatërruar pa pikën e dashurisë e të dhembshurisë. Apo, ndoshta (dhe kjo është pika i fundit që parashtruan avokatët mbrojtës të librit që me çdo kusht kërkonin ta shpallnin të pafajshëm!), duke ecur me tërë atë ngut, ku me ç’duket – siç thuhet nën zë – libri dashka t’i japë fund një herë e mirë grindjeve dhe mërisë me ne? Çfarë maskarade! Por ky peticion do të vijë në çdo njeri dhe ai mund të nënshkruhet dhe t’i vijë gazetës. Ne kaq kemi në dorë, por nesër ama s’mund të themi se ne nuk e shprehëm identitetin dhe personalitetin tonë…

    Dikush mund të thotë se ne, njerëzve të botës së librit na paskej mbërthyer ndonjë emocion i skajshëm që na gufon zemrën dhe na hedh së koti përpjetë. Por, sigurisht s’ka të drejtë! Ne nuk shquajmë dot asgjë (as populli, kjo dihet!), pasi një valë hijesh (librash! Hijet janë bërë sinonim i përçudnuar i librit!) vërshon përgjatë shkretimit, kurse era e tërbuar e ethes sunduese na vërsulet e na vërvit hi syve me pllakate reklame e fasada, duke na fryrë në fytyrë lagështirë me acid djegës (të paktën kjo jo nga djegësit!) e, ndoshta, me burim nga lavatriçja e shkëlqyer ala shqiptare e pallateve të pafund. Pra ne, si vetëdije e popullit (!), nuk jepemi. Pastaj, ne nuk jemi duke dalë prej ëndrre, as mbetur diku të hutuar, të pasionuar, saqë duam t’i thyejmë hekurat që na kanë lënë shenja në fytyrën tashmë të mpirë. Pra, ne mund ta detyrojmë pa vonesë qeverinë të marrë nën kujdes librin për të treguar me këtë dashurinë dhe dhembshurinë që kemi për të e paskëtaj sigurisht të mëkëmbim me ç’të mundim e me urgjencë kombëtare bibliotekat, një herë e mirë! E thënë troç, dhe ky është argument mbrojtës, mbase i vetmi që mund të flasë në dobi të librit, i cili është hedhur poshtë e nënshtruar me dorën e ‘kujdesit’ qeveritar, duke çuar në djegësit ‘krenarë’ ndërgjegjen e kombit!…

    Atëherë, përveç kësaj rruge, ç’na mbetet tjetër? Të ecim në rrugëtimin tonë, të dëshpëruar, me zemrën e mbushur me një hidhërim të thellë, sepse ndiejmë, mes gjithë këtyre hijeve, duke qenë të tradhtuar dhe të vetëm? Mos gjendet, vallë, qoftë edhe shenja më e largët e dëshirës për ta kapërcyer vullnetshëm gjendjen e krijuar? Pse, a vihet te libri me humor të tillë, kur dëshiron të krijosh kushtet e domosdoshme për të? Si nuk dëgjuam një herë, kurrkënd, ta zinte ngoje librin? Më në fund, thuhet (na gënjejnë, dihet!) se dita erdhi, u ngrit, agimi, ndonëse i përzier dhe e nxirë me net dimërore, tepër i trishtuar nëpër rrugët e librit tejet të përbaltura. Dhe ja tek thuhet, duke përdorur fjalorin e rilindësve të vjetër, se ditët e reja paskëtaj vijnë, bashkë me librin edhe teatrot e rinj të pafund! Sigurisht fjalë boshe, lagur e shkallmuar prej rrebesheve të natës së gjatë, pranë tokës bujqësore të kthyer në një pellg balte. Ne, po dihet, pa parë se ku i hedhim këmbët, duke na u dukur se po vijojmë të ecim përpara, në të vërtetë duke rrëshqitur e rrëzuar, pastaj duke u ngritur përsëri, të paepur (dihet edhe kjo!), gjithmonë në ecje. Por pa atë vendosmërinë e plotë për të marrë me vete në pafundësi “kujdesin e skajshëm për shëndetin e shoqërisë”, gjë që s’e beson dot, kur dihen mirëfilli të vërtetat. Të vërtetat që po i tundin ethet, kur çdo gjë duket e pafuqishme dhe nën acarin e zhvillimit!…

    Zgjimi ynë për librat dhe bibliotekat vjen prej lodhjes dhe mungesës së pranisë qeveritare, që vazhdimisht na sjellin një turbullim të ri, i cili sa vjen e rritet, sa më shumë që lundrojmë në detin e së keqes. Pikërisht tani ku sa kemi futur hundën në BE! Njerëzit e shohin me habi, ashtu të llangosur me baltë, me sy të qullur e të shastisur. Pastaj ngrenë supet, dhe, për një kohë të gjatë, fshihen pas pirgjeve me peticione për librat, skelave të pallateve të drogës dhe prostitucionit (ku ka më bukur sesa prostituimi i bandës që mendon kaq shumë për ne?). Brenda qenies së zbrazët krejt, të njeriut të ri (po të ri me tamam!) vetëm një mendim ka mbetur gjallë, se libri, ky i vdekur i pakallur, shikohet me sytë e njerkës si një qyqar i mjerë, ndonëse i madh. (S’i thonë shaka, duhen dëgjuar e peshuar mirë çfarë thotë qeveria, se s’është gjë e vogël ta akuzosh tjetrin për pjesëmarrje në akte të tilla!). Por vjen shpejt e shpejt përgjigja që patjetër është jo përkrah librit. Atëherë le ta dërgojmë këtë peticion kudo në botë. Ku të mundemi. A do t’i themi të vërtetat siç janë, në sy? Vjen, kështu, një çast dhe mendja të shkon te Zoti. Ajo ide e menjëhershme për një ndihmë hyjnore, për një ngushëllim mbinjerëzor, të shtang si një gjë e papritur dhe e jashtëzakonshme, duke zgjuar tek të gjithë imazhin e ri të librit të kudondodhur në Shqipëri, aq më tepër nëpër botë kur ke edhe detyrimin për ta çuar librin kudo ku janë shqiptarët, se veç të tjerash janë ata që duhet të dominojnë pushtetin. Na befason pamja teksa i shohim t’i ketë kapluar mërzia, ndonëse akraballëku i ka futur në rrugë pa krye, sidomos kohët e fundit duke iu shmangur që të mos e shohin njerëzit të vërtetën (natyrisht edhe për librin, gjithnjë sy më sy!), të vërtetën e pashmangshme të hipokrizisë. Në këtë rast heshtje do të thotë as më shumë e as më pak, por fshehje e rrezikut që na kanoset, shoqëruar me dyshimin se mos kemi të bëjmë me miratimin pasiv të së keqes, gjithnjë edhe me një bashkëpunim të heshtur. Sot jemi me shpresën se Zoti kujdeset për ne duke na ruajtur me dhembshuri…

    Edhe për librin si për çdo gjë, për dhimbjet e mëdha që përjeton, për pengesën apo vështirësinë më të vogël në udhën e tij, shprehemi me të njëjtin përkushtim. Kudo që të jetë – madje edhe në kishë (!) – gjunjëzohet, përulet përpara të gjithëfuqishmit dhe del prej andej më i fortë prej lutjeve, i gatshëm që të heqë dorë nga të gjitha të mirat e kësaj bote, me dëshirën e vetme të shpëtimit të përjetshëm. Mirëpo sot për librin lutemi veç kur tronditet thellë, në momentet kur e mbërthen terrori i ferrit në të gjitha llojet e dobësive njerëzore që e kanë kapluar, duke ia turbulluar devocionin. Prandaj ideja e Zotit e mrekullon. Po përse nuk e kish thirrur Zotin menjëherë, në këtë krizë të tmerrshme që po kalon, kur dobësia e tij me shprehje njerëzore po e çon drejt greminës? Një qëndrim si ky e rëndon me faj dhe jo më pak se bashkëpunimi i drejtpërdrejtë. Ky lloj indiferentizmi është i pafalshëm! Fjalët më të mira mund të thuhen në këtë rast, në një adresim të ri. Një kërkesë e çmendur dhe ideale, që krijon një mundësi të ëndërrt. Biblioteka Presidenciale, Biblioteka Mbretërore, bibliotekat e mëdha të qendrave të Prefekturës, bibliotekat e qyteteve dhe qendrave bashkiake, bibliotekat e qendrave kulturore, të burgjeve, të shkollave të çdo niveli, sallat e leximit kudo… e etj. Por le të qëndrojmë fort në bibliotekat e shkollave e të komunitetit… Megjithatë, nuk mund të lejohet që të ecet me hapa të ngadaltë e të dhimbshëm. Statujat e bardha të librave, siç ëndërroj, më duken si Afërdita që mërdhijnë nga të ftohtët… 

    Po edhe tani që kemi Qendrën Kombëtare të Librit e Leximit, QKLL, e cila duhet të shpalosë para nesh ide tërheqëse drejt organizimit vital të punës me librin, duke çuar përpara ato që janë krijuar dhe duke shpalosur gjëra të reja të teknologjisë moderne, jo sa për të ndenjur një çast sa për t’u mbushur me frymë, patjetër edhe e lodhur nga të ngjiturit e shkallëve të gjëra të vështirësisë që ka puna me librin, një mundësi shumë e ftohtë, e përhumbur, rrethuar nga ‘lutje’ të përshtatshme dhe nevoja të pamëshirshme, i dobët dhe i sëmurë, i dërmuar, i lodhur për vdekje, i mërdhirë nga të ftohtët e madh, me zemrën e bërë akull. E pse jo! Kemi të drejtë të lexojmë. Po kush lexon, se? Dhe në doni ta dini, meqë shtrohet kjo pyetje, ç’ka për t’ju dashur leximi? Të dini mirë shqipen? E ç’ju duhet shqipja!? Atë mjafton që e di shumë bukur kryeministri ynë! S’ka si ai! I bukur! I gjatë! Zë trashë! Elokuent! Shqip si ai s’flet kush! Tani ju thoni që ta mësojnë të tjerët? Mos o Zot! Prandaj s’ka biblioteka! S’ka shkrimtarë shqiptarë! S’ka libra! Sepse, Zot i madh, s’ka LEKË ! A e dini ju se sa lekë duan të mbahen këto biblioteka? Katër milionë euro në vit! Sa? E ku t’i gjejmë? E pra, për një vend të vogël ku klasat e para janë më pak se njëzetmijë nxënës, gjuha shqipe, leximi shqip, po bëhen specie në zhdukje. ËSHTË DETYRË E SHTETIT QË KËTO BIBLIOTEKA T’I KRIJOJË E T’I MBAJË GJALLË. QË GJUHËN E TË PARËVE, SHQIPEN, TA RUAJË E TA SELITË !…

    Dhe libri është në pik’ të zemërimit, i katandisur mos më keq, në hall të madh, gjakprishur, që edhe pse ndjen një fije mëshire, rri e pret? I ndien tërë kohën pas shpine goditjet e kamxhikut, që e detyronin të shtyhej përpara. I dridhej shpirti nga frika e, megjithatë, e di se s’do t’ia falin kurrë qëndrimin që mban, kthyer në viktimë, si një e vërtetë e pavullnetshmes që i rëndon plumb në shpirt dhe, vetëm kjo na lejon t’i kërkojmë një ndjesë të madhe, duke e çmuar më me njerëzi.

    E shoh dhe më vjen keq, bërë ashtu një dorë, ndaj më dhimbset shumë. Mezi e kemi pritur, unë, ju të gjithë dhe, bashkë me ne, edhe libri

    Tiranë, më 15 gusht 2022

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË