Një zë më tha ngadalë, si pëshpërimë shpirti: kujdes! Ca më pas m’u desh të prisja. Edhe pritjet e shkurtra janë tejet të gjata. Dhe iu përgjigja, më tepër vetes: më duket se u plaka! Sërish pëshpërima: pleqëria e ka fort për zemër kujdesin. Sa ta kesh atë s’plakesh kurrë!
E di ngase të vjen?
Jo.
Ngaqë duhet ta kesh pasur gruan të bukur.
Edhe e kam.
Mrekulli! Do të jetoni gjatë të dy! Se nuk thonë kot: «Kush e ka gruan e bukur duhet të ketë katër palë sy!»
Syri i parë – mburrja.
Nuk është kot që mburrja të merr më qafë. Dhe vërtet. Burri i gruas së bukur dhe ai i gruas së shëmtuar rastis që janë edhe shokë të ngushtë. Duket se janë bërë shokë ngaqë gratë i kanë shoqe. Ai i gruas së bukur e shan pil më pil atë të gruas së shëmtuar. Një më dy dhe i thotë: si i shkon ti gruas sate? Tjetri përtypet, mendohet, nuk i jep përgjigje. I pari s’lë gur e kusur, ka marrë revan. Shan e bot. Me demek, mburret. Dhe duke qenë se i ka hipur Gomarit të Buridanit mbrapsht, si Nastradini, që i jep gojës mbarë e prapë. Duron, duro mal të durojmë, ai i mjeri i së shëmtuarës. Duron se s’thuhet më së pari llafi i fundit. Ndaj. Po ku përmbahet ai bukuroshi, mburrka! Sa takohen, i jep vetëm këtë pyetje si dhuratë: e si i shkon ti asaj, more burrë? Mbetet pa frymë ky. Përgjon. Pret. Pastaj, mos harroni: ku di i verbri për bukurinë e tulipanit!… Nganjëherë ky, i mjeri, belbëzon: syri është damarë-damarë, sheh të zi e të bardhë. E kush bëhet pis më parë, e bardha apo e zeza! Faqja e bardhë nxihet, faqja e zezë zbardhet! Apo jo? Pastaj, o njeri i mirë, bukuria e gruas është virtyti. Ç’më thua! Të jesh E Bukura e Dheut qenke pa virtyt? Pastaj, m’i bëfsha naftën virtytit, se: bukuria ka vlerë kur i bie syri derë më derë. Aman, veç mos më thuaj edhe atë që zakonisht ta përplasin në fytyrë ata si puna jote, se bukuria qenkej ushqim i syrit po edhe dhembje e shpirtit. E, e di unë ku e si më dhemb! Ja, pse të pyes e të pyes, se dua ta di: si i vete ti asaj shëmtirës sate? Dhe më në fund, sheh ç’sheh i ziu burrë, shfryn dhe thotë: Ke të drejtë, miku im, ke shumë të drejtë, por unë sa herë i vete simes, mbyll sytë dhe përfytyroj tënden!… Dhe burri i ndershëm, largohet i kërrusur megjithatë, edhe pse sapo shkarkoi një barrë të rëndë…
Syri i dytë – zilia dhe lakmia e tjetrit.
A ka gjë më të bukur apo më të shëmtuar për natyrën? Ajo është e pëlqyeshme për secilin, është e bukur për të. E, deri këtu jemi dakord, por s’kemi ç’i bëjmë atij, burrit të gruas së bukur e që duhet të ketë katër palë sy. Dhe ai asgjë nuk sheh dhe asgjë s’dëgjon. I ziu s’ka ku të fshihet, se e merr plumbi edhe barkas. E ç’t’i bëjë ai zilisë dhe lakmisë së tjetrit? Ato janë dhe do të jenë, sa të jetë njeriu e sa të ketë jetë mbi tokë! Se po të mendohesh shumë duhet të japësh zgjidhjen e duhur: ç’është më e rëndësishme? Aroma apo bukuria fizike? Ja, kali, e di, si çdo kafshë, si e zgjedh partneren? Nga aroma e saj! Atje vrapon. Në të vërtetë edhe njeriu atje e mban frymën, tek aromat! Pastaj, kur të bukurës që bën majë i vjen edhe aroma, atëherë hapu mal! Por po të kombinohet aty edhe zgjuarsia, mendja që bën bujë? Si? Atëherë je i tëri zbuluar, je në qendër të ciklonit. Se ka shumë që nuk e vënë re bukurinë, por shohin shumë thellë dhe aty doemos që gjejnë virtytin, mendjen. Mirëpo, ku pyet zilia bashkë me lakminë?! Ata duan bukurinë e syrit të tyre, ose më saktë atë që çmon ai sy si‘të bukur’. Se nuk qenkej kot syri damarë-damarë. Pastaj, si mund ta gjejë ai burrë i mjerë që e ka gruan shumë të bukur se kush e ka zili apo edhe lakmi? Na duhet të ftillojmë se zilia bie mbi burrin e gruas dhe lakmia bie mbi gruan e burrit. Si të thuash ato kryqëzohen me njëra tjetrën. S’ka më keq se zilia e tjetrit për ty, por boll që ti ta kesh një nga sytë për të mbrojtur gruan dhe bukurinë e saj dhe je i fituar. Vetëm me një kusht: ky sy është kur ti zotëron si mashkull gruan tënde. E përsërisim: si mashkull. Kurse lakmia ka qenë e do të jetë. Kush nuk e lakmon gruan e bukur? S’ka sy që të mbron, edhe po të thuash katërmbëdhjetë palë sy! Kështu që këto janë, por edhe ti duhet të jesh aty…
Syri i tretë – vetëm sa ta dish, se bukuria të lë pa mend.
Domethënë se burri duhet të jetë i vetëdijshëm për bu-kurinë e gruas së tij. Mirëpo kjo është e vërtetë kur ti nuk mburresh andej-këtej, nuk flet kot, apo kur nuk ia bën jetën ferr bukurisë madhështore që të shoqëron. Dhe po nuk u mburre, po llape sa andej-këtej, s’ke për të pasur pranë as zi-li dhe as lakmi. Ato të dyja nuk mbijnë kurrë pa shtrat. Dhe shtrati je ti vetë. Dihet edhe kjo tjetra: po, bukuria të lë pa mend, dhe ti je i vetëdijshëm për këtë dhe vetëm e ndihmon bukurinë e madhe të ndihet e tillë dhe t’i japë kuptim dhe vlerë tjetër asaj, të ndihet krenare dhe t’i dhurojë natyrshëm aromat dhe mendjen e paçmuar. Se gruaja e bukur i bën edhe të tjerat që e shoqërojnë po aq të bukura!
Syri i katërt – nderi.
Se bukuria pa nder është si trëndafili pa erë. Ti kërkon edhe të bukura të tjera. Ti s’ke nder dhe nuk mund të respektosh dot as nderin e gruas sate. Me fjalë të tjera duhet të jesh ti si burrë i ndershëm. Se po s’qe ti, edhe gruaja e gjorë është përfundimisht e pambrojtur. Veç nder s’do të thotë naivitet, as t’i biesh gjoksit, as të shesësh pordhë. Se, është e vërtetë, ajo që s’mund ta arrish nuk të është as e dobishme, apo jo? Dhe nga ana tjetër nderi ka vlerë kur shoqëro-het me forcë karakteri, burrëri, grintë, zotësi, aftësi dhe dashuri. Se, ç’kuptim do të kishte bukuria pa dashuri? Në fund të fundit, bukuria nuk është mall dhe as stoli. Bukuria është një harmoni e përsosur që i dhurohet njeriut nga natyra, pa luajtur me dashurinë, se dihet që me të nuk luhet. Dhe dashuria s’mund të harrohet kurrë, sidomos prej këtij kombinimi. Fundja dashuria është kripa e jetës dhe pa të edhe bukuria më e mahnitshme, s’ka shije… Kështu nderi e mbron bukurinë dhe është syri i katërt i saj, kur është në mes dashuria…
Tiranë, më 13 korrik 2023