More
    KreuPanairXhevair Lleshi: Drita magjepsëse e Prizrenit

    Xhevair Lleshi: Drita magjepsëse e Prizrenit

    “Kundërshtoni shumë dhe binduni pak, se bindja e verbër ju çon në skllavëri të plotë!” Walt Whitman.

    Nga librat dhe poetët mund të burojnë mbretërime të gjata, kryengritje të fuqishme dhe krenari e pabesueshme. Ja, vetëm ditën e shtunë Prizreni arriti ta marrë veten nga emocionet e fitores së tij. Fitorja ishte panairi i librit me shumë vizitorë dhe mbrëmjet letrare, mbrëmjet e librit, buzë Lumbardhit që gurgullonte nëpër zaje dhe lëshonte mbi qytet duhmë ere aq të freskët sa s’të largohej prej andej. Ndoshta prandaj dhe këtë mbrëmje organizoheshin biseda me shkrimtarë, prej komunës dhe panairit, në tarracën e parë të lumit. Mbi krye ngrihej shkallë-shkallë Sharri. Çfarë madhështie!

    Atë mbrëmje të shtune ishin lënë dy takime biseda për librat e botuar së fundi. Do të bisedonim për librat e rinj të botuar nga Onufri, Mediaprint, Uegen dhe Logos – Shkup. Madje prej Logosit kishte ardhur poetesha Fjolla Spanca, me një shkrim interesant, krejt unik, i tërë metaforë, një shkak më tepër për të sjellë të rejat për librin më të ri “Dikur kisha nji titull ma të mirë” (një grusht me poezi), ndoshta për shkak të qëndrimit të saj të gjatë në pritje. Bërthama e fjalës së bukur ishte bërë nyje që lëvizte edhe vertikalisht, edhe horizontalisht, që ajo i shprehte në unison me flladin e freskët që Lumbardhi e sjell mbrëmjeve prej Sharrit dhe me të cilat merrej krejt vendi, të bënte për vete, gati i dehur nga kënaqësia.

    Së pari njoha mësuesen e moshuar, që rrezantonte një rini më vete, Agnesa Çipa, të cilën ma prezantoi moderatori i mbrëmjes, shkrimtari dhe juristi Ditar Kabashi, madje mësuesja e tij dhe e të gjithë atyre që qenë të pranishëm në bisedën tonë letrare. Ditari s’ndihej kurrë ndonjëherë i përjashtuar nga garat e këtyre mbrëmjeve prizrenase, duke u marrë me një numër të madh shkrimesh, tituj librash, me ndjesinë se të nesërmen do t’i jepej fund dijes së jetës, do të përvetësohej gjithçka më së miri dhe e shoqëruar kjo me brydhësi, elegancë, motiv tjetër, gjithmonë duke e ngritur disi zërin pasi të tërhiqte si magnet kënga e përplasjes së ujit mbi shkëmbinj e gurë nëpër Lumbardhin e Prizrenit. Agnesa ndërkohë më flet për librin tim të fundit “Apogjeu”, kushtuar Naim Frashërit, një poemë dhe një ese, në të cilën ngrihet shtëpia ku ka banuar Naim Frashëri, poeti ynë kombëtar, gjatë kohës që jetoi e punoi në Berat.

    – Çfarë përshkrimi! Krejt ndryshe! Vërtet i çmendur!… U tremba jashtë mase kur ma treguan këtë dhe vendosa ta lexoj menjëherë. E kupton ti që ai fare mirë mund të më ishte bërë një këngë tjetër dashurie, në ndonjë natë të bukur si kjo e 27 korrikut në këtë tarracë me fllad të qytetit që ngjan aq shumë me Beratin tënd… Nga ana tjetër, a nuk duhet të më paralajmëronte fat? Do kërkoja këtë gjë edhe nëpërmjet librit, të paktën. Dhe do të më njihte me një mori njerëzish të tjerë. I ditur, metaforë e gjallë, i sjellshëm, s’ke ç’i thua!… Ah! Jo, vërtet, ia vlen të pikëllohem kaq shumë për të. – Agnesa fliste shtruar, pa theksin tradicional, një vajzë Joni që kish ngelur përjetësisht e mahnitur pranë ujërave të Sharrit.

    *

    Ato familjet e vjetra të Prizrenit mbrëmjeve vijnë te sheshi i shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit. Vijnë puthin plloçat, gurët, flamurin, lënë diçka te kamaret anësore, piqen me të motshmit, krenohen disi, pastaj largohen të kërrusun dhe me kokën ulur. Që Fjolla Spanca do t’i thoshte me këto vargje: “Madhni/ mue më hutoj nji grusht pasuni/ harrova se nji ditë krejt kryhen/ krejt kanë me u ba hi/… Asaj dite,/ kur bijnë perdet e largsisë/ rrëzëllimë, veç Madhnia e Dashnisë”./ E kanë marrë dhe lënë aty amanetin, jo më në pikë të hallit, pa u katandisur si mos më keq, ndaj janë të prirë për të bërë një mbrëmje të tillë, prej të mbushuri me magjinë e shpirtit. Prej këtij shpirti, ky nuk është as figurë dhe as prirje, që të digjesh në atë mënyrë, poetikisht. Mua më duket se kushdo mund t’i japë fund jetës së tij me krenari, siç na e përcjell historia… Oh! Po ti e di që unë s’kam ndërmend, nuk mundem, të mbroj historinë e kujtdo, që nuk di ç’emër t’i vë. Është budallësi. Sepse Prizreni ka nderin që të ma hedhë mua fajin për këtë! Ndonëse mund t’i përgjigjem fare shkurt: “Se mos i kam thënë unë të jetë i tillë!” Apo s’është kështu? Një miku mund t’i kërkosh çfarëdo, por kjo s’do të thotë ta shtysh në dhimbje dhe për më tepër kur je i dashuruar. Më ngacmonte Ilir Gashi, komunar prizrenas, organizator i panairit të librit… Ndërkohë më thoshte: “Nuk më ka mbetur më asgjë, përveç këtij panairi”. Dhe kështu nuk do të shkonte më tej kjo punë, veçse pikë-pikë, si pipëlima e vesës, do mblidhej kësaj mbrëmjeje të shtune në bisedën letrare…

    Ai i kishte larguar të gjithë njerëzit, ishte mbyllur brenda në dhomën e tij të famshme, me vete kishte marrë edhe këngët e qytetit, kënduar me sharki… Dhe u rilind. Duhet të ishe atje për ta parë! Përfytyrojeni pak, një djalë i gjatë, me tipare tërheqëse, i motivuar për gjithçka, pak i ndrydhur dhe që menjëherë bëhej një kërkues i rreptë dhe magjistar shpirti, pothuajse i kredhur në metafora të pikëlluara, duke vrapuar sa nga njëra derë, në tjetrën, duke lëshuar ca klithma të rritura e të nusëruara aty buzë Lumbardhit… Po, njerëzve akoma nuk u janë larguar dridhmat e emocionit nga ajo skenë. 

    Ai psherëtin lehtë, brenda së cilës ishte një lloj mosbesimi. Ai e besonte se Prizreni ngjante me Beratin tim. Kishin krahasueshmëri të fortë: kalaja, objektet e kultit, lumi, shtëpitë karakteristike, por, sipas Ilirit, me shtëpitë karakteristike, objektet e kultit, urat e shumta, hija e rëndë dhe madhnia e Sharrit dhe ujërat e tij të kristaltë, do ta bënin atë lagje vërtet karakteristike me një prirje Mangalemi. Kur hyj në Mangalem në zemër më pikon… Si shtëpia e vjetër, e restauruar e hotel “Prizrenit”. Dikush betohej se e kishte parë të kërcente i gjithë hiri i këtij qyteti vetëm nga një dritare. Ndërsa poeti ia kishte vënë flakën dashurisë së tij, për shkak të ndonjë goditjeje, apo rregulli të trashëguar. Vetëm se, sapo nxehtësia të ishte bërë e padurueshme, atij duhet t’i ketë ardhur mendja në vend dhe, me siguri, duhet të jetë bërë esëll duke ndenjur këtu në tarracën e parë të Lumbardhit, që është produkt i prurjeve prej Sharrit. Berati dhe Prizreni janë qytete mashkullorë si energji, por feminitetin e kanë si një hijeshi e papërsëritshme dhe e padepërtueshme si emocion. Kthehen dhe bëhen të marrosur me femrat, u bien nën këmbë, saqë edhe mund të vdesin një ditë prej ditësh vetëm me atë lloj kapardisjeje. Si fjala vjen Hysen Bukoshi prej Prizreni, që erdhi në Berat, u dashurua me Zoicën, u marros pas madhështisë së qytetit, u fut në burg dhe pastaj e solli familjen sërish në Prizren. Si kur ta kisha takuar! Nuk ka ndryshuar fare, ka mbetur po ai djalosh i ri, kush shkeli për së pari në Berat.

    *

    Aty dëgjohej dhe zhgënjehej. Dhe vetëm kjo poezi i erdhi në mendje: “Qiellnave, muzë e muzgut/ tuj i kundrue stinët e lumnueme n’hambar!/ të gjeta n’loçkë t’Dostit/ aty ku notoje, si flutura n’behar”… E ftohtë, e zhytur në një errësirë të zymtë; pastaj zinte e afrohej përsëri, kalonte përpara urës, Therandës, shatërvanit, kthente cepin e galerisë, kuturiste deri tek galeria, vdiste, ngjallej, jetonte dhe këndonte pa pra!

    Kjo mbrëmje e bëri Fjollën që të fitonte të gjithë respektin njerëzor për vetveten.

    U ngul edhe Prizreni, së bashku me zotërinë biond, të gjatë, ardhur dhe dënuar nga Beogradi, Fahri Musliu, autor i librit “Odiseu i Kosovës” – Bekim Fehmiu – mu përpara shtëpisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke këmbyer të dy një vështrim përulësie vëllazërore, në të cilën ishte përzier edhe një nuancë mosbesimi, pasi të dy dyshonin në një rivalitet të mundshëm me njëri-tjetrin. Disa pjesëmarrës festivë, miq të Prizrenit, gjatë antraktit, i shtynin, por as njëri e as tjetri nuk guxonte të ankohej.

    Tri vajza të bukura tej mase, me flokë të kërleshur dhe me veshje flladi ere, erdhën dhe u ulën te pragu, kafshonin mollë, duke anëshkruar një buzëqeshje të paparë; pa ulur kokën, duke qëndruar sfidante me erën e freskët mbrëmësore në paturpësinë e syve të tyre dhe nën emocionin e fjalëve që frymonin, spërkatur me të qeshurat dhe të bëra tërë fisnikëri nga një fllad tjetër femëror që buiste prej lumit. Ato mund të ishin edhe figurantet e mbrëmjes sonë, të cilat ishin duke marrë një mahni të pabesueshme, u trembën ca kur e kuptuan se kush qenë; duke qëndruar aty pa lëvizur, me një pamje të ngrirë dhe serioze si ajo e atyre klakerëve që befasohen nga zonjat e tyre, që i sheh befasisht duke u sjellë aq natyrshëm dhe bukur.

    Zotëria shtatlartë dhe biond, Fahri Musliu, kishte bërë mënjanë, i qetësuar dhe i trishtuar, njëkohësisht për ne dhe për librin e tij kushtuar aktorit të madh, Bekim Fehmiut!

    Pas kësaj, ata u nisën e ikën me ngadalë, duke pëshpëritur vargjet e Fjolla Spancës prej Mitrovice dhe që e ndan jetën me Tiranën. “Ma mbaj dorën Hanë/ se tutna që rrxohem/ prej Dritës së Tij/. Ma mbaj dorën Hanë/ se Vet m’ke thanë/ që jetime s’ki me m’lanë!…” Dhe nuk di m’u bë se uli kryet para Fjollës dhe u bashkua në lojën e flladit të lumit me një elegancë ndryshe.

    Roland Spahiu, regjisor, autori i romanit të tij protestë, një shkrim ndryshe, që tashmë po përkthehet për t’u botuar në Turqi, kish përgatitur që më parë pyetje për të sqaruar ankthin e tij në lidhje me krijimin, që tashmë as që i shkonte në mendje kjo gjë. Përkundrazi, ishte ankthi ai që, me një zë të ulët e të shpejtë, nis të tregonte një histori.

    – Ndonjë gjë e rëndësishme? – pyeste Rolandi, që kërkonte të dinte ç’mendoja unë për të. 

    E kuptoi menjëherë se ndjesia e ngrohtë që i vinte nga krahu im, mbështetur fort te krahu i tij, e linte pa pikë fuqie. Ai nuk ndiente më as mëri, as zemërim për pritjen e tij të gjatë, e vetmja gjë që e kishte kapërthyer ishte dëshira që ta vështronin, ishte padurimi që ta shtrëngonin, i magjepsur në botën e letërsisë dhe në poezinë e Fjollës. Një talent po rritet.

    Të nesërmen, ai do të përpiqej që të mësonte se përse dukej gjithmonë hezitues, edhe sheshit që u bë pre e një ankthi të fshehtë që e brengos njeriun, i cili kërkon të fitojë terrenin e humbur e të zbatojë planin e tij të veprimit.  

    Kujtdo do t’i vinte keq që ai të shkonte më tej, duke ngulur këmbë më shumë për librin tim të ri, botuar nga Onufri, “Endem nëpër re me tim bir”, një përsiatje si një roman. Në një çast, ai pati një lloj xhindosje sikur e ndien që është i kapur në kurth, por që, megjithatë, i duhet të hiqet i ëmbël, sikur s’ka ndodhur gjë. Në fund fare, dorëzohet nga pyetjet e Ditar Kabashit, që ngulmon të arrijë në synimet e tij dhe të bashkësisë letrare të Prizrenit, por zgjodhi që të fitonte kohë; sikur ta hiqte qafe librin andej nga mesnata, ku gjithçka do të shkonte për bukuri, luginës së Lumbardhit, nën bukuritë madhështore të hijeve të natës dhe lojës së dritave të mekura që i derdheshin tërë bujari natyrës… 

    *

    Hijeshia e natës prizrenase të emociononte. Njerëz. Shumë njerëz. Të qeshur. Të këndshëm. Ardhur nga larg me siguri. Ata e adhuronin shëtitjen në Prizren, kjo ishte një pasion i mbetur që nga rinia e tyre e hershme. Sa herë kalonin përpara vitrinave, edhe tani, ata nuk dinin të shkëputeshin dot prej tyre, si në kohën kur tërhiqnin zvarrë mërzinë, duke u harruar përpara ujit të kristaltë dhe ëmbëlsisë së buzëqeshjeve, duke dëgjuar tek luante një sharki në shitoren aty pranë, po edhe rrëmbyer sidomos prej mendimeve që jepeshin çuditërisht gratis.

    Mirëpo këtë mbrëmje ata, njerëzit, ishin tepër të tronditur, vështronin gjithandej por pa e pasur mendjen aty. Kjo të jepte mërzi, në fund të fundit, dhe ata, njerëzit që shëtisnin deri vonë nën ethet e famshme që shkaktonte freskia e lumit, duke besuar se shkaku qëndronte tek fakti që ndiheshin të lirë, dhe, nën një revoltë të heshtur, për të ngjizur dëshirën e tërbuar për të bërë ndonjë gjë të pakëndshme, të marrë, madje. Paradhënie e bukur kur je i/e dashuruar me poezitë e Prizrenit, të Lumbardhit e të Sharrit! Vura re se mes atyre njerëzve ishin edhe librat e mi të rinj, që nga “Shtëpia e vallëzimit” deri tak “Tala” si jehonë e luftës çlirimtare e Kosovës. Ndërsa burrat hijerëndë të Lidhjes së Prizrenit më shikonin duke mbajtur buzën në gaz.

    Prizren, më 27 korrik 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË