«Nuk ka sy më pa kuptim dhe trup më pa kuptim s’ka
Se syri yt, se trupi yt; ndaj ato janë veç çmenduri
Dhe çmendurisht të humbas, pse gjuhë e çmendur ra?…» Poeti.
– Unë e kuptoj, kjo është një mënyrë balance. (S’ka të bëjë me Andi Balancën fare!) Po ku e gjeti pikërisht tani që mundësitë për të fituar janë të jashtëzakonshme? Vërtet kjo është krizë për ata që kanë frerët, po për ne që punojmë dhe fitojmë, është një minierë ari e vërtetë. Zotëri gjithçka po rrënohet, ashtu duket, sepse kështu duam ne, që t’u bjerë vlera dhe atëherë kur vlera t’ju shkojë gati në zero, ne t’i blejmë me një çmim qesharak. Janë aksione të qeverisë! A do ta bëjmë ne energjizimin diellor të vendit? Po. Pse, si vihen milionat, zotëri, si ngrihen rrokaqiejt, urat, rrugët, që ju shikoni përditë, me grumbullimin e parasë në pak duar?
– Jo, – iu përgjigj Gjoni. – Ti pretendon se je një prej atyre duarve të shkathëta. Por zoti s’do t’ia dijë, do të marrë… Pastaj, a mund të më thuash sesi ka vërshuar paraja e pistë që vjen nga droga dhe mafia?
– Të gjitha duhen vlerësuar, thashë unë.
– Kjo është e padrejtë, Hito. Megjithatë vdekja është një zbulim. Për herë të parë ndjej një padrejtësi, se ne s’pësojmë në kurrizin tonë, por krijojmë padrejtësi! S’kam ç’t’i bëj se ajo është hyjnore, më e fortë se unë.
Pronari i madh rrinte dhe shikonte me sy të mekur, por gjithnjë tallës dhe i rrethuar nga një buzëqeshje si zgërdhimë, i tmerruar.
– Eh, vdekja, po m’i lë punët në mes! Por është një zbulim. Për herë të parë po më bëjnë përshtypje gjëra që s’më kanë interesuar kurrë. Dhe kur më ndodhi kjo? Pikërisht në kohën që po mendoja se edhe jeta e tjetrit duhet kursyer.
Këtu e ndërpreu. U duk sikur i ngeci diçka në fyt. Se kjo lloj e mbyture do të kishte shpenzime të mëdha. Ajo e tija, do të thoshin më vonë, vjen prej sferave të artit, harxhon pa masë, shpesh shfaq interesa të huaja për ne të orbitës së tij, por është shumë mbresëlënëse. Vdekje mbresëlënëse! Prej saj kuptoj se edhe bukuria e ka një haraç të madh.
Askush s’mund të mos mendonte se ky njeri që po vdiste, nuk dorëzohej. Madje atij i vinte gjithçka ngaqë s’jetonte dot vetëm! Por askush nga ata që qenë mbledhur aty mendonin se kjo qe lodër e stisur. Ndoshta shqisat e tij kishin gjetur ose stisur një gjë të paqenë, për ta hedhur në treg dhe të dilte nga lumi pa lagur. Ec e mos beso po deshe. Jo, ai s’qe në prag të vdekjes! Por s’ia dilnin dot. Qenë kapur mat? E cili mund ta besonte?
– Mos më lini të iki me brengë! – belbëzoi Beba, pronari i madh. – Ku e kishim fjalën? Po… energjizimi diellor. Ju s’e besoni. Mirë, është e drejta juaj, por s’është kurth si thotë gazetari Gjon.
Njeriu që dukej se po i dorëzohej vdekjes lëpiu buzën e poshtme.
– Pak ujë!
I dhanë pak ujë. Ishte një vajzë e dobët, po me tipare jashtëzakonisht tërheqëse. Po të qe Zaka aty do ta këshillonte të mos binte aq në sy. Ishte një zakon i saj për vajzat, edhe po të qenë të panjohura me të. S’dihej nëse i qe ngjitur nga ato që shikonte dhe as dëgjonte rreth vetes, apo se bëhej menjëherë një ndjenjë krejt miqësore.
– Ky është investim i qeverisë, apo monopoli yt, zotëri Bebë? Thuaje hapur. Ku është sekreti, ku fle lepuri?
– Unë shikoj gjithçka të mbushur me djersë por nuk më ngjajnë si kuajt, me gojët plot shkumë prej udhëve të gjata, por ja që shikoj muskujt e vrazhdë të inatit njerëzor që shtrëngohen kaq shumë rreth meje. Unë mbuloj shpenzime të strëngura, gati për t’u ronitur, rrota makinash që vetëm rrotullohen, erën brisk të acarit, kapitjen, rraskapitjen munduese të njeriut të punës dhe nuk e di pse ndiej zili që këtë botë e njihja vetëm nga pasoja e saj, paraja që del prej gjithë kësaj batërdie.
Gjoni qeshi fort. I ndëkryer. I mërzitur.
– Qeveria, nëse e ka sinqerisht të ndihmojë qytetarët e vendit, e shpall të gjithë këtë të quajturin «energjizim diellor» një aksion kombëtar, vë në lëvizje bankat, merr përsipër përqindjet shtesë dhe lë hapur një afat dhjetëvjeçar për të mbyllur këtë lëvizje kreditore. Mos harroni se brenda gjashtë muajsh fillon prodhimi dhe çdo shtëpi në pallate dhe në mënyrë të mobilizuar në vende jo prodhuese, me pamje nga jugu – natyrisht, ndërtohen parqe me panele diellore. Ndaj edhe më tej batërdi do të bëhej, nëse paraja shtohej e shtohej, në duart e një monopoli ku janë edhe duart e qeverisë! Prandaj janë shpikur krizat, për hir të parasë! Por të parasë së përqendruar në një dorë, ku qeveria e ka të lehtë për të qenë pjesë e padukshme e përfitimit privat.
– E ke gabim, zotëri! – rënkoi Beba. – Por tani më mundon ti, që rron, megjithatë, dhe je kaq i ri, i fortë, si një sfinks. Unë kam paranë, ti ke fuqinë dhe djalërinë. Unë kam sëmundjen e pashërueshme, ti ke mundimin e punës së përditshme për bukën e gojës, por ama, di të qeshësh e të jesh i pranueshëm, ndonëse me pamje indiferenti… Por a mund të pyes, djalosh, a rrohet me pak gjë? Jo, kurrsesi. Sigurinë, epërsinë, pushtetin, kënaqësinë e plotë ta jep vetëm paraja. E unë atë e zotëroj. Qeveria pa mua ka çelësat e kashtës. Në arkat qeveritare thyen kokën miu! Sepse prej parasë të hapen të gjithë dyert dhe njerëzit të bëjnë temena. Je i njohur, flasin për ty, kaq a nuk është kjo shija e vërtetë për të jetuar? Ja… Të kanë interesuar paratë?
– Aq sa të më mjaftojnë për të jetuar normalisht…
– E di, kështu thonë të gjithë.
– Ti, djalosh, nuk e bën gjithë këtë gurgule pse do vërtet të zgjidhësh çështje të mëdha…
– Makutëria është e tmerrshme. Ju s’doni të ndihmoni, se nuk jini krijuar për këtë qëllim. Ju doni të rrisni skajshëm pasuritë tuaja, duke shtirë në dorë këtë ofertë qeveritare të kamufluar, për të qenë me pasuri të njohur botërisht, edhe pse ne jemi një vend kaq i vogël. E gjitha kjo duhet ndërprerë. Dhe, madje, menjëherë!
Gjonit i qe ravijëzuar një vijë e bardhë rreth buzëve, të cilat i fshiu me facoletë. Kjo ishte një shenjë proteste.
– E ke gabim! Në fund të fundit kush përfiton? A nuk i mbetet qytetarit ajo që ndërtohet?
– Jo! – ndërhyri tërë energji Gjoni. – Ajo që po ndodh ësh-të skllavëri e kulluar, por e re. Kërkohet që kreditë që do t’u jepen qytetarëve, fshehur pas humanizmit tuaj për të qenë garant i kredive të tyre për të ndërtuar sistemet solare në mjediset e pallatit, në vende të zbrazëta, në faqe muri jugore, apo edhe në tarraca, të shlyhen si kredi, por pa të drejtë pronësie, veç të jenë të bankës dhe shtetit. E gjitha është me të futur! Sistemi bankar bën marrëveshje me shtetin drejtpërdrejt, si aksion shtetëror, ngarkon qytetarin si pronar direkt dhe jo me ndërmjetës privat. Se prej këtij ndërmjetësimi privat, e ka burimin korrupsioni qeveritar, babëzia juaj për të ngritur një sferë kaq të madhe përfitimi, saqë nuk imagjinohet. Apo jo, zotëri?
– S’jam dhe s’dua të jem rob, as i parasë, as i ndonjë gjëje tjetër gjëje, që ju e shpikni me lezet, por edhe as i vetes. Unë do të jem thjesht garant!
– Juve, do të jini vetëm garant? E çuditshme! Ku i ka rrënjët ky humanizëm kaq i madh? Asgjëkund, përveçse te një përfitim gjigant. Ju indirekt merrni përsipër përqindjet lehtësuese të bankës, ndërsa paratë do t’i paguajnë qytetarët, pa marrë në fund të drejtën e pronësisë. E kini kamufluar shumë bukur!
Gjoni ishte jashtëzakonisht i kthjellët. Ndërsa Beba u mek. Mbeti ngushtë. Kështu vijoi derisa zbardhi.
Pas tri ditëve, kur shkova me Gjonin përsëri, për të ndjekur projektin, dikush më thirri lart. Qëndronte në këmbë në ballkon dhe vështronte larg një tufë me pëllumba që fluturonin ulët dhe lëshonin vigma. S’kisha parë burrë më elegant, aq të hajthëm, të gjatë, më flokë të shkurtër, me një fytyrë të rrumbullt, mollëza të dala, me dy sy të mëdhenj kafe me bisht, buzë të mbushura të kuqe të ndezur, pak të hapura, mbante veshur një palë pantallona xhins dhe një bluzë që fryhej lart te gjoksi i dalë përpara.
– Zotëri Hito, më ka folur për ju, zotëri Beba. Do të punojmë bashkë… Ju pëlqen aktrimi?
– Shumë, i thashë, i shoh me qejf filmat. Sidomos filmat amerikanë.
– Ju mund të bëheni aktor. Më pëlqeni mjaft, sidomos zëri juaj, një bas i fuqishëm dhe plastika e fytyrës. Fenomenale!
Ne mund të shkojmë në Qendrën e Filmit turk, një industri e vërtetë. Edhe shohim një film dhe bëjmë një kinoprovë… Keni ngrënë?
– Diçka, rrugës.
– Mirë, atëherë, nisemi.
Makina e zotërisë ishte fringo e re që ta copëtonte zemrën. Një makinë të tillë të kisha!
– Kjo është makina jote Hito! Dhuratë e zotëri Bebës… E ke me emër e mbiemër, me bar-kod dhe me gjithë treguesit e integritetit tënd. I gjetëm lehtësisht.
– Sa kushtoi?
– Nuk e di. Unë nuk merrem me këto vogëlsira. Por besoj se duhet të jetë rreth pesëdhjetëmijë dollarë. Është prodhim i fundit, makinë elektrike. Domethënë funksionon me bateri komplekse. Unë tani po zbres. Vazhdoni ju.
Nuk bëra zë, ndonëse ndihesha i ledhatuar në sedër. Por nga ana tjetër u ndjeva ipërdhosur, i mbushur plot me stres, mos më keq. Dhe e vendosa. Zotëria u largua nga makina, duke i lënë çelësat në vendin e tyre në kroskot. «Kaq lirë u bleka njeriu?», pyeta veten me ngashëri. Pas kësaj u ndjeva dhe më keq. Por m’u kujtua, miku im, Aldo Driza, i njërës prej bankave më të mëdha në Tiranë. Vajta me makinën e re drejt e tek ai. E mora me vete dhe u ndalëm në ‘Tirana Internacional’. Ia shpjegova gjithçka, Ai mbronte tezën time që qytetarit dhe individit pronar. Ai ishte totalisht kundër idesë së Shoqërisë së Spektaklit. I pranoi të gjitha kushtet e mia dhe thirri një nga sekretaret e tij juriste për të marrë dokumentet e Bebës për makinën, kthimin e pagesës, duke lënë të hapur dijeninë për çmimin e origjinës, u shtuan të gjitha kontrollet teknike, zhdoganimi, pagesat e tjera të dorës së dytë, leja e qarkullimit dhe brenda një kohe të shkurtër isha bërë pronar me të drejta të plota, me kredi bankare për dhje-të vjet. Ja tek u çlirova deri në palcë, më erdhi humori në vend. Sa vajta në shtëpi Ada më vuri në dijeni se të njëjtën makinë i kishin lënë dhuratë edhe Gjonit! Atëherë shkova tek ai me një frymë dhe veprova me të njëjtën mënyrë siç bëra me veten, duke denoncuar këtë lakmi të madhe, gjera shpirtërore të larta shumë, që askush i një shtrese ndryshe s’i kuptonte. Gjoni rrinte i menduar, shijonte pa masë, lodhej e rraskapitej, dhe për çfarë, për një palë që mendon ndryshe, që vjen pak si shtrembër me politikën grabitqare, madje edhe për një film që e mërziste, për një mexosoprano që ia sillte te hundët, pra për gjëra boshe. Por ishte kaq i sjellshëm, sa zëre se s’ekzistonte. Flisnim shumë pak. Lëshohej kur ndalonim e zhdukej sakaq lart në ajër… S’kishte më fermë, dyqane, erë, shi, dëborë, lodhje fizike, por një dërrmim e zvetënim vaniteti. Por gjithmonë në raste të tilla ka dhe të papritura… Sapo erdhi fletëthirrja e Ali Hëk!-ut për të nesërmen në orën tetë në Drejtorinë e Policisë. Një denoncim për dy makinat elektrike nga Gjon Garria dhe Hito Braka…
– Më ka ardhur një fletëthirrje në WhatsApp për në Drejtorinë e këtushme të Policisë, – më vuri në dijeni Gjoni në celular.
– Pa problem, mik! S’është e lehtë të jesh pranë perëndive blu.
– E di, ta kam thënë dhe herë tjetër, se prej andej fillojnë nisjet, po asgjë s’ka të bëjë me perënditë! Me dollarin po…
– Me shpejtësinë e zërit iu përgjigje.
– Unë sërish mendohem, megjithatë ato s’e dinë të vërtetën.
– A do t’na shoqërojë dot Ali Hëk!-u, të shkojmë atje për të parë vilat e plazhet, një pasuri ndryshe nga ajo që ka qenë…
– Unë shoh ato që kanë humbur, sepse duhet të ngrihet Gjykata Evropiane kundër Korrupsionit dhe Padrejtësisë, që natyrisht na përfshin edhe ne.
– Ne do të shkojmë atje, për të mbledhur varfërinë dhe trishtimet e popullit tim.
– Ti je i madh!
– Ndërkohë ki kujdes Gjon. Ata duhet ta kenë kuptuar hilen. Mos u hiq indiferent.
– Trembesh për mua, kur je vetë në rrezik!
– Po Gjon, ne ndryshojmë vetëm nga gratë, ti ke grua Zakën, kurse unë Adën…
– Tek ty vihet nga qielli, kurse tek unë nga toka, – vuri në dukje Gjoni.
– Ka ardhur koha të nisem për atje.
Të nesërmen mora vesh gjithë ç’kishte ndodhur me Gjonin e sakatuar nga rrahja makabre e policisë dhe hedhur në sheshin qendror të qytetit… Ngjethja nuk m’u largua për një kohë shumë të gjatë…
Tiranë, më 07.02.2025