More
    KreuOpinionXhevair Lleshi: Bookland librari - të trondit me novatorizmin e saj

    Xhevair Lleshi: Bookland librari – të trondit me novatorizmin e saj

    Bookland. Një mbretëri më vete… Po të mos kisha qenë për orë të tëra në atë Librari s’do ta kisha shkruar këtë refleksion. Dhe pse jo një ese, apo reportazh? Përgjigjja është e thjeshtë: u futëm ‘në të thella’ për shkak të gjëmës që i ka rënë në kokë librit. Po pse po i shihja edhe të tjerët, gjithnjë me pamjen indiferente po edhe krenare mbi hapësirën e gjerë të librarisë, duke zotëruar një mahnitje që i përfytyroja si mendime të paarrira. Këtë mundësi ta krijon vetëm një hapësirë libri si kjo ku jam! Librarja është e emocionuar, teksa e sheh mes librave për të gjitha moshat dhe interesat, nganjëherë të thotë mendja se ato janë ngurtësuar në mermer, madje i përfytyron me trupa të lartë e të drejtë, shoqëruar me pamjen e qeshur (do të ishte ideal një përfytyrim i tillë muzeal për librin, por ky nuk është muze!), prandaj bindesh se qenka më frymëzuese të shkosh drejt të panjohurës, të paktën për të mos iu larguar ëndërrimit tënd…

    Megjithatë, të shumtat e bisedave me të i kemi bërë tek salla e madhe e Librarisë Bookland, e cila është e veshur me libra, vendosur gjithë kulturë, në një çrregullim aestetik tërë zbukurimore prej lashtësisë, çka ta bën vetvetiu të afërt gjithçka. Aty edhe mund të habitesh me njohuritë e saj për letërsinë, e cila sikur e bën më të afërt me dëshirën dhe ëndërrimin e gdhendur në fytyrë e portret dhe të gjitha këto e veshin me një lloj novatorizmi që duket i pranishëm me ty, me një poetikë të ndritshme…

    Këtu në librari, nuk e di sesi, mendova se ç’nder i bën kombit, historisë dhe gjuhës shqipe ai që investon kulturë! Një librari të madhe, të imponon tjetër kulturë, i jep personalitet kulturës kombëtare, pasi mundohet t’i dhurojë frymë kësaj pjese të qenësishme të jetës tërë kompetencë e klas, për gjithë zbulimet e bëra (se me librin zbulon gjithnjë botë të reja!) dhe me guximin që t’i përplaset padyshim si gjëra krejt të veçanta, me një novatorizëm të jashtëzakonshëm, në radhë të parë sepse kjo gjë bie në sy. Disa edhe nuk arrijnë ta kuptojnë këtë përplasje kokëforte të kulturës, por harrojnë se, të zotëroje universin e një njeriu të ditur e të kulturuar dhe pastaj të shkelje në shtigjet e udhëzuara prej librit, do të ishe me vite dritë larg të tjerëve. Shtoju këtyre edhe një foto të Kadaresë, e Migjenit, Lasgush Poradecit, po edhe të Skënder Luarasit – një nga korifenjtë e përkthimit shqiptar – gjaku të buron me shkulma, sepse të vjen mirë dhe kjo do krijonte një arkipelag dijeje të rregulluar me magji e dashuri. Në këto kushte jemi sot, them, duke biseduar me Ridën, gjithnjë e shoqëruar me hijen e një gjetjeje fantastike, duke krijuar tjetër atmosferë në Librari. Se ç’kishin bërë të tjerët deri më sot? Kishin hapur librari, biblioteka, kishin qëmtuar prej librave edhe gjërat më të imta (dhe kjo ishte lufta që bënin në frontin e tyre, ishte detyra e ngarkuar!), kurse te Librari Bookland, gëlon nga zërat e vjetër (po edhe të rinj) që e nxitnin të personalizuar me plot durim të skajshëm duke i dhënë magjishëm një frymë të re dhe me ndjenjë e elegancë të përsosur. Rrallë, shumë rrallë qëllon të jetë kështu…

    Ndërkohë ujërat i trazon zilia. Pikërisht ajo është në gjendje të hapë një front lufte të papërballueshëm, por Rida, zotëron shumë intuitë, të cilën njeriu o e ka, o s’e ka. Dhe atëherë përbiron me aftësinë e shenjtëruar në përballjen gjigante me autenticitetin, me gjërat e mëdha (se ajo është e prerë për t’i bërë ato), duke hyrë në luftë dhe duke dalë prej saj edhe më e fortë, e prerë në të gjitha gjërat që kumton. Talent, ja ç’është! Edhe kur e mendojnë që do të “mbytej” në punët e mëdha të revistës Living, po edhe me botimet energjike Living, edhe kur e ngrenë në qiell, talenti gjithnjë ka një parzmore tjetër përpos asaj që duket, jo thjesht për t’u mbrojtur, as për t’u dukur, por që tek Rida e Livingut vinte si një shqisë plus. Epo këtë mund ta kërkosh sa të duash me qiri, por nuk e gjen dot kurrë! Ajo është aq e thjeshtë, saqë të shoqëron në çdo hap, por ja që ti (natyrisht vetëm ti) nuk e sheh dot se të mungon pikërisht kjo shqisë. Ridën e shoqëron ajo gjë që i thadron kuptim veprës së saj, pasi kurdoherë e mat veten me punën vitale dhe plot hijeshi të librit, në një librari të madhe dhe kaq elegante, që është (ashtu ka për të qenë gjithnjë), një vrapim i largësive të mëdha. Ç’fat po edhe ç’punë i duhet, që personalitetin e saj t’ia japë krejt librit!

     Kureshtje, polemika, debate, në libraritë dhe bibliotekat e munguara, të cilat ende (shumica) flenë nën dhé. Dhe çfarë gjumi! E pse jo? A nuk duhet që një vend kaq i vogël si ky yni, të mendojë ditë e natë për vazhdimësinë? Po atëherë, në një mënyrë cinike të bësh gjumin e madh dhe t’i mbyllësh sytë përpara dy fakteve jo të zakonshme: trashëgimia kulturore që vjen nga lashtësia (arkeologjia, folklori, etnografia…) dhe gjuha shqipe, letërsia shqipe, shkrimtarët shqiptarë, përkthyesit e mëdhenj të fjalës shqipe. A nuk e shihni se kjo gjuhë bashkë me institucionet e librit po vdesin? Gjuha shqipe, sepse kështu si po ndodh, largimet masive të bashkëpatriotëve tanë, të fëmijëve tanë!, me fondet e pa krijuara dhe as të imagjinuara të përhapjes dhe të mësimit të saj, kudo në botë ku ka shqiptarë, si një dorë e ngrohtë e qeverive tona në ndihmë të përsosjes së të qenit njeri dhe shqiptar, përhapjes masive të bibliotekave të kudondodhura, po edhe të pranisë së trashëgimisë së gjetur kudo. Sa mirë do të qe! Shkollat i kemi dhe ato i përkasin komunitetit ku janë, por kërkesa për të pasur në to gjithçka shqiptare, është e detyrueshme, krahas me paketën e mbrojtjes së gjuhës shqipe, të librave shqip kudo në botë, në çdo familje shqiptare… Mos i quaj kurrë të tepërta këto! E para dhe e fundit është libri dhe një bibliotekë që nuk humbet kurrë kur është në një shkollë. Pra, ideja ime është: shkolla shqipe e ka të detyrueshme të ketë muzeun, bibliotekën fizike dhe atë elektronike, duke i qasur në një trung zhvillimor. Ndërkaq ai të thotë se karakteri yt duhet të bëhet një me atë që krijon. Se në këtë mënyrë i jep shumë fisnikëri kombit tënd, i jep dritë asaj që bën. Në këtë realitet Rida hedh sytë me guxim drejt të ardhmes së librit fizik dhe elektronik, vënies në punë të teknologjisë, të telefonit. Libri duhet të jetë i pranishëm te çdo telefon celular, si një program më vete. Po edhe në grupet mediatike, në portale, televizione…

     Kultura jonë, mbështetur në trashëgiminë e saj ekspresive, të gjallë dhe mjaft aktive, ndjell shumë kureshtarë. Prandaj, or mik, duke qenë në zgrip është mirë të kapemi pas ndonjë rrënje apo guri dhe të gjejmë fondet e duhura nëpërmjet parave që shteti duhet t’i kursejë po edhe t’i planifikojë në dobi të bibliotekave, muzeumeve dhe ekspozitave të artit në të gjitha shkollat shqipe, kudo që janë, edhe në botë. Kjo është domosdoshmëri ekzistence, prani kulture dhe rrezatim kombëtar. E kemi ende gjallë, ndonëse në grahmat e fundit. Ta duam sa të kemi dëshirë kur të mos jetë, aha, ka ikur vapa me gushtin! Jo ligj sponsorizimi të vësh po edhe në përrallë ta kthesh, ajo është e destinuar të vdesë! Dhe ty të rruat shteti, pavarësia, po edhe çfarëdo tjetër si fasadë, por ama pjesën tënde më të qenësishme nuk e ke më! Dhe detyrimisht brezat që vijnë do t’na mallkojnë!…

    Po si mund të arrihet e gjithë kjo ngrehinë? Thjesht, duke u kujdesur. S’ka nevojë të ngresh monumente të reja, ruaji të vjetrat dhe ato sajojnë të rejat me fytyrën e tyre, me statujat, veglat e punës, veshmbathjen, bibliotekat, ekspozitat, historinë që nuk vdes kurrë. Ne nuk e kishim dhe u arrit të jetë e pranishme! Fitore e pallogaritshme. Tani që e patëm edhe ende e kemi (ndonëse në zgrip të madh) nuk dimë si të bëjmë me të! Nuk dimë sepse në plan të parë kemi vënë pasurimin tonë. Fundja Bookland Librari që kemi para syve nuk do të flejë më nën strukturat burokratike të Ministrisë së Kulturës, por do të zgjohet dhe me dhjetëra librari të tjera, kudo, me shqiptarë të shkolluar edhe sot e kësaj dite në Perëndim nuk kanë pse të lajnë enët andej-këtej, por të tregojnë se janë tonat dhe se nën dhé tek ne flitet shqip, të paktën të çojnë më tej atë që bëmë ne deri tani. Se shembullin negativ e kemi gjallë: Veprën e madhe të rilindësve të vërtetë e groposën para syve tanë të rinjtë me të njëjtin emër!

    Nuk ka nevojë të shpallim mite sot për gjuhën shqipe, për librin shqip, qoftë edhe pa e zënë ngoje këtë, se, thjesht, po s’pati shqiptarë në këto troje, gjuha shqipe do kthehet se s’bën në monument kulture “të mbrojtur nga shteti”! Le të themi pastaj, sa të duam e ç’të duam, është gjë pa vlerë – edhe duke e kërkuar nën dhé – prapë ka për të qenë punë boshe. Kurse, ndërkohë, të gjitha shumëzohen me zero! Prandaj e dua këtë skaj të botës shqiptare, librarinë tonë Bookland, po edhe Bibliotekën e Re Evropiane për Fëmijë, ende të ngritur në përfytyrimin tonë! Fundja, a nuk duhet të ëndërrojmë?…

    Megjithatë do të ishte bukur sikur të ngacmoheshin nga pak këto mite. Do të ndienim aromën e vjetër, një amë krejt e veçantë që ta sjell edhe më pranë atë që do. E të gjitha këto që them duan mençuri dhe kjo le të jetë edhe intuitë, paramendim, shkathtësi… E shoh me ngulm dhe botuesja plot personalitet i përkëdhel. Edhe përkëdhelia e librave është e bukur. Dhe kjo padyshim ngjan me fjalën…

    Ja, pse s’i vete mendja askujt që ta ringrejë një bibliotekë shkolle dhe komuniteti në ndërtesën shkollore!? Çdo burokrat këtë e quan një përrallë nga e kaluara. Sepse nuk është aq e lehtë të hysh në botën e librit. Nëpërmjet librit, tek e fundit, njohim zhvillime, kulturë, intimitet, art, dashuri. Kështu, duke bartur brenda vetes frymën e lartë të kulturës, jashtë botës sonë të zakonshme, duke e kthyer çdo libër të lexuar, në karakter, personalitet… Pikërisht kjo të jep kurajë për të qëndruar fort si legjendë e së nesërmes, ndërsa hyn dhe, pasi përshëndet, ligjëron me madhështinë e dijes, ashtu siç ndodh rëndom, pa ndierë fare krenari. E duan këtë librari, pëshpëritin për të, e shajnë me zë te ulët (sepse kjo e uruar duket kaq elegante, po edhe mjaft krenare!), nuk e durojnë, saqë shpifin për të… Pastaj e ledhatojnë me sy, e pëlqejnë. Se Libraria Bookland është sfidante pa dashje, por ama rrezaton energji pozitive.

    Ndryshe nga të tjerët, mes këtyre librave ndihesh si bashkëbisedues, ndonëse nga larg duket sikur kanë pamje të paafrueshme, të ftohtë. Pa vajtur ende te buzëqeshja e tyre. Se në buzëqeshjen njerëzve, përtej asaj maske libri ndihet një ndjenjë aristokratike, e lirë, e gdhendur, e dhënë, lirike, e dëshiruar, pse jo edhe për një grimë pritës i një urimi. Aventurë? Po edhe aventurë! E do këtë libri. “Kemi ende shumë gjëra pa bërë. Të gjitha i kam nisur por nuk e di… Ah! Edhe mëdyshem. Sepse dua të kundërshtoj fort. Edhe një libër, se ka jo pak gjëra për t’i shkuar mu në dyert e të pamundurës, që të shpien tek synimi i fshehtë…” Po edhe libri vetë aludon. Qoftë ky edhe një aludim tronditës, i frikshëm, ngazëllues! Por ama është. Të gjithë pastaj presin ç’do të ndodhë. Dhe Rida nuk sprapset. Ecni pranë saj që ta shihni!

    Dhe pyesim veten me një lloj naiviteti: ç’gjejmë te kjo librari krejt e veçantë? Mos vallë, përmasën e pafundme e të rrezikshme të personalitetit? Se nuk bëhen thagma me personalitetin e librit! Mirëpo këto harrohen shpejt. Dhe pastaj… E çfarë pastaj? Mos duhen investime shtetërore? Mos duhet edhe një banesë aty rrotull për të shpëtuar veprën e madhe me emrin Libër? Mu për këtë, librarinë e madhe dhe moderne e shigjetojnë, por Rida e ka vendosur që gjithçka të bukur ta ketë libri i mahnitshëm i shkruar në shqip…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË