Një punim krahasimtar mes tregimit të E.Koliqit dhe M.Rousia
Teksa përhumbesha në një antologji me tregime qipriote, ndesha në një autore të panjohur. Tregimi i saj kishte ngjashmëri të mëdha me tregimin e Ernest Koliqit, “Nusja e mrekullueshme”. Ç’është e vërteta nuk ka ndonjë gjë të pazakontë në lëvrimin e motiveve të ngjashme, që motive të njëjta të gjejnë vend në librat e autorëve të ndryshëm. Sigurisht, çdo shkrimtar ka stilin, veçantinë dhe mënyrën e tij se si e trajton një tematikë. Edhe pse motivi mund të jetë universal, janë rrëfimi, forma se si ndërtohet ngjarja, personazhet, dialogjet që e bëjnë unik një tregim.
Por para se të ndalemi tek analiza e dy tregimeve në fjalë (Nusja e mrekullueshme¹, Ernest Koliqi) dhe (Kur shtojzorreshta vdiq,² Maria Rousia) do të japim shkurtimisht disa të dhëna për autoren qipriote (për Koliqin nuk e shohim të nevojshme pasi është mjaft i njohur nga lexuesit) duke qenë se është pak e njohur dhe besojmë se ka nevojë për një hyrje.
Maria Rousia
Lindi në Kajro më 1894 nga prindër me origjinë qipriote. Një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Italinë e Veriut. Më pas u vendos në Aleksandri ku kaloi pjesën tjetër të jetës. Botoi tregime, novela publicistikë. Publikoi artikuj në një gazetë në Aleksandri të quajtur “Tahidromos” mbi çështjet sociale. Ajo shkroi artikuj mbi vendin e grave në shoqëri, mbi edukimin si dhe analiza letrare.
Mori pjesë si infermiere vullnetare në Luftën e Dytë Botërore, në armatën greke, në Lindjen e Mesme. Shkroi letra frymëzuese që i dërgoheshin ushtarëve që luftonin në front. Disa letra të tjera u publikuan nën titullin “Motër e ushtarit”. Mes viteve 1939 dhe 1956 bashkëpunoi me revistën “Letërsia qipriote” në të cilën publikoi 26 histori.
Thënë këto nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ndalemi në analizën e dy tregimeve. Motivi i shtojzovalles, motiv i përdorur gjerësisht në letërsi, duket se bën pjesë në kategorinë e motiveve universale. Shtojzovallet nuk janë pjesë vetëm e maleve tona hijerënda. Por le ta shohim më konkretisht se si ky motiv gjen vend në prozën e Koliqit dhe të Rousias.
Të përbashkëtat mes dy tregimeve:
– Po ja nisim me rrëfimin duke qenë se është gjeneza e një krijimi. Si Koliqi ashtu edhe Rousia kanë zgjedhur ta rrëfejnë ngjarjen në vetën e tretë. E kjo, si për të treguar se kur vjen fjala tek mitet, ato kalojnë gojarisht dhe nuk dihet kush është rrëfyesi fillestar.
– Personazhi kryesor në të dyja tregimet është një djalë. Koliqi ka zgjedhur Lekë Binakun, i cili kur ishte 15 vjeçar dilte në mal për të kullotur dhitë. Rousia, po ashtu ka si personazh kryesor një djalë 15 vjeçar, Jorgjin, i cili ngre çarqe e kurthe për zogjtë. Historia e dy personazheve fillon kur ata janë ende tepër të rinj, mustaqepadirsur. Ndoshta sepse ishte më e lehtë që djelmoshat të “binin” pre e perrive duke qenë të parritur, të pa mësuar, të njomë. Si Leka ashtu edhe Jorgji ndeshen me shtojzovallet gjatë kohës që ata ndodhen në natyrë duke gjuajtur. Kjo shkakton tek djemtë frikë, habi. Të ndodhur në rrethana të pazakonta, ata e përjetojnë thuajse njëlloj ndjesinë e takimit me shtojzovallet.
Përshkrimi i shtojzovalles
Një ngjashmëri e dukshme mes dy tregimeve është përshkrimi i shtojzovalleve. Në mitologjinë tonë, shtojzovallet janë vasha shumë të bukura, të pajisura me fuqi të mbinatyrshme, që rrojnë në bjeshkë e pyje dhe e kalojnë kohën me këngë e valle. Nëse do ti referohemi përshkrimit të mësipërm do të duhej konsideruar fat i bardhë takimi me një shtojzovalle. Por nga përfundimet e dy tregimeve, nuk rezulton kështu.
Ja si e përshkruan Koliqi shtojzovallen:
“Doli tue kërcye një dhi e egër, për mrekulli e bardhë. Dhia e shikoi me dy sy të thellë njerëzorë: mandej kapi një shpat malit dhe u zhduk si vetëtima. Sa i kaloi habia e parë, gjuetari joshi qentë idhnueshëm, i nxiti dhe iu vu mbrapa me tanë shpejtësinë që kishte. U hodh pa frymë mbi një rudinë të ngushtë dhe e pa dhinë e bardhë kah futej në një kaçubë të madhe kaçash në lulëzim. Shtiu dy herë dhe u vërtit me pa. E, qe, nga gjethet e lulet e kësaj del, me buzë në gaz, një vashë e bukur për mrekulli, curilat e artë lëshue mbi supa të krahëve”.
Ndërsa autorja qipriote e përshkruan shtojzovallen më njerëzore. Koliqi i ka dhënë shtojzovalles së vet fuqi mbinatyrore, ajo shndërrohet në dhi, pastaj në vashë. Ndërsa Jorgji teksa i rrëfen së ëmës për perrinë që ka takuar ia përshkruan kështu:
“Nuk e di, moj nënë, ç’ishte. Vajzë nga ndonjë fshat këtupari apo shtojzovalle. E di që s’më gënjejnë sytë. Ajo ecte ngutthi para e unë e ndiqja nga pas. Këmbët erë, nuk i preknin tokë. Fytyrë hënë, ndrinte. Gërshetat thurur, deri në fund të këmbëve… Të zeza si dy gjarpërinj… Veshur në të bardha…”.
Vihet re se ka pak ndryshime mes dy shtojzovalleve përveç faktit që të dyja janë të veshura me të bardha. Ajo e Koliqit duket si bijë e diellit, flokë të verdhë, të gjata deri në supe, e bardhë. Shtojzovallja e përshkruar nga Maria është bijë e hënës, me gërsheta të gjata, të zeza. E përbashkët padiskutim që është bukuria e rrallë që shkrimtarët i kanë veshur shtojzovalleve.
Tjetërsimi i personazhit kryesor
Pas takimit me shtojzovallen si Leka edhe Jorgji ndryshojnë. Nuk janë më të njëjtit. Ky ndryshim bie në sy tek familjarët, miqtë.
“Gjint e shpisë, tue pa djalin kryekëput të ndërruem, nisën me u ba vesvesë. Leka fliste rrallë, tretëte shpesh në bisedë, kërkonte vetminë, u ikte shoqnive të vjetra”.
Edhe Jorgji pas takimit me shtojzovallen ndryshoi.
“Asaj nate mori ters dhe djali u kthye duarbosh, i verdhë meit, dridhej si lapurak. Djali, lënë e harruar në ëndrra e kujtime, i kish vënë fletë gojës dhe nuk bëzante. Sytë në terr, duart vënë kryq para gjoksit, larë në djersë”.
Natyrisht që figura më e afërt në këtë rast është nëna. Autorët kanë përdorur personazhin e nënës për të çliruar nga gjendja e shokut djemtë. Shqetësimi i nënës, më i sinqerti, vjen e kthehet në pyetje, këmbëngulje për të mësuar se çfarë shkaktoi ndryshimit e birit. Leka i rrëfen së ëmës që është martuar me një shtojzovalle. Jorgji i thotë se ka parë një shtojzovalle. Të dy personazhet rrëfehen përpara nënës pa marrë parasysh pasojat që mund të vijnë. Leka e dinte se nëse do të fliste me dikë “ndëshkimi do të ishte i rreptë dhe i shpejtë”.
Figura e priftit
Një tjetër ngjashmëri mes dy tregimeve është dhe prania e figurës së priftit. Prifi luan një rol të rëndësishëm në grigjën e tij të besimtarëve. Te “Nusja e mrekullueshme” Don Marku, ka një rol kyç gjatë rrëfimit, është ai që i tregon rrëfyesit historinë e Lekës. Edhe në tregimin e Marias, prifti zë vend të rëndësishëm. Besimi se duke iu kushtuar Perëndisë, e keqja do të kalonte ishte tejet i fortë. Nëna e Jorgjit i qan hallin igumenit plak dhe ai e këshillon se çfarë duhet të bëjë:
“Ngujoe djalin në Manastirin e Shën Mërisë. Shën Mëria bën çudira dhe do ta shërojë djalin tënd”.
Forca e besimit ishte aq e madhe ndër ta sa gjithçka mund të zgjidhej duke besuar, adhuruar dhe duke u lutur.
Ndëshkimi
E gjithë rrjedha e dy ngjarjeve ka një vijë logjike se si shtjellohet. Dy djem, gjahtarë, njëri gjuan ditën, tjetri natën. Ndeshin në udhën e tyre shtojzovalle. Deri në këtë pikë duket se rrëfimet shkojnë paralel. Ndryshimi nis kur subjektet marrin një shtjellim më të gjerë e kjo lidhet me vazhdimësinë e pas takimit me shtojzovallet. Pra, çfarë ndodh pasi Leka dhe Jorgji janë ndeshur me vashat. Shtojzovallja e Lekës i kërkon atij të martohen. Por martesën e tyre ai duhet ta mbajë të fshehtë, në të kundërt do të ndëshkohet. Leka nuk arrin të ruajë sekretin e për pasojë dënohet me memecëri.
“Jam martue me një shtojzovalle e për natë bie me të”. Dhe ia kallzoi fill e për pe martesën e çuditshme. Por, sa mbaroi tregimin, nisi me u mbrapshtue ndër fjalë. Ep e merr për me qitë zanin: s’asht punë e mundun. I ishte marrë goja. Qyshë atë ditë gjuha si punon ma…”.
Shtojzovallja që hasi Jorgji nuk bëri asnjë kërkesë. Ishte vendosmëria e djalit për t’iu vënë pas e për ta bërë robinën e tij. Për pasojë, ndëshkimi i Jorgjit ishte më i rëndë. Ai u dënua me vdekje. Jetoi edhe një vit më vonë dhe sa hapi sytë zemra i pushoi së rrahuri.
Një tjetër ndryshim që vihet re është mënyra se si del nga rrëfimi figura e shtojzovalles. Koliqi e zhduk si me magji praninë e saj që në çastin që Leka humb aftësinë për të folur. Që prej atij momenti, lexuesi nuk e ndesh më shtojzovallen përgjatë tregimit. Ndërsa Rousia lë të hapur një shteg që krijon shumë mundësi. Jorgji “përleshet” me shtojzovallen duke ndjekur këshillën e gjyshit që nëse e kap e vërtit, e bën robinjën tënde. Djali ishte i vendosur për ta zënë vashën që i kish marrë mendjen. Por nuk ia doli teksa përlahej me të. E kështu, Jorgji natën e përleshjes me të humbi mendjen. Pastaj ra në gjendje kome për një vit, e kur hapi sytë pas një viti zemra i ndali së punuari.
Po atë natë, në bregun e lumit ku Jorgji ish përleshur me shtojzovallen, u gjet e vrarë e bija e çobanit.
“Dhe, tek e ngjisnin lart, i vareshin si dy gjarpërinj uji dy gërshetat e saj të shthurura”.
Maria Rousia, hedh një hipotezë interesante: A kish parë Jorgji vërtet shtojzovalle apo në të vërtetë kish parë vajzën e bukur të çobanit? Koliqi zgjodhi të mbetej tek miti. Maria Rousia përdori simbolikën e mitit për të përcjellë mesazhin e saj mbi edukimin e shoqërisë. Jorgji kërkoi ta dominonte shtojzovallen, e goditi atë, e vrau e për pasojë gjeti vdekjen…
¹ “Hija e maleve”, Ernest Koliqi, Shkodër, Camaj – Pipa, 1999.
² “Antologji e tregimit qipriot”, Albin, Tiranë, 2003.