More
    KreuLetërsiBibliotekëXheni Shehaj: Letër F-së

    Xheni Shehaj: Letër F-së

    (Nuk e di vendndodhjen e saktë. Me shumë gjasa në një nga qiejt)

    Ikja jote më theu në mijëra copa. E kisha menduar të largët, aq të largët sa nuk besoj se ka njësi matëse për të. E megjithatë ndodhi. Një fundtetori. Me diell por i ftohtë. I ftohtë si rrahjet e zemrës tënde që po luftonin për jetën. I ftohtë si fryma ime që mend po ndalej, teksa të shihte në grahmat e fundit. T’u avita shpresëhumbur, me lotët mbledhur në sy, me duart që më dridheshin, për të të mbyllur sytë. Oh, dritë!

    A i ke ndjerë të gjitha këto? Apo shpirti yt i bardhë po fluturonte qiejve në liri?

    Njëzet e katër orëshin e kalova si në jerm. Sillesha mes njerëzve, nga dhoma në dhomë. Tymosja, lotoja, pa zë. E ndjeja praninë tënde tek sillej në dhomën ku rrinte arkëmorti. Dëgjoja vajet e grave, shihja trishtimin në sytë e burrave, prisja ngushëllimet e të gjithëve dhe nga brenda më vinte të ulërija. Një majë mali, vetëm, unë dhe dhembja ime për ikjen tënde. Unë dhe lotët e mi. Zhgënjimi im ndaj Zotit, dreqit, fatit, jetës. Lufta ime e brendshme për ta pranuar. Ende sot nuk e kam pranuar. Ti e di.

    Nuk di të të them çfarë më dhembi më shumë: shkëputja e shpirtit tënd nga kjo jetë apo përcjellja në banesën e fundit tokësore. Nuk e di as nëse e ke dëgjuar britmën time teksa ndahesha prej teje. U përpoqa, të betohem. Por fytyra jote e zbehtë, qetësia që të kishte pushtuar, kurmi yt i ftohtë provokuan dhembjen time. Nuk munda dot pa të puthur, prekur, larë në lot. Mes tyre kaloi, shpëtoi dhe britma ime e dhembjes. Shpresoj të mos të të kem prishur qetësinë. Siç shpresoj që të më kesh dëgjuar e të kesh kuptuar se çfarë dhembje ke lënë tek unë.

    Një vit e pak pa ty. Ndryshe e shoh jetën, veten, përditshmërinë. Nuk ka ditë që nuk të mendoj. Zërin, të qeshurën tënde i kam ende të gjalla në dhomat e kujtesës sime. Jeta vazhdon me të njëjtat probleme, halle e mërzi. E njëjta rutinë, i njëjti ritëm. Uroj që ti atje ku ke zënë vend të kesh një tjetër stil jetese. Hera – herës të shoh në ëndërr. E lehtë, e qetë, buzagaz, ashtu siç ishe në të vërtetë. Pastaj zgjohem vrikthi dhe më vjen të qaj. Herë të tjera ngre kokën dhe shoh qiellin. Se di nëse ke zënë vend në një pjesë të dukshme a je strukur në një cep nga ku mund të shohësh por jo të të shohin. Është e drejta jote, sidoqoftë.

    Por të gjitha këto që të thashë nuk janë asgjë krahasuar me frikën time më të madhe. Dhe kjo vjen në ditët kur më mbyt malli e shpirti shkrehet në vaj. Atëherë më kaplon një frikë aq e madhe sa më duket se nga çasti në çast do humbas mendjen. E fus veten në labirinte të ngatërruara dhe medoemos duhet të ndodhë një zhurmë a çfarëdoqoftë që të më kthejë në botën njerëzore. Frika që më mbërthen mendjen ka të bëjë me mundësinë e takimit me ty. Sa janë shanset që ne të takohemi në botën ku ti je tani? Po sikur, unë të degdisem në një tjetër cep e ti në krah të kundërt, si do t’ia bëjmë? Si do e gjejmë njëra – tjetrën? Ja kjo më tërbon. Ma mjegullon arsyen, m’i mpin ndjenjat dhe s’më lë të marr frymë.

    Por dua ti besoj ndjesisë që më thotë se ti sheh e di gjithçka për mua. Ndaj e braktis veten në krahët e kësaj ndjesie dhe qetohem. Qetësia ime zgjat sa një udhëtim një javor. Dhe gjithçka përsëritet. Më thonë se ende se kam pranuar ikjen tënde. Kanë të drejtë. Nuk do pranoj kurrë ikjen tënde. Edhe pse kjo do të sjellë një jetesë gjysmake por siç dhe e përmenda në krye, ikja jote më theu në mijëra copa. E tashmë nuk mund t’i ngjis të gjitha.

    Por edhe këtë ti e di. Ashtu siç di se sa shumë përpiqem të mbush zbrazëtinë që le pas. Përpiqem.

    Nuk di në duhet të të them lamtumirë a mirupafshim. Po zgjedh këtë të dytën, tingëllon më butë, ngjall shpresën se kur të jetë koha e duhur do të rishihemi. Deri atëherë, fluturo qiejve e gëzoju lirisë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË