More
    KreuOpinionVladimir Nabokov: Lexues të mirë dhe shkrimtarë të mirë

    Vladimir Nabokov: Lexues të mirë dhe shkrimtarë të mirë

    Përktheu: Granit Zela

    “Si të jesh lexues i mirë” ose “Të tregosh mirësi ndaj autorëve”, diçka e përafërt si kjo mund të jetë nëntitulli i shqyrtimeve të ndryshme që bëj për autorë të ndryshëm, sepse synoj t’u qasem me dashuri, duke u përqendruar në detaje të bukura dhe të qëndrueshme të disa kryeveprave të letërsisë evropiane. Njëqind vjet më parë, në një letër drejtuar të dashurës së tij, Gustav Floberi bëri këtë vërejtje: “Sa studies për t’u patur zili do të ishte ai që do të arrinte të njihte fund e krye, të paktën gjatë libra”.

    Gjatë leximit, duhen vënë re dhe treguar tepër kujdes për detajet. Nuk ka asgjë të keqe të bësh përgjithësime kur kjo ndodh pasi ke mbledhur me dashuri detajet më domethënëse të librit. Por nëse fillohet me një përgjithësim të gatshëm, atëherë fillohet gabim dhe i je larguar librit përpara se të fillosh ta kuptosh. S’ka gjë më të mërzitshme dhe padrejtësi më të madhe ndaj autorit se sa të fillosh të lexosh, le të themi, “Zonja Bovari”, me idenë e paracaktuar se romani denoncon borgjezinë. Duhet të kujtojmë gjithmonë se një vepër arti në çdo rast krijon një bote të re, prandaj gjëja e parë që duhet të bëjmë është ta studiojmë këtë botë të re sa më thellë, duke iu qasur asaj si diçka krejt e re, e cila nuk ka asnjë lidhje të dukshme me botët që tashmë njohim. Kur kjo botë e re është studiuar thellë, atëherë dhe vetëm atëherë le të shqyrtojmë lidhjet e saj me botët e tjera, degët e tjera të dijes.

    Një pyetje tjetër: A mund të presim që të mbledhim informacione për vendet dhe kohën nga një roman? A mund të ketë njeri kaq naiv sa të mendojë se mund të mësojë ndonjë gjë mbi të kaluarën nga këto best sellërat e bollshëm që shiten prej reklamave që bëjnë klubet e librave duke u vënë etiketën e romaneve historikë? Po çfarë mund të themi për kryeveprat? A mund të mbështetemi në tablonë e krijuar nga Jane Austen për Anglinë e pronarëve të tokave me tituj fisnikërie dhe peizazhe të bukura, kur gjithçka që ajo njihte ishin mjediset e kishës anglikane? Dhe “Shtëpia e zymtë” e Dikensit, kjo romancë fantastike në një Londër fantastike, a mund ta quajmë studim të Londrës njëqind vjet më parë? Sigurisht që jo. Dhe e njëjta vlen edhe për romane të tjerë të tillë si “Parku Mansfield” i Xhejn Ostenit, “Rasti i çuditshëm i Dr. Jenkyll dhe zotit Hyde” i Robert Lousi Stevenson-it, “Kur dashuronte Suani” i Marcel Proust-it, “Metamorfoza” e Franc Kafkës, “Uliksi” i James Joyce-it. E vërteta është se romanet e shkëlqyera janë përralla të shkëlqyera, dhe romanet që sapo përmenda janë përralla të jashtëzakonshme.

    Koha dhe hapësira, ngjyrat e stinëve, lëvizjet e muskujve dhe mendjeve, të gjitha këto janë për shkrimtarët me aftësi gjeniale (me aq sa mund të hamendësojmë ne dhe besoj besojm se nuk po gabojmë) jo sipas koncepteve tradicionale që mund të huazohen nga bibliotekat qarkulluese të të vërtetave publike por sioas një varg befasish unike që artistët mjeshtër kanë mësuar t’i shprehin në mënyrën e tyre unike. Zbukurimi i vendeve të zakonshme u është lënë autorëve minor: ata nuk shqetësohen për ndonjë rishpikje të botës, thjesht përpiqen të zhvasin sa më shumë të munden nga rendi i caktuar i gjërave dhe modelet tradicionale të prozës letrare.

    Kombinimet e ndryshme që këta autorë minor janë në gjendje të krijojnë brenda këtyre kufijve të caktuar mund të jenë mjaft zbavitës, deri diku kalimtare sepse lexuesit minor pëlqejnë të njohin idetë e tyre të maskuara këndshëm. Por shkrimtari i vërtetë, ai që rrotullon planetet, ai modelon një njeri në gjumë dhe godet në brinjë atë që po fle, ky lloj autori nuk ka vlera të përcaktuara, duhet t’i krijojë vetë. Arti i të shkruarit është punë shumë e kotë nëse nuk nënkupton para së gjithash artin e të parit të botës si mundësi trillimi. Lënda e kësaj bote mund të jetë mjaftueshëm reale (për sa i përket realitetit), por nuk ekziston fare si një tërësi e pranuar: është kaos, dhe në këtë kaos autori thotë “nisu!” duke lejuar që bota të shpërthej në dritë dhe të shkrihet. Kështu rikombinohet me anë të atomeve të veta, jo thjesht në pjesët e tij të dukshme dhe sipërfaqësore.

    Shkrimtari është njeriu i parë që i jep trajtë dhe formon objektet natyrore që përmban lënda. Ato manaferrat atje janë të ngrënshme. Ajo krijesë pika-pika që rrëzohej duke ecur në rrugën ku po kaloja mund të ishte e squllur. Ai liqen midis atyre pemëve do të quhet “Liqeni opal” ose, më artistikisht, “Liqeni i ujit të enëve”. Ajo mjegull është një mal dhe ai mal duhet të pushtohet. Mbi një shpat pa gjurmë njeriu ngjitet artisti mjeshtër, dhe në krye, në një kreshtë me erë, kë mendoni se takon ai? Takon lexuesin që mezi merr frymë për shkak të lumturisë që ndjen, dhe atje përqafohen vetvetishëm dhe lidhen përgjithmonë nëse libri zgjat përgjithmonë.

    Një mbrëmje në një kolegj të largët provincial përmes të cilit më ndodhte të bëja një vrap të lehtë kur isha në një turne të zgjatur leksionesh, sugjerova një kuiz të vogël – dhjetë përkufizime për një lexues, dhe nga dhjetë, studentët duhej të zgjidhnin katër përkufizime që do të kombinoheshin për të krijuar një lexues të mirë.  E kam humbur listën, por me sa mbaj mend përkufizimet ishin pak a shumë si më poshtë. Zgjidhni katër përgjigje për pyetjen se si duhet të jetë lexuesi për të qenë lexues i mirë:

    1. Lexuesi duhet të jetë anëtar i një klubi që shpërndan libra për lexim.
    2. Lexuesi duhet ta identifikojë veten me heroin ose heroinën.
    3. Lexuesi duhet të përqendrohet në aspektin social-ekonomik.
    4. Lexuesi duhet të parapëlqej një histori me veprim dhe dialog kundrejt asaj pa asnjërën prej tyre.
    5. Lexuesi duhet ta ketë parë filmin e mbështetur tek libri.
    6. Lexuesi duhet të jetë edhe vetë autor fillestar shkrimesh.
    7. Lexuesi duhet të ketë imagjinatë.
    8. Lexuesi duhet të ketë kujtesë.
    9. Lexuesi duhet të ketë një fjalor.
    10. Lexuesi duhet të ketë shqisë artistike.

    Studentët mbështetën identifikimin me emocionin, veprimin dhe aspektin shoqëror ekonomik ose historik. Sigurisht, siç mund ta keni marrë me mend, lexuesi i mirë është ai që ka imagjinatë, kujtesë, fjalor, dhe njëfarë shqise artistike, shqisë të cilën përpiqem ta zhvilloj tek vetja dhe tek të tjerët, sa herë që kam mundësi.

    Rastësisht, e përdora fjalën “lexues” shumë lirshëm. Është vërtetë interesante se si libri nuk mund të lexohet: ia vetëm mund të rilexohet. Lexuesi i mirë, lexuesi madhor, është lexues aktiv dhe krijues pra është një rilexues. Dhe do t’ju them pse. Kur e lexojmë për herë të parë një libër, vetë procesi i lëvizjes me vështirësi të syve nga e majta në të djathtë, rresht pas rreshti, faqe pas faqe, kjo punë e ndërlikuar fizike me librin, vetë procesi i të mësuarit për sa i përket hapësirës dhe kohës dhe se çfarë përmban libri, ky process qëndron midis nesh dhe vlerësimit artistik. Kur shikojmë një pikturë nuk kemi pse t’i lëvizim sytë në një mënyrë të veçantë edhe nëse, si në një libër, fotografia përmban elemente të thellësisë dhe zhvillimit. Elementi i kohës nuk shfaqet shumë gjatë kontaktit të parë me një pikturë. Kur lexojmë një libër, na nevojitet kohë që të njihemi mire me të.

    Ne nuk kemi ndonjë organ fizik (siç kemi syrin në rastin e pikturës) që e rrok pamjen në tërësi dhe më pas të mund të shijojmë detajet. Por pas leximit të dytë, të tretë, ose të katërt që bëjmë, në një kuptim, sillemi me një libër siç bëjmë me një pikturë. Sidoqoftë, të mos e ngatërrojmë syrin fizik, këtë kryevepër të përbindshme të evolucionit, me mendjen, një arritje edhe më e përbindshme. Një libër, pavarësisht se çfarë është, është vepër e trillimit ose vepër e shkencës (vija ndarëse midis të dyjave s’është aq e qartë sa besohet në përgjithësi). Një vepër letrare i drejtohet para së gjithash mendjes. Mendja, truri, shtylla kurrizore që të ther janë, ose duhet të jenë, instrumentet e vetme që përdoren për një libër.

    Tani, duke qenë kështu, ne duhet të parashtrojmë pyetjen se si funksionon mendja kur lexuesi apatik përballet me librin shkëlqimplotë. Së pari, gjendja shpirtërore apatike zhduket, dhe për mirë ose për keq lexuesi hyn në shpirtin e lojës. Përpjekja për të filluar një libër, veçanërisht nëse vlerësohet nga njerëz të cilët lexuesi i ri fshehtësisht i sheh si të dalë mode ose shumë serioz, është shpesh e vështirë për t’u bërë si përpjekje por pasi të bëhet, shpërblimi është i madh. Meqenëse artisti mjeshtër e përdori imagjinatën për krijimin e librit, është e natyrshme dhe e drejtë që edhe lexuesi i një libri ta përdorë edhe imagjinatën e tij.

    Sidoqoftë, në rastin e lexuesit ekzistojnë të paktën dy lloje të imagjinatës. Le të shohim atëherë se cili nga të dy është i duhuri për ta përdorur gjatë leximit të një libri. Së pari, ekziston një lloj imagjinate deri diku e nivelit të ulët që kërkon të mbështetet tek emocionet e thjeshta dhe ka pa dyshim natyrë vetjake. (Ka nënndarje të ndryshme në këtë pjesën e parë të leximit emocional.) Një situatë në libër ndjehet fort sepse na kujton diçka që na ka ndodhur ose i ka ndodhur dikujt që njohim ose për të cilin na kanë treguar. Ose, sërish, lexuesi e çmon librin më së shumti sepse ngjall përfytyrimin e një vendi, një peizazhi, një mënyre jetese të cilën ai me nostalgji e kujton si pjesë të së kaluarës së tij. Ose, dhe kjo është gjëja më e keqe që një lexues mund të bëjë, ai e njëjtëson (identifikon) veten me një personazh të librit. Ky lloj imagjinate e nivelit të ulët s’është lloji i imagjinatës që do të doja të përdorin lexuesit.

    Atëherë cili qenka instrumenti autentik që duhet të përdoret nga lexuesi? Është imagjinata jopersonale dhe kënaqësia artistike. Ajo që duhet të krijohet, mendoj, është një ekuilibër harmonik artistik midis mendjes së lexuesit dhe mendjes së autorit. Duhet të qëndrojmë pak të shkëputudhe të kënaqemi në këtë largësi ndërsa në të njëjtën kohë kënaqemi me dëshirë, e pasion, shijojmë me lot dhe drithërima thurimën e brendshme të një kryevepre të caktuar. Të jesh vërtet objektiv në këto çështje është natyrisht e pamundur. Gjithçka që ka vlera është deri diku subjektive. Për shembull, të ulem atje thjesht mund të jetë ëndrra ime, dhe unë mund të jem makthi yt. Por ajo që dua të them është se lexuesi duhet ta dijë se kur dhe ku ta mbaj nën kontroll imagjinatën dhe këtë e bën duke provuar ta rrok plotësisht botën e veçantë që autori i vendos në dispozicion. Ne duhet t’i shohim dhe dëgjojmë gjërat, duhet t’i përfytyrojmë në aspektin pamor dhomat, rrobat, mënyrën si sillen personazhet e një autori. Ngjyra e syve të protagonistes Fanny Price në “Parku Mansfield” dhe mobilimi i dhomës së saj të vogël dhe të ftohtë janë të rëndësishme.

    Të gjithë keminatyra të ndryshme, dhe mund t’ju them që temperamenti më i mirë që një lexues duhet të ketë, ose të zhvillojë, është ndërthurja e temperamentit artistic me atë shkencor. Vetëm artisti i zjarrtë priret të jetë tepër subjektiv në qëndrimin e tij ndaj një libri, kështu që një gjakftohtësi shkencore e gjykimit do ta zbuste temperaturën e lartë të përfshirjes intuitive. Nëse një lexues i hamendësuar shkëputet plotësisht nga pasioni dhe durimi, nga pasioni i një artisti dhe durimi i një shkencëtari, ai vështirë se do të shijojë letërsi të madhe.

    Letërsia nuk lindi ditën kur një djalosh thirri “ujku!” ndërsa një ujk doli nga lugina e Neandertalit i ndjekur nga ujk i madh i përhimtë fill pas tij: letërsia lindi në ditën kur një djalosh ia dha vraprit duke thirrur “ujku! ujku!” ndërsa s’kishte kurrfarë ujku duke rendur pas tij. Fakti se djaloshi i shkretë, e i pafat ngaqë gënjente pa karar, një ditë u shqye nga bisha e vërtetë është pa ndofarë rëndësie. Ja çfarë është e rëndësishme, midis ujkut të fshehur midis barit të gjatë dhe ujkut në një rrëfenjë të gjatë ka një hapësirë të ndritshme midisëse. Kjo ndërkohë, ky prizëm, është arti i letërsisë.

    Letërsia është shpikje. Shkrimësia është trillim. Ta quash një rrëfim, histori të vërtetë, është fyerje si për artin ashtu edhe për të vërtetën. Çdo shkrimtar i madh është një mashtrues i madh, sepse kështu është edhe natyra. Natyra mashtron gjithmonë. Duke nisur që nga mashtrimi i thjeshtë i shumimit deri tek iluzioni jashtëzakonisht i stërholluar i ngjyrave mbrojtëse tek fluturat ose zogjtë, ekziston në natyrë një sistem i mrekullueshëm magjish dhe magjepsjesh. Shkrimtari i prozës letrare thjesht ndjek prirjen e Natyrës.

    Duke iu rikthyer për një çast djaloshi teveqel në pyll, çfarë ndodh mund ta themi kësisoj: magjia e artit ishte nën hijen e ujkut që ai e shpiku me paramendim, ëndrra e tij për ujkun; pastaj historia e dredhive që përdori krijoi një histori të mirë. Kur më në fund ai vdes, historia përmban një mësim të mirë për ata që rrinë dhe e dëgjojnë në errësirë, përreth zjarrit të kampit. Por ai ishte magjistari i vogël. Ai ishte shpikësi.

    Janë tre kritere me të cilat mund të përcaktohet shkrimtari: mund të përcaktohet si tregimtar, si mësues dhe si magjistar. Një shkrimtar u madh i ndërthur të treja, tregimtarin, mësuesin, magjistarin, por është magjistari ai që mbizotëron dhe e bën atë shkrimtar të madh.

    Tek tregimtari presim argëtim, emocion të thjeshtë mendor, përfshirje emocionale, kënaqësinë e udhëtimit në një vend të largët në hapësirë ​​ose kohë. Një mendje pak më ndryshe, por jo domosdo e nivelit më të lartë, kërkon mësuesin tek shkrimtari. Propagandistin, moralistin, profetin, kjo është prirja në rritje për të gjetur tek shkrimtari. Mund t’i drejtohemi mësuesit jo vetëm për edukimin moral, por edhe për njohuri të drejtpërdrejta, për fakte të thjeshta. Për fat keq, kam njohur njerëz, qëllimi i të cilëve për të lexuar romancier francez dhe rus ishte të mësojnë diçka rreth jetës në Parisin gazplot ose në Rusinë e zymtë. Më në fund, dhe para së gjithash, një shkrimtar i madh është gjithmonë një magjistar i madh, dhe këtu vijmë tek pjesa me të vërtetë emocionuese, kur përpiqemi të kuptojmë magjinë individuale të gjenisë së tij krijuese dhe të studiojmë stilin, imazhet, modelin e romaneve apo poezitë.

    Të tre tiparet e shkrimtarit të madh, magjia, tregimi, mësimi, priren të bëhen njësh në një përshtypje të vetme e cila mbart rrezatimin e bashkuar dhe unik, pasi magjia e artit mund të jetë e pranishme në eshtrat e tregimit, në palcën e mendimit. Ka kryevepra të mendimit të thatë, të kulluar, të organizuar që provokojnë tek ne një mashtrim artistik po aq fort sa një roman si “Parku Mansfield” ose si çdo rrjedhë e pasur me imazhe joshëse Dikensiane. Më duket se një formulë e mirë për të testuar cilësinë e një romani është, në planin afatgjatë, një shkrirje e saktësisë së poezisë me intuitën e shkencës. Për ta ndjerë atë magji, një lexues i mençur lexon librin e gjeniut jo me zemrën e tij, jo aq shumë me trurin e tij, por me shtyllën e tij kurrizore. Aty ndodh rrënqethja e rrëfenjës së gjatë edhe pse duhet të mbajmë pak lar, pak të shkëputur kur lexojmë. Pastaj me një kënaqësi që është edhe joshëse dhe intelektuale, ne do të shohim artistin tek ndërton kështjellën e tij prej rëre dhe do të shohim si kështjella prej rëre kthehet në kështjellë prej çeliku të fortë dhe qelqnaje të hijshme.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË