More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVladimir Muça: Trinia e frikës, turpit dhe pendesës

    Vladimir Muça: Trinia e frikës, turpit dhe pendesës

    Shënime për romanin “COVID-1984” të shkrimtarit Namik Dokle

    Romani i ri i autorit Namik Dokle, me titullin intertekstual “COVID-1984”, përbashkon sindromin e përjetimeve të kohës së diktaturës me ato të një pandemie që tronditi botën. Përdorimi i vitit 1984; njëherësh si titulli i romanit të famshëm të Oruellit, po ashtu edhe si viti i fundit i jetës së diktatorit, përbën portën hyrëse të subjektit të romanit, të jetëve të personazheve të tij, të cilët sëmundja i ka bashkuar në një spital covidi. Janë në të njejtën dhomë spitali (në të njejtën copëz Shqipërie) ish-xhelati dhe ish-viktimat e tij. Kështu, në ditët e sotme, barten ngjarje dhe fenomene të një kohe të shkuar, e cila e kontaminon ende shoqërinë shqiptare. “ Jetuam me frikë dhe tani jetojmë me turpin pse patëm frikë!”- thotë njeri nga personazhet e romanit. E prej kësaj ndjesie rrjedh pendesa, që, si një burim i nëndheshëm, përshkon romanin dhe, kështu, pandemia është kthyer në pendimí.

    Komunikimi divers mes njerëzve në këtë roman, nxjerr në pah një shumësi karakteresh, përmes një dramaciteti shoqëror. Autori evidenton përpjekjet e fundit për të shpëtuar “çfarë mund të shpëtohet”, jo vetëm nga vdekja fizike, por edhe nga ajo morale, mendore, psiqike. Në strukturën rrëfimore të ngjarjeve dhe fenomeneve shoqërore, romani ndërtohet mbi bazën e një antagonizmi thuajse refraktar, përmes të cilit lexuesit i përshfaqet një gjendje psikologjike dhe shpirtërore posttraumatike, sa reale aq edhe alegorike. (Kujtoj këtu personazhin që shkon çdo mëngjes në shtëpinë e diktatorit, thuajse të verbuar, për t’i lexuar gazetat e ditës.) Megjithëse ka edhe disa ndërfutje të elementeve inarrativë, si ditari, pasazhet poetikë, sentencat nga urtësia popullore (veçori kjo e stilit të Dokles), romani, në strukturën e tij, vjen i ngjeshur, pa stërhollime; duket që autori është idhtar i këshillës së Çehovit se “arti i të shkruarit është art i të shkurtuarit”.

    Në trysninë covidiane të romanit, liria dhe universi i saj shpalosen të cunguar, mbetjet e së kaluarës totalitare gjymtojnë thelbin e të drejtës njerëzore për të jetuar dhe dashuruar dhe, për rrjedhojë, “banorët e pavionit të covidit” janë shpirtgjymtuar, deri në përmasa tragjike që i shtyjnë drejt ballkonit të vetëvrasjes. Dhe tingëllon shumë humane përpjekja e doktoreshë Borjanës për të shpëtuar të sëmurët e saj nga ky gjymtim shpirtëror, për t’i shpëtuar ata nga “fishkëllima prej gjarpëri” në buzët e Vëngut, ish-torturuesi në diktaturë dhe, tashmë, makthi i tyre në pavionin e covid-19, makth i cili e bën atë spital të “Covid-1984”.

    Sigurisht që, në këtë kontekst, kohën e romanit autori e ka përshfaqur me të kaluarën dhe të tashmen, me elementë epikë dhe tragjikë, si një amalgamë e përbashkët e substancave shoqërore. Ai e vë theksin në pikëpamjet historike, por edhe në distancimet dhe largesat kohore e shoqërore. Sjellja e situatave covidiane, postdiktatoriale, arrin kulmin narrativ me përshkrimin e atmosferës mbytëse, kur në pavion shtrohet Zenun Vëngu. Shkrimtari sjell atmosferën e një ferri të ri, të cilin e ripërjetojnë Azize Murga, Inxhinier Grabocka, Petro Murra etj. Pse jo, edhe vetë doktoreshë Borjana, e cila, duke dashur të shpëtojë të sëmurët e saj nga ky ngërthim i vuajtjes së dyfishtë dhe të dykohtë, nuk mbetet pa u fshikur nga ferrat e ferrit. Në këtë kacafytje ruxherosh shqiptarë, shohim të pleksen lloje të ndryshme ndërgjegjesh dhe gjuhësh, ku gjuhët e vdekurra të totalitarizmit barten në monologët dhe dialogët e fantazmës së sigurimit të shtetit, Vëngu, në klithmat e botës së tij të vdekur,por ende të pavarrosur plotësisht.

    Ky agresion psikologjik arrin deri në ato përmasa të kontaminimit shpirtëror, saqë humania doktoreshë Borjana,në subkoshiencë, ka ndezullinë që “… të bëhej insekt, të bëhej në të vërtetë grerëz, t’i futej Zenun Vëngut në vrimë të veshit apo të hundës, të zhbirilonte në brendësi të kafkës së tij, deri në atë masë trunore, që kishte prodhuar dhe vazhdonte të lëshonte impulse vrasëse në botën e njerëzve”. Me mjeshtri artistike, në një substancë shoqërore të agravuar, Dokle evidenton disa dukuri të totalitarizmit, të cilat ende vazhdojnë të “shiten si helmi për mjaltë”.

    Nga mënyra e formatimit stilistik, “COVID-1984” është një mozaik ngjarjesh dhe fenomenesh, me pasuri jetësore, pamje dhe interpretime të ndryshme, me vlera sociale, artistike dhe estetike, me pikëpyetje esenciale dhe, madje, ekzistenciale mbi fatet njerëzore. Modelimi i karakterit të marrëdhënieve shoqërore, përbën një interes të madh për shoqërinë e sotme, në këtë tranzicion të stërzgjatur, në përplasje me “ishët”, duke i dhënë përparësi individit të kultivuar, me mentalitet të ri social, racional e me gjykim të mprehtë shoqëror.

    Situatat e krijuara nga autori, përmes gjendjes së rëndë kovidiane, anamneza shoqërore që na zbulon, marrëdheniet në arealin jashtëspitalor dhe rrugëtimi në të cilin përballen personazhet, janë majaja që brumëzon të gjithë rrëfimin romanor. Në konceptimin dialektitk, ne nuk mund ta njohim këtë botë, aq më pak pështjellimet e mbetjeve totalitare, pa u ndeshur me to. Në këtë ndeshje, definon autori, do të masim se sa forcë e peshë kemi në këtë shoqëri të re tranzitive. Ndërkohë që për doktoreshë Borjanën, problematika madhore janë shëndeti dhe mirëqenia e të sëmurëve, përjetimet e tyre familjare, zhveshja e paragjykimeve përmes afrimit, zgjatja e dorës për ndihmë, këmbëngulja për të dalë nga mjegullnajat jetësore, për Zenun Vëngun ka rëndësi “lavdia historike”, me të cilën, autori i romanit, ironizon thukshëm:”Ç’vdekje e palavdishme do të kishte qenë!- mendoi ai. Nga një lëkurë hurme! Unë që kam shpëtuar shtetin nga shtatë grupe armiqësore, unë që shpëtova udhëheqjen nga tre atentate, unë që hetova katër ministra dhe tre anëtarë të byrosë politike, që kontrolloj, me dosjet e tyre, çdo fjalë të shtatëmbëdhjetë deputetëve të sotëm, të mbytesha nga një lëkurë hurme!”

    Siç duket, në kontekstin e trajtimit romanor, Namik Dokle e ka të udhës sentencën e Heideggerit, i cili pohon se: “…të kuptuarit nuk është një aktivitet njerëzor autonom, as historik, por një ndërmjetës, përmes të cilit bota vjen tek njeriu…” Përmes një dyzimi shpirtëror të personazheve, struktura e romanit ka fituar elementë kapriçiozë, alinear,nëpërmjet të cilëve lexuesit i përcillet, jo vetëm tragjizmi shpirtëror, i bartur nga e kaluara, por, përmes një psikolo-analize, dëshmohen edhe ngjarje e fenomene të “çmendurisë covidiane”.

    Romani “COVID-1984”, në konceptimin stilistik, dallohet edhe nga formati gjuhësor, mjaft i larmishëm, si në rrëfim, ashtu edhe në gjuhën e personazheve. Në tërësi, kemi të bëjmë me një mozalik të leksikut, fonetikës dhe fjalorit të pasur, kemi të bëjmë me përmasa metaforike të fjalës dhe të gjuhës në terësi. Nëqoftëse nuk do të kishim një larmi të tillë, të hiqnim gjithë thonjëzat, sentencat e veçanta krahinore, intonimet, zërat e ndryshëm të romanit, llojet e portreteve gjuhësore, etj. dhe të linim vetëm të folurën e drejpërdrejt të rrëfimtarit, do të kishim një kënaqësi të cunguar estetike. Këtu qëndron veçoria e bukurisë së një polifonie gjuhësore në romanin e Dokles. Përmes një stili të tillë, ai organizon një botë të mëveçme, të aftë të nxis mendimin dhe reflektimin gjatë leximit.

    Personalizimin e stilit dhe të gjuhës, larminë e saj, autori i sjell të aranzhuar bukur me sentencën e Mishel Butorit: “ Por stili nuk është vetëm mënyra në të cilën zgjedhon fjalët brenda një fjalie, por edhe mënyra, në të cilën fjalët ndjekin njera-tjetrën, kapitujt dhe episodet.” (Çeshtje të romanit, Rilindja- Prishtinë, 1980, faqe 207) Futja në prozadorinë romaneske e një larmie të tillë gjuhësore, sidomos visaret e popullit, vjen si dukuri inovative, aspak formaliste, e këtij romani. Kjo e shton dukshëm kënaqësinë estetike të lexuesit, përmes fjalëurtave të shumta, apo edhe konceptimit filosofik popullor si për shembull: “…dimrin e ndjejnë këmbët e pleqve, duart e fëmijëve dhe zemrat e grave” e shumë të tjera si kjo. Për më tepër, autori e përdor këtë ngarkesë emocionale edhe si një indikator ose lakmus të subkoshiencës njerëzore.

    Tipar tjetër i këtij romani është edhe grotesku i thukët, i sjellë në kontekste të reja kohore, si një dukuri e jetës shqiptare, gjatë dhe pas totalitarizmit. Mes shumë pasazheve të tilla, do të përmendja atë të doktorit francez, i cili vizitonte diktatorin. “ Pse nuk bëni një kolibe për ushtarin që të mos laget nga shiu?”- pyet francezi. “Tani ushtari ëndërron koliben, ndërsa po të ketë koliben, do të ëndërrojë të hyjë në shtëpinë time.”- u përgjigj diktatori.

    Romani është një trini e komplekseve të frikës, turpit dhe pendesës, përmes të cilëve, autori shpalos një galeri karakteresh dhe larmi shpirtërore me përmasë metaforike të gjithkohëshme.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË