Në Panairin e Librit Shqip 2024, në SHBA
Në SHBA në shtetin Connecticut, në qytetin Stamford, në Bibliotekën “Ferguson” u hap Panairit i Librit Shqip,
Ishte Edicioni i tretë i tij, mbas mbas 14 vitesh nga edicioni i dytë, që u mbajt në New York në vitin 2010.
Median e shkruar dhe ato televizive njoftuan:
“Panairi i Librit Shqip në Amerikë numëroi pjesëmarrjen e mbi 30 autorëve: Visar Zhiti, Adnan Mehmeti, Mëhill Velaj, Yllka Filipi, Bexhet Asani, Daisy Elbasani, Tushe Saliaj (Rrapaj), Lufti Brami, Premisa Muca Kerthi, Erlinda Pysqyli, Demir Rusi, Rukiana Kasemi, Lela Qejvani, Suzana Vangjeli, Majlinda Pajaj, Bora Balaj, Merita Prenga, Gjon Fran Ivezaj, Gjeto Turmalaj, Sami Mulaj, Kastriot Fetahu, Selman Dervishi, Luigj Çekaj (përfaqësuar nga e bija), Nexhmedin Syla, Azgan Berbati, Arjana Fetahu Gaba, Ramiz Mujaj, Pal Ndrecaj, Nosh Mernacaj, Sergio Bitiçi, Idriz Lamaj, Arjeta Ferlushkaj, Simon Dervishi Mani, Hamid Alaj, Age Ivezaj Gjokaj…”.
Panairin do ta përshëndesnin drejtuesit e Shoqatës se Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë, Prsidenti Adi Memeti, Kryetari Mhill Velaj, etj, përfaqësues të Bashkisë së Stamford-it, amerikani z. Aaron Miller, i cila tha: “jemi krenarë që kemi në qytetin tonë një komunitet shqiptar kaq të suksesshëm” dhe u uroi të gjithë shkrimtarët.
Gjatë veprimtarisë u shpërndanë dhe çertifikata mirënjohje, gazetarit të palodhur të gazetës “Dielli”, në New York, Dalip Greca, poetit të njohur nga Kosova, Xhevdet Bajraj, në Meksiko, të cilët nuk janë më…
Me çertifikatë mirënjohjeje u nderuan edhe tre Anëtarët e Nderit të Shoqatës, z. Visar Zhiti, Sami Repishti, Carrie Hooper, gjithashtu edhe anëtarët: dr. Bexhet Asani dhe Arjeta Ferlushkaj Kotrri,
Në panair u hap edhe një ekspozitë me piktura dhe punime dore të Ramiz Mujaj.
Në fund të veprimatrisë u mblodh këshilli i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë dhe bëri zgjedhjet e reja: Kryetare u zgjodh Dr. Yllka Filipi, Nën/kryetare: Arjeta Ferlushkaj dhe Sekretar: Bexhet Asani
Ky panair, u mor vendimi, që të bëhet një traditë, të happen në çdo tre vjet..
Nga SHSHSHA
TË DASHUR LIBRA!
Të dashur Libra! –
Kështu do të doja ta filloja fjalën time në këtë Panair të Librit Shqip, 2024, këtu në Stamford, në shtetin Connecticut, në bibliotekën e madhe dhe të bukur, “Ferguson”.
Të dashur lexues dhe autorë, gjithë të pranishmit, na mblodhi ky panair i vogël, i organizuar në Amerikën e madhe, prandaj dhe kuptimi i tij, vlerat janë të mëdha.
PANAIRI NË SHTËPI, SHTËPIA NË PANAIR:
Për ne panairi filloi më përpara se të vinim këtu. Bashkë me time shoqe ishim ndanë librave në shtëpinë e një mikeshës tonë në New York, e Aidës, nga familja Balaj, e shquar për patriotizëm dhe dashuri ndaj kulturës. Pranë dritares nga ku dukej liqeni dhe porti i varkave, e gjithë faqja e murit ishte biblioteksa e saj. I hapa raftet dhe e pashë, krahas librave të shumtë anglisht, kishte shumë e shumë libra shqip, klasikët tanë, At Fishta, Dom Ndre Mjeda, “Shkodra e Rrethueme”, Kadare, Orwell, bashkëkohësit, gjeta dhe nga librat e mi, “Valixhja e shqyer”… kështu është vallixhja e atij që ikën, e shqyer… dhe m’u duk sikur panairi i librit kishte hyrë në shtëpi, ndërkaq po vazhdon këtu, te kjo sallë e madhe e Bibliotekës se qytetit, te të gjitha tryezat përreth përplot me libra, shoh familjarë me fëmijë dhe them se dhe shtëpa ka ardhur në Panair.
Dhe ky është dhe qëllimi…
Ne këtu jemi autorë shqiptarë, që nuk kemi mërguar nga gjuha amë dhe gjuha është atdheu i shkrimtarit.
Ne jemi dhe lexues të librit shqip dhe libri është emocion jete, shpirt i një populli dhe kujtesë, estetika e saj, etj.
Me librin jetën tonë e mbushim edhe më, i japim dhe atë që s’e jetuam dot apo nuk e jetuam vetë, libri kështu na bën me shumë jetë të tjera, kështu thoshte dhe semiologu dhe shkrimtari Umberto Eco, ndër më të mëdhenjtë e shkullit XX.
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë me këtë veprimtari, “Panairin e Librit Shqip”, po kryen një akt kulturor me më rëndësi se aq, po sjell librin shqip të an;etareve të saj nga një vend i vogël dhe i përvuajtur i Ballkanit në vendin e madh dhe më të fuqishëm, në SHBA, superfuqi edhe kulturore. Ato jetët tona, që rrjedhin nga jeta e një populli, – të lashtë, do të thosha tani sipas zakonit të fjalimeve, që…, por nuk po zgjatem, – po i mbartim dhe janë derdh në kombin modern amerikan, plot dije dhe liri, pra po bashkohen me jetët e botës së madhe.
Ky bashkëveprim, do të shtoja, është dhe mirëkuptim, miqësi, mbështetje, liri më shumë, zgjerim i atdheut me dije. Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë, thoshte Naimi ynë.
Shumë nga librat në këtë Panair a të gjithë mbase, janë shkruar në SHBA, ky është vendi i madh që ta jep këtë mundësi, sepse i çmon dhe i do dhe gjuhët e çdo diaspore këtu dhe shqipja jonë ndjehet e nderuar.
Besoj se librat këtu janë shtypur në Shqipëri dhe janë sjellë nga përtej oqeanit dhe unë shoh dhe një oqean tjetër dashurie, atë të të gjithë shqiptarëve.
Ne e duan gjuhën amë, ka që e mbiçmojnë, por unë s’mund të rri pa thënë se shqipja jonë është dhe martire, në shekujt e pushtimit ka qenë e ndaluar, poezitë tona të para janë shkruar me gjak.
Pikërisht letërsia e ktheu gjakun në bojë shkrimi, sipas Thomas Eliot, që është dhe poet amerikan.
Po a mund ta rikthejmë të shkruarit dhe në gjak të jetës?
Po të flasim për panairin tonë. Jemi së bashku, një pjesë jona, aq sa mundej, autorë dhe lexues dhe libra, edhe të atyre që s’janë, që s’vinin dot, miq tanët dhe unë prapë s’mund të rri pa kujtuar që vijmë nga një vend dhe një kohë që dënonte autorë, libra dhe lexues, përndiqeshim dhe nga ata që kishim pranë dhe kjo, e projektuar në realizëm socialist, në entuziazëm absurd, shpesh ishte vepra e tyre më e arrirë. Edhe ata kanë mbërritur deri këtu…
I them këto se ndjej dhe shoh përreth dhe përballë praninë e autorëve të rinj, ata shkruajnë dhe në anglisht, forcë e aftësive të tyre dhe i tërheq po aq dhe i përkushtohen dhe gjuhës amë.
Dhe në gjuhë janë dhe dashuria dhe vuajtja, edhe humbjet, që vetëm gjuha, edhe ajo e brendshmja, i kthen në përvojë dhe në poezi, dua të them në letërsi.
THEMELTARËT DHE VAZHDIME:
Të rinj ishin këtu dhe Imzot Fan Noli dhe Faik Konica- “biblioteka lëvizëse” sipas Apollinaire, që themeluan “Vatrën” e përbashkët të shqiptarëve dhe “Diellin”- gazetë të saj, ata me bashkëpunëtorë krijuan këtu një qeveri në mërgim, kur s’kishte një të tillë në Shqipërinë që ende nuk ishte pavarësuar dhe i dhanë letrave të çoroditura shqipe vepra të pavdekshme.
Motrat e famshme Qiriazi, mësuese të dritës, që do të kërkonte t’i shqyente me kthetra errësira…
Kur atje pas Luftës II Botërore po vendosej një diktaturë gjakatare, erdhën këtu për të vazhduar përpjekjet për atdhe shumë shqiptarë, edhe nga krerët kryesorë, si shkrimtarët Mit’hat Frashëri, – bir i Abdylit të “Lidhjes së Prizrenit” dhe nip i Naimit, Mustafa Kruja, – gjuhëtar dhe stilist i historisë, por edhe kryeministër, shkrimtari e filozofi Isuf Luzaj, – mik dhe me Jorge Luis Borges, Baba Rexhepi, – mistik shpirtëror i fuqishëm, për të cilin janë shkruar libra, historiani Ago Agaj, antropolog luftëtar, por dhe Abaz kupi, – luftëtari i parë i rezistencës me armë në Europë kundër fashizmit… dhe do të vazhdonin me komunizmin…
Kur në atdhe burgoseshin dhe pushkatoheshin poetë, do të arratiseshin për këtej pas burgut poeti e filozofi Arshi Pipa, duke marë me vete dhe sonetet infernale, humanisti e studiuesi sorbonas Sami Repishti, nga internimet dhe përndjekja do tË vinte dhe poeti i dufit çam, Bilal Xhaferri e deri te poeti Gjekë Marinaj, që kërcënohej me burg edhe për një metaforë; ky i fundit do të ishte dhe Kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë, themelues.
Ata mbeten përherë të rinj me idetë e tyre për një Shqipëri të lirë, të hapur, euroatlantike, duke ikur ata kishin atdheun me vete, pra veç e zgjeruan…
Për ata, Konicën dhe Nolin, etj, po tregon shkëlqyer duke e sjellë përvojën e tyre si përvojë të kombit, historiani Ilir Ikonomi, që erdhi këtej pas rënies së perandorisë komuniste dhe punoi në “Zërin e Amerikës”, zëri që i flet gjithmonë pranë Shqipërisë duke i treguar dhe rrugët e lirisë dhe të demokracisë, ku ishte në drejtim dhe gazetari i shquar, familjemërguari Elez Biberaj.
Enciklopedinë e shqiptarëve të Amerikës na e ka dhënë në një vepër madhore z. Vehbi Bajrami, ndërkohë dhe botues i gazetës s;e mirenjohur “Illyria”.
Këtej erdhën dhe shkrimtarët si Naum Prifti, Betim Muço, që s’janë më midis nesh, poeti Roland Gjoza, gjuhëtari dhe shkrimtari Ardian Vehbiu, drejtor dhe i revistës kulturore elitare, me shumë rendësi për estetikën e mendimit sot, “Peizazhet e Fjalës”.
Këtej kam dhe bashkëvuajtës të mi, që kanë ardhur në Amerikë, te ëndrra, që me punë kanë arritur atë mirëqenien, që s’do të mundnin kurrë në vend tjetër, por mbi të gjitha këtu kanë prekur atë liri të vërtetë dhe demokracia është dhe realitet i tyre…
Një pjesë e bashkëvuajtësve të mi shkruajnë, është këtu libri me poezi, postume i Luigj Çekajt, me titullin kuptimplotë, që ka shtegtimin si të vetë panairit, “Një shkrelas në Manhatan”, po a kanë mbërritur poezia e Pëllumb Lamajt, e Ilir Spatës, etj, etj?
Unë kam shkruar për një liber tjetër me poezi, të Artan Kafexhiut, që është dhe këtu. Poezia dhe mërgimi kanë të përbashkët një lloj mallëngjimi, kanë ikjen si një kthim dhe kthimin si një tjetër ikje…
Po miqtë e mi, Dine Dine e Hasan Bajo, që shkruajnë prozën e gjatë? Memuaristikë kanë botuar dhe Kaso Hoxha, Muharrem Xhutollari, Memisha Gjonzeneli, persiatje nga aktualiteti nxjerrin shpesh Lekë Mirakaj, Ilirjan Blloshmit, etj.
Po hulumtimet dhe studimet e veçanta të Ing. Mërgim Korça, a jan:e këtu? Vëllai i tij, Genci, ka shkruar në anglisht memuaristikë tronditëse. Janë djemtë e Xhevat Korçës, studiues dhe minister i arsimit, që vdiq me të parën grevë urie në burgun e Burrelit. Luftoi dhe me vdekjen e tij vdekjen…
Dua të kujtoj Makensen Bungo që na ka dhënë romanin “Këneta e vdekjes”, vuajtjet e tmerrshme të të burgosurve dhe të vetes, një sfidë dhe ndaj “Kënetës” së realizmit socialist…
Nga kujtesa dramatike ka tërhequr vëmendjen sot me tregimet e tij Muç Xhepa, me ato realitetet e tij të përziera shqiptare dhe amerikane, po kështu dhe Sami Milloshi me prozën e shkurtër, ndërsa në Kanada vazhdon të përmbushë vepren e tij shkrimtari Faruk Myrtaj. Ndjek mendimin kritik të Minella Aleksit, Gëzim Bashës.
Takoj Kastriot Fetahun, njihemi që në Çikago, edhe të tjerë, janë emrat e tyre në gazette…
Në Amerikë ka shkruar dhe Lazër Radi, i dalë nga burgjet dhe internimet, vinte si visitor, po në Amerikë ka ardhur dhe shkrimtari Ernest Koliqi, i dënuar me vdekje në atdhe nga diktatura, ai themeloi Katedrën e Albalalogjisë në Romë, ndërsa romani i tij i vetëm, “Shija e bukë së mbrume” personazhet i ka shqiptaro-amerikanë dhe ngjarjet zhvillohen në Amerikë.
Është në Universitetin Ann Arbor në Miçigan pedagogu Lisandri Kola, poet dhe studiues i shkëlqyer, që ka arritur vetë të krijojë dhe të japë lëndën e Letërsisë shqipe në mërgim në katedrën ku punoi dhe poeti nobelist, kundërshar i sovjetëve, ruso-hebreu Josip Brodsky. Iku, e pëzunë pas burgut…
Të kthehemi te librat e Panairit. Z. Mhill Velaj, që sot ka ditën e fundit si kryetar, shkon tryezë më tryezë dhe shpjegon për autorët dhe librat për kamerat e televizionit.
E pse të mos tregoj dhe unë që një përmbledhje timen me poezi “Si shkohet në Kosovë”, ia kam dhënë këtu në SHBA, në Çikago në një takim me të, kryeminstrit të Kosovës, z. Albin Kurti
Po vite më parë, më thotë një shqiptar se këtë libër ia kam pas dhuruar me autograf dhe vëllait të tij në një takim letrar vite më parë në rrethina e Çikagos, pikërisht atij, që la me testament pasurinë e tij për t’u ngritur katedra e albanalogjisë në Universitetin DePaul. Unë nuk e mbaj mend, por rëndësi ka, që pikërisht mes atyre njerëzve, që bëjnë një jetë të pabujë, mbase dhe spartane, fshihen akte kulturore me rëndësi kombëtare, të ndjeshme dhe në SHBA.
Ka vërtet një testament të madh shpirtëror i gjeneratave të mëparshme këtu, që do atë dashuri e përgjegjësi të bukur, sakrifica e talent për të arritur lartësinë e tyre, që na mësojnë si shkohet tek e mira, që ta duam vazhdimisht dhe pa kushte atdheun.
Duaje atdheun dhe kur të vret, ua la porosi fëmijëve te tij shkrimtari Mitrush Kuteli. Mos pyet ç’bën atdheu për ty, pot ti ç’bën për atdheun, na mëson Presidenti Xhon Kenedi.
Si një atdhe të vogël shqiptarët këtu kishin “Vatrën” e tyre shekullore, duhet mbajtur. Na dhimbet çdo çarje e saj si çarje plage. Zjarri i Vatrës do të duhej dhe në kohët më moderne…
VËSHTRIMI I GRUAS NË PANAIR
Këtej erdhi dhe vajza e Stalin si kundërshtare e të atit, – thashë me vete, – afër ku unë jam. Më afër kam shtëpinë e fëminisë së Heminguejit, – po thoshim, – dhe sa i donte gratë ai… por, që të shijojnë në pleqëri të mirat e kapitalizmit, e kush s’ka ardhur, nga Shqipëria, e kam fjalën, edhe heronj, edhe t:e panjohur, edhe komandantë burgjesh, që mbanin brenda telave me gjemba të dënuar që donin të arratiseshin për në Amerikë, edhe artistë, letërnxirës të Realizmit Socialist, që tani të nxijnë letrat e realizmit demokratik, bashkë, paqja qoftë me ne, – lutet ime shoqe! Që të bëhemi si Amerika apo me gjakimin donkishotesk, të bëjmë amerikanët si veten? – pyes unë, jo pa ironi.
Letërsia s’duhet të ketë mure si ai i SHBA me Meksikën, le të vazhdojë të na futë pa doganë në faqet e veta…
Në këtë panair edhe unë kam sjellë romanin tim, “Këpuca e aktorit”, i shkruar në SHBA – metaforë e ecjes së vështirë në skenat e jetës, ka dashuri dhe grua, – më thonë.
Po ne kemi të ekspozuar dhe libra të tjerë, edhe “Dita e Shenjtes Nënë Tereza” i Edës time, botuar në Vatikan, edhe “Për atë që dua(m)” i Atjonit”, që Eda ia ka dhuruar dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, si një nënë një nëne, si zonja zonjës…
Afrohem te grupi i zonjave në panair, ku është dhe ime shoqe, u pëlqejnë kostumet kombëtare, pozojnë me to si të “veshuna me diell, mbathun me hanë”, prin Eva Dori me “Bijtë e shqipes”, nënkuptohen dhe bijat patjetër, ja dhe shkrimtaret Yllka Filipi dheArjeta Ferlushkaj, Majlinda Pajaj, Suzana Vangjeli, Arjana Gabaj etj, po mikja jonë Ilirjana Sulkuqi, ku është, s’është kthyer nga Shqipëria?
Po këtu ka ardhur dhe një poete koreano-jogore, tashmë amerikane, Tonia (HounHye) Ko Hung, mike me poetët shqiptarë, ajo ka dhe një libër të përkthyer në shqip.
Unë pëlqej shumë shkrimet e Profesores Eda Dehremi, kanë forcë të bukur gruaje. Dhe statuset e psikologes Silvana Kola-Loka. Flas për ç’njoh këtej përreth.
Në Tiranë Ambasada Amerikane jepte një çmim për gratë e shquara me emrin e shkrimatres së persekutuar, disidentes së parë grua në perandorinë komuniste, “Musine Kokalari”. Studiuesja shqiptare në Angli, Nashi Brooker, sa shumë i është përkushtuar asaj, shkëmbejme letra me të…
Poezia e zonjave i ka dhënë qumësht Rozafe poezisë shqipe, them unë.
Po Nënë Tereza – është poete dhe Ajo me lutjet e saj. Dhe m’u ndërmend që kështu quhet dhe Qendra kulturore shqiptare në Miçigan. Shkruan për Shenjten tonë dhe Prefosorja në universitetet amerikane, Ines Murzaku.
Kujtoj emra të tjerë shoqatash e institutesh e akademish e bibliotekash dhe më duket sikur i sintetizon emri prekës i organizatës së Dr. Sonila Sejdaras, “Care for Albania”, ngjan me “Medicare”, aq e njohur në SHBA. Kujdesi për shëndetin, Kujdesi për Shqipërinë.
Edhe nëpërmjet librit. Është e rëndësishme sa të gjitha dhe më e bukura.
Prandaj është dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë. Drejtimi këtë radhë do t’u besohej zonjave
Janë tre volume këtu në panair që përmbledhin jetën dhe bëmat dhe veprat e anëtarëve-shkrimtarë të grupimit të tyre, që nga themelimi, i ka qëmtuar me pasion Presidenti i tyre, Adnan Mehmeti. Ja, dhe revista “Pena” e SHSHSHA…
Ky panair na përcjell gjallërueshëm, po aq dhe lavdishëm, të shkuarën që është dhe e tashme, që do të donim që kjo e tashme të ishte dhe pjesë e së ardhmes. Patjetër, kur është kujtesë dhe Kulturë dhe krijimtari patjetër.