Cilat janë më të rëndësishme për një vepër letrare, mbresat që na lë apo fjalët? Fjalët me të cilat na i thotë? Po dhe fjalët që mund të thuhen për atë?…
Më erdhi kjo pyetje që më duket “çelës kritik”, pasi lexova romanin “Përmbytja” të shkrimtarit Granit Zela, një rrëfim i shkathët, edhe pindarik, mund të them, për vendlindjen e tij, të parë dhe si një traumë, jo vetëm të tij, por kolektive. Bëhet fjalë për qytetin e hershëm verilindor të Kukësit, që u përmbyt nga ujërat e lumit Drin në vitet e socializmit, kur po ndërtohej një hidrocentral dhe u krijua përçudnueshëm më tej një Kukës i ri.
Kjo mbartje e pazakontë e një qyteti të vogël, përplot kujtesë, të mbrojtur me vetveten deri atëherë dhe shtyrja e tij përgjithmonë në një rrafsh më tej, të zbrazët mes erërave, detyrim nga regjimi i atëhershëm, u shpall si arritje, si sukses, një lartësim, ndoshta veç e truallit ku u vendos qyteti, por u pa dhe si triumf, si heroizëm, shumë më tepër se sa një sakrificë e detyruar – them tani, por pot a thoshe hapur atëherë edhe burgosëshe, etj, etj.
Pastaj romani vazhdon dhe me Kukësin e Ri në postdiktaturë e deri më sot, sintetik, kur perandoria komuniste kishte rënë, etj, etj, dhe qyteti i Kukësit u propozua për Çmimin “Nobel” për Paqen, sepse priti vëllezërit nga Kosova ngjitur, të të përzënë në masë nga shtëpitë e tyre, nga tokat e tyre, nga vendi i tyre, një eksod i dhimbësh, – si në Bibël e krahësuan mediat e botës, dhe shkak ishte lufta e pushtuesit serb, e drejtuar në atë kohë nga “Kasapi i Ballkanit”, Millosheviç, ku prapashtesa sllave –viç në emrin e tij, e jep në shqip dhe asosacionin e viçave… të therur.
Romani “Përmbytja” më erdhi këtej larg, dhuratë nga autori, duke e ditur që unë kam punuar në Kukësin e tij, fshatrave si mësues dhe e kam parë Kukësin e vjetër, me mejgulla si me mister, shtëpimbledhur, aq familjar dhe pastaj të mbytet, një qytet që mbulojnë ujërat tronditshëm, ndërkaq jam endur në Kukësin e Ri të atëhershëm, kur po bëhej, ngjante si një skenë kantieri, madje në mes të atij qyteti më arrestuan, aty m’u bë dhe gjyqi dhe më dënuan me 10 vjet burg për poezitë e mia, që sipas ekspertizës, ishin armiqësore. Po i them këto se edhe Granit Zela i cek ato në romanin e tij.
Kujtoj që kisha shkruar dhe një poemë për Kukësin, qyteti që bëhej kurban për dritën dhe se si po iknin tej mbi pllajë rrugët e dikurshme, shtëpitë, ngjarjet, hoteli i vetëm, mikpritja, kujtesa, statujat, Teatri i Kukullave, konfliktet, varrezat, dashuritë, etj, por edhe prangat, thosha, parandjenjë e zymtë imja. Komiteti i Partisë, i kuqerremtë dhe ai Ekzekutiv, i bardhë, dhe Gjykata kafkiane kishin mbaruar së ndërtuari dhe e kishin rimarrë atë hije sunduese, të përzierë me kërcënim të heshtur
Dega e Punëve të Brendshme ishte ende gropë e myrrëtyer. Qenë hapur themelet goxha thellë. Kujtoj që po shëtisnim një pasdite të vonë andej me poetin e Kukësit, Agim Spahiu, kishim qenë studentë bashkë dhe tani ishim bërë dhe miq familjarë. Në atë gropë do të hidhej betoni e do të bëheshin birucat e nëndheshme, ku në njërën prej tyre do të më shtinin dhe mua të prangosur, do të më mbyllnin gjatë. Dhe në birucë do më vinte ndërmend ajo shëtitje e prapë…
Mbresa kësisoj edhe i cik, por dhe m’i ndërmendi romani i Granit Zelës dhe po mendoja se mbase një nga dilemat themelore që mbetet e hapur në qasjen kritike është nëse vepra e arrin vetveten e saj vetëm përmes fjalëve që përdor apo dhe përmes mbresës që lë te lexuesi. Janë fatlume veprat që i kanë të dyja, Po cila ka më rëndësi? – pyeta befas.
Forca e përshtypjes në letrat…
Në dukje, gjuha është mjeti i vetëm që ka shkrimtari në dispozicion, por paradoksi qëndron pikërisht këtu: jo gjithmonë fuqia e veprës qëndron në fjalët e thëna, por në atë që ato ngjallin, patjetër nëpërmjet fjalës.
Një roman mund të jetë gjuhësisht i pasur, i ndërtuar me mjeshtëri stilistike, me metafora të sofistikuara dhe një arkitekturë narrative të përkryer, por nëse nuk arrin të krijojë një ndjesi të thellë, një tronditje të brendshme te lexuesi, atëherë mbetet vetëm një ushtrim estetik. Dhe vepra të tilla ka, edhe nga shkrimtarë me famë.
Vepra letrare është, mbi të gjitha, një përvojë – jo thjesht një ndërtim frazash, por një mënyrë për të depërtuar në mendjen dhe shpirtin e njeriut.
Mendimi kritik modern shpesh ka vënë theksin mbi dekonstruktimin e tekstit, mbi analizën gjuhësore dhe mbi ndërtimin e tij si sistem shenjash, por kjo qasje rrezikon të harrojë një element thelbësor: letërsia nuk është vetëm objekt studimi, por përvojë e jetuar…
* * *
Shkrimtari Granit Zela deshi që të çpërmbytë atë që ishte brenda tij dhe jo vetëm, mbase fëmininë ashtu si ujërat e vendlindjes pranë të cilave e kaloi bashkë me brezin e tij, në formën e paformë, gjindjen e atjeshme, edhe ajo prej ujërash të turbullta, “të lëngshme (likuide)”, do të thoshte sociologu dhe filozofit polako-anglez Zygmund Bauman. Ai e përdorte këtë term për shoqëritë moderne, ku strukturat sociale dhe identitetet janë në gjendje të vazhdueshme ndryshimi dhe paqendrueshmërie.
Në romanin “Përmbytja” nuk kemi kohë moderne, jo si kronologji të saj, se në ditët tona, fare të reja, zhvillohen ngjarjet, por fjala është si zhvillim social, filozofi dhe shkencë.
E thamë, koha e romanit ëshë ajo e diktaturës dhe e posdiktaturës që po kalojmë bashkarisht, në tre skena: e para, në atë të qytetit të vjetër me emërin Kukës, që do të mbytej, që u bë kurban nga pushteti, e dyta, në qytetin e ri prapë me emrin Kukës, po kurrë më i njëjtë, një grumbull pallatesh të reja, ku do të strehohej jeta pas akopalipsit si komedi e trishtë, një qytet është dhe kujtesë dhe ndërgjegje dhe s’bëhet me plan dhe orientim partiak, ndërsa skena e tretë: mendësia e njerëzve, bisedat e tyre, ndodhitë si i përjetojnë, ëndrrat dhe mos ëndrrat, deliret, mitet, ndryshimet, furia e jashtme, etj.
Filozofi Bauman e kundërvë shoqërinë e lëngshme me atë “të ngurtë” të mëparshme, ku normat dhe institucionet kishin më shumë stabilitet, etj, etj.
Simbolika e përmbytjes:
Që në titull, “Përmbytja”, të ngarkon me një ndjesi shqetësimi dhe paralajmërimi. Edhe pse nuk shfaqet si një katastrofë natyrore, por si një pasqyrë e krizave të brendshme të personazheve dhe shoqërisë, pa e ditur as vetë ata, sepse s’ka asnjë revoltë, përkundrazi ka një lloj entuziazmi dhe zhvillimi, që s’është progress i vërtetë.
Granit Zela përdor këtë simbolikë dhe kështu në qendër të diskursit dalin jo vetëm ndodhitë, por edhe humbjet, pasiguria dhe tëhuazimi.
Në parathënien e romanit shkrimtari dhe studiuesi Agron Tufa zbulon se “ajo çka përbën të pazakonshmen e menjëhershme… është se personazhin klasik tradicional e zëvendëson qyteti”.
Qyteti personazh. Dhe brenda tij personazhet e vegjël, ku secili mbart një peshë të veçantë.
Ndërveprimet ndërvetanake nxjerrin në pah konfliktet e brendshme dhe sfidat përgjegjësore me të cilat përballen.
Nuk është pra vetëm ujana forcë e pamëshirshme dhe misterioze.
Gjithsesi te romani i Kukësit, në tre pjesët e tij mua më kanë mbetur si mbresa të fuqishme tre përmbytjet.
Përmbytja e parë
ose pjesa e parëme titullin “Fëmijëria”, sipas meje, bën të ndjehet përmbytja e familjes, e një bote paragjykimesh dhe mitesh e malesh.
E rrënjosur në traditat e saj, familja përpiqet të mbijetojë në një realitet ku lidhjet e ngushta dhe humanizmi vazhdimisht dobësohen duke u ndjerë të parëndësishme.
Ngjarja e përmbytjes, e maskuar si një akt arritjeje dhe e modernitetit socialist, është dhe një shkatërrim pa leje i kujtesës historike dhe e identitetit.
Familja – nga ku fëmija del nga fëminia e vet, mbetet një ishull i vogël i sakrificës dhe i shtypjes, por i rrezikuar.
Përmbytja e dytë
ose pjesa e dytë me titullin “Uji”, është dhe dalja nga shtrati i familjes, ku përballja me shoqërinë dhe pasigurinë, me diktaturën duhet të ndjehet më gjerë, më drejtpërdrejtë.
Socializmi, që paraqitej si një sistem që kërkonte vetëm sakrifica, shfaqej përmes përplasjeve brutale të jetës vetanake duke e diktuar tërësisht atë, bashkarisht dhe gjithë shoqërore, në interes të shtetit, më keq akoma, të partisë-shtet, ku secili dhe askushi nuk është ajo nëvetvete.
Diktatura është përmbytja e dytë me gjakimin e përmasave mitike.
Përmbytja është një akt kolektiv humbjeje, ku individët dhe komuniteti përjetojnë një ndarje të dhimbshme nga rrënjët e tyre. Kukësi i ri – një shoqëri e zhvendosur, një qytet me kujtesën të dëmtuar.
Ndodhitë si arrestimi i poetit V. Zh. aty është një simbolikë e përdhunës ndaj intelektualëve, ku krijimtaria dhe mendimi i lirë shtypeshin përmes represionit dhe censurës. Zëri i poezisë heshturazi përpiqej të ruante shpirtin e një populli që po mbytej në heshtjen e detyruar, me psikologjinë e traumës.
Perëndia Atjon, që shfaqet me këtë emër të ri, i thirrur si për të mitizuar realitetin e zbrazët, për ta bërë më të durueshëm shkretimin vrastar, do të jetë dhe viktima e atij realiteti.
Mbytja, pra, e një qyteti nuk ishte thjesht zhdukja fizike e një hapësire të banuar, por një shkatërrim i kujtesës dhe i historisë.
Përmbytja e tretë
ose pjesa e tretë, “Jeta dhe vdekja”, rrëfen një përmbytje tjetër njerëzore mbi rrafshin e Kokësit, tani jo prej ujërave, por prej gjakut. në qendër është eksodi nga Kosova, traumë e kohës komuniste, para dhe pas saj, një pasqyrë e trishtë e dhunës ciklike.
Refugjatët – figura të lëkundura hijezishëm midis të mbeturit gjallë dhe dëshpërimit të një të nesërme që s’dihej…, …
Zela e romantizon sakrificën; mbart një si habi infantile. Sakrifica pa kuptim dhe pa liri nuk është heroizëm, por një dhunë permanete.
Gjithsesi ndjehet dhe një si mbipërmbytje, entuziazmi i ngritjes së një aeroportit të ri “Flatrat e Veriut”. Lidhja e munguar me qiellin dhe nëpërmjet tij, lidhja që do të duhej me botën, zbritja në realitete të tjera.
Simbolizmi i kërkuar dhe trajtimi i personazheve si ide më shumë se figura të plota, krijojnë një si poemë. Po sa do të duhej ajo?
Barra e narrativës përndiqet nga e kaluara me retrospektivat e ndërkalluara me paqartësinë mitike dhe paragjykimet e ashpra e të vona, ku përmbytja do ishte një akt humbjeje, ndërsa ndërthurja me ngjarjet e mëpastajme deri dhe ato aktuale, sikur do të donin të përftohej një perspektivë e shumëfishtë dhe të shkruarit poetik me gjakim shëlbimin ka krijuar një zbutje të realiteve të romanit.
* * *
Temat e shkatërrimit ashtu si dhe e ndërtimit janë universale. Ka që mendojnë se tragjikja është më e lakmuar nga letërsia, e cila që në fillimet e saj vërtet, te “Iliada” na tregon rrënimin e Trojës dhe jo se si ishte ndërtuar ajo, por është “Odisea” ama, që ia doli, i shpëtoi mbytjes, (naufragium), pa e humbur shpresën (tjetër temë universal), duke u përballur me të panjohurën. (tjetër temë dhe kjo) dhe arriti Ikakën e tij, që do të bëhej “Itaka e njeriut”.,
Kthimi te çështja: nëse fjala bëhet e padukshme…
Ndodh që lexuesi mund të mos i ketë më në mendje fjalët e dialogëve në një vepër, mund të mos ketë vënë re asgjë nga ndërtimet sintaksore në krerë, madje me kohë të harrojë mjaft dhe nga linjat e subjektit, por do të mbetet ndjesia që një roman ka ngjallur te ai, ngazëllim apo dhimbje apo tronditje, grotesk, absurd, tragjizëm, guxim, dashuri, etj, etj, a të përziera bashkë, pjesë a harrim.
Të paktën kështu është përvoja ime.
Shkrimtarët më të mëdhenj, besoj, nuk janë ata që përdorin fjalorin më të pasur apo sofistikimet sintaksore, por ata që arrijnë të krijojnë një univers të gjallë emocional.
Fjala është vetëm mjeti, por qëllimi i saj është të bëhet e padukshme në çastin që mbresa zë vend në shpirtin e lexuesit. Kjo është arsyeja pse një vepër si “Kujtimet e një të mbijetuari” e Primo Levit, “Metamorfoza” e Kafkës apo “Murtaja” e Kamysë, “Plaku dhe deti” i Heminguejit, etj, mbeten në kujtesë jo thjesht për frazat, por për peshën e tyre të rëndesës emocionale dhe filozofike.
Studiuesit thonë, se dhe Homerin e urtë ndonjëherë e zinte gjumi, pra përsëriste, ndërsa Tolstoi nuk e pëlqente Shekspirin se njerëzit, sipas tij, nuk flisnin ashtu. Dostojevskij ëndërronte të mos kishte trusninë e botuesve dhe ta punonte një vepër siç do të donte, përkthyes të tij ankohen se u duhet ta punojmë fjalinë, se po ta lënë si në original, s’do besohet se ajo mund të ishte sinkasa e tij, por mospërsosje e përkthimit, etj, etj.
Dhe në letrat shqipe Naimi dhe rilindasit tanë shpesh i dhanë më rëndësi mbresës, pra ajo që do të mbetej, qëllimisht. Sintaksa e Migjenit është e ndikuar nga andej ku studioi si dhe e mjaft autorëve të letërsisë tonë në Kosovën që mbeti jashtë atdheut amë. Petro Marko nuk i ripunonte romanet e tij, shkruante drejt e në makinën e shkrimit, teksa Kadare, përkundrazi, shpesh bënte perfeksionistin, etj, etj.
Në këtë kontekst, mbresa e një vepre është prova më e fuqishme e vlerës së saj. Ajo që mbetet pas leximit, ajo që na ndryshon, që na ndjek edhe pasi kemi mbyllur librin, madje duke na risjellë dhe mbresa të tjera jetësore jashtë veprës.
Fjala mund të analizohet, të matet, të krahasohet, por mbresa është ajo që dëshmon fuqinë e vërtetë të një vepre, që përfundimisht e vendos atë në hierarkinë e letrave.
Për fat është ende mister, sipas meje, se çfarë e bën letërsinë të qendrueshme dhe të pavdekshme.