Poezia është dhe e të gjithëve siç nuk është vetëm e poetëve… Të jetosh me poezinë, pastaj dhe mund ta shkruash…
Në Itali, “Puntoacapo Editrice”, i njohur për botimet e poezisë, nxori këto ditë përmbledhjen “Është çasti që e gjitha Është”, (“É ora che tutto é”), me autor një mjek, doctor dhe professor, shkencëtar italian, që jeton dhe punon prej vitesh në metropolin e Chicago-s në SHBA.
E veçantë për ne është se parathënien e këtij libri e ka shkruar shkrimtari ynë Visar Zhiti, gjë që vihet në dukje dhe në kopertinën e botimit. Në kopertinën e pasme janë vënë këto vargje:
Tërheq nëpër rrugë
ashtu pa frymë
një valixhe
të rëndë
plot me vende të heshtura
e me durim
mbase mësova vërtet
të shoh ende
margaritat
Dhe kjo është jo vetëm credo e autorit, por dhe e ditëve sot.
Ndërsa në palosjen e brendshme të kopertinë janë dhe këto fjalë:
“Shkëlqim dhe mahnitje brenda vetes dhe kujtesë poezie. Me fjalët dhe hapat që ecin në vargjet e Damiano Rondelli-t me një natyrshmëri emocionale dhe dinjitetin njerëzor.
Fjalët lënë gjurmë në ajër, duke u tretur atje, duke shkaktuar një freski në shpirt dhe humbin… edhe hapat, pasi lënë gjurmë në rrugë, mbesin si gjethet a më pak se ato, i merr era, dëshmojnë që kalove, por humbin…
Por është shpikur poezia, që të ruajë fjalën emocionuese dhe ecjen e diteve si një ditar shpirtëror që ti e shkruan dhe për të tjerët, sidomos për ata që s’munden. Damiano Rondelli e do shumë këtë ditar, duke na dhënë dhe vetë një të tillë.”
(Nga Parathënia e Visar Zhitit))
Në faqen e fundit të për përpledhjes janë disa të dhena për autorin:
Damiano Rondelli (Faenza 1963) kreu licen klasik dhe diplomohet në Mjekësi e Kirurgji dhe specializohet në Hematologji në Universitetin e Bolonjës.
Pas një periudhe kërkimore mbi transplantimin e palcës së kockave në “Seattle, WA (SHBA)” në vitin 1995, ai filloi karrierën e tij si Studiues Universitar në Bolonja.
Në vitin 2002 shpërngulet në Universitetin e Illinois në Çikago (SHBA) për të drejtuar Transplantimin e Palcës së Kockave dhe që nga viti 2011 ai është Profesor dhe Drejtor i Divizionit të Hematologjisë/Onkologjisë.
Është autor i mbi 200 botimeve shkencore në revista ndërkombëtare. Në 12 vitet e fundit ka ndërmarrë një projekt të ‘Shëndetit Global’ që e ka çuar atë të bashkëpunojë me qendrat e hematologjisë në Nepal, Indi, Bolivi, Kubë, Ukrainë, Nigeri, Ruandë.
Ai mori Laurën “Honoris Causa” në Mjekësi nga Universidad “Major de San Andrés” në La Paz, Bolivi (2023); Çmimin “Public Service” nga Shoqata Amerikane e Transplantimit dhe Terapive Qelizore (2022); Çmimin “Humanitarian” nga Institutit i Mjekësisë së Çikagos (2024).
I apasionuar pas historisë së mjekësisë, në vitin 1999 përgatiti dhe botoi librin “Storia delle Discipline Mediche (Hipocrates Editore, Milano), me një botim të dytë të zgjeruar në vitin 2003.
Në vitet 2017-2018 botoi shumë artikuj në revistën “Hektoen International – Zhurnali i Shkencave Humane Mjekësore.
Pavarësisht aktivitetit të tij profesional (për një kohë të gjatë vetëm në anglisht), atë gjithmonë e ka shoqëruar një dashuri e thellë për poezinë.
“Është çasti që e gjitha është” (“É ora che tutto é”) është përmbledhja me poezi që e përfaqëson…
Në faqet e para të librit është parathënia.:

SA MË SHUMË JETË NË POEZI AQ MË SHUMË POEZI NË JETË
Nga Visar Zhiti
S’e kujton mbase shkëlqimin
që së bashku na mahniti…
Shkëlqim dhe mahnitje brenda vetes dhe kujtesë poezie. Me fjalët dhe hapat që ecin në vargjet e Damiano Rondelli-t me një natyrshmëri emocionale dhe dinjitetin njerëzor.
Fjalët lënë gjurmë në ajër, duke u tretur atje, duke shkaktuar një freski në shpirt dhe humbin… edhe hapat, pasi lënë gjurmë në rrugë, mbesin si gjethet a më pak se ato, i merr era, dëshmojnë që kalove, por humbin…
Por është shpikur poezia, që të ruajë fjalën emocionuese dhe ecjen e diteve si një ditar shpirtëror që ti e shkruan dhe për të tjerët, sidomos për ata që s’munden.
Damiano Rondelli e do shumë këtë ditar, duke na dhënë dhe vetë një të tillë.
E’ora che tutto E’
“Është ora që gjithçka Është”
Ai i beson jetës dhe e do atë. Si poet e do poezinë dhe i beson asaj. Damiono Rondelli i sheh shumë bashkë poezinë dhe jetën.
Ndjej se një fillim do të ketë qenë poezia që është futur ne jetën e tij, e dashuroi atë, mbase fshehurazi, duke patur profesionin e mjekut, i përkushtuar ndaj detyrës si ndaj jetës së të tjerëve plot me punët e shumta dhe me rëndësi, ikja nga Italia blu, e bukur dhe magjepse në SHBA, në Chicago-n me erëra dhe akuj dhe me liqenin më të madh se Adriatiku dhe Joni bashkë, më i madhi në botë, udhëtimet si shkencëtar në kontinente të tjera, etj, por ai ka ndjerë nevojën e poezisë në jetën e tij. Dhe nuk e ka kerkuar në vend tjetër për ta sjellë, por e ka gjetur te ato udhëtime, te puna, te familja, por më shumë të gjitha te vetja, te besimi…
Dhe ka dashur që atë që ka marrë, ta kthejë. Nga jeta e tij t’i japë poezisë, me atë dashuri që e ka marrë, mbase në vetminë e tij prej shkencëtari dhe poeti.
…ngjyra e qiellit
ndërkaq përzjehet
me dritën e vogël që verbon
horizontin e pasigurt
ku hirshëm
u përshfaq….
…
Në poezinë e Damiano Rondelli-t gjej një fshehtësi të bukur, diçka nga ai hermetizmi tradicional i poezisë hermetike italiane, e njohur në botë, me Ungaretti-n dhe Mario Luzi-n, mbase më shumë me Quasimodo-n, ndërkohë më të hapur, por të sinqertë, të vetin, me qiell… Italian dhe oqean Amerikan? E gjitha është një përzjerje e tij:
Qielli dhe oqeani
ndërthuren bashkë
Oda delikate
i beson buzëqeshjes
së një çasti kalimtar,
dhe me pulsime të zemres së tij, që ai si mjek duket sikur sheh në aparaturat, të poezisë më shumë, që a po rreh mirë.
Si ilaçet apo si ndërhyrjet kirurgjikale Damiano Rondelli sheh po aq të dobishme në shëndetin e jetës dhe fjalën e mirë, ledhatimin, estetikën e shqetësimeve qytetare, atë që e quajmë se mund të bëhet vetvetiu poezi dhe guxojmë t’ua tregojmë dhe të tjerëve…
Damiano Rondelli si poet i beson bukurisë me atë forcë Dostojevskiane duke e ndjere po aq dhe si zbulim të veten dhe e bën credo
Është këtu
dhe shkon përtej
Bukuria vetëm tregon
fytyrën pas velit
të një misteri familjar
Si një dritare që edhe pse e mbyllur, fut erën brenda, edhe poezia fut shqetësimet e kohës tani, luftën në Ukrainë, frikën e femijëve palestinezë, etj, jo si kronikë, por si dhimbje e njerëzores që bëhet poezi.
Damiano Rondelli shkruan ashtu siç jeton ai, siç është, Te një Çast gjen Shumë, siç janë në një ditë njerëzore të gjitha ditët, sipas Borgesit. Kjo ndodh me poezinë, jo vetëm ato që ikin, por dhe ato që do të vijnë…
Është ora që e gjitha Është… (E’ora che tutto E’…)
Chicago, Mars 2025

DAMIANO RONDELLI
10 POEZI
(poezi)
fjalë në udhëtim
që nga atëherë
pelegrine
në shmbyllje
mjegullash të largëta
të largësive të gjata
dh të përqafohemi
përsëri
në dhomë në anë
të paktën
sa koha
e një frymëmarrje të thellë.
* * *
Nuk të kujtohet shkëlqimi
që na mahniti së bashku
në hijen e një dore
tre ditë pas stuhisë?
E njëjta ngjyrë
shfaqet në fytyrën
e secilit prej tyre
dhe përherë pret
pa pushim
në sytë e mi të rraskapitur –
prandaj dhe të shoh
duke u lutur
po vjen
për të bekuar,
dashurinë takuaam
dhe më zbulove mua
që qaj,
ç’gëzim
i papritur!.
* * *
Ende
shamiza
e bardhë
pëshpërit në dorë,
ngjyra e qiellit
ndërkaq përzjehet
me dritën e vogël që verbon
horizontin e pasigurt
ku hirshëm
u përshfaq.
Shqetësueshëm
vë në lëvije
ingranazhet mes tyre:
logjika e thjeshtë
papritmas është paradoks –
burimet e ngurtësuara
dhe dhëmbët e mprehtë
të rrotave të lashta
tani lëvrijnë
me mosbesim
si në kohët festive
pas muzgjeve
dhe ngadalë
sosen –
koha e mbetur
do të rregullohet,
minuta kaloi
shumë shpejt
Unë do t’ju tregoj
pa u lodhur kurrë.
(Nënë Terezës) Romë 1987
* * *
Kjo dritë
nuk puth
rrugët e zakonshme
e megjithatë është imja
dhe largohet
deri sa të më befasojë
ashtu si dje
dhe gjithmonë kaq plot
me gllënjka të vogla
dhe buzëqeshje
dehëse –
zemra qesh ndërsa
jeta dhe vdekja
vallëzojnë dhe përgjigjen
në ditën e dëshiruar
për ty.
Bolonja 1999 (tek Bartolomeo)
* * *
Misteri i syve
të munguar
në ecjen tënde
ende më gjunjëzon
dhe je tashmë
përtej blusë
në dizenjon time
të thërrmuar
nga duart hollake e të ftohta
dhe ti je atje
ku këndimi i ngadaltë
i psalmeve
na bashkon
me lëkundjet e durimit
si djep.
Shqetësimi im
i çiltër
më në fund
të buzëqesh dhe
të puth
përgjithmonë.
Ludovikës – 2001
* * *
…sërsh agshol
dhe sërish të ndalurit
e errësirës
në pritje
të një shikimi
që nuk e njoh
ende –
të vajzës sime
vajza ime –
Çikago 2003 – Lindi Lucrezia
* * *
Dritare kundruall
mbi lotët e përfunduar dhe
duar të dobëta
të përgjakura
të mbledhura në lutje
të heshtura
që varen vetëm
tek ëndrrat e vogla
të humbura në tymin
e një qielli pa ajër
me gropën e fundit
të lutjeve përdëllyese
dhe vallet e mëngjesit
të përhumbura
pëshpëritëse
në sytë pa ngjyrë,
përqafuar me njëra-tjetrën
puthjet e kukullave
me besim
te varka e fundit
që me amenin e muzgut
do të qetësojë stuhinë.
Lufta në Ukrainë – Çikago 2022
* * *
Grua e ulur në stol në hije
me veshje modeste jashtë modës
floket jo të gjata mbrapa pa ndonjë pse
fytyra e kuqe labirinth ëndrrash të harruara
këndonte nën zë duke buzëqeshur
duart me kohën duke lëvrirë
në diellin që i bënte aq mirë
dhe ajo mua.
Cortina 2024
* * *
Çfarë bëra sot?
Shikova brenda
kam gjetur pak
por pak nga ç’mungonte
Shikova përreth
duke ngulur sytë në qiell –
fliste për të djeshmen dhe të nesërmen
Shikova malet
duke kërkuar sekretin tim
nuk mundnin sytë e mi në asgjë.
Pastaj
i humbur jam ngërthyer
në Bukurinë.
Cortina 2024
* * *
Përpara teje
dhe të gjithave
dhe të së ardhmes
që çan
çdo çast
shtatzënë ajmé
të zive
që vallëzojnë
rreth mureve
me kate dhe shpresa
shumë,
ende këndoj
ninullat e ëmbla
të formave dhe aromave
të takuara atëherë –
e kaluara e pavetëdijshme
që mbetet
dhe kthehet
në orën e mirë
më përpara se ty
dhe të gjithave
për të më shpënë
përtej.
I përktheu nga origjinali Visar Zhiti