More
    KreuUncategorisedVisar Zhiti: Donja Maria e poetit kuban Nicolás Guillen dhe Shqipëria në...

    Visar Zhiti: Donja Maria e poetit kuban Nicolás Guillen dhe Shqipëria në anën tjetër

    NDODH QË DHE POEZIA NDRYSHON:

    Shohim nëpër anketa dhe intervista të bëhet dhe pyetja për librat që të kanë ndryshuar jetën dhe përgjigje nga më të ndryshmet, të bukura dhe me të papritura, por unë them se ka dhe poezi me ndikim të fuqishëm, që sjellin ndryshime jo vetëm brenda teje, por edhe jashtë, mund të ndryshojnë dhe ngjarje dhe rrjedhën e tyre…

                   Dhe ajo poezi mund të jetë nga andej ku s’pritet, e thjeshtë, madje mund të jetë dhe përkthim.

                   Kam një të tillë, që më ka ndihmuar. Dhe unë kam poetë të mi, që më kanë bërë të ndjej shumë, më duket se dhe më kanë formuar së brendshmi me poezinë e tyre të madhe.

    Dua të kujtoj njërën, disi e veçantë, që më duket se më ndihmoi shmangien e një kërcënimi, që ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve. Më ndodhi kur më kishin arrestuar dikur. E kam treguar dhe në burgologjinë time “Rrugët e Ferrit”:

    NË QELI

    …Dhe ti kërkon libra në qeli, tallej njeriu tjetër i qelisë. S’lejohen. Po sikur të na pushkatojnë? – thoshte.

    Pse, ç’ke bërë ti?

    Doja të arratisesha në Kosovë… Por më kapën, m’u hodh qeni i kufirit, më nguli dhëmbët.

    Të ka lënë shenja? – u dëshpërova unë. Do ndonjë copë këmishë ta lidhësh?

    Jo, jo, u zverdh ai. Copë e kam, ma shqeu qeni. S’ka shaka me këta! Prano edhe ti që doje të arratiseshe.

    Por unë s’kam dashur.

    Kurrë? – pyeste ai. E pamundur, përgjigjej vetë. Po ç’ke bërë? Këta s’të kapin kot.

    Do të sqarohet, thosha unë dhe s’duroja pa sharë: Bastardët. Dhe, kur më erdhën sërish ushqime nga shtëpia, copat e byrekut, që isha i sigurt se qenë lagur dhe me lotët e nënës sime, i ndava me të. Edhe ai i ndau të vetat me mua, vetëm herën e parë. Ushqimet e tij ishin si të blera, kuleç nga ata pesëlekëshit. Edhe dysheku i tij dukej si i reparteve ushtarake. Herë pas here kishte qejf të vishte pardesynë time dhe të shëtiste me të nëpër birucë. Si në qytet, thoshte.

                  Dhe s’ma linte fshesën në mëngjes, jo ti, jo, se je intelektual. Unë gjeja rast dhe përsëritja poezitë e mia, me frikën se mos nxirrja zë, kur lëvizja buzët. Po flas me vete, e ç’të keqe ka? Bibliotekën e padukshme e kisha lënë atje…

                  Tjetri e kishte mbaruar xhiron e tij. Ia shihja hijen në mur, me veshët e mëdhenj. Mi i stërmadh, shumë minj bashkë. Por… Shumria, i thosha, fshati nga je ti, ka kuptimin Shën Mëri. Bukur, ë?

    Ti në burg s’do të rrish me mua, por me të tjerë, brengosej ai, me intelektualë. Njeh ndonjërin?

    Jo. Pastaj, se ç’më shkrepi, i recitova një poezi, për një nënë, Donja Maria, ë, ngjan me Shumria, e gjora s’dinte gjë për djalin spiun, “që ia paguante policia”…

    Jotja është? U tmerrova. Jo, jo, e një poeti kuban. Kurban? Ku e ke parë?

    Asgjëkundi. E ka përkthyer Petro Marko, e ke dëgjuar? Ka luftuar në Spanjë… E ç’të vazhdoja? Quhet Nikolas Gilen, thashë.

    Kush?

    Ai poeti. Ia thashë, që ta dinte që s’ishte poezi imja.

    Po ti shkruan? – më pyeti befas.

    Kam shkruar.

    Këtu?

    Ndala. Mos kisha folur natën? Kur unë bëja gjumë të çartur, ai flinte i qetë. Po aq i qetë vinte nga hetuesitë, ndonjëherë edhe i ngrënë, sepse binte erë hudhër e sallam, kurse unë kthehesha i rraskapitur, i verdhë, si pa gjak, më thoshte ai, si i porsanëpërmendur nga një të fikët i rëndë.

                   H. H. ishte provokatori që më kishin futur në qeli dhe unë i flisja për poezinë. Vetëmbrojtje? Por dhe sulm. Unë për poezitë isha arrestuar. Mos po e rëndoja veten?

    Dhe për çudi, i recitova poezinë “Donja Maria”:

                   E gjora Donja Maria,

                   E mjera që s’di gjë,

                   Djali i saj – gjarpër pa zë,

                   Paguhet nga policia.

                   Dje si dhelpra me hile

                   Vinte rrotull shtëpisë time.

                   Më hodhi ca shikime

                   Ish veshur me rrova civile.

                   E mjera Donja Maria,

                   Një zonjë tepër e nderuar

                   Po për djalin nuk e ka kuptuar

                   Që e paguan policia.

     E di ende përmendësh, e shkruajta tani pa e patur librin ndër duar, shumë gjëra më kanë humbur nga kontrollet dhe konfiskimet, është poezi e poetit kuban Nicolas Guillen, marrë nga libri i tij “Kitarra kubane”, përkthyer në shqip nga poeti dhe shkrimtari ynë Petro Marko.

    E kisha gjetur atë libër kur isha gjimnazist në Lushnjën e vogël, ndërkohë ishte ndaluar, sepse miqësia politike e Shqipërisë së Enver Hoxhës me Kubën e Fidel Kastros nuk zgjati shumë, qe ftohur fare, se ata, kubanët, ishin me Bashkimin Sovjetik, ai dhe i mbështeste dhe ndihmonte revolucionin e tyre, marksizëm-leninizmin, kurse Shqipëria ishte fare e vogël, mjerisht e varfër dhe qe ndarë nga kampi socialist, duke shkuar më keq, qe lidhur me Kinën e Mao Ce Dunit e të revolucionit kulturor, ndryshe diktatori Hoxha s’rrinte dot në pushtet.

                   Ndoshta atë periudhë të paktë miqësie shfrytëzoi Petro Marko dhe përktheu nga spanjishtja një poet kuban, ia kërkuan sigurisht, por bëri poetin guximtar, gjeti poezi të shkëputura nga vargonjtë e Realizmit Socialist, të çlirëta, gjithë kumbime të artit të Amerikës Latine.

                   Ndodhte që biblioteka në provincë e harronte listën e librave të ndaluar a bënte sikur me të njohurit e vet, ndërkaq libra të tillë çoheshin në fabrikën e letrës për t’u ricikluar në letër.

    Mbaj mend dhe 4-5 kubanë, që kishin ardhur për specializim në bujqësi, kështu thuhej, mësonin të prashisnin dhe pasdite rrinin te një lulishte e vogël para hotelit të vetëm që kishte qyteti, “Myzeqeja”, mblidheshin kalamajtë përreth tyre dhe thoshin me zë të lartë: Kuba si, janki no! Ata qeshnin, njëri guxoi e bërtiti si me të tallur: Kuba no, janki si! S’e di a e denoncuan?…

    Mes tyre njëri ishte dhe një zezak i gjatë e i hollë, ia kërkova adresën dhe unë, e mbaj mend, quhej Nadividat, shkruaji që tani një letër motrës time Dalia në havanë, tha, se përgjigjet etj, etj.

                   Bëri bujë në Lushnjë që Sekretari i Parë i Partisë, shoku Q. M. u caktua në një delegacion qeveritar që të shkonte në Kubë. Nuk e di pse u gëzuam dhe ne, kalamajtë e lagjes. Kur u kthye, bëri një takim me intelektualët e Lushnjës, ku ishte dhe im atë me të gjithë estradën ku ai punonte. Sekretari i Parë u foli për mrekullinë kubane nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, ku krahas kasolleve, kishte vetura dhe grataciele dhe tregoi për betejën në Plazhin Zhiron (Playa El Girón) në Gjirin e Derrave (Bahia de Cochinos), ku zbarkuan emigrantë kubanë të mbështetur nga CIA për të përmbysur regjimin e Fidel Castro-s. Përpjekja dështoi. Revolucioni kuban kishte fituar kundër imperializmit amerikan. Plazhistët, ashtu siç ishin me rroba banjoje, ishin hedhur në sulm, e kishin goditur armikun me çadrat e plazhit, me këpucë kokës dhe në muze dokumentohet kjo luftë me fotografi e armë e avionin e rrëzuar, etj.

    Asosacion idesh. Një avion tjetër amerikan është në Muzeun e Kalasë së  Gjirokastrës, që forcat tona ajrore syshqiponja e rrethuan në qiellin tonë dhe e detyruan të ulet, të zenë rob. Ka dhe një poemë për këtë akt heroik…

    Mbas rënies së komunizmit dolën të dhënat se ai avion i vogël kishte ngatërruar aeroport nga shkaku i mjegullës, po fluturonte për në Napoli dhe u ul ulur vetë në Rinas, kur aeroporti kishte nisur të ndërtohej nga të burgosurit politikë. U botuan dhe ç’kishte thënë piloti amerikan në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që e kishin trajtuar mirë duke i dhënë leje të ikte, por pa aeroplanin.

    E kam shkruar këtë histori dhe në burgologjinë time “Rrugët e ferrit”. Ndërsa në Vlorë është një copëz plazhi që u quajt “Zhiron” dhe ndoshta të rinjtë s’e dinë përse. Ndonjë dhe e shpjegon me fjalën e zakonshme shqipe “xhiro”, që do të thotë “vjen rrotull”, kur dhe xhiro është huazuar dhe vjen nga italishtja.

    Atëgere si gjimnazist ia kisha shtuar bibliotekës time edhe një libër tjetër të ndaluar, “Kitarra kubane” dhe ia dhashë dhe shokut tim, Sherif Bali, ishte nja dy klasë më lart se unë në gjimnaz, shkruante lirika të mrekullueshme eseniniane, ishte ndër ata të paktët që i besonte vëllai im më i madh, Ilirjani, pas tij dhe unë. Na pëlqeu aq shumë poeti kuban, mësuam poezi të tij përmendësh, ia thoshim njëri-tjetrit…

                   Kërkoj sot të di më shumë për atë poet…

    POETI I KITARËS KUBANE

    Nicolás Cristóbal Guillén Batista, lindi më 10 korrik 1902 në Camagüey, Kubë dhe vdiq më 16 korrik 1989 në Havanë, atë vit kur do të shëbej Muri i Berlinit dhe do të binte komunizmi në Europën Lindore.

    Rridhte nga një familje me prejardhje afrikano-evropiane, babai i tij ishte një gazetar liberal, u vra nga forcat qeveritare në 1917.

    Nicolás Guillen boton “Sóngoro Cosongo” (1931), “West Indies Ltd” (1934)… Në vitet ’30 (shekulli i kaluar) u arrestua si kundërshtar i regjimit të Gerardo Machado. U përjashtua gjatë regjimit të Batista-s në vitet ’50 dhe qëndroi në ekzil për disa vite në Amerikën latine dhe Europë.

    U kthye pas revolucionit të 1959, u bë anëtar i Partisë Komuniste të Kubës dhe u rreshtua plotësisht përkrah Fidel Castros.

     U emërua Poet Kombëtar i Kubës në 1961 dhe u bë president i Unionit Kombëtar të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kubës (UNEAC) .

    Botoi më vonë “El gran zoo” (1967) .

    Nicolas Guillen do të bëhej figura kryesore e poezisë afro-kubaneze (poesía negra), duke kombinuar ritme muzikore nga “son” me onomatopoetikat dhe dialogun popullor për të përshkruar mënyrën e jetës së komunitetit…

    Mori mbështetje të madhe shtetërore, përfshirë botime, çmime dhe përfaqësime ndërkombëtare si poet dhe “zë i popullit revolucionar”.

    Është fitues i Çmimit Ndërkombëtar “Botev” (1976), Çmimit për Paqe Lenin/Stalin (1954), – mjerë paqja si Donja Maria e poezisë  tij me këto emra çmimesh kështu, – them unë. Mori dhe Çmimin Kombëtar për Letërsinë e Kubës (1983), etj.

    Guillén simbolizon përzierjen kulturore kubaneze dhe luftën kundër racizmit dhe pabarazisë. Ai solli në letërsi klithmën, ritmet dhe narrativat e diasporës afrikane në Kubë. Veprat e tij vazhdojnë të studiohën dhe të përkthehen në më shumë se 20 gjuhë, etj, etj.

    *   *   *

    Kur isha student në Shkodër, një herë me Profesorin tim, të urtin Vehbi Bala, ra fjala për Nicolas Guillen dhe ai më tregoi se kishte qenë bashkë me të në Rumani, në një festival poezie në Bukuresht. I kishin venë bashkë në një veturë dhe ai, Guillen-i, kishte nxjerrë makinën e shkrimit nga çanta, të vogël, dhe po i rrihte tastat shpejt e shpejt me gishtrinj, po shkrunate direkt dhe bisedonte, mbaroi një artikull për Vehbi Balën, që u botua në Kubën e tij, po më tregonte Profesori, një faqe gazete dhe titulli i shkrimit, mbaj mend që kishte dhe fjalën zemër.

    Si i kishin shkrimtarët makinat e shkrimit në Kubë, me autorizim si ata pak shkrimtarë që i kishin leje në Shqipëri? Të regjistruara në Degën e Punëve të Brendshme se mos shtypnin gjëra të ndaluara, – larg qoftë, trakte e shpërndaheshin fshehurazi… se dhe kishte ndodhur…

    A kishte dalë libri i tij shqip atëhere? A i tha Profesori Vehbi Bala poetit Kuban Nicolas Guillen që e kishte përkthyer Petro Marko, një revolucionar, që kishte marrë pjesë dhe në Luftën Civile të Spanjës, që në çdo vend që kishte shkuar e çdo regjim e fuste në burg? Që herë pas here i ndaloheshin veprat në atdhe nga regjimi, më keq se në Kubë? E Guillen a i tha se ishin të zhgënjyer nga komunizmi apo kjo u ndodhte vetëm atyre që përndiqeshin prej tij? Jo, jo… 

    Çfarë, duhej pritur radha?

    E KUBA?

    Është ishulli më i madh në Karaibe, 110.860 km katrorë, – sa 4 herë Shqipëria jonë, – afër brigjeve të Floridës, mes Gjirit të Meksikës, që ka sugjerime të quhet Gjiri i Amerikës si një reagim kundër Meksikës për çështje të emigracionit gjatë Presidencës Trump.

    Si një hardhucë të blertë, – e quan ishullin e Kubës poeti Guillen. Ka 11.2 milionë banorë, – kaq a më shumë është diaspora shqiptare nëpër botë, – kryeqyteti është Havana. Rimon dhe me Tirana. Kuba ka ende regjim socialist një partiak me Partinë Komuniste në pushtet dhe kryetari i partisë është dhe presidenti i vedit. Zgjedhjet janë të kontrolluara dhe nuk lejohet parti tjetër si në Shqipërinë diktatoriale.

                   Marrëdhëniet e Kubës me SHBA mbetetn të tensionuara që nga revolucioni i 1959 me ligjin e embargos në fuqi, të përkeqësuara sërish me administrat:en Trump.

                   Mbaj mend që në librin “Kitarra Kubana” nuk flitet mirë për SHBA e jankit. 

    Dhe n:e Kubë në vitet ’60 dhe ’70 u vendos një kontroll i rreptë mbi letërsin:e dhe artet. “Brenda revolucionit – gjithçka; jashtë revolucionit – asgjë”, – tha Fidel Castros gjatë atij fjalimit të famshëm “Palabras a los intelectuales” (“Fjala për intelektualët”) në 1961 përpara një grupi shkrimtarësh, artistësh në Bibliotekën Kombëtare.

                   Si Fjala e Enver Hoxhës në Pleniumin IV të PPSH për letërsinë dhe artin në Shqipëri (1973).                        

    Edhe në Kubë kushdo që shkruante, pikturonte, kompozonte duke menduar ndryshe nga ç’donte partia, rrezikonte të shpallej armik i popullit ose kontrarevolucionar. Deviatorët akuzoheshin si në Shqipëri për “dekadencë borgjeze” ose “influenca perëndimore” dhe merreshin masa kësisoj:                                    – Izolim shoqëror, përndjekje mediatike, ndalime udhëtimi. (Edhe Shqipëria i kishte…)

    – Ndalesa botimi, internim ose burg. (Si te ne…)

    – Punë të detyruar në kampet e famshme UMAP; Unidades Militares de Ayuda a la Producción. (Në Shqipëri ishin shumë më të rënda burgu i Burrelit, Këneta e Maliqit, Tepelena, Grabiani, Spaçi, Qafë-Bari, etj.)

    Poeti Kombëtar, Nicolás Guillén, nuk ka pasur probleme me regjimin komunist kuban, përkundrazi, ai u la të bëhej një figurinë qendrore e kulturës zyrtare revolucionare. Kështu dhe n:e Shqipëri, se diktaturat ngjajnë, letërsitë e tyre jo dhe aq…

    Ndërkaq kolegë të Nicolas Guillen si:

    1. Poeti dhe eseist Heberto Padilla u arrestua në vitin 1971, pasi botoi librin Fuera del juego (“Jashtë lojës”) që kritikon sistemin. Shkaktoi një tronditje të madhe në botën letrare dhe u njoh ndërkomtarisht si rast.         Shumë intelektualë të njohur botërorë, Jean-Paul Sartre, Mario Vargas Llosa, Susan Sontag, Octavio Paz, etj, protestuan kundër regjimit kuban.

    2. Reinaldo Arenas (1943–1990), shkrimtar homoseksual, opozitar i regjimit, u persekutua për vite të tëra. U arrestua dhe u dënua me burg. Ai u arratis nga Kuba më 1980 gjatë eksodit të Marielit dhe botoi kujtimet e tij tronditëse Antes que anochezca (“Para se të bjerë nata”), dëshmi të censurës, represionit dhe homofobisë në Kubë.

    3. Guillermo Cabrera Infante, një nga shkrimtarët më të njohur kubanë në mërgim. Fillimisht mbështeti revolucionin, por më pas u kthye kundër regjimit dhe jetoi në Londër për dekada, ku botoi vepra si “Tres Tristes Tigres”. Ishte i ndaluar në Kubë.

    Me burgosje shkrimtarësh e pushkatime poetësh Shqipëria ia kalon jo vetëm Kubës, por… Sociologë e politologë ndajnë mendimin që në Shqipëri censura ishte më e rreptë dhe më sistematike nën Enver Hoxhën, ku edhe shkrimi i një poezie: “e dyshimtë”, mund të çonte menjëherë në 10 vite burg, etj, etj. 

    Po le të kthehemi te ajo poezia e Nicolas Guillen, që çuditërisht u botua dhe në Shqipëri.

    PËR NËNËN E BASHKËPUNËTORIT…

    Dhe gjeta origjinalin “Doña María”:

    ¡Ay, pobre doña María,

    ella que no sabe nada!

    Su hijo, el de la piel manchada,

    a sueldo en la policía.

    Ayer, taimado y sutil,

    rondando anduvo mi casa.

    ¡Pasa! – pensé al verle – ¡Pasa!*

    (Iba de traje civil.)

    Señora tan respetada,

    la pobre doña María,

    con un hijo policía,

    y ella que no sabe nada.

    Vazhdon të më pëlqejë përkthimi i Petro Markos, ka muzikalitet, dëshpërim, imazh, pafajësi dhe keqardhje për nënën e atij që është bashkëpunëtor i policisë sekrete, spiunit dhe ka shtuar fjalët gjarpër e dhelpër për të, sigurisht është mllefi i tij për ata që e ndiqnin gjatë diktaturës, një denoncim artistik i atëhershëm, aq mundej dhe besoj dhe autori e ka tejkaluar atë poezi në vendin e tij si të ishte për kohën para revolucionit, gjatë regjimeve antipopullore.

    Ta ketë patur me spiunët e Realizmit Socialist? Do t’më pëlqente, prandaj…. Po edhe atë do ta kenë denoncuar kolegët, ndonjë nga shokët do t’i ketë çuar letër dhe Fidel Castro-s… Do t’i urrejnë dhe poezinë, tirazhin e librave…

    Por më intereson tani dhimbja për nënën e spiunin, Marien e gjorë që nuk di gjë, e ndjej dhe unë, një mëshirë e tillë ishte e ndaluar, natyrisht në kah të kundërt atëhere, se mund të mësonim kështu zbutjen e luftës së klasave, kur ajo ashpërsohej gjithnjë e më shumë, e kisha ndjerë fort mbi kurrizin tim…

    Dhe u arrit kulmi dramatik, unë arrestohem për poezitë e mia, kur isha mësues në një fshat të Kukësit dhe në qeli më futën një provokator, të cilit i flisja për poezinë. 

    Hetuesi më lemeristë netëve, më pyeste për shokë të mi poetë… kujtoja nënat e tyre… dhimbja dhe vuajtja po më shembnin… hetuesi ngulmonte mizorisht, ndër të tjera donte bashkëpunimin tim, se do të kisha lehtësira, do të dënohesha më pak… Dhe Hyji i poezisë sikur më tha që t’ia recitoja në qeli provokatorit tim H. H. “Donja Maria”-n e Nikola Gilenit, neverinë dhe urrejtjen time për spiunët…

    Besoj poezia bëri kthesën. Se provokatori i raportoi hetuesit dhe ai do më thoshte pas ca ditësh: Ne kishim menduar një gjë të mirë për ty, por ti s’e meriton… dhe u la kjo çështje, të paktën për gjatë kohës hetuesisë.

    E kam shkruar se siç thoshin ata që partizanët ia merrnin armët armikut dhe me to e luftonin atë, ne shpesh kemi qendruar dhe jemi përpjekur t’u përgjigjemi duke përdorur dhe armët e tyre”, poezitë që ata botonin, ata libra që më pas edhe i ndalonin apo i grinin duke i bërë letër të bardhë sërish si harresa.

    Burgu do të kishte halle edhe më të mëdha e tmerre të tjera, po edhe pasburgu ende në diktaturë, përndjekjet, braktisjet, asnjë e drejtë, dhuna prapë, kërkesa për bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, se tani, sipas tyre, do të isha dobësuar më shumë, do të doja një punë që ta përballoja, jo gjithmonë punëtor krahu dhe do të ëndërroja të botoja poezi, por pa lejen e tyre s’bëhej dhe unë vazhdoja dhe refuzoja, jo, le të bëhej ç’të bëhej, qoftë dhe në burg prapë le të më çonin… dhe ajo “Donja Maria” – e gjora poezi… – më nxirte  para fytyrën e nënës, e të gjitha nënave…

    Nëna është poezia që e ndryshon jetën!

    *   *   *

    Tani dhe Nicolas Guillen dhe Petro Marko janë në jetën tjetër. Ndoshta ndodh të takohen në kopshtet qiellore, shumë miq e shokë mund të jenë në Purgator e një pjesë në Ferr. Takohen si të mundin, flasin për poezinë, por dhe për komunizmin mbase, që ka rënë e s’ka rënë. Si është Kuba është zbutur? Shkëlqen ende ylli Guillen? Shqipëria ka ndryshuar shumë së jashtmi, ata që bënë diktaturën janë shndërruar në demokratë, po ndërtojmë kapitalizmin duke shëmbur të vjetrën, si ngrehina, po edhe të renë, po i doli para… Gjithsesi Petro Markon po e çmojmë më shumë.

    Fëmijët shqiptarë të “Donja Marieve” shqiptare? Janë më mire seç ishin, janë pasuruar, merren me biznes, kanë shkuar jashtë shtetit, Romë, Paris, Londër, Vjenë, New York… bëjnë pushime buzë oqeanit në plazh dhe shohin me nostalgji nga ishulli që s’duket, Kuba, në fakt në ishullin politik që kanë brenda vetes së tyre.

    Dhe ndjeva dëshirën ta përkthej dhe unë tani poezinë e Guillen-it, “Donja Maria”, m’u gjend, më ndihmoi, të vazhdojm;e bisedën:

    ZONJA MARIA

    (përkthim imi)

    Ah, e urta zonja Marie,
    s’di gjë ajo, e vrerosur,
    I biri – lëkurë njollosur, 
    u bë spiun policie.

    Dje erdhi në shtëpinë time,
    Pa librat, ç’kisha shkruar.
    Shkofsh ku ke për të shkuar!
    (Ish veshur me rroba civile)

    Grua shumë e respektuar,
    Por gjë s’di Zonja Marie,
    Të birin, agjent policie,
    Fshehtas e kanë dekoruar.

    Nuk e pata dot mllefin brilant të Petro Markos, as kafshët që s’i ka origjinali i poezisë dhe shtova librat dhe një dekoratë. Përkthimi sipas kohës…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË