More
    KreuLetërsiBotime të rejaVisar Zhiti dhe Gazmend Kapllani, një bisedë "në dritë" përballë lexuesve

    Visar Zhiti dhe Gazmend Kapllani, një bisedë “në dritë” përballë lexuesve

    Gazmend Kapllani: Është historik takimi im, këtu, me Visarin në rastin e promovimit të librit “I keqi vetes”. Po takohemi nën dritë. Por dikur jemi takuar nën errësirë, në kuptimin më të vërtetë të fjalës. Në Lushnje, ku jetonim të dy, lexonim poezitë tona fshehurazi, gjenim ndonjë kënd të errët ku binte ndopak dritë. Pinim cigare “Rozafa” dhe flisnim për letërsi…Ishte koha kur partia vendosi të më bënte biolog. Si familje e persekutuar nuk më jepnin bursë studimi; kur u zbut paksa lufta e klasave asokohe kur, ra Muri i Berlinit, me dhanë edhe mua një bursë studimi. Më thanë po deshe shko dhe studio biokimi. Dhe unë për të marrë statusin e duhur në shoqëri dhe për të shmangur ushtrimin ushtarak që e kisha tmerr shkova të studioja në Shkodër. Në kushte studimi të tmerrshme në konvikte, ku gjysma e kohës së studimit ishin ushtrimet e manifestimit për përvjetorin e partisë, punë për të ndërtuar hekurudha, leksione idiote marksizmi-leninizmi etj. Sa për biologjinë dhe kiminë, disa nga miqtë e mi, e dinë që fatkeqësisht nuk mësova asnjë gjë. Më shumë u mora duke përkthyer poezi të ndaluara, nga Zhak Prever, Bodler etj…

    Visar Zhiti: Kur u lirova nga burgu, – nuk mund ta shmang dot nga rrëfimi im persekutimin, – u ktheva në Lushnje, dhe nisa punë në fabrikën e tullave si punëtor krahu në baltë. Ishte jo shumë e lehtë të më flisnin njerëzit në rrugë, në punë. Isha i dënuari. Vija nga ferri. Por unë e kisha bërë zgjidhjen time, do t’i flisja vetëm atij që do të më fliste. Gazmendi ishte nga ata të rinjtë e paktë që m’u afrua dhe u miqësuam shumë. Më dha shumë emocionalisht, sepse dinte nga muzika që mua më kishte munguar gjatë. Dinte nga poezia e re që unë nuk kisha patur mundësi ta njihja. Dëgjonte lajmet fshehurazi në radio në frëngjisht, italisht… Pastaj arritëm t’i lexonim poezi njëri- tjetrit, tonat dhe nga ato të ndaluarat, nga përkthimet tona. Njoha dhe një Bodler tjetët, që kishte shqipëruar Gazi. Po kështu me poezinë e Zhak Prever-it, të cilin dikur e kisha patur në akt-akuzë. Nuk kishim kushte as në shtëpinë e tij, por as në shtëpinë time për të lexuar. Edhe pse nëna e Gazmendit ishte një mësuese e nderuar në Lushnje dhe babai i tij qytetar i nderuar, por thuhej se “Gazi se ç’ka në biografi” që s’e dinte as ai vetë, besoj…Në fakt, ne na i bënin biografitë, që në fëmini, kur ende nuk kishim një biografi, ishim të paracaktuar. Dihej që dhe Gazmendi nuk duhej të shkonte në shkollën e lartë, por i përfituam me zbutjen e luftës së klasave. Vite më vonë pas meje atë e dërguan të studionte, jo atje ku do të donte, për letërsi, por për biologji. Sigurisht që ai do ia dilte të gjente veten…

    Gazmend Kapllani: Në fakt Partia “mendoi” të më përgatiste për tregun kapitalist… Po të isha bërë biolog do kisha patur ndoshta një jetë shumë më të lehtë sot…

    Visar Zhiti: …jemi te “biografitë”, nuk po citoj data e histori të tjera, por do të themi një gjë nga që ndjehem midis miqsh që ndoshta do ishte interesante dhe si metaforë. Kur filluan lëvizjet për ndryshim në Shqipëri, në vitet ’90-të, dhe në Lushnjën e vogël, si të gjithë qytetarët edhe ne po organizoheshim nëpër protesta e mitingje, madje si të thuash koha na nxori në krye… Kujtoj se gjatë një përballje mes turmave dhe policisë po kërkohej dikush që të mund të fliste, t’i jepnin megafonin, edhe të qetësonte njerëzit edhe të përmbahej dhuna. Duheshin apele guximi dhe qytetarie. Mbi krahët e njerëzve u ngrit Gazi. Jo zjarr dhe vandalizma, poshtë diktatura, thirri ai!.. Më pas policia po kërkonte Gazmendin…

    Gazmend Kapllani: … në fakt u mundova të ndaloj njerëzit e egërsuar nga dhuna e sampistëve që të djegin ndërtesat qeveritare, Komitetin e Partisë etj…

    Visar Zhiti: …po, po dhe kërkonin Gazin ku është. Kështu ai nisi një jetë ilegale në Lushnje. Dy pallate më larg banoja unë, ndërkohë aty po vinte një polic dhe po kërkonte një djalë që u kishte ikur nga qelitë e Policisë, ishte arrestuar si ordiner, Pyeste polici të atin e tij: Mos është kthyer në shtëpi, se s’po e gjejmë? Jo, i përgjigjej i ati, unë duhet t’jua kërkoj djalin juve, më thoni ku është?! Disa ditë kështu. Polici më në fund e tha ku e kishte hallin: nuk donte djalin, por prangat se ai ishte arratisur me gjithë pranga dhe polici i kishte në ngarkim, duhej t’i paguante. Dhe duheshin prangat. Grotesk rrëqethës. Duheshin prangat, tani për të tjerët, për duart e Gazmendit tani, mendoja me ankth. Dhe futesha mes revoltave. Gazmendi iku në Greqi. Atje bëri punët më të rënda si të gjithë shqiptarët. Madje dhe më të rëndën: studioj, mbaroi në Athinë universitetin për filozofi. Prandaj dhe iku, të nxërë, të bëjë veten, nuk priti të vinte Europa te ne, por shkoi të gjejë “Europë”. Ndërkaq u bë një nga gazetarët më të njohur atje, në gazeta e radio, me emisione të drejtpërdrejta me shqiptarë. Herë pas here i vinin telefonata të çuditshme nga burgjet, shqiptarë që i thoshin se ishin burgosur kot. Dhe ai i futej aventurave të tjera, për të liruar të burgosurit e pafajshëm, edhe me kolegë grekë, gjë që s’u pëlqente autoriteteve. Shkurt, aq sa krijoi miq e dashamirës në Greqi, po kështu krijoi dhe kundërshtarë. Se ç’është një “Agim” që nuk është “i artë” atje…

    Gazmend Kapllani: Nuk është as Agim dhe as i artë…

    Visar Zhiti: …Gazmendi ka patur kërcënime edhe me vdekje, duke u detyruar të marrë rrugën drejt një emigrimi tjetër. Mërgim Brenda mërgimit. Prej pesë vjetësh është në Boston, edhe atje pedagog, jep letërsi. Duke shkuar dhe unë me punë në Uashington, u rilidha me Gazin më shumë, u takuam përsëri. Më pëlqente, kur merrja vesh, se teksa u shpjegonte studentëve antikitetin grek, Gazmendi mësoi të lexojë dhe në greqishten e vjetër, shpesh ai rrëmbehej dhe dilte nga teksti duke iu treguar se si është përkthyer Homeri në shqip, dhe u fliste për përkthyesit e tyre të mëdhenj burgjeve të Shqipërisë. Pra tregon edhe një Iliadë tjetër, Iliadën e vuajtjes, ku bëhet fjalë për bashkatdhetarët e tij si Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi e të tjerë. Nga “Ferri” i Dantes në ferrin tonë…Gazmendi është dhe një lloj emigranti tjetër, në gjuhë. Ai ka kaluar nga gjuha shqipe dhe ka shkruar me mjaft sukses disa vepra në greqisht, të cilat po nga greqishtja janë përkthyer dhe në gjuhë të tjera si në frëngjisht, italisht, në gjuhët nordike si edhe në Angli e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ngazëllehem shumë që me këtë roman “I keqi vetes”, iu rikthye gjuhës amë, gjuhën shqipe. Gazmendi është një shembull i shkëlqyer që gjithçka e ka arritur me dhimbje, me vuajtje, i vetëm. Nuk ka pasur ndihmën e kurrkujt, pa ndonjë mecenat, qoftë person apo shtet. Është bërë i njohur më shumë se në vendin e tij, në vende të tjera.

    Gazmend Kapllani: Një nga temat e librit është edhe rikthimi, duke përfshirë edhe rikthimin tek gjuha. Janë disa rastësi që vërtetojnë se realiteti ja kalon gjithmonë letërsisë, është më përfytyrues se sa shkrimtari. Mendoni se çfarë rastësie ndodhi me mua dhe Visarin. Unë e njoha në Lushnje, në ato kohëra të territ absolut dhe shpresës së madhe…E them këtë sepse ndonjëherë sa më i madh të jetë terri, aq më e madhe është shpresa…Dua të them se Visari u bë atëherë mentori im letrar. Fale tij nisa të shkruaja poezi. Visari hapi një botë, jo estetike tek unë, por një botë ekzistenciale. Aty kuptova se të të jesh shkrimtar nuk është një kapriçio estetike. Është një zgjedhje jete.

    Visari Zhiti: Shkrimtari vjen nga larg, nga përtej oqeanit. Nuk erdhi rastësisht këtej dhe ne u mblodhëm, jo. Ai e ndien si mision të takojë lexuesin, të bisedojë për librin. Gazmend Kapllani, kam zbuluar, se, së pari, ai ka përgjegjshmëri të lartë si qytetar, ka ndërgjegjen e krijuesit dhe, e dyta, adhurimin e tij për lexuesin. Çdo shkrimtar, kur shkruan, ka në mendje lexuesin hipotetik, universal, të fshehtin, kurse Gazmend Kapllanit nuk i mjafton kaq, por do lexuesin real, konkret, të bisedojë me të si mik. Ai gati e bën bashkëpunëtor lexuesin. Nëpër të gjithë miqtë e tij në fb Gazi shpërndau ballinën e librit duke kërkuar mendim, se si do t’u pëlqente të ishte. Apo dhe e jep dorëshkrimin për lexim. Është dashuri për lexuesin. Pikërisht edhe unë pata rastin që librin ta lexoj pa u botuar, pastaj, kur e mora në letër, rashë në grackën e rileximit. Është një libër që të thotë gjëra të reja sa herë ta lexosh. “I keqi vetes”, – po lexoj ç’kam shkruar për këtë libër, – është një roman i pazakonshëm për të zakonshmen tonë, tipike shqiptare. Por edhe Ballkanike, e më gjerë. Teksti i tij të kthen në kohë, ku me plot fantazi dhe frymë përftohet një realitet më i ngjeshur, i rëndë, në të cilën përzihen tragjikja me absurdin komik, befasitë dhe dashuria me pengesat e reja. Drita ndjellëse për të ikur në gjithkund, për t’i shpëtuar vetes dhe kthimet e ashpra, në një truall metaforik, yni, i përbashkët, sërish shqiptar e ballkanik, po aq edhe botëror. Gazmend Kapllani arrin me guximin e shkrimtarit të lirë atë lartësi që priste letërsia shqipe postdiktatoriale e shekullit të XXI. Prandaj dhe vepra e tij është po aq e përbotshme. Është një sagë e shkëlqyer dhe tronditëse që, ndonëse e shkruar larg në SHBA, ku jeton autori, ka arealin shqiptar dhe ballkanik, ka botën, atë të njeriut, fatin dhe dramën e tij në kapërcyell ndryshimesh, të kohëve e vendeve dhe të mendësisë, të përplasjeve të tyre shkundulluese.
    Ka një narracion origjinal, të pasur e të çmuar. i bukur tragjikisht, poezi, marramendës, të papritura me plot fshehtësi, e me humor të zi, si vetë realiteti dhe me madhështi të brendshme. Gazmend Kapllani na solli veprën që pritej. “I keqi vetes”, poshtë fjalëve të tekstit ka muzikë zëulët, të trishtë, deri në elegji. Ngjarja e këtij romani është vendosur në qytetin e trilluar të autorit. Pra kemi trillim brenda trillimit ka shpikur emrin e një qyteti, Ters, një emër me shumë kuptime, por ai është i ngjashëm me qytetet tonë, pak si Lushnja, si Gjirokastra, Korça, Tirana, me Shkodrën, me atë humorin e saj disident…Ka personazhe të çuditshëm, të hallakatur, kokëshkretë. Në qendër është një familje normale: babai një komunist i bindur, që konvertohet në një mysliman në postdiktaturë; e shoqja e tij që do të vrasë veten. Janë dy djemtë e tij; I madhi i lidhur më së shumti me nënën, kurse i vogli me babain, që e përsëdyt së tepërmi atë. I madhi ikën, kërkon botë, jo sipas babait të tij; kurse vëllait të dytë i pëlqen mosndryshimi, rehatia e gatshme, dhe nuk i iket. Dy vëllezër, pra alterego të njëri tjetrit. Një lloj tjetër Abeli dhe Kaini, jo biblik por që arrijnë të vrasin njëri tjetrin ndryshe, çdo ditë. Qoftë me heshtje, qoftë me largësitë e tyre. Si fantazma nëpër rrethina, enden të internuarit në këtë qytet apo të burgosurit politikë që do mbeten të margjinuar edhe në roman siç, po ndodh vërtetë edhe në jetë. Ndodh që ndokënd e thërrasin “Kulla e Babalit” ngaqë di gjuhë të huaja, dhe na kujton ata përkthyesit e mëdhenj që i kujtuam, herë Vexhi Buharanë që e kishim andej afër, apo Jusuf Vrionin e Kudret Kokoshin që përkthenin letërsinë shqipe në ato kohëra, për botën, por pa emrat e tyre. Përtej Tersit është kufiri, jo vetëm ai gjeografik e politik, por edhe kufiri i frikës, ankthit dhe i fatit. Sa kritik, po aq edhe vrastar por edhe i kapërcyeshëm. Ja, jo larg është Greqia, ku sheshi i saj Omonia është plot me shqiptarë të ikur, keqtrajtimet por edhe si alibi e një kolektiviteti tjetër -paçka se në Europën e bashkuar. Një nga gjërat më të rëndësishëm, në retrospektivë të romanit, është masakra mbi çamët – e shkruar shkëlqyeshëm, me ndërgjegje të fortë, jo veç prej artisti. Kujtoj metaforën e një lope që digjet gjatë masakrës dhe autori, porsi një poet, thotë se “ajo shpërthen si një fishekzjarr”. Një çudi që prej fishekzjarrit të festës, përftohet një festë e zezë, një makabritet. Dhe autori shpesh të mahnit me këto lloj krahasimesh. Dhe dashuritë më pas, si në kompleksin e Edipit. Sëmundja e ikjes sërish…Derisa personazhi, ashtu si autori, mbërrin në qytetin e Bostonit, dhe vjen përsëri në Ters. E kthen vdekja në atdhe. Kur ndonjëherë të duket se je më i huaj si më parë, një varrim pa funeral, me sherre dhe e pabesueshme, me muzikë cigane, madje dhe lot të panjohur të atij që nuk qau dot në vdekjen e të atit. Por shkrehet në vaj për vrasjen e një vajze që nuk e kishte parë kurrë. Si letërsi do të thoja se “I Keqi vetes”, mbase është elegjia më e bukur shqiptare e shekullit XXI, elegjia për vendin. Një nga personazhet thotë: unë e dua megjithatë këtë vend! Se ai nuk i ka bërë keq askujt, vetëm vetes. Është një ish i burgosur që si fantazmë profeti i thotë këto fjalë dhe sintetizon të gjithën: fatin dhe fatalitetin! Jemi ne që i bëjmë keq vetes më shumë se, gjithçka përreth nesh. Mes prurjeve që ka letërsia shqipe sot, kjo është një vepër që na mungonte, ngjarjet e së cilës arrijnë si dallgë deti në çastin që po e lexojmë, e flasim. Në roman, janë të përziera mrekullisht përvoja e poetit, gazetarit dhe narratorit. Mendimet këtu arrijnë deri në filozofi, aq sa i nevojitet një letërsie, gjë që dhe mungon në letrave shqipe. Lëvizja dhe ndryshimet janë jo vetëm ngushëllim, por edhe pjesë e zgjedhjes.

    Gazmend Kapllani: Problemi i gjuhës është pak më i ngatërruar në rastin tim, sepse unë kam shkruar shqip dy librat e parë me poezi. Kam shkruar shqip ese dhe kolona javore ne gazeta shqiptare. Kështu që nuk e kam braktisur asnjëherë shqipen…Megjithatë si shkrimtar, si prozator, si romancier, shkrimin e nisa në gjuhë të huaj që për mua ishte një sfidë shumë e madhe. Në fëmijërinë time nuk kisha asnjëlloj kontakti me atë gjuhë, greqishten. Për herë të parë kam dëgjuar të flitet greqisht pranë meje në Shkodër, falë një miku tim vellazeror, një bashkëstudenti, Panajot Panajotit… E degjoja Panajotin kur fliste me nënën e tij në greqisht. Më pëlqente shumë kur e dëgjoja greqishten. Dija katër gjuhë të huaja atëhere por kur dëgjoja greqishten mendoja se atë gjuhë nuk do isha i aftë t’a mësoja ndonjëherë. Dhe ndodhi që jo vetëm e mësova, por edhe shkruajta libra më pas në greqisht… Unë shkova në Greqi gati 23 vjeç. Është shumë e vështirë të shkruashlibra në një gjuhë që e njeh pas adoleshencës.
    Që nga momenti që unë fillova të shkruaj në greqisht romanet e mi, përveç auditorit imagjinar në mendjen time krijova edhe një auditor kontrollues të vërtetë. Janë rreth 7-8 persona të zgjedhur nga unë, të cilët lexoje librat e mi në dorëshkrim dhe japin mendimin e tyre pa dorashka. Ndonjëherë janë shumë të rreptë me mua. Këta janë lexuesit e mi të parë. Është një art më vete se si përzgjidhen ata njerëz, vijnë nga gjini të ndryshme, ndoshta dhe shtresa të ndryshme të shoqërisë, edukim dhe profesione të ndryshme. Por deri para romanit të fundit të gjithë këta persona dinin greqisht. Më pas kur shkova në Amerikë vendosa të shkruaj romanin tim të ri në shqip. Është një histori e gjatë pse e morra këtë vendim dhe të ndërroj gjuhët. Vendosa të shkruaj në shqip por nuk kisha atë auditorin e dorëshkrimeve të mia. Duhej t’a nisja nga e para, të zgjidhja përsëri shtatë-tetë veta që do të lexonin dorëshkrimin. Për më tepër unë bashkëjetoj me një piktore Amerikane e cila është me origjinë ruso-hebreje e cila nuk di asnjë fjalë shqip…Kisha shkruar rreth 15 faqe nga libri i ri kur papritur më shkruan Visari dhe më thotë: “Kam ardhur në Ambasadën Shqiptare në Uashington!”. Është një rastësi e jashtëzakonshme, që Visari në një farë mënyre mentori im letrar, në këtë kthesën e re që po bëja, përsëri tek shqipja, ishte pranë meje përsëri. Dhe e vërteta është që Visari u bë lexuesi dhe kritiku im kryesor për këtë libër.

    Ballkani si enë komunikuese, ndikimet dhe letërsia shqipe?

    Gazmend Kapllani: Ka dy gjëra që të pengojnë të bësh letërsi të mirë. E para të mos jesh i ndershëm me veten; e dyta të duash të hakmerresh nëpërmjet letërsisë. Nuk mund të bësh letërsi të tillë, sepse del si trakt. E dyta, shkolla greke e letërsisë që dikush e përmendi këtu si shumë të rëndësishme për orientimin tim letrar është komplet e mbivlerësuar. Greqia modern është relativisht e varfër në letërsi. Greqia moderne ka një poezi të mrekullueshme. Ka letërsi të mirë për sa i përket tregimit të shkurtër. Por nga ana e prozës, nga ana e romanit nuk kishte asgjë për të më mësuar. Edukimi im letrar nuk i detyrohet prozës greke. Poetët grekë, shumë prej tyre të majtë që humbën luftën civile, të ashtuquajturit “poetë të humbjes”, janë të mrekullueshëm. Ajo ka ndikuar tek unë. Kavafis ka ndikuar tek unë me kozmopolitizmin e tij. Në prozë, nga pikëpamja ideologjike më shumë, jam ndikuar nga Kazanzaqis dhe Roidis, të cilët sipas meje që të dy janë të nënvleftësuar në Greqi. Me shumë vlerësohen jashtë Greqisë se sa brenda, pasi kanë qenë shumë shumë kritike ndaj konservatorizimit shoqëror, fundamentalizmit fetar të kishës Ortodokse Greke dhe nacionalizmit paranojak. Ndikimi dhe edukimi im letrar në prozë është italian, francez dhe i detyrohem shumë letërsisë së Europës Qendrore. Në letërsinë e Europës gjej një surealizëm të jashtëzakonshëm, akoma edhe sot, i cili ngjan shumë me surealizmin ballkanik. Ndoshta në këtë pikë, Europa Qendrore dhe Ballkani kanë jetë paralele, për mënyrën kaotike se si u krijuan kombet tek ne pas “vdekjes” se Perandorive shumë-kombëshe…
    Letërsia është gjithmonë e lidhur me historinë. Po të flasim për letërsinë shqipe duhet ta shohim në sfondin e një tragjedie dhe baterdie të madhe. Asnjë gjuhe në Ballkan nuk përjetoi tragjedinë që përjetuam ne në gjuhë dhe letërsi dhe lirinë e krijimtarisë. Një gjuhë e vogël, që sapo kishte filluar të kultivohej ne nivelin e krijimit të madh letrar në vitet ’30, kur po ndodhte ringjallja e madhe e letërsisë Europiane pas traumës së Luftës së Parë Botërore; kur rrymat e kësaj letërsie po vinin dhe po ndikonin edhe letërsinë ballkanike dhe atë shqiptare. Dhe kjo ndërpritet pastaj nga Lufta e Dytë Botërore dhe kryesisht nga ajo që erdhi më pas.
    Një errësirë absolute që pllakosi mbi letrat shqipe. 50 vjet nën tiraninë e totalitarizmit komunist, një gjuhë e vogël, në kultivim e sipër, me një letërsi që sapo kishte filluar të lulëzonte, persekutohet, izolohet në mënyrë absolute nga bota dhe nga Europa…
    Mbaj mend një takim me Ramiz Alinë, disa vjet para vdekjes së tij; po bëja një interviste me të sepse doja të shkruaja një ese në anglisht. Me priti në shtëpinë e tij, me tregoi librat e bibliotekës së tij për personale, në frëngjisht shumica. E pyeta: “a e dini që në epokën kur ju kishit pushtet absolut mbi Shqiptarët nëse dikush kapej me një libër të tille mund t’i shkatërrohej jeta një herë e përgjithmonë? Përse i ndalonit librat?”. Në fakt, të gjithë diktaturat totalitare të shekullit XX i frikeshin mbi të gjitha letërsisë, ndalonin dhe digjnin librat e artit dhe letërsisë kryesisht, nuk ndalonin librat për matematiken apo biologjinë. Alia në fillim u mundua t’i shmangej pyetjes. Më pas, me një pamje përdëlluese dhe tha: “Po ja Gazmend, e bënim për t’ju mbrojtur. Si prindi që duhet të mbrojë fëmijën nga gjërat e rrezikshme”. Një përgjigje e llahtarshme. Sa mjerim, sa paranojë, sa mos-mendim kishte ajo përgjigje. Edhe Stalini ka qenë i përbindshëm. Por neve për 50 vjet na qeverisën njerëz që kanë të përbindshëm në mizerabilitetin e tyre shpirtëror, mjeranë të vërtetë, mjeranë mendorë, shpirtëror, super provincial, njerëz që urrenin çdo gjë që kishte të bënte me lirinë dhe të bukurën. Kur flas për shkatërrimin që sollën nuk flas për atë materiale. Shqiptaret të varfër kemi qenë dhe të varfër jemi. Flas për shkatërrimin e kulturës së kombit tonë. Ndonjëherë më duket habi se si ka mbijetuar ky komb pas asaj batërdie pesëdhjetëvjeçare… Kështu që letërsia jonë ka qenë një letërsi e varrosur, dhe tani po del nga varri. Është si ajo fantazma që po mundohet të marrë trajtat e njeriut të gjallë, të përftojë kujtesë dhe përfytyrim…Padyshim diçka doli gjallë nga ai ferr, letërsia e Ismail Kadaresë. Falë tij mbijetuan letrat shqipe. Por ne dolëm nga diktatura një komb me kulturë të shkatërruar, një komb jashtë kohës dhe hapësirës botërore. Kjo është shume e dhimbshme…. Ne jemi një gjuhë e vogël, nuk mund të nxjerrim një masë të jashtëzakonshme shkrimtarësh të mirë. Por e besoj se, sot në kushtet e lirisë mund të shkruajmë një letërsi shumë të mirë.

    Visar Zhiti: Kemi letërsi dinjitoze, besoj. Gjithmonë të dënuar, do të thosha, me forma të ndryshme, të copërluar në vende dhe kohë. Kjo e bën dhe të veçantë. Mungojnë mbase shkollat dhe metodat dhe rrymat, por jo individët. Letërsia shqipe është letërsi e individëve siç është folklori popullor, i anonimatit të të gjithëve. Duhet përkrahur individi, autori dhe libri i tij. Se të shkruarit nuk mësohen kurrë nga të tjerët, nga shteti jo dhe jo, ai veç mundet të ta marrë, pra dhuntinë e të shkruarit ose e ke, është brenda teje ose nuk e ke. Ta ruajmë së bashku te ai që e ka, është pasuri e të gjithëve….

    Për cilin lexues mendon shkrimtari?

    Gazmendi Kapllani: Shkrimtarët janë pak megalomane sigurisht. Shkrimtari shkruan një libër sepse do që ta lexojnë, mundësisht, të gjithë. Lexuesi yt ideal, janë shtatë miliardë njerëz, aq sa banor ka toka, pavarësisht se askush prej tyre nuk di shqip… Ekziston padyshim një tension midis asaj që do të thotë shkrimtari dhe asaj që mendon shkrimtari që do t’i pëlqejë apo jo auditorit të tij real apo imagjinar. Por auditori nuk është kurrë monolitik. Për mua, letërsia është që të sjellësh gjithmonë një risi, të thuash një gjë të re, ose të thuash diçka që është thënë një mijë herë në një mënyrë që nuk e ka thënë kurrë asnjë tjetër.

    Visar Zhiti Shkrimtari është njëkohësisht dhe lexuesi i parë i veprës së vet. Teksa shkruan, ai dhe e lexon atë. Kjo do të thotë që i ka të dy detyrat dhe të dy përgjegjësitë. Do kisha dëshirë të shtoja në këtë bisedë për atë që u ngrit me të drejtë, për përkushtimet dhe shkollat letrare. Këto ditë po shikoj një libër, një bisedë mes Borgesit dhe Sabatos. më është dukur i vyer ky libër. Borgesi arrin të thotë se është një shkrimtar lagjeje. U çudita, kështu thoshte dhe im atë me shpotí. Por shih si përgjigjet Sabato: “po, ne jemi shkrimtar lagjeje, të kësaj lagjeje që quhet Tokë”. Mahnitëse për mua. Të qënit i asaj lagjeje dhe menjëherë i gjithë botës. Pessoa thotë një tjetër mrekulli: “Universalja s’është gjë tjetër, veçse lokalja pa mure!” Njeriu kudo është dhe i përbotshëm. Dhe s’mund t’i kërkosh atij vetëm atë që ke ti a do ti. E vetmja gjë që mund të sjellësh në “shkollën e Ballkanit”, siç u tha këtu, pra Greqisë, Rumanisë, Serbisë, Bosnjës, edhe më tej, etj, është të sjellësh fatin tënd, i lidhur me vendit tënd. Mjafton ta sjellësh mirë, kjo mund të bëhet e përbotshme më pas. Unë nuk e kam obsesion të gabuar se ne jemi një popull i persekutuar dhe me një gjuhë të persekutuar. Të dyja të lashta. Edhe martire. Në Ballkan, në perandorinë e madhe Otomane, për 500 vjet ishte e ndaluar vetëm gjuha shqipe. Madje dhe e mallkuan. Të ndalosh gjuhën e një populli për 500 vjet e ajo të pjellë prap vepra, unë mendoj se kjo është një lloj pavdekësie që duhet ta ndjejmë si dhuratë qiellore dhe ta çmojmë. Një gjuhë e persekutuar, me njerëz të persekutuar, nuk ka pse të mos e pohojmë vazhdimisht se vazhdimisht do të prodhojë liri të brendshme trembemi, mbijetesë dhe heroizmin e të qenit njeri. Njeri krijues. Dhe s’mund t’i shmangesh këtij misioni, mendoj unë. Në një farë mënyre këtë bëjmë të gjithë. Edhe kur dalim kundër kësaj, kemi treguar se sa të persekutuar jemi. Edhe ky libër i Gazmend Kapllanit, të cilin e kemi ndër duar, them se e ka pasuruar “shqip” letërsinë ballkanike. Pra, unë i kundërshtoj ata që thonë se nuk kemi letërsi të mirë.

    Gazmend Kapllani: Dua të shtoj diçka këtu. Kur fola për letërsinë shqipe, fola për ato 50 vjet nën diktaturë, dëmi që i është bërë gjuhës. Fakti që para komunizmit por edhe tani po ngjizet një letërsi, e cila mund të jetë një letërsi e përmasave globale, që mund të qëndrojë në çdo lloj tregu…

    Visar Zhiti: Ndaj të njëjtin mendim, por unë jam nga ata njerëz që besojnë se letërsia e pas ’90-ës, është letërsi më e mirë se sa e para viteve ’90-të. Liria është shumë e domosdoshme për shkrimtarin. Kur them për letërsinë e pas viteve ’90-të, nuk dua të përball brezin që erdhi, sepse letërsi pas viteve ’90-të bëri edhe Kadare, Agolli, Fatos Arapi, po përmend treshen emblematike, që përmendej më së shumti. Por erdhi një letërsi e re, me zëra të begatë. Njëkohësisht iu hapën dyert plotësisht letërsisë së traditës, asaj që bëhet në diasporë dhe u lirua, doli nga persekutimi edhe letërsia e burgjeve, siç u bë zakon të quhej. Ajo nuk erdhi të zëvendësonte letërsinë shqipe, siç iu kundërvunë, por që të sillte vetveten dhe e pasuroi tërësisht mozaikun e letrave shqipe, madje I dha frymën e saj. E them prapë, kemi një letërsi që vjen nga dhimbja dhe s’ka art të madh pa të..

    Gazmend Kapllani: (Një prej te pranishmeve ne auditor e pyet ne se e konsideron veten e tij me fat që jetoi ene Greqi). Një nga fatet më të mëdha nuk ka të bëjë edhe aq shumë me letërsinë se sa me faktin që në Greqi shkova shqiptar dhe u bëra ballkanas. Në kuptimin që atje kuptova sindromat e vërteta të Ballkanit. Aty kuptova se problemet tona në Ballkan nuk kanë të bëjnë edhe aq shume me Tjetrin, por kanë të bëjnë me veten. Në rastin konkret, mes grekëve dhe shqiptarëve, janë fantazmat e vetvetes që na ndjekin edhe neve edhe grekëve…. Në Greqi gjendja ime ishte paksa skizofrenike. Nga një anë u bëra shumë i njohur në Greqi si shkrimtar dhe gazetar, nga ana tjetër u gjeta nën shënjestrën e ekstremistëve si përfaqësues apo simbol i Shqiptarëve në Greqi. Unë nuk jam shumë patriot, në kuptimin ballkanik të fjalës. Mendoj se jam më shumë ballkanas apo kozmopolit. Por duke qenë i vetmi shqiptar që kishte guximin të fliste publikisht, padashur u bëra si një lloj përfaqësuesi i një komuniteti të tërë. Shumë herë ndjeva veten në rolin e aktivistit të të drejtave të njeriut, më shumë se sa në rolin e shkrimtarit dhe më pas të gazetarit… Pastaj studiova thellë marrëdhëniet mes Grekëve dhe Shqiptarëve. Shkruajta një doktoraturë të tërë pse shqiptarët kane qene dhe janë një pakicë e demonizuar në Greqi. Duke jetuar atje kuptova më shumë konfliktet që kanë grekët me shqiptarët. Por kuptova dhe ngjashmërinë mes tyre. E kam thënë shpesh herë se grekët dhe shqiptarët janë kushurinj të parë që nuk honepsin njëri tjetrin. Dhe ky është sindrom i Ballkanit. Këtu, në Ballkan, mund të vriten njerëzit për origjinën e bakllavasë…jo është turke, jo greke… Këtë lloj fenomeni e gjen edhe në Europën Qendrore…


    Unë jam kundër kompleksit të të persekutuarit dhe të viktimës. Është një lloj mode sot në botë, vet-viktimizimi. Një nga problemet më të mëdha në Amerikë sot është edhe kjo: mania e vet-viktimizimit e grupeve të ndryshme. Sigurisht që ekziston persekutimi dhe viktimat. Por mania e vet-viktimizimit është paralizuese, qoftë për një individ, qoftë për një komb. Grekët e kanë shume të theksuar maninë e vet-viktimizimit. E përfytyrojnë veten e tyre në histori vetëm si viktima. Unë shpresoj mos ta fitojnë shqiptarët këtë lloj manie. Nga pikëpamja historike kjo lloj “manie” të zgjidh shumë punë; pasi thua se për gjithçka të keqe që më ka ndodhur e kanë fajin të tjerët! Mania e të persekutuarit dhe viktimës është diçka që të zgjidh problemin historik: nuk merr kurrë përgjegjësi për veprimet e tua, si individ apo si komb. Por nga ana tjetër të tredh nga pikëpamja kulturore. Nga pikëpamja individuale bëhesh njeri jo krijues dhe i papërgjegjshëm. Kështu që është një ekuilibër delikat, nga një anë të luftosh padrejtësinë, të njohësh viktimat e vërteta, por në të njëjtin kohë mos të biesh pre e manisë së vet-viktimizimit, të mundohesh t’a tejkalosh traumën, të shkosh më tej. Kjo është filozofia ime si aktivist, e cila mund të gjendet edhe në librat e mi.

    Guximi krijues: gazetari apo shkrimtari?

    Visar Zhiti: Guximi mes shkrimtarit dhe gazetarit nuk është i njëjtë. Guximi i gazetarit nuk duhet dhe nuk është krijues, atij i mjafton e vërteta, faktet e saj, realiteti, padrejtësitë, ai guxon që t’i kërkojë dhe gjejë ato dhe t’i tregojë me guxim, guximi i gazetarit është denoncues, moral, emancipues në qytetarinë kolektive, ndërsa guximi i shkrimtarit është krijues, fantazmagorik, ai e do të vërtetën, por dhe e paraprin, madje dhe e shpik, shpik realitete, për shkrimtarin ka dhe të vërteta e realitete të tjera, të pa dukshme, të tijat, që s’kanë qenë kurrë, por mund të jenë më të vërteta se e vërteta e më reale se realiteti. Guximi i shkrimtarit është dhe profetik, gati hyjnor, i bukur përherë. Njeriu duhet të guxojë…

    Gazmend Kapllani: Guximi moral mbetet gjithmonë busull për shkrimtarin. Gazetaria është një tjetër gjuhë… Duket e çuditshme ta thuash por e vërteta është se edhe shkrimtarët ndikohen nga idetë dominuese që ekzistojnë në një shoqëri. Këto ide kanë të bëjnë me tabutë sociale apo kolektive apo kombëtare që ekzistojnë…I pari hap i guximshëm i një shkrimtari, sipas meje, është të mundohet të njohë vetveten, të kredhet në detin apo honin e vetvetes. Të paktën tek unë ky është ndonjëherë një proces i dhimbshëm…Librat e mi nuk janë autobiografikë, por pa dyshim kanë të bëjnë me disa nga fantazmat apo obsesionet, apo pyetjet torturuese që unë strehoj brenda vetes sime… Hapi i dyte i guximshëm është guximi social. Shumë shkrimtarë bëjnë letërsi që t’u shitet, ose të bëhet e njohur, apo e pranueshme nga shumica në bazë të ideve apo rrëfimeve mbizotëruese, që të bëhen të pranueshëm nga elita të ndryshme, nga mediat, lexuesit. Bëjnë letërsi të mirë, por konvencionale duke mos shkuar mos guxuar kurrë të shkojnë kundër tabuve sociale apo kombëtare….

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË