More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVirion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

    Virion Graçi: Peizazhi − rrëfimtari i rrezikuar

    Jasunari Kavabata

    Njëri nga romanet më të mirë të nobelistit japonez Jasunari Kavabata “Vendi i dëborës” më jep dorë të kujtoj peizazhin si një rrëfimtar të padukshëm por fuqiplotë në kryeveprat e narrativës letrare. Episodi me të cilin fillon romani jep heroin kryesor duke udhëtuar me tren drejt vendit me dëborë ku do të kalojë ca kohë me një vajzë të bukur, një lidhje e përkohshme me fund tragjik, vajza digjet e gjallë në një sallë teatri të përfshirë aksidentalisht mes flakësh. Nga dritarja e trenit protagonisti shikon diellin për një kohë të gjatë dhe herë mbas here: duket i kuq, si i përgjakur, si lëmsh orguzi që ka mbetur palëvizshëm në qiell. Episodi i fundit i romanit jep përsëri protagonistin duke parë në ikje e sipër djegien e ndërtesës së teatrit që ndodhej majë një kodre në lartësi mbizotëruese, thuajse atje lart në qiell sipas këndshikimit të personazhit. Atje, në atë majë kodre të përflakur ndodhet dhe e dashura e tij, njëra nga bukuroshet e fjetura. Ndërtesa e teatrit, përfshirë plotësisht në vorbullën e flakëve, parë me sytë e heroit që dikur shikonte diellin duke udhëtuar me tren për te vendi i ëndërruar, përshkruhet identikisht i njëjtë si dielli i asaj dite të parë të udhëtimit: i kuq, i përgjakur, lëmsh ogurzi i mbetur palëvizshëm në qiell. Mbetesh i çmeritur nga ky përkim i qëllimtë autorial. Madje duke dyshuar te “tradhtia” e mundshme e përkthyesit shqiptar nga rusishtja e pashë tekstin në një gjuhë tjetër; gjeta të njëjtën simetri midis fillimit të romanit dhe fundit të tij. Po kështu ndodh në dy romane të tjerë të këtij mjeshtri: “Liqeni” dhe “Zhurma e malit”. Pas leximit të romaneve më ra rasti të lexoj fjalën e tij në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel. “Bora, hëna, lulëzimi pranveror, fjalët shprehëse të stinëve ashtu si ato lëvizin nga njëra te tjetra, përfshirë në traditën e bukur japoneze bukuri malesh, lumenjsh, bari dhe pemësh, në mijëra manifestime të natyrës janë po aq të bukura sa ndjenjat njerëzore.” Ndërsa në vlerësimet e ndryshme për Kavabatën njëri mbetet i palëvizshëm: me pamje e lëvizje të natyrës, të florës e të faunës, të tingujve dhe të ngjyrave të peizazhit Kavabata arrin të japë gjendje të komplikuara shpirtërore të njeriut, të bashkojë të brendshmen me botën e jashtme.

    Ernest Hemingway

    Mjeshtri tjetër i narrativës letrare në shek. XX, Hemingueji i njohur për teorinë e nëntekstit, për parimin e ajsbergut dhe për tregimet e papërfunduara skematikisht por të hapur për bashkëkrijim kuptimor e emocional me lexuesit, gjenerues kuptimesh e simbolikash alternative, porosiste me këmbëngulje një letrar të ri: mos harro pa treguar saktësisht në çfarë ambienti zhvillohen ngjarjet, jep hollësisht peizazhin dhe përshkruaj në çdo etapë motin, kohën, ndryshimin e saj. Falë kësaj porosie serioze dhe këmbëngulëse mjeshtri Heminguej është quajtur jo me ironi por në mënyrë përgëzuese edhe si një nga përfaqësuesit e mëdhenj të realizmit meteorologjik. Kryevepra e tij “Plaku dhe deti” është një nga shembujt më tipikë ku peizazhi natyror, i jashtëm ndërvepron me botën e brendshme të personazhit, flet në emër të tij, e përfaqëson gjendjen e tij stoike dhe dramatike pa fjalë, vetëm me ngjyra, nuanca ngjyrash. Duket se mjeshtri rrëfimtar vetëm sa ka pikturuar një plak dhe detin, romanin në shumësinë e kuptimeve të tij simbolike, alegorike e filozofike e krijojmë ne, bashkautorët, lexuesit e tij.

    Në shek. XX duket se peizazhi e ka humbur rolin dhe misionin vendimtar që ka pasur për realistët e një shekulli më parë. Balzaku quhet i lexuar në galerinë e personazheve të tij për aq sa arrijmë të njohim vizualisht prej përshkrimeve të tij të hollësishme vendin ku do të zhvillohet ngjarja – pra peizazhi paralajmëron, përgatit dhe sjell në jetë personazhin. Po kështu te romantikët personazh kryesor është peizazhi, ai jep tonalitetin rrëfimit, ai jep nuancat ideore dhe emocionale, ai siguron unitetin kuptimor dhe emocional të krejt veprës. Të njëjtin kult të natyrës e peizazheve të saj, ndonëse me natyrë obskure gjejmë te pararomantikët, sentimentalistët e errët si Ana Radklif, Lorenc Stern, etj. Edhe novelistika satirike iluministe e Volterit, krejt në funksion të ideve dhe pikëpamjeve që do të përcjellë e ilustrojë autori i lë vend të admirueshëm natyrës, peizazhit.

    Fillimi i shek. XX, me mbylljen e ciklit krijues të realistëve të mëdhenj rusë: Tolstoi, Turgenjev, Gogol, Cehov, Dostojevski, me mbylljen e etapës romantike të krijimtarisë te Gorki duket se shënon fundin e peizazhit si sipërmarrës në rrëfimet e mëdha romanore. Kështu, tek shkruan romanin autobiografik “Njeriu i parë,” ngelur dorëshkrim për shkak të vdekjes aksidentale, Albert Kamy në shënimet paraprake shkruan se me atë roman do t’i kthejë vetes të vërtetat burimore familjare kurse prozës së gjatë, romanit si gjini letrare do t’i kthejë në mënyrë pajtuese atë që i mungon prej disa dhjetëvjeçarësh: natyrën e plotë, peizazhin. Dhe ashtu bën. Autori i “Murtajës”, “Rënies”, “I huaji”, aq të njohura edhe për distancën diferencuese prej tablove natyrore, te romani “Njeriu i parë” që aksidenti tragjik e la të ishte i fundit, testamental, iu kthehet fuqishëm përshkrimeve poetike të natyrës.

    Te antiromani francez, duke u vënë në diskutim serioz të tërë arritjet e narrativës romanore në nivel tradite: fabula bazë, personazhet, ligjërimi, dialogimi i zakonshëm, përshkrimi i jashtëm i personazheve, natyra çuditërisht bëhet protagonist, hero kryesor, krejt historia romanore është vendi i veprimit, pra peizazhi përpiqet të zëvendësojë krejtësisht ngjarjen romanore duke lënë në role sekondare personat veprues, njerëzit. Tropizmat e Sarrotit janë më tipiket në këtë revansh të mjedisit veprues ndaj personave veprues.

    I quajturi realizëm magjik i Amerikës Latine, me Kortazar, Fuentes, Gabriel Garsia-Markez e Vargas-Llosa, (Borges nuk i jepet peizazhit) me gjithë heronjtë e jashtëzakonshëm, shpesh eksentrikë dhe ekzotikë njëkohësisht i jep natyrës, peizazhit dhe ambientit rol përcaktues. Madje, të tilla historira magjike, përrallore, të pabesueshme për europianët janë krejt të zakonshme, realiste, të natyrshme për lexuesit dhe autorët e tyre që ndajnë me protagonistët e romaneve të njëjtin kontinent, të njëjtat vende, të njëjtat qytete, fshatra, krahina, pra banorë e dëshmitarë autentikë të të njëjtit kontinent magjik, që për ata vetë është i zakonshëm, krejtësisht i zakonshëm.

    Në letërsinë shqipe të shek. XX, peizazhi aq i përdorur nga romantikët, gjen hapësirë për të luajtur rol në narrativat e shkurtra të Koliqit dhe Migjenit (peizazhe idilizuese dhe simbolike te i pari, dhe ilustruese, përforcuese tematike e kuptimore, pra si bukuri që vret, te i dyti) për të gjetur pastaj një rilindje të gjithanshme, të pakrahasueshme me Lasgushin dhe Kutelin. Këta, njëlloj si De Rada e afrojnë poezinë me pikturën, si pak kush tjetër. Por, para tyre Mjeda e ka ngritur peizazhin në pikën më të lartë funksionale dhe estetike. Nga letërsia shqipe pas luftës së dytë botërore deri në vitin 90-të doja të theksoja faktin se përdorimi i peizazhit u reduktua kanonikisht në klishetë e pllakatit skematik: -pranvera, dielli, mallet, pyjet e gjelbëruar, qytetet e reja të minatorëve, piramidat kufitare, fortifikatat e reja dhe kështjellat mesjetare, kantieret, oxhakët e fabrikave dhe kombinateve industrialë ishin pjesë e padiskutueshme e të njëjtës simbolikë ilustrative, pasqyrë e atdheut socialist, e progresit të tij të pandalshëm, sikurse në krahun tjetër të frontit revolucionar komunist, me të njëjtën disiplinë dogmatike mbizotëronte skematikisht peizazhi i stërpërdorur i errësirës, i prapambetjes, i sabotazhit, i reaksionit, i armiqve të partisë-shtet e pushtetit totalitar komunist. Gjenden sigurisht fragmente të spikatura të peizazhit te tregimtarë të njohur si V. Koreshi, F. Ballanca, K. Kosta, Z. Çela, N. Lera si dhe te poetë të sprovuar si D. Agolli, F.Arapi, M. Camaj. Në këtë radhë do të shtonim poetin Frederik Rreshpja poezia e të cilit, sipas meje përsërit cilësisht poezinë e De Radës, Mjedës dhe të Lasgushit njëkohësisht: pikturë, natyrë e shpirtëzuar, simbolikë dhe melankoli.  Kurse nga romancierët është I. Kadare ai që i beson role të rëndësishme narrative peizazhit, në disa nga romanet e tij më të njohur duke nisur me Gjeneralin, Kështjellën, Breznitë e Hankonatëve e deri në krijimet më të vona. Në strukturat kompozicionale unazore I.Kadare, i nis dhe i përfundon historitë e tij romanore me të njëjtat pamje, shpesh krahasuese përsa u përket elementëve meteorologjikë të natyrës si shiu, era, vranësinat, ose pamjet e thjeshta qytetëse. Ballafaqimi i pamjeve të njëjta natyrore pas përplasjeve të fuqishme klasore, sociale, politike dhe shpesh dhe konflikte të armatosura ushtarake si te Kështjella, për shembull ka qënë zakonisht në theksim të idesë se jeta e zakonshme njerëzore përsëri do të mbijetojë duke iu rikthyer ritmit të saj të përditshëm. Kështu ndodh te Kronika, te Dimri i madh, te Koncerti, te Kështjella. Në secilin rast te Kadare gjetjet dhe zgjidhjet përmes gjuhës së peizazhit janë të shkëlqyera, funksionale dhe origjinale njëkohësisht. Po kështu, Koço Kosta me përmbledhjen me tregime Pasdite me shi dhe sidomos me romanin Nata e Sofie Kondilit, dëshmon mjeshtëri të rrallë në përdorimin funksional të peizazhit si zë i pazëvendësueshëm rrëfimtar.

    Në letërsinë shqipe të njëzet viteve të fundit, peizazhi në veçanti dhe natyra përgjithësisht, janë protagonist të lënë padrejtësisht jashtë lojës artistike. Përjashtime pozitive përbëjnë në këtë mes Mërkuna e zezë e Agron Tufës dhe Varrezat e vendlindjes e Romeo Collakut. Mërkuna mbipopullohet me peizazhe të malësisë së mbuluar me dëborë, dritë mbi dëborë, errësirë mbi tokën e shtruar me dëborë, etj. Varrezat kanë si protagonist të zakonshëm dy vjedhës varresh por peshën kuptimore dhe emocionale të veprës e luan peizazhi i animizuar, ai është protagonist i padiskutueshëm dhe bërthama dramatike e groteske e ndodhisë romanore. Gjarpëri i shtëpisë i Arian Lekës, megjithëse të çon pikërisht në atdheun e muzave të peizazhit, në burimin e tyre në bregdet, përsëri nuk na jep nga ai ujë i bekuar: rrëfimi romanor ndjek linjën e dialogimeve të ngarkuar me nëntekst e simbolikë duke i gërshetuar ato me monologë të brendshëm-shprehje autentike e një vetëdijeje të mbingarkuar psikologjikisht dhe emocionalisht. “Gjumë mbi borë” i R. Dibrës, arritja më e mirë e tij e deri sotshme në fushën e romanit, e bën peizazhin dimëror të veriut parësor…

    Orhan Pamuk

    E lashë për në fund arritjen më të mirë të peizazhit-rrëfimtar në fondin e artë të krejt trashëgimisë botërore: është fjala për “Komedinë hyjnore” të Dante Alighierit. Pas çdo rileximi e përfytyroj këtë kryevepër si ekspozitën më të pasur dhe më imponuese të pikturës në botë, e kujtoj si galerinë më të pasur të artit piktural arritur me mjete të rrëfimit poetik, përmes peizazhit. Në fillim propozohen si piktura pamjet e çuditshme për  udhëtarin Dante gjithë sa i parashtrohen viset e njerëzit e panjohur në atë udhëtim nga ferri në parajsë. Mandej, si u shkon afër, pas shpjegimeve të udhëheqësit të tij Virgjilit (në ferr dhe purgator) dhe Beatriçes (në parajsë) bota e turbullt, sipërfaqësore e pikturale shndërrohet në botë tre dimensionale, në ansambël skulpturor, sintezë fatlume e botës frymore me atë materiale. Është e vetmja vepër letrare që është vetiu e ilustruar nëpërmjet ligjërimit poetik nga tablot masive deri te imtësitë më domethënëse prej vet autorit poet, pa pasur nevojë për piktor të mirëfilltë, për lapsa, ngjyra dhe mjete të zakonshme të pikturës së rëndomtë.

    Dy nga romancierët nobelistë të viteve  të fundit: O. Pamuk dhe Le Clezio i japin vend protagonist peizazhit. “Bora” e Pamukut, roman epik, me intrigë policeske, me tone polemiste e interpretime politike njësohet si lëndë artistike te imazhi bazë i borës si lejtmotiv dhe dekor i pandryshueshëm. Bora i forcon pathosin lirik rrëfimit dhe i ndërlidh personazhet me vendin e ndodhisë romanore. Le Clezio në vlerësimet që jep për vendet e Botës së Tretë, duke argumentuar adhurimin e tij për natyrën dhe kulturën e tyre thotë: atje lumi shihet vetëm si lumë, ka vetëm kuptimin dhe domethëniet e lumit; pema është vetëm pemë e asgjë tjetër, çdo gjë shikohet e vlerësohet ashtu si duket pa iu nënshtruar shfrytëzimeve e tjetërsimeve kuptimore.

    Le Clezio

    Për sa parapamë deri këtu shprehin një shije vetjake timen si lexues më tepër se një ligjësi të nënkuptuar për marrëdhëniet e peizazhit me narrativën artistike në përgjithësi. Po ashtu shembujt e gjetur janë vetëm disa ndër mijëra vepra të botës së madhe letrare ku, sidoqoftë, prania në shkallë të ndryshme ose jo e peizazhit nuk lidhet aspak me klasifikimin a skualifikimin cilësor të vet veprës. Mbetem i mendimit se peizazhi natyror, i mirëqenë, i mirëpërshkruar, i padiskutueshëm në vetvete provokon ndjeshmëri, mendim, simbolikë, alegori po aq, e ndoshta – edhe më tepër se secila gjetje e situatë ndërnjerëzore, sociale. Po ashtu, pamja natyrore e objektivizuar në funksione të qarta ideo-artistike është edhe më realiste dhe shprehëse se secila zgjidhje tjetër, është, këmbëngul unë, një rrëfimtar i besueshëm, tërheqës dhe lakonik.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË