More
    KreuOpinionVirginia Woolf mbi fjalët

    Virginia Woolf mbi fjalët

    “Fjalët, fjalët e anglishtes gëlojnë nga jehonat, kujtimet, asociacionet – e natyrshme. Ku nuk kanë qenë; në buzët e njerëzve, në shtëpitë e tyre, në rrugë, për sa e sa shekuj. Dhe kjo përbën një nga vështirësitë kryesore në shkrimin e tyre sot – faktin e të qenit të ngarkuara me kaq shumë kuptime, kujtime dhe martesa të shumta, të famshme.

    Fjala e mrekullueshme  “e kuqe gjaku” – kush mund ta përdorë atë pa kujtuar gjithashtu “detet e pamat”[1]? Në kohët e vjetra, kur anglishtja ishte ende një gjuhë e re, shkrimtarët sigurisht mund të shpiknin fjalë të reja dhe t’i përdornin ato. Në kohën tonë, është mjaft e kollajshme të shpikësh fjalë të reja – ato na vinë në gojë çdo herë që shohim një pamje të re apo përjetojmë një ndjesi të re – por nuk mund t’i përdorim dot, sepse gjuha është e vjetër. Nuk mund të përdorim një fjalë fringo të re në një gjuhë të vjetër, për shkak të faktit shumë të dukshëm, por gjithsesi të mistershëm, se një fjalë nuk është një entitet i vetëm dhe i veçuar, por pjesë e fjalëve të tjera.  Në të vërtetë, ajo nuk është as fjalë para se të bëhet pjesë e një fjalie.

    Fjalët i takojnë njëra tjetrës, megjithëse, sigurisht, vetëm një shkrimtar i madh e di se fjala “e kuqe gjak” u takon “deteve të pamat”. Të bashkosh fjalët e reja me të vjetra është fatale për ndërtimin e fjalisë. Për t’i përdorur si duhet fjalët e reja, nevojitet të shpikësh një gjuhë të re; dhe pavarësisht se pa dyshim do të vijmë edhe aty, për momentin, nuk është puna jonë. Puna jonë është të shohim se çfarë mund të bëjmë me gjuhën angleze kështu siç është. Si mund t’i gërshetojmë fjalët e vjetra në rende të reja, me qëllim që të mund të mbijetojnë, me qëllim që të krijojnë bukuri, me qëllim që të rrëfejnë të vërtetën? Kjo është çështja.

    Dhe njeriu që do të mund t’i përgjigjej kësaj pyetjeje, do të meritonte kurorën më të lavdishme që bota do të ofronte. Mendoni se sa e rëndësishme do të ishte nëse artin e të shkruarit do të mund t’ua mësonim të tjerëve, nëse do të mund të mësonim vetë. Përse? Sepse çdo libër, çdo gazetë do të tregonte të vërtetën, do të krijonte bukuri. Por, me sa duket, ka një farë pengese në mësimdhënien e fjalëve. Sepse, ndonëse në këtë çast ka të paktën 100 profesorë që janë duke dhënë leksione për letërsinë e të kaluare; të paktën një mijë kritikë, që hulumtojnë letërsinë e të tashmes, dhe qindra e qindra të rinj dhe të reja që marrin provimet për letërsinë angleze me nota të shkëlqyera, a mund të themi se jemi duke shkruar më mirë, se po lexojmë më mirë se sa kemi lexuar e shkruar 400 vite më parë, kur nuk na mbante kush leksione, kur nuk bëhej kritikë,  kurnuk na jepte kush mësim? A është letërsia jonë e epokës xhorxhiane një arnim i asaj elisabetine?

    Atëherë, kë duhet të fajësojmë për këtë? Jo profesorët, as kritikët; as shkrimtarët; por fjalët. Fjalët janë ato që na e kanë fajin. Ato janë më të papërmbajturat, më të lirat, më të papërgjegjshmet, më të pamësueshmet nga gjithçka tjetër. Sigurisht, fjalët mund t’i kapësh dhe t’i ndash e vendosësh nëpër fjalorë sipas rendit alfabetik. Por, tekefundit, fjalët nuk jetojnë nëpër fjalorë, ato jetojnë në mendje. Nëse doni provë për këtë, mendoni se sa shpesh në çaste emocionesh, kur fjalët janë ato që na duhen më së shumti, nuk i gjejmë dot. Ndërkohë fjalori është aty. Në të në dispozicionin tonë janë gjysmë milioni fjalë, të gjitha të renditura sipas rendit alfabetik.

    Por a mund t’i përdorim dot? Jo, sepse fjalët nuk jetojnë nëpër fjalorë, ato jetojnë në mendjen tonë. Shikojeni përsëri fjalorin.  Aty, përtej çdo dyshimi, gjenden drama më të mrekullueshme se Antoni dhe Kleopatra; poezi më të bukura se sa Odë për Bilbilin; romane krahasuar me të cilët Krenari dhe Paragjykim apo David Koperfildi, do të dukeshin punë të dobëta amatorësh. Kërkohet vetëm të gjesh fjalët e duhura dhe t’i vendosësh ato sipas rendit të duhur. Por ne nuk mund ta bëjmë dot këtë, sepse ato nuk jetojnë nëpër fjalorë; ato jetojnë në mendje.

    Por, si jetojnë ato në mendje? Në mënyra të ndryshme dhe të çuditshme, në mënyrë të ngjashme me jetët e qenieve njerëzore, duke lëvizur sa andej këtej, duke rënë në dashuri dhe duke u çiftëzuar me njëra tjetrën. Është e vërtetë se ato janë shumë më pak se ne të detyruara të jetojnë në bazë të formaliteteve dhe konvencioneve. Fjalët mbretërore çiftëzohen me fjalë të rëndomta. Fjalë të anglishtes martohen me fjalë të frëngjishtes, fjalë të gjermanishtes, fjalë të indishtes, fjalë të zezakëve, nëse kështu u thotë mendja. Në fakt, sa më pak të kërkojmë në të shkuarën e Nënës sonë anglishte, aq më mirë do të jetë për famën e kësaj Zonje. Sepse kjo bukuri ka marrë udhët e nuk mbahet më.

    Prandaj të vendosësh rregulla për endacake të tilla të pandreqshme është më se e kotë. Disa rregulla të pakta gramatikore dhe drejtshkrimore janë të vetmet kufizime që mund t’u vendosim atyre. E vetmja gjë që mund të themi për to, teksa i vështrojmë nga lart shpellës të thellë, të errët dhe të ndritur ku duket se jetojnë – mendjes – e vetmja gjë që mund të themi është se ato duan që njerëzit të mendojnë dhe të ndiejnë përpara se t’i përdorin, por të mendojnë dhe të ndiejnë jo për to, por për diçka tjetër.

    Ato janë jashtëzakonisht të ndjeshme, lehtësisht të vetëdijshme. Nuk duan që pastërtia apo papastërtia e tyre të diskutohet. Nëse ne do të krijonim Shoqatën për Anglishten e Pastër, ato do ta nxirrnin dufin duke krijuar një tjetër, Shoqatën për Anglishten e Papastër – kjo shpjegon edhe dhunimin e panatyrshëm të gjuhës tepër moderne; një protestë ndaj puritanëve. Fjalët janë gjithashtu tejet demokrate; ato besojnë se një fjalë është njëlloj e mirë sa edhe një tjetër; fjalët e pakulturuara, me fjalët e pakulturuara, në shoqërinë e tyre, nuk ka grada apo tituj.

    Atyre nuk u pëlqen as t’i marrësh e t’i vësh në majën e një pene dhe t’i  analizosh veç e veç. Ato rrinë bashkë, në fjali, në paragrafë, ndonjëherë në faqe të tëra njëherazi. Atyre nuk u pëlqen aspak të jenë të dobishme; nuk u pëlqen aspak të bëjnë para; nuk u pëlqen t’u mbajnë leksione publike. Shkurt, ato urrejnë gjithçka që u vë vulën e një kuptimi, apo që i kufizon në një qëndrim, sepse është në natyrën e tyre të ndryshojnë.

    Ndoshta kjo është veçoria më e dukshme e tyre – nevoja për të ndryshuar. Kjo vjen nga fakti se e vërteta që ato orvaten të kapin është e shumanshme dhe ato e përçojnë atë duke qenë vetë të shumanshme, duke rrezatuar herë në një anë, e herë në një tjetër. Kështu fjalët duan të thonë një gjë për një person, por një gjë tjetër për një person tjetër; ato janë të pakuptueshme për një brez, të qarta si drita e diellit për një tjetër. Dhe pikërisht në sajë të këtij kompleksiteti, ato mbijetojnë.

    Atëherë, mbase shkaku që sot nuk kemi ndonjë poet, shkrimtar apo kritik të madh vjen nga që fjalëve ua heqim lirinë. I detyrojmë të kenë një kuptim, kuptimin e tyre të dobishëm, kuptimin që na bën të kapim trenin, kuptimin që na bën të kalojmë provimin. Dhe kur fjalët vihen përfund, mbledhin krahët dhe vdesin.

    Së fundmi, dhe kjo është me rëndësi, ashtu si vetë ne, për të jetuar siç ua ka ënda, fjalët kanë nevojë për privatësi. Pa dyshim ato duan që të mendojmë dhe të ndiejmë përpara se t’i përdorim; por ato duan që të bëjmë edhe një pauzë; të bëhemi të pavetëdijshëm. Pavetëdija jonë është privatësia e tyre; terri ynë është drita e tyre… Ajo pauzë u bë, ajo vello terri ra,  për t’i joshur fjalët të bashkohen në një prej atyre martesave të shpejta, imazhi i përkryer që krijon një bukuri të përjetshme. Por jo, sonte asgjë e tillë nuk ka për të ndodhur. Ato zavalle janë të zemëruara, të pabindura, nuk duan, janë të pagoja. Çfarë janë duke mërmëritur vallë? “Koha mbaroi! Hesht!”

    Përktheu: Engjëllushe Shqarri


    [1]  I referohet Shekspirit tek Makbethi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË