More
    KreuIntervistaViolinisti Rudens Turku: “Liria e brendshme vjen vetëm nga kuptimi i thellë...

    Violinisti Rudens Turku: “Liria e brendshme vjen vetëm nga kuptimi i thellë i mesazhit muzikor dhe formës së veprës” –

    Bisedoi Belfjore Qose

    Rudens Turku (Tiranë, 1978) ka kryer studimet e larta për violinë në Universitetin e Muzikës dhe Teatrit në Mynih në klasën e violinistes me famë botërore Ana Chumachenko. Ai ka marrë impulse të rëndësishme artiistike nga ikona të muzikës klasike si Neeme Järvi, Ida Hendel, Lord Yehudi Menuhin, Denes Zsigmondy, Isabelle Faust, Sir Colin Davies, Lorin Maazel, Kryzstrof Penderecki, të cilët pasuruan më gjerë jetën e tij artistike.

    Aktivitetet koncertale ndërkombëtare e çojnë Turkun rregullisht në sallat e njohura të koncerteve botërore si Ëingmore Hall në Londër, Herkulessal në Mynih, Mozarteum Salzburg, salla e madhe e Filarmonisë të Mynihut, CAMI Hall në Nju Jork dhe Festpielhaus Baden Baden etj. Ai është i ftuar rregullisht në festivale të rëndësishme të muzikës klasikë në SHBA-të, Francë, Angli, Itali, Zvicër, Gjermani, ndër të tjera edhe në festivale si Rheingau Musikfestival, Davos Festival, Kronberg Academy etj. Rudens Turku është ftuar nga shteti gjerman të luajë për presidentin Bill Clinton në kuadër të inaugurimit të hapjes së Brandenburger Tor në Berlin në vitin 2000.

    R. Turku ka interpretuar në Europë, Amerikë, Japoni, Kinë, Taiëan me orkestra të njohura si Münchner Symphoniker, Ëürttembergische Kammerorchester Heilbronn, Jena Philarmoniker, Münchner Kammerorchester, Orchestra di Padova e del Veneto, Capella Istropolitana, Symphonieorchester Vorarlberg etj. Ka punuar me dirigjentë të njohur si Clemens Schuldt, Gerard Korsten, Nicholas Milton, Ariel Zuckermann etj.

    Rudens Turku është themelues dhe drejtor artistik i festivalit Starnberger Musiktage (që nga viti 2000 në Gjemani), Musiktage der Olympiaregion Seefeld (që nga viti 2008 në Austri) dhe Musiktage Flims (që nga viti 2020 në Zvicër). Mbi 230 studentë dhe mbi 20 profesorë nga vende të ndryshme të botës ndajnë idetë dhe pasionin artistik brenda këtyre festivaleve.

    Turku është profesor në universitetin shtetëror në Austri dhe në Academia Perosi në Itali. Mësimdhënia për të është shumë e rëndësishme për të.

    Në vitin 2013 R. Turku u nderua me çmimin më të rëndësishëm të kulturës së distriktit Starnberg në Bavari, Gjermani. Publikimet e tij disktografike (CD) nga shtëpi të ndryshme muzikore si Prospero Classical, Musikproduksion Dabringhaus dhe Grimm, Öhms Classics si dhe Avie Records kanë marrë nominime dhe çmime të larta si Supersonic Award, çmimi i kritikës gjermane Gramophon, Opus Klassik etj.


    B.Q: Kësaj radhe ju keni ardhur në Shqipëri me një projekt ku keni ndërmjetësuar për t’i dhuruar Universitetit të Arteve të Tiranës mbi 1600 partitura origjinale, katalogun e plotë të Shtëpisë Botuese prestigjioze Henle Publishers. Gjithashtu, keni dhënë një shfaqje celebruese të 60-vjetorit të liceut artistik dhe master-class-et pranë UART.

    Çfarë rëndësie mbartin për ju këto projekte që lidhen me Shqipërinë dhe për të cilat ju keni ndërprerë agjendën tuaj të ngarkuar?

    R.T.: Sjellja e katalogut të plotë të shtëpisë botuese Henle Verlag në Universitetin e Arteve ishte për mua një kërkim shpirtëror, i realizuar me binden time të plotë për rëndësinë e vet. Kjo bibliotekë mbledh brezat e së shkuarës, që në kërkim të së vërtetës bënin gjithçka që ishte e mundur në kushtet e tyre.

    Gjithashtu, ajo mbledh bashkë edhe brezat e tanishëm që rriten në një “fast food society” dhe kanë kaq shumë informacion të pafiltruar përpara tyre. Nëpërmjet kësaj biblioteke atyre u jepet mundësia të kenë thellësisht hyrje në libra që janë të mbistudiuar dhe përfaqësojnë ekzaktësisht nivelin më të mirë botëror. Së fundi, ajo është edhe për brezat e së ardhmes, të cilëve u jepet mundësia të studiojnë të shkuarën thellësisht dhe përmes një lidhjeje të fortë shpirtërore.

    Si një djalë i lindur në Tiranë dhe një violinist në karrierë, kam pyetur veten se çfarë mund t’i sillja unë vendit tim? Tashmë që biblioteka është në Tiranë ndihem shumë i lumtur dhe i jam falenderues Nadjas dhe familjes Henle.

    B.Q: Çfarë pjese zë Shqipëria në identitetin tuaj, duke pasur parasysh që jeni larguar në moshën 12 vjeçare prej saj dhe keni vijuar në Gjermani studimet dhe më pas karrierën tuaj artistike? A ka pasur diferenca privilegji mes vendasve krahasimisht me ty si student shqiptar, mund të ndani me ne disa nga sfidat me të cilat jeni përballur si i huaj në një ambient akademik konservator?

    R.T.: Muzika nuk ka dhe nuk njeh kufij! Unë e kam kaluar një pjesë të fëmijërisë sime në një sistem politik të ashpër, pa liri dhe mundësi të zhvillimit të lirë artistik. Duke qenë se erdha në Gjermani që në moshë të re, fillova të kuptoj se tek ne sistemi e mbizotëronte shpirtin e lirë dhe për rrjedhojë, ky sistem nuk ishte zgjidhja e vërtetë. Ky ishte një ndryshim në jetën time si një djalë i ri, por sfida të llojeve të tjera nuk kam përjetuar.

    B.Q: Në të shkuarën ka ekzistuar një koncept të ngulitur në lidhje me rolin kultivues të artit dhe në veçanti të muzikës tek njeriu, duke nënvizuar rolin e artit si humanizues, si edukim të ndjenjave që na bën më të mirë.

    Në epokën moderne është vënë shpesh në pikëpyetje ky rol, duke theksuar rolin e artit si formë e pastër, si estetikë në vetvete. (Kujtoj këtu për shembull Nabokovin, i cili tek “Lolita” përdor klishenë e forcës morale të artit, duke e përdorur në një situatë krejt të përmbysur, shqetësuese dhe parodizuese njëherësh.

    Mes këtyre dy ekstremeve, ku qëndron mendimi juaj për rolin e muzikës në formimin e njeriut?

    R.T.: Muzika mund të shkaktojë si ndjenja pozitive, ashtu edhe negative, pasi ajo është shumë e fuqishme për psikën njerëzore. Përgjatë zhvillimit të personalitetit të individit muzika ka një influencë pozitive. Fuqia dhe aftësia shëruese e muzikës lidhet me gjuhën e saj universale, me të ngjallurit e ndjenjave, por po për këtë arsye mund edhe të përdoret për synime të caktuara.

    B.Q: Në sot jetojmë në kohën e superspektaklit, të patetikës televizive dhe të artit të konsumit. Simulacra e J. Baudrillard është duke njohur pikën e vetë më të lartë, duke e krijuar realiltetin përmes virtuales dhe jo e anasjellta. Ka një mendim sipas të cilit muzika e qytetërimeve në dekadencën e tyre bëhet gjithmonë e më kaotike, e zhurmshme, jo estetike.

    E. Jelinek thotë se çdo ditë një pjesë muzikore, një poezi vdes, pasi nuk e justifikon veten e saj në kohën ku ne jetojmë dhe se shumë gjëra që i kemi menduar si të përjetshme, janë duke vdekur. Në këtë epokë të rënies së interesit të të rinjve për muzikën klasike, çfarë mund të bëjë artisti për të mbajtur gjallë pasionin për të? Ndoshta tërheqja e një audience të re, kam parasysh që në vende si Japonia, SHBA-të, ka një interes “genuine” për muzikën klasike?

    Si e shikoni Shqipërinë në raport me audiencën e mërzitur dhe të plakur të kontinentit të vjetër dhe të audiencës së re dhe kurioze?

    R.T.: Në pyetjen tuaj më interesojnë në veçanti dy fjalë: “spektakli” dhe “respekti”. Respekti lidhet me të shikuarin prapa, është një konsideratë e lartë. Respekti presupozon një pamje të distancuar, një pathos të distancës.

    Sot ai i ka lënë vendin një shfaqjeje pa distancë, që është karakteristikë e spektaklit! Spektakli është një vështrim soditës, të cilit i mungon konsiderata dhe respekti i distancuar.

    Çështja është se çfarë kërkojmë ne si publik, çfarë kërkon publiku shqiptar? Respektin për artin e vërtetë, respektin për punën e thelluar apo spektaklin e drejtuar nën regjinë e google screen?

    B.Q: Artisti gjendet gjithnjë i dyzuar midis traditës, respektit dhe venerimit të saj dhe nevojës për të dëshmuar origjinalitetin e tij, për të lënë gjurmën e tij. Si interpretues, ju mendoni se “liria” juaj është e kufizuar? Sa është Rudensi dhe sa tradita, kur ju luani në violinë?

    R.T.: Përpjekjet për të folur me veten në mënyrë që të depërtoj në thelbin e asaj që po bëj, i udhëhequr nga reflektimi dhe pyetja se çfarë është në të vërtetë procesi i punës, çfarë kërkon kompozitori – këto janë për mua thelbësore. Partitura që ne kemi përpara është në perceptim pa kufij. 

    Respekti për rezultatin është parësor. Liria e brendshme vjen vetëm nga një kuptim i thellë i mesazhit muzikor dhe formës së veprës. Vetëm pasi e ke kuptuar me të vërtetë një vepër, mund të arrish lirinë e nevojshme shpirtërore dhe intelektuale. Dhe kjo liri nuk ka asnjë lidhje me lirinë e të mosditurve ose të zhurmuesve, e cila kufizohet kryesisht tek interpretuesi dhe e bën atë të jetë në skenë më i rëndësishëm se muzika.

    Mënyra më e mirë për të shpjeguar këtë proces pune dhe të menduari është përdorimi i muzikës së Beethoven-it, Bach-ut. Vetëm kur dikush i nënshtrohet rregullave, ai njeh sekretet e muzikës së tij dhe fiton lirinë brenda ketyre rregullave.

    B.Q: Ju jepni mësim në Universitetin Stella Vorarlberg në Austri dhe në Akademinë Perosi në Itali dhe gjithashtu keni dhënë dhe vazhdoni të jepni master-classe-e në tërë botën. Mendoj se ka një raport të veçantë të muzikantit me mësimdhënien.

    Për shembull, më kujtohet romani “Loja e rruazave prej qelqi”, ku Herman Hesse i jep muzikës rolin e epërm të përvojës shpirtërore dhe diturake. Mjeshtri i muzikës është figura më ndikuese në edukimin kastalez. Takimet e fëmijës Kneht me mjeshtrin e muzikës, luajtja e fugave me të, janë me edukative se tërë mësimet mekanike, ashtu si fëmijës tërë qyteti i dukej në festë pas takimit me mjeshtrin. Ajo çka është më e rëndësishme është se flitet për “harenë”, të cilës duhet t’i shërbejë edhe dija, urtësia njerëzore. “Në fundin e jetës së vet ky burrë (mjeshtri i muzikës) e kishte virtytin e haresë në një masë të tillë, saqë rrezatohej nga ai si drita nga një diell dhe u përcillej të gjithëve si dashamirësi, si gëzim jete, si gjendje e mirë shpirtërore, si besim e siguri dhe rrezatohej më tej nga tërë ata që e kishin përthithur mirëfilli shkëlqimin e saj. […] Synimi më i lartë dhe më fisnik për mua dhe mjaft të tjerë është të arrijmë këtë hare. Kjo hare s’është as kotësi as vetëkënaqësi, ajo është aftësi njohëse dhe dashuri në shkallën më të lartë, është pohim i çdo realiteti…”

    Ju thoni Rudens se mësimdhënia është e rëndësishme për ju, çfarë bëni ju konkretisht për të rinjtë?

    R.T.: Mësimdhënia për mua është shumë e rëndësishme, pasi ndjej dëshirën që të përcjell diçka nga ajo që kam mundur të përjetoj vetë. Unë jam i interesuar edhe për të mbështetur studentët në formimin e personalitetit dhe individualitetit të tyre, në një mënyrë specifike sipas individualitetit dhe prirjeve të tyre, por edhe të zhdërvjellët njëherësh.

    Disa nga veprimtaritë e mia lidhen pikërisht me forma me anë të të cilave mund të mbështesim të rinjtë. Jam i ftuar i rregullt për të dhënë kurse të nivelit të lartë në violinë (Master Class) në SHBA-të, Azi, dhe kam qenë pjesëtar jurie në konkurse ndërkombëtare. Studentët e mi janë fitues të konkurseve ndërkombëtare si Lipizier (Itali), Eurovision, Spohr etj.

    Gjithashtu, shoqata ndërkombëtare “Friends of Rudens Turku e.V” me qendër në Mynih, ka për qëllim mbështetjen e muzikantëve të rinj të talentuar.

    B.Q: A e justifikoni gabimin në interpretim në emër të një interpretimi pasionant? Ta themi ndryshe, më mirë një interpretim i saktë dhe i ftohtë emocionalisht, apo një interpretim me ndonjë gabim, por i fuqishëm emocionalisht?

    R.T.: Në lidhje me këtë mendoj se një interpretim i saktë emocional është i duhuri.

    B.Q: Ju keni themeluar tre festivale në tre vende te ndryshme në Europe, njërin prej të cilëve që kur ishit student. Vërej se i jepni një rëndësi të veçantë kombinimit të mësimdhënies dhe aktiviteteve koncertale. Çfarë vlere dhe efikasiteti shikoni tek ky kombinim që e vijoni tashmë si një përvojë të suksesshme?

    R.T.: Unë kam patur fatin e mirë që në moshën 13 vjeçare m’u dha mundësia të futesha në universitet dhe të studioja me profesoreshë Ana Chumachenco-n në Universitetin e Mynihut. Gjatë rrugëtimit tim si një violinist i ri, kam punuar dhe jam takuar gjithashtu edhe me Ida Hendel, Neeme Jörvi, Lord Yehudi Menuhin, August Everding, prej të cilëve kam mësuar dhe përfituar shumë. Mendoj dhe e shoh si detyrën tonë që edhe ne, ashtu si mësuesit tanë na kanë dhënë më të mirën e tyre, t’ua kalojmë gjëneratës së re dijen, emocionin dhe përvojën tonë.

    Për të realizuar këtë dëshirë dhe mision, jam shumë i lumtur që drejtoj tre festivalet në  Starnberg, Seefeld dhe Flims, ku mbi 250 studentëve nga e gjithë bota u jepet mundësia të studiojnë, të shtyjnë kufijtë dhe të shkëmbejnë me njëri-tjetrin nga kulturat e vendeve të ndryshme prej të cilave ato vijnë.

    Në këto tre festivale, së bashku me profesorët dhe artistët që marrin pjesë, gjendet trupi dhe shpirti në balancë dhe muzika kumbon si një urë e përbashkët midis gjeneratave dhe vendeve, hapësirave, kohëve.

    B.Q: Në Gjermani ka një diasporë të madhe të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe njerëz si ju kane kontribuar në tejkalimin e stereotipit të emigrantit ekonomik, duke dëshmuar një Shqipëri tjetër, prej së cilës dalin njerëz të formuar, të frymëzuar, të talentuar dhe me kërkesa të larta edhe në vendin pritës. A mendoni se kjo diasporë mund të bëjë më shumë për zhvillimin e Shqipërisë? (P.sh. akti i dhurimit të katalogut të partiturave të Shtëpisë Botuese Henle Publishers është një mundësi dhe një ndihmë e madhe për studentët.)

    R.T.: Shqipëria është një vend i vogël prej të cilit kanë dalë mjaft talente të spikatur dhe origjinalë. Shpresoj shumë që kjo traditë të vazhdojë edhe në të ardhmen me sukses. Unë e shoh si detyrën tonë të përbashkët që të rikthejmë dijen dhe mundësitë që ne kemi drejt potencialeve të këtij vendi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË