More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVexhi Buharaja, pa mite e mjegull

    Vexhi Buharaja, pa mite e mjegull

    nga Yzedin Hima

    Figura e Vexhi Buharasë për vite të tëra ka qënë e mbështjellë nga një tis mjegulle, gati mitike. Poezitë e Saadiut, të përkthyera prej tij, në qytetin e Beratit dhe më gjerë qenë mësuar përmendësh edhe nga njerëz të thjeshtë. Buharaja nga lexuesit shihej me adhurim, sikur të ishte autori i atyre poezive dhe sentencave të famshme. Më pas ai nisi të përkthente poetë të tjerë nga persishtja me synimin e hartimit të një antologjie, nisi të lexonte e shqipëronte në portikë, në rrasa mermeri, në vende të shenjta dhe në pllaka varresh, vargje që qenë shkruar në gjuhët orientale. Nisi të përkthente defterët osmanë me zellin e një të pashpresi. Nisi të përkthente “Shahnamenë”, por Firdeusi dhe “Shahnameja” e tij nuk njihej nga lexuesit shqiptarë, sepse nuk u botua sa qe gjallë Buharaja. Ai qendronte në shtëpinë e tij modeste për orë të tëra mbi libra me një alfabet ekzotik, lexonte e shkruante deri në mbrëmje vonë. Qytetarët e Beratit e respektonin, e shoqëronin, disa sosh me siguri që edhe e spiunonin, ndonëse ai qe mjaft i përkorë dhe i kujdesshëm në ato që bënte dhe fliste. Flitej se punonte në Akademinë e Shkencave. Banorët e rrugicës së tij çuditeshin me punonjësin e Akademisë që punonte gjithë ditën dhe gjysmën e natës në dhomën e vogël të shtëpisë, që s’kishte asgjë nga hija e rëndë e Akademisë.

    Të vjetrit thoshin se V. Buharaja dikur kishte shkruar edhe vetë poezi të ndjera. Askush nuk dinte të thoshte ndonjë varg nga poezia e tij. Në bibliotekën e qytetit gazetat dhe revistat e viteve ’40, ku kishte botuar poezitë Buharaja, qenë të rezervuara, që do të thoshte se lexuesit e thjeshtë nuk mund t’i shfletonin. Poezitë e Buharasë qenë strukur në atë kohë brenda burgut të fondit të rezervuar.

    Për ta njohur mirë Vexhi Buharanë, së pari duhen lexuar me vëmëndje të gjitha veprat, ato të botuara dhe ato që ai ka lënë në dorëshkrim. Dhe nuk janë pak dorëshkrimet që ai la pas. Për ta njohur Buharanë duhen lexuar edhe pak shkrime e studime për veprën e tij, shkruar e botuar nga njerëz të artit dhe kulturës, para dhe pas viteve’90. Lexuesi i veprës së Buharasë ndjen admirim për përkthimet e tij nga letërsia e madhe persiane, ndjen respekt për përkthimet e monumenteve të historisë sonë kombëtare, dokumente në gjuhët osmanisht, turqisht dhe arabisht, ndjen mirënjohje për përkthimin dhe interpretimin e mbishkrimeve orientale në objektet e kultit dhe në objekte të tjera, ndjen kënaqësi intelektuale kur lexon studimet e tij nga disa fusha të dijes, ndjen kënaqësi të thellë estetike kur lexon ato pak poezi që ai la pas, ndjen keqardhje, kur mëson se ai nuk shkroi poezi pas vitit 1944. Një njeri me dije të thella për kulturën dhe artin kombëtar dhe atë botëror, një njeri që lexonte në origjinal gjenitë e Lindjes dhe gjenitë e Perëndimit, një krijues që shkroi në një moshë fare të re poezi antologjike si “Poeti”dhe “Përpara Tomorrit”, e varrosi te vetja poezinë. Vexhi Buharaja ndjeu kënaqësinë e krijuesit në pak botime, krahasuar me dorëshkrimet  e tij. Fillimisht ai botoi në revistat dhe gazetat e kohës poezitë e tij të para. Të botuar në libra të veçantë preku poezite e Saadiut dhe  “Endërrimet” e Naim Frashërit, përkthime mjeshtërore që nderojnë atë, letërsinë  perse nga vjen përkthimi, dhe letërsinë shqipe si letërsi mikëpritëse.

    Po cilat janë përmasat e poetit, shqipëruesit dhe dijetarit Vexhi Buharaja? A është ai një krijues periferik në letrat shqipe, një krijues minor që vendoset ose harrohet të vendoset edhe në faqen e fundit të shkrimtarëve krahinorë, apo të një qarku kulturor në historinë e letërsisë shqipe? Cili është vendi i tij në në përkthimin e letërsisë nga gjuhët e tjera në gjuhën shqipe, në përkthimin e dokumenteve monumentalë të historisë sonë kombëtare, në përkthimin e interpretimin e veprave shkencore, mbishkrimeve? A është një përkthyes-rrogëtar që thjesht nxirrte bukën e gojës, apo është një mjeshtër i fjalës? A është thjesht një përkthyes e aq, apo një njohës i thellë i kulturës dhe qytetërimit nga përkthen dhe, gjithashtu, një ekspert i kulturës, i gjuhës, letërsisë dhe historisë kombëtare? Vexhi Buharaja i harruar, i mënjanuar për shkaqe jo letrare e artistike, pas viteve ’90, a e ka zënë vendin e refuzuar padrejtësisht? Le të përpiqemi t’u japim një përgjigje modeste këtyre pyetjeve që shtrohen jo thjesht për veprën e V. Buharasë, por edhe për letrat shqipe në përgjithësi. Buharaja shkroi poezi dhe proza  poetike nga viti 1939 deri në vitin 1943. Ai botoi në shtypin e kohës nga viti 1940 deri në vitin 1945, kur u botua poezia e tij e fundit.

    Poezia e tij i ka të gjithë elementët ligjërimorë dhe përmasat cilësore të poezisë më të mirë në gjuhën shqipe. Ajo thjesht ka qënë fatkeqe si autori i saj. Si rrallë herë, fati i autorit bëhet edhe fati i poezisë së tij. E themi këtë sepse shkëlqimi i djaloshit Buharaja me botime poetike, botime të përkthimeve nga poetë të mëdhenj, puna e tij krijuese në Tiranë, ndërpritet kur ai burgoset dhe detyrohet të bëjë punë të cilat mund t’i bënte një individ që mund të kishte 3-4 klasë shkollë ose të ishte gjysmëanalfabet . Ndërsa Buharaja që kishte mësuar gjuhët e Lindjes dhe të Perëndimit, njihte kulturën, qytetërimin dhe letërsinë e këtyre vendeve, detyrohet të dorëzojë bibliotekën e trashëguar nga të parët dhe të pasuruar nga ai vetë dhe nis të jetojë nën presionin e kontrollit të befasishëm për literaturë borgjeze. Po çfarë ndodhi pas vitit 1944? Buharaja bie në një gjendje absurde pas Luftës. Ai nuk mund të kuptonte deri në fund atë që po ndodhte, atë që do të ndodhte. Duke qëndruar larg luftës, larg urrejtjes klasore, larg etjes për pushtet, por pranë librit, mësimeve të Zotit, letërsisë së madhe  dhe punës krijuese, ai binte në një kontrast të thellë me mjedisin revolucionar të viteve të pasluftës. Tani ai nuk ishte i lirë as të krijonte atdheun e vet poetik, ku mund të strehohej pas largimit nga atdheu real me elegancën që e karakterizonte. Poezia ishte shpallur shërbetore e partisë. Nëse nuk shkruhej si e tillë, atëherë dënohej ajo dhe autori i saj. Buharaja tani veç atdheut të lirë që dëshironte humbi edhe atdheun poetik. Ky atdhe i krijuar në vitet e pushtimit fashist u burgos në fondin e rezervuar të regjimit komunist. Absurdi i madh për Buharanë tani qendron në faktin se atdheu nuk mund të krijohej dhe nga atdheu nuk mund të largohej. Ai ishte i dënuar të jetonte në “atdheun e çmendur”, sikurse shkruan në një poezi Visar Zhiti. Po për njerëzit me mëndje të ndriçuar gjendet gjithëmonë një zgjidhje. Buharaja nuk ishte nga ata që zotohej të përsoste atdheun real. Ai nuk kishte asgjë prej revolucionari. Pasi ia mohuan edhe krijimin e atdheut virtual poetik, ai gjeti ndoshta të vetmen rrugë, të vetmin shteg, letërsinë e madhe perse, aty “ku syri i lakmisë edhe pas vdekjes kërkon të shohë, ndonëse trupi është zbërthyer e bërë pluhur”*. Me energjinë e një krijuesi të vërtetë, por që e ka të ndaluar të krijojë atë që di dhe dëshiron, ai e derdhi tërë këtë energji në përkthimet e tij, të cilat janë, në fakt, rikrijime të tij. Ky njeri u ndje i lirë dhe i magjepsur në vetminë e tij, teksa gërmonte në gjuhë dhe gjente smeraldë të tillë:

    U drodh nga llahtari Dahhak pamjeferri

    Për pak mushkëritë i shkuli nga tmerri.*

    Buharaja shqipërues

    Po cili është vendi i Buharasë si shqipërues në letrat shqipe? Të gjithë studjuesit, njohësit e letërsisë së orientit dhe gjuhëve orientale vijnë në një mendje ku flasin dhe shkruajnë për shqipërimet e V. Buharasë. Ata pohojnë se V.Buharaja është një mjeshtër i madh i përkthimit të letërsisë orientale në gjuhën shqipe. Ai qendron me dinjitet në krah të Nolit të madh. Botimi kohët e fundit i “Shanamesë” së Firdeusit është një tjetër dëshmi monumentale për shqipëruesin Buharaja. Edhe botimi i përkthimeve të Buharasë nga gazeta e Sami Frashërit “Terxhuman-i Shark” (në shqip, “Lajmëtari i Lindjes”) është pritur me interes nga studjues të ndryshëm Midis tyre spikat botimi i veprës së dijetarit Hasan Tahsini dhe komentet mbi këtë vepër, shqipërimi i vëllimit poetik të Naim Frashërit shkruar në persisht “Endërrimet”, përshtatjen “Katër stinët” etj.

    Saadiu dhe Buharaja 

    “Vargu jeton jetën e brendshme të autorit të tij” - shkruan Vexhi Buharaja në parathënien e Gjylistani dhe Bostani të Saadi Shirazit, i quajtur edhe Shekspiri i Lindjes. Është një thënie që të trondit, vetëm me një fjali, gjithësej gjashtë fjalë.

    Poezia që shpirtëzon sende : deti qesh, lumenjtë vrapojnë, mali hesht, në këtë rast shpirtëzohet vetë: Vargu jeton! Brenda një fjalie Buharaja na jep një përcaktim për poezinë e Saadiut, që të tjerët do të shpenzonin fraza të tëra për të shpjeguar se poezia e tij ka një ndjeshmëri të lartë, se ajo përcjell botën e trazuar shpirtërore të autorit, se te vargu autori derdh shpirtin e tij, etj. etj. Ndonëse janë shpenzuar fjali të tëra nuk janë thënë pikërisht atë që Buharaja nënvizon në një fjali të vetme: “Vargu jeton jetën e brendshme të autorit të tij!” 

    Brenda thënies së Buharasë kemi përdorim të kohës së tashme të foljes jeton. Ai nuk përdor kohën e kryer e thjeshtë: Vargu jetoi jetën e brendshme të autorit të tij, por kohën e tashme që do të thotë se edhe pse kanë kaluar shtatë shekuj nga vdekja e Saadiut ( 1203 ose 1210- 1290), vargu jeton, në mënyrë të pavarur nga autori i tij. E vetmja varësi është se vargu jeton pikërisht jetën e brendshme të autorit. Pra jeton jetën e brendshme të Saadiut. Buharaja i ka kursyer gjuhës fjalë e fjali të tëra etj. etj. Buharaja në një fjali me gjashtë fjalë ndëkohë ka kryer punë duke kumtuar gjithçka ka të bëjë me gjeninë e poetit, pavdekësinë, jetën në shumë trajta dhe vende të të njëjtit shpirt (shpirtit të Saadiut) etj. Ky fakt tregon se Buharaja  kishte të gjithë instrumentat intelektualë dhe shpirtëror për të depërtuar në artin e madh të klasikëve persë dhe artit në përgjithësi.

    Një zjarr që të ndezë e veja në zi

    Shum’ herë qytetin e djeg e bën hi,

    shkruan Saadiu te “Bostani”. Vargjet jetojnë jetën e brendshme të autorit, siç tha

    Buharaja më lart, por padyshim këto vargje të bukur në shqip jetojnë edhe jetën e brendshme të përkthyesit të shquar.

    Firdeusi dhe mediumi Buharaja

    Firdeusi jetoi në shekullin X- XI. Buharaja, në parathënien e përkthimit të “Gjylistani dhe Bostani” shkruan: “ Veprën e Dakikiut e vazhdoi dhe e përsosi gjeniu botëror i Iranit, Firdeusi (934 -1020 ose 1027) me “Shahnamenë” e tij të pavdekshme, vepër monumentale e gjuhës dhe e poezisë persiane.”

    Pas nëntë shekujsh e gjysëm “Shahnameja” erdhi në gjuhën shqipe, fatkeqësisht jo në përmasat e saj. Nëntë mijë vargje që “jetojnë me botën e brendshme të autorit”
     erdhën të jetojnë në një tjetër gjuhë, në gjuhën shqipe. Po si erdhi shpirti i derdhur në fjalë i Firdeusit në vargjet shqip? Nëpërmjet shpirtit të Buharasë. Mediumi qe Vexhi Buharaja. Shpirti i tij u vu në kërkim të shpirtit të Firdeusit dhe e gjeti në thellësi të kohrave. Nëse trupi i Buharasë kishte rreth 40 vite që sillej në këtë botë, shpirti përshkoi  nëntëqind vjet, deri sa takoi sivëllain e tij, shpirtin e Firdeusit. Mediumi Buharaja me shpirtin e poetit të madh të gjuhës perse brenda enës së tij, përcolli mesazhet e kryeveprës në gjuhën shqipe. Janë nëntë mijë vargje që jetojnë jetën e brendshme të autorit, Firdeusit dhe jetën e brendshme të shqipëruesit, Buharasë.

    Vëreni vargjet e magjishëm të Firdeusit nga “Shahnameja”, sjellë në shqip nga Buharaja. Është fat për gjuhën, për letërsinë, për kulturën tonë që kjo pasuri është në fondin e tyre. Rrëfenja “Feriduni i hedh prangat Dahhakut”:

    “Mos bëj gjë të ligë në botë sa mund!

    Së mirës mbështetje t’i bëhesh gjithkund.

    Kur s’rrojtkan përjetë e ligë dhe e mirë,

    e mira të mbetet kujtim i pavdirë.

    Thesarët e fryrë dhe i larti pallat

    aspak nuk të sjellin gaz, jetë dhe fat.”

    Dhe nga rrëfenja “Zali njihet me Mihrabin”:

    “Një çupë të fshehur ky mban në saraj,

    që dritës së diellit ia shkon drit’ e saj.

    Nga koka te këmbët – fildish që rrëmben.

    Nga shtati si plepi, fytyra – Eden.

    Dy laqe prej myshku mbi supet si borë,

    si hallkat e prangës mbështjellë kurorë.

    Si lulja e shegës e kuqe fytyra,

    si kokërrza shege dy buzët nga ngjyra.

    Dy sytë e vashës si bathra në maj,

    si krahët e korbit qerpikët e saj.”

    Cila ka qënë magjia që i ka bërë gjuhës Vexhi Buharaja për të arritur deri në këtë lartësi ligjërimi, nga ku vërtetë të merren mendtë? Cili ka qënë çelësi i depërtimit deri në këta kufij maksimalë të aftësisë shprehëse të fjalës? Mendoj se së pari ka qënë gjenia prej krijuesi e Firdeusit dhe së dyti gjenia prej shqipëruesi e Vexhiut.

    Distiku : Dy sytë e vashës si bathra në maj / si krahët e korbit qerpikët e saj / është një rubin në  gjerdanin e artë të poezisë që lexohet në gjuhën shqipe.

    Shqipërimet Vexhiu, në shumë raste, i ka shoqëruar me shënime të natyrave të ndryshme. Në këto shënime ne zbulojmë tek ai gjuhëtarin, kritikun, historianin, filozofin, polemistin. Dhe këto shënime mbeten një fushë e hapur dhe me shumë interes për çdo studiues. Edhe pse  këto shënime të dhëna shkurt, është thënë aq sa është quajtur e mjaftueshme, ashtu siç ka thënë edhe Noli i madh, aq sa ishte e nevojshme,   në   introduktat    që   kanë    shoqëruar shqipërimet e tij. Është e njëjta traditë, që duhet vlerësuar. Në shënimet që shoqërojnë shqipërimet  e Vexhiut, bëjnë vend edhe sqarime për kuptimet e fjalve specifike të përdoruara, për sinonimet që ndjekin fjalët e rralla, shprehjet frazeologjike, barbarizmat të përdorura për të dhënë atmosferën e kohës dhe të vendeve të Lindjes nga vjen kjo poezi, si dhe vërejtje dhe sqarime të ndryshme për kuptimet e vargjeve që mbartin ngarkesë filozofike ose mitologjike

    Buharaja studiues

    Sa për atë pjesë të pyetjes nëse Buharaja është thjesht një njohës i gjuhëve orientale, mjafton të lexosh shënimet në përkthimet e tij, shënime që nuk mungojnë kurrë, dhe do të mësosh se V. Buharaja është një njohës i thellë i kulturës, historisë, i artit dhe letërsisë së vendjeve të Lindjes nga i mori dhe i bëri kryeveprat të flasin shqip, është një njohës kulturës, artit dhe letërsisë së Perëndimit.

    Buharaja është një studiues serioz. Kur lexojmë studimet e tij vëmë re qartësinë dhe logjikën e ftohtë të argumentit, thellësinë e trajtimit të çështjes, njohjen e këndvështrimeve të tjera për të njëtën çështje dhe këndvështrimin origjinal të Buharasë.

    “Ka qene viti 1971, kur une gjate nje udhetimi ne Berat kerkova te shihja me syte e mi dy simbole: nje skulpture druri, qe perfaqesonte ritin e sakrifices njerezore ne nje nga kamaret e ures mbi lumin Osum, pra, imazhin e gdhendur te nje simotre te Rozafes ne Berat dhe nje njeri te gjalle, te identifikueshem me nje simbol antropomorf gjithashtu te sakrifices, qe quhej Vehxhi Buharaja ,” – shkruan Moikom Zeqo.

    E sollëm këtë vizatim të goditur të poetit dhe studjuesit Moikom Zeqo pikërisht për të ndërtuar një anë tjetër të portretit të Vexhi Buharasë, atë të vetsakrifikimit të tij të heshtur, ndriçimit latent të mendjes së tij mbi monumente të historisë sonë kombëtare, mbi monumente të artit të madh botëror, duke i sjellë në një shqipe të qashtër. Puna e tij i ngjet atij gdhëndësit të famshëm që duke parë statuetat e gdhendura me mermerin e një gjuhe antike, nga poplat e një tjetër gjuhe, të gjuhës shqipe, i duhej të dallonte mermerin në zemër të tyre dhe të gdhëndte të njëjtat forma.

    Sofra e Buharasë është vërtetë e begatë. Ai punoi një jetë të tërë që ta pasuronte atë, por rreth saj u ulën miq e dashamirës, ziliqarë dhe grabitës.

    Në veprën e tij futën duart dhe morën atë që kishin nevojë, shuan etjen intelektuale, por edhe përvetësuan punën e Vexhi Buharasë, individë që ia lavdëruan dhe nderuan punën, por edhe që nuk denjuan as t’i përmendin emrin përkthyesit dhe interpretuesit të shquar.

    Këta mund të quhen bukëshkalë, sepse e harruan, pas shuarjes së urisë, sofrën ku hëngrën dhe emrin e atij që e shtroi atë sofër. Disa, madje, në mënyrë krejt të paturpshme vendosën emrat e tyre poshtë përkthimeve dhe interpretimeve të Vexhi Buharasë. Këta mund të thirren thjesht vjedhës ordinerë të pasurisë së tjetrit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË