Nga Daniel Lewis
The New York Times
Milan Kundera, i dëbuari prej Partisë Komuniste, i cili u bë yll i letërsisë botërore me romane thumbuese, të ngarkuara seksualisht, që kapën absurditetin mbytës të jetës në parajsën e punëtorëve të vendlindjes së tij, Çekosllovakisë, vdiq të martën në Paris në moshën 94-vjeçare.
Një zëdhënëse e Gallimard-it, botues i z. Kundera në Francë, tha të mërkurën se z. Kundera kishte vdekur “pas një lëngate të gjatë”.
Librat e famshëm të z. Kundera zënë fill me “Shakaja”, botuar më 1967, rreth kohës së Pranverës së Pragës, pastaj u ndalua me hakmarrje pasi trupat sovjetike shtypën eksperimentin në “Socializmin me fytyrë njerëzore” disa muaj më vonë. E mbaroi romanin e tij të fundit, “The Festival of Insignificance” (2015), kur ishte në mes të të tetëdhjetave të tij duke jetuar rehat në Paris.
Romani ishte fiksioni i tij i parë që në vitin 2000, por pritja e tij ishte e vakët, shumë larg prej reagimit ndaj romanit pafundësisht të dashur, “Lehtësia e padurueshme e qenies”. Qe një sukses i menjëhershëm kur u botua në 1984, dhe u rishtyp gjatë viteve të ardhshme në të paktën një duzinë gjuhë. Romani tërhoqi akoma më shumë vëmendje kur u përshtat në film në 1988, me Daniel Day Lewis si një prej personazheve qendrorë, Tomas, një kirurg çek i cili kritikon udhëheqjen komuniste dhe rrjedhimisht detyrohet të punojë si larës dritaresh për të fituar bukën e gojës.
Si dënim, larja e dritareve doli punë e mirë për Tomas-in: si dikush i dhënë pandalshëm pas femrave, gjithmonë është i hapur të takojë gra të reja, përfshirë edhe shtëpiake të mërzitura. Por seksi, si dhe vetë Tomasi dhe tre personazhet e tjera kryesore – gruaja e tij, një piktore joshëse dhe dashnori i piktores – janë aty për një qëllim më të madh. The New York Times, pasi e përfshiu romanin në listën e librave më të mirë të vitit 1984, vuri re se “puna e vërtetë e shkrimtarit është të gjejë imazhe për historinë shkatërrimtare të vendlindjes gjatë jetës së tij”. “I përdor të katërt në mënyrë të pamëshirshme, duke e vendosur secilën palë kundër tjetrës, si të kundërta në çdo mënyrë, për të përshkruar një botë ku zgjedhja është e shteruar dhe njerëzit thjesht nuk mund të gjejnë një mënyrë për të shprehur humanizmin e tyre.”
Mund të ishte veçanërisht i pamëshirshëm në përdorimin e personazheve femërore; aq shumë sa feministja Joan Smith, në librin e saj të 1989 “Misogjinia”, deklaroi se “armiqësia është faktori i zakonshëm në të gjithë shkrimet e Kundera-s mbi gratë”.
Kritikë të tjerë menduan se ekspozimi i sjelljes së tmerrshme të burrave ishte të paktën pjesë e qëllimit të tij. Gjithsesi, edhe gratë më të forta në librat e Kundera-s kanë prirje të objektifikohen, dhe më të pafatat ndonjëherë viktimizoheshin në detaje shqetësuese. (Rrëfimtari i romanit të parë, “Shakaja”, për hakmarrje josh gruan e një armiku të vjetër, e godet me shuplakë gjatë seksit, më pas i thotë se nuk e dëshiron. Bashkëshorti i gruas nuk do t’ia dijë; ka rënë në dashuri me një studente shumë të hijshme. Në një poshtërim të fundit, gruaja e trallisur përpiqet të vrasë veten me një grusht hapesh, të cilat rezultojnë të jenë laksativë.)
Frika e z. Kundera se kultura çeke do të fshihej nga stalinizmi – siç fshiheshin nga fotot zyrtare udhëheqësit turpërues – ishte në zemër të librit “The Book of Laughter and Forgetting”.[1]
Nuk është pikërisht ajo që lexuesit perëndimor do të prisnin nga një “roman”: një sekuencë shtatë historish, treguar si trillim, autobiografi, spekulim filozofik dhe shumë më tepër. Por z. Kundera e quajti roman gjithsesi, dhe e krahasoi me një set variacionesh të Beethoven-it.
Në The Times Book Review në 1980, John Updike tha se libri “është brilant dhe origjinal, shkruar me një pastërti dhe mençuri që na fton menjëherë brenda; është gjithashtu i çuditshëm, me një çudi që na mbyll derën”.
“E vërteta e pasigurisë”
Z. Kundera kishte një simpati të thellë për mendimtarët dhe artistët e Europës Qendrore – Nietzche, Kafka, romancierët vjenezë Robert Musil dhe Hermann Broch, kompozitori çek Leos Janacek. Ashtu si Broch-u, tha, u përpoq të zbulonte “atë që vetëm romani mund ta zbulojë” dukë përfshirë atë që ai e quante “të vërtetën e pasigurisë”.
Librat e tij kryesisht u shpëtuan prej peshës së kësaj trashëgimie nga një humor që shpesh do të thoshte të përdorte vetë zërin e tij për të komentuar librin në proces. Kështu fillon të shpikë Tamina-n, një figurë tragjike te “The Book of Laughter and Forgetting”, e cila nis si një vejushë e mjerë çeke dhe disi përfundon duke vdekur në duar fëmijësh të këqinj në një përrallë.
“Llogaris se dy apo tre personazhe të rinj të trilluar pagëzohen në tokë çdo tre sekonda. Prandaj gjithmonë nguroj t’i bashkohem asaj turme të madhe të Gjon Pagëzuesit. Por ç’mund të bëj? Në fund të fundit, personazhet e mi duhet të kenë emra”.
Z. Kundera i tha The Paris Review në 1983: “Ambicia e jetës sime ka qenë të bashkoj seriozitetin më të madh të pyetjes me lehtësinë më të madhe të formës. Kombinimi i një forme gazmore dhe i një subjekti serioz menjëherë demaskon të vërtetën mbi dramat tona (ato që ndodhin në krevatet tona si dhe ato që luajmë në skenën e madhe të Historisë) dhe parëndësinë e tyre të shëmtuar. Përjetojmë lehtësinë e padurueshme të qenies”.
Ai pranoi se titujve të librave të tij mund t’u ndërrohej vendi lehtësisht. “Secili prej romaneve të mi mund të quhet “Lehtësia e padurueshme e qenies” apo “Shakaja” apo “Laughable Loves”, tha ai. “Ato reflektojnë një numër të vogël temash që më fiksojnë, më përcaktojnë, dhe fatkeqësisht, më kufizojnë. Përtej këtyre temave, nuk kam asgjë tjetër për të thënë apo për të shkruar”.
Megjithëse të shkruar në çekisht, të dy “The Book of Laughter and Forgetting” dhe “Lehtësia e padurueshme e qenies” u kompozuan nën dritën e pastër të Francës, ku z. Kundera u rivendos në 1975 pasi hoqi dorë nga shpresa për lirinë politike dhe krijuese në shtëpi.
Vendimi i tij për të emigruar nënvizoi zgjedhjet në dispozicion të inteligjencës çeke të asaj kohe. Me mijëra u larguan. Mes atyre që qëndruan dhe rezistuan ishte skenaristi Vaclav Havel, i cili kreu disa burgime, duke përfshirë njërin që zgjati tre vite. Ai mbijetoi për të ndihmuar më pas në udhëheqjen e suksesshme të Revolucionit të Kadifenjtë, dhe pastaj shërbeu si president, i pari në Çekosllovaki, dhe më pas i Republikës Çeke, pasi sllovakët vendosën të ndaheshin.
Me ketë kthesë të madhe, librat e z. Kundera ishin sërish të ligjshëm në atdheun e tij për herë të parë pas njëzet vitesh. Por kërkesa për to dhe simpatia për shkrimtarin ishin të vakëta aty. Me përafërsi, janë shitur vetëm 10,000 kopje të “Lehtësia e padurueshme e qenies”.
Shumë çekë e panë z. Kundera si dikë që kishte tradhtuar bashkatdhetarët dhe kishte zgjedhur rrugën e lehtë. Dhe kishin prirje të besonin alegimin në një reviste çeke në 2008 se ai kishte qenë informator në ditët e tij studentore dhe kishte tradhtuar një spiun perëndimor. Agjenti, Miroslav Dvoracek, kreu 14 vite burg. Z. Kundera e ka mohuar spiunimin e tij.
Dëbuar nga partia
Historia e paqëndrueshme e romanit të parë të z. Kundera, “Shakaja”, është një ilustrim i mirë i telasheve me të cilat përballej ndërkohë që përpiqej të promovonte reformën nga brenda.
Kur mbaroi Pranvera e Pragës, libri u dënua si cinik, erotik, dhe anti-socialist; dhe nëse lexuesi do të mund ta shihte me mendësinë e censuruesit, do ta shihte për çfarë e kishin fjalën.
Ludvik, rrëfyesi kryesor i “Shakaja”, është një student i Universitetit të Pragës në vitet 1950, i cili është nën dyshim e anëtarëve të partisë për individualizmin në dukje të tij. “Ti buzëqesh si të jesh duke menduar me vete”, i thonë. Më pas, ai merr një letër nga një shoqe besnike e cila lavdëron “atmosferën e shëndetshme” te kampi veror i trajnimit ku e kanë dërguar. I zemëruar se ajo është e lumtur ndërsa Ludvik-un e ka marrë malli për të, i riu bën një gabim të tmerrshëm:
“Pra bleva një kartolinë”, thotë, “dhe (për ta lënduar, tmerruar dhe për ta çoroditur) shkrova: ‘Optimizmi është opiumi për popullin! Një atmosferë e shëndetshme qelbet era budallallëk. Jetë të gjatë Trotsky-t!’”
Më pas një gjyq. Për shakanë e tij të vogël, Ludvik-u dëbohet nga partia dhe dënohet të punojë si minator qymyri në një njësi penale ushtarake.
Z. Kundera nuk ka vuajtur këtë fat, por është përjashtuar dy herë nga partia të cilën e kishte mbështetur që 19 vjeç, kur komunistët erdhën në fuqi në 1948.
Përjashtimi i tij i parë, për atë që ai e quan vërejtje e vogël, ndodhi në 1950 dhe frymëzoi subjektin qendror të “Shakaja”. Sidoqoftë iu lejua të vazhdonte studimet; u diplomua nga Akademia e Arteve të Bukura në Pragë në 1952 dhe më pas e caktuan në fakultet si mësimdhënës të letërsisë botërore, ku një prej studentëve të tij ishte Milos Forman.
Z. Kundera u ripranua në partinë komuniste në 1956 por u përjashtua sërish, në 1970, për advokim reforme. Këtë herë, përjashtimi ishte i përhershëm, duke e fshirë funksionalisht si person. E larguan nga puna e tij dhe, tha, “Askush s’kishte të drejtë të më ofronte punë tjetër.”
Vitet në vazhdim fitoi para si muzikant xhazi (luante në piano) dhe si punëtor ditor. Dhe miqtë e tij ndonjëherë i rregullonin që të shkruante gjëra nën emrat e tyre apo me pseudonime. Dhe kështu u bë gazetar astrologjie.
Po. Kishte në fakt eksperiencë në shkrimin e horoskopëve. Kështu kur një redaktor reviste të cilin e identifikoi si R., i propozoi një rubrikë javore astrologjike, ai pranoi, duke e këshilluar që “t’i thoshte bordit editorial se shkrimtari do të ishte një fizikant nuklear brilant i cili nuk donte t’i shfaqej emri nga frika se mos tallej prej kolegëve të tij.”
Ai madje shkroi një horoskop për kryeredaktorin e R., një shaka e cila do të ishte e turpshme nëse ndokush s’do ta kishte ditur për besimet e tij supersticioze. R. raportoi më vonë, tha ai, se shefi “kishte filluar të ruhej kundrejt ashpërsisë për të cilën e kishte paralajmëruar teleskopi”, se “po përpiqej të ruante atë pak mirësi për të cilën ishte i aftë” dhe se “në vështrimin e tij shpesh të zbrazët mund të dalloje trishtimin e një njeriu i cili e kupton se yjet i premtojnë veç vuajtje”.
Të dy u shkrinë gazit. Pashmangshmërisht, ama, autoritetet do të zbulonin identitetit e vërtetë të fizikantit-nuklear-astrolog brilant, dhe Z. Kundera e kuptoi me siguri se s’kishte asnjë mënyrë për të mbrojtur miqtë që donin ta ndihmonin.
Në Londër, përkthimi i parë në anglisht i “Shakaja” ishte aq keq sa ishte e vështirë të dije se ç’ishte. Kapitujve u ishte ndërruar vendi apo thjesht ishin zhdukur. Ironia ishte kthyer në satirë. I izoluar në Pragë, nuk kishte shumë ç’të bënte për këtë. (Deri në 1992 nuk pati një version që ta kënaqte. Shkroi një shënim për të i cili fillonte: “Nëse s’do të më përkiste mua, do të më bënte veçanërisht për të qeshur: ky është versioni i pestë në anglisht i ‘Shakaja’.”
Në përsiatjen e tij të 1980 në Times, Updike komentoi se vuajtjet e z. Kundera “i bëjnë historitë e jetës së shumicës së shkrimtarëve amerikanë në duken po aq pasive sa progresi i një bime domateje, dhe është një mrekulli e vogël që Kundera ka aftësinë të bashkojë domethëniet personale dhe politike me lehtësinë e një Camus.
Rritur me muzikë dhe libra
Milan Kundera u lind më 19 Prill 1929, në Brno, në atë që sot është Republika Çeke, i biri i Milada Janosikova dhe Ludvik Kundera. I ati, një pianist i mirënjohur koncertesh dhe muzikolog, i mësoi piano, dhe ai e mori parasysh një karrierë në muzikë para se interesat e tij të kalonin në letërsi, veçanërisht në atë frënge.
“Që në moshë të hershme”, i tha një gazetari për gazetën letrare Salmagundi në 1987, “lexoja Baudelaire, Rimbaud, Apollinaire, Breton, Cocteau, Bataille, Ionesco dhe e adhuroja surrealizmin francez.”
I rritur në një vend të pushtuar nga forcat gjermane prej 1939 deri në 1945, i riu Kundera ishe një prej milionave të cilët përqafuan komunizmin pas luftës. Ishte një kohë marramendëse, me lista të reja fituesish dhe humbësish.
“U korrigjuan padrejtësitë e vjetra, u kryen padrejtësi të reja”, shkroi te “The Book of Laughter and Forgetting”. Fabrikat u shtetëzuan, mijëra njerëz u burgosën, kujdesi mjekësor ishte falas, cigareshitësit panë t’u konfiskoheshin dyqanet, punonjësit e moshuar pushuan për herë të parë në vila të shpronësuara, dhe në fytyrat tona kishim buzëqeshjen e lumturisë.
Tepër vonë, tha ai, kuptoi se e keqja e bërë në emër të socializmit nuk ishte tradhti e revolucionit por në fakt një helm që ishte brenda tij që në fillim.
Kur komunizmi mori fund më 1989, Z. Kundera, i cili fliste pak për jetën e tij personale, kishte 14 vite që jetonte në Francë bashkë me të shoqen Vera Hrabankova, fillimisht pedagog në Rennes dhe pastaj në Paris. Çekosllovakia ia hoqi shtetësinë në 1979, dhe ai u bë qytetar Francez dy vite më vonë. Republika Çeke ia ridha shtetësinë e atdheut të tij në 2019.
Libri i fundit që ai shkroi në çekisht para se të kalonte në frëngjisht ishte “Pavdekësia”, në 1990. Duke filluar nga aty, romanet e tij ishin dukshëm më pak politikë dhe më shumë filozofikë: “Ngadalësia” (1995), “Identiteti” (1998) dhe “Mosdija” (2000).
Nga ky grup, “Pavdekësia”, ku shpikjet e mençura si miqësia me Hemingway dhe Goethe kur takohen në parajsë, u pëlqye shumë që në fillim. Qëndroi disa javë në listën best-seller të Times.
Me “Ngadalësinë”, z. Kundera, tronditi disa lexues duke mos u dhënë një fund dhe duke tejkaluar limitin e dialogjeve në vetën e parë: “Dhe pyes veten: Kush po ëndërronte? Kush e ëndërroi këtë histori? Kush e imagjinoi? Ajo? Ai? Të dy ata?” e kështu me radhë.
Përveç veprave të gjata të fiksionit, ai ka shkruar tregime të shkurtra dhe një dramë, “Jacques and His Master”. Ishte gjithashtu autor esesh, duke përfshirë disa që iluminuan veprën e tij dhe atë të shkrimtarëve të tjerë, përmbledhur nën titull “Arti i romanit”.
Shpesh është nominuar por nuk është përzgjedhur për Çmimin Nobel.
Enigmatik, privat dhe paksa gërnjar për zhurmën dhe rrëmujën e shoqërisë moderne perëndimore, z. Kundera ishte kryesisht larg syrit të publikut nga viti 2000 deri më njoftimin në 2014 se kishte shkruar një roman të ri, “The Festival of Insignificance”, në gjuhën frënge.
Vendosur në Paris dhe zor se i kalon 100 faqe – kritiku Michiko Kukatani e hodhi poshtë në The Times si të “dobët” –ndjek ecejaket e pesë miqve përmes të cilëve z. Kundera konsideron temat e njohura të së qeshurës, batutave praktike, dëshpërimit, seksit dhe vdekjes.
Romancierja Diane Johnson, në The Times Book Review, spekuloi mbi rëndësinë qendrore të të qeshurës te z. Kundera.
“Mund të jetë se kur Kundera shkruan mbi të qeshurën,” shkroi ajo, “e sheh jo si një shprehje subjektive e vlerësimit apo habisë, mënyra si ne e kuptojmë zakonisht, por si një formë materiale agresiviteti, një akt vetëmbrojtjeje, madje detyrë.”
Siç shkroi vetë z. Kundera te “Insignificance”, “E kemi ditur për një kohë të gjatë se nuk ishte më e mundur ta përmbysnim këtë botë, as ta riformonim, apo të largohemi nga nxitimi i saj i rrezikshëm. Ka vetëm një qëndresë të mundshme: të mos e marrim seriozisht”.
Ai kishte një shënim të ngjashëm në vitin 1985, në pranimin e Çmimit të Jerusalemit, një prej disa vlerësimeve të tij.
“Ka një proverbë të bukur hebreje”, tha në fjalimin e pranimit: “Njeriu mendon, Zoti qesh.” Dhe më pas një shpalosje kunderiane.
“Por përse qesh Zoti? Sepse njeriu mendon dhe e vërteta i arratiset. Sepse sa më shumë të mendojnë njerëzit, aq më shumë i largohen mendimet nga njëri-tjetri. Dhe në fund të fundit, sepse njeriu nuk është kurrë ai që mendon se është.”
Përktheu Enxhi Hudhri
[1] Shënim i përkthyeses: Titujt e librave të cilët janë të përkthyer i kam vendosur sipas variantit të tyre në shqip. Titujt e tjerë, janë lënë në anglisht si te shkrimi.