Përgatiti e përktheu Bujar Hudhri
FJALA E PËRKTHYESIT TË SHQUAR VASILIJ TJUHIN NË ÇASTIN KUR U NDERUA ME ÇMIMIN NË KATEGORINË “KRYEVEPRAT E ANASHKALUARA”
Jam i tronditur, krenar, i lumtur. Kam filluar të punoj në përkthimin e variantit të parë të këtij romani dyzet vjet të shkuara. Por do të doja të flisja për romanin. Mua më duket se ai i përket plotësisht kësaj kategorie, sepse, së pari, është një kryevepër. Ky nuk është mendimi im personal apo i dikujt tjetër, ky është një fakt i padyshimtë. Ky është një roman që është përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë, është botuar në pesëdhjetë vende të botës, është një “long-seller” absolut, i cili për gjysmë shekulli është shitur vazhdimisht në libraritë e të gjithë botës. Nëse hyni në çdo librari serioze në një qytet të madh, kudoqoftë, në raftin para Kafkës do të gjeni Kadarenë dhe aty patjetër do të jetë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Epo, dhe së dyti, është një kryevepër e anashkaluar, dhe e anashkaluar jo për arsye letrare, nuk mund të thuhet se nuk u vu re, për të janë bërë tre apo katër filma, përfshirë një italian me Marcello Mastroianni-n në rolin kryesor, për të shkruhen disertacione, përfshirë këtu tek ne në Rusi, ai studiohet në një disertacion filozofie. Kjo është një kryevepër botërore e njohur botërisht, e shkruar nga një shkrimtar që ka marrë të gjitha çmimet e njohura botërore, përveç Çmimit Nobel dhe – deri më sot – “Jasnaja Poljana”. Por ja që sot ai e mori “Jasnaja Poliana”.
Kjo kryevepër u anashkalua tek ne për shkak të një kombinimi rrethanash joletrare, politike të jashtme. Kur marrëdhëniet midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë u ndërprenë, dy dekada humbën, pastaj filluan vitet ‘90, dhe në Shqipëri ato ishin edhe më të komplikuara se tek ne, dhe nuk ishte koha për këtë, pastaj pati disa trazira politike. Dhe unë do të doja të shprehja mirënjohjen time për shtëpinë botuese që rrezikoi dhe botoi jo një bestseller tepër aktual të këtij viti, të cilin të gjithë e dinë, por një libër klasik që ka qëndruar për gjysmë shekulli në raftet e librarive në mbarë botën, ndërsa tek ne ky autor nuk ishte shumë i njohur, megjithëse është një shkrimtar i afërt me letërsinë ruse, i cili ka studiuar në Institutin e Letërsisë në Moskë, i rritur me letërsinë ruse, i cili e njihte mirë gjuhën ruse. Dhe letërsinë e huaj në rininë e tij e lexonte në rusisht në revistën “Letërsia e Huaj” (“Inostrannaja Literatura”), kur studionte në Moskë, në Moskën e “shkrirjes” së Hrushovit. Mund të thuhet se ai është shkrimtari ynë moskovit i brezit të viteve gjashtëdhjetë, dhe tek ne ai ishte plotësisht i panjohur. Dhe ja ku shtëpia botuese rrezikoi dhe botoi librin e tij. Faleminderit shumë, natyrisht, edhe jurisë dhe ekspertëve të çmimit, të cilët e vunë re romanin e botuar, e lexuan dhe e nominuan.
Faleminderit shumë të gjithëve!

Ky është një libër shumë tragjik, shumë therës, është si një “Lufta dhe Paqja” në të vërtetë
Aleksei Varlamov, anëtar i jurisë, shkrimtar dhe publicist rus, rektor i Institutit të Letërsisë “Gorki” (Moskë)
Një roman i mrekullueshëm, i shkruar nga një shkrimtar shqiptar – dhe, pranoni, letërsinë shqipe ne nuk e njohim shumë mirë – emri i këtij shkrimtari është Ismail Kadare, dhe romani titullohet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Është romani që ky shkrimtar, ndoshta shkrimtari më i famshëm në letërsinë shqipe, e shkroi kur ishte relativisht i ri.
Për mua është veçanërisht kënaqësi, – këtë e mësova më vonë, pasi e lexova romanin, – që ai, siç doli, ka studiuar në fund të viteve pesëdhjetë – fillim të viteve gjashtëdhjetë në Institutin Gorki, ka jetuar në konviktin e institutit, madje ai ka edhe një libër kushtuar kësaj ndërtese në rrugën “Dobroljubov”. Më vonë, kur marrëdhëniet midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë u prishën, ai ndërpreu studimet dhe u largua. Epo, më pas, duke u kthyer në Shqipëri, ai shkroi pikërisht këtë roman, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” – ky është një libër shumë tragjik, shumë therës, është si një “Lufta dhe Paqja” në të vërtetë. Është një libër për luftën, për Luftën e Dytë Botërore, për atë që ndodhi në Shqipëri, e cila fillimisht ishte nën pushtimin e ushtrisë italiane, pastaj, kur ushtria italiane kapitulloi, erdhi ushtria gjermane, dhe në thelb subjekti i romanit lidhet me faktin se 20 vjet pas përfundimit të luftës, në mesin e viteve gjashtëdhjetë, në Shqipëri arrin një mision i përbërë nga një gjeneral italian dhe një prift, të cilët duhet të gjejnë varret e ushtarëve dhe oficerëve të rënë italianë dhe t’i kthejnë në atdhe. Ky është një libër shumë i rëndë, shumë i thellë. Nuk mund të thuhet se është një roman pacifist, çështja nuk është te pacifizmi. Çështja është te një reflektim i thellë se çfarë është jeta, çfarë është vdekja, çfarë është faji, çfarë është përgjegjësia, pra pikërisht ato pyetje, për zgjidhjen e të cilave në të vërtetë ekziston letërsia, të cilat letërsia nuk ka frikë t’i ngrejë. Për më tepër, në këtë roman ka shumë fantazmagori, shumë humor të hidhur, shumë butësi. Edhe këtu është i rëndësishëm një mjet artistik i mrekullueshëm, kur personazhet kryesore rezultojnë të jenë të huaj, të ardhur. Italianët në këtë rast, pushtuesit, gjithçka tregohet përmes syve të tyre, përshkruhen ndjenjat dhe ndjesitë e tyre, dhe aty ka edhe gjermanë, po, por autori është shqiptar. Dhe ai përshkruan se si populli i tij, vendi i tij e perceptoi këtë pushtim, si luftoi kundër tij, çfarë mendon për këta pushtues të vdekur që prehen këtu prej 20 vjetësh dhe që po i largojnë, si e trajtojnë këtë. Pra, autori ngre çështje shumë të rëndësishme, ekzistenciale njerëzore. Epo, në përgjithësi, jam shumë i lumtur që i lexova këtë libër dhe u uroj të gjithëve, nëse dikush ndoshta e ka anashkaluar këtë kryevepër, ta lexojë.