More
    KreuMuzikëVasil S. Tole: Një homazh për ndarjen nga jeta të Alma Radovicka-Zadesë,...

    Vasil S. Tole: Një homazh për ndarjen nga jeta të Alma Radovicka-Zadesë, gruaja e jetës e kompozitorit Çesk Zadeja

    Në vitin 1967, kompozitori Zadeja dhe balerina Alma Radovicka përfundojnë me martesë. Ishin njohur së bashku në vitin 1965, kohë kur Alma 28-vjeçare ishte balerinë në Teatrin e Operës dhe Zadeja 38-vjeçar kryente detyrën e udhëheqësit artistik të TOB. Sipas saj Çesku ishte një njeri i jashtëzakonshëm të cilin ajo e donte dhe për një vit e gjysmë, me Çeskun kemi mbajtur marrëdhënie shoqërore. Kurrë nuk mendoja se Çesk Zadeja, kompozitori i madh, do të ishte më vonë babai i fëmijëve të mi. Çeskut i kishte lindur një ndjenjë dashurie për mua, por, si gjithnjë, ata që duhet, e marrin vesh në fund. Ai kishte shprehur dashurinë që kishte ndaj meje në rrethin shoqëror, ndërsa mua nuk më kishte thënë asnjë fjalë. Megjithëse të dy e dinim se ndërmjet nesh kishte lindur dashuria, përsëri u skuq kur ma shprehu. Ka qenë një nga çastet më të lumtura të jetës sime.

    Pas fejesës erdhi më pas dasma si në çdo rit shqiptar të martesës. Dasma e madhe u bë në Tiranë. Siç kujton znj. Alma: … kemi bërë një dasmë madhështore, ku ishin të pranishëm gjithë njerëzit tanë. Madje nuk mungonin as miqtë tanë të njohur, si Tonin Harapi, Panajot Kanaçi, Avni Mula apo Agron Aliaj. Por kemi bërë një dasmë edhe në Shkodër. Dasma në Shkodër u mbajt në kushte specifike. Më 8 korrik të vitit 1965 ishte ndarë nga jeta mamaja e Zadejës, nënë Luçia dhe familja mbante ende zinë për humbjen e parakohshme. Drita e saj qe shuar, por jo kujtimi për këtë grua e nënë të rrallë. Siç dihet, në familjet katolike zia mbahej nga e gjithë familja. Aq i ngulitur ishte respekti për të vdekurin sa edhe në kohën kur festoheshin Pashkët dhe Kërshëndellat, të parat vizita që priteshin ishin ato për të vdekurin edhe mbahej zi duke mos dalë me shëtitë nëpër miq. Sipas Bushatit, njerëzit e shtëpisë, meshkujt, zakonisht vejnë një shenj zije në krah ose në parzëm dhe e mbajnë një vjet rresht etj.

    Pas humbjes dhe vajtimit të pikuleshave për nënën Luçie, në familjen Zadeja erdhën njëra pas tjetrës dy gëzime: martesa e motrës Marie më 5 shtator 1965 dhe martesa e Çeskut me Almën, në vitin 1967. Ritmi i jetës nuk mund të ndalej. Në këto kushte, duke e ndier thellë humbjen e nënës, dasmat e tyre u bënë në rreth të ngushtë familjar dhe të kushtëzuara nga rrethanat. Është për t’u shënuar që në respekt të nënës, vajza e saj Marie nuk doli nuse nga shtëpia prindërore e Zadejave në Shkodër, pre nga duhet të dilte në rrethana të zakonshme, por doli nga shtëpia e Zadejës, vëllait të saj në Tiranë. Po ashtu, në darkën e dasmës së Zadejës, theksojmë se përveç familjarëve morën pjesë vetëm disa të ftuar me gishtat e dorës nga miqësia profesionale e Zadejës, kryesisht kolegë kompozitorë dhe këngëtarë dhe jo të tjerë të ftuar të shumtë siç e donte zakoni. Nëse zia nuk do të ishte, ahengu shkodran natyrshëm do të shoqëronte martesën e tyre, gëzimin e kryemuziktarit shqiptar me balerinën bukuroshe nga jugu i Shqipërisë dhe Shkodra me siguri që do t’u këndonte këngën:

    Sa bukur na ka dalë nusja,         marshalla marshalla

    e bukur për bukuri-e,                “       “

    paska shtatin-o si selvi-e            “       “

    paska ballin perishan-e           “       “

    paska vetllën-o si gajtan-e           “       “

    paska synin-o si filxhan-e           “       “

    paska hundën-o miskalli-e           “       “

    paska faqet-o gurabi-e            “       “

    paska gojën-o si kuti-e            “       “

    paska dhamët-o si inxhi-e           “       “

    ma gëzofsh-o dhandri ri-e           “       “

    Referuar traditave të dasmës shkodrane, dasma gjithmonë bëhej më e madhe te burri se te nusja. Kënga dhe vallja në shtëpinë e dhëndrit nuk pushonte asnjëherë, duke shoqëruar hyrjen e nuses në shtëpi, nusërimin, hapjen e dhuratave që ka sjellë, pritjen e krushkave dhe darkën festive. Nuk duhet lënë pa përmendur fakti se zia për nënën preku edhe krijimtarinë e Zadejës. Nëse i referohemi krijimtarisë së tij të vitit 1965, ai vit mbetet viti me më pak krijimtari në krahasim me të gjitha vitet e aktivitetit të tij krijues. Boshllëku shpirtëror i humbjes së nënës ishte shfaqur në mungesën e frymëzimit për të shkruar muzikë në atë vit.

    I pari nga fëmijët lindi Albani më 1968 dhe e dyta vajza, Delina më 1975. Që të dy fëmijët morën emrat e personazheve të dashura për të nga baleti “Delina”, libretin e të cilit Zadeja e kishte shkruar vetë. Alma thotë se të dy fëmijët janë artistë, vajza ka mbaruar Akademinë e Arteve për piano, ndërsa djali për vegla frymore. Ata ecin në gjurmët tona. Albani, djali i Zadejës e kujton atë si një baba të përkushtuar për familjen, që për çdo problem komunikonin lirshëm dhe si një ndihmesë të madhe në profesionin e tij. Albani pohon gjithashtu se është shumë krenar për veprën ka lënë dhe për vlerësimet nga muzikantë e kolegë dhe publiku i gjerë shqiptar dhe ai i huaj. Pa dyshim, kur dëgjoj ose luaj vepra të tij kam një emocion të veçantë, – thotë Albani.

    Alma Zadeja i qëndroi pranë Zadejës për mbi 30 vjet, deri në frymën e tij të fundit, duke qenë mbështetja më e fortë si për rritjen e fëmijëve, ashtu edhe në pikëpamje të qetësisë dhe inkurajimit aq të domosdoshëm për të përballuar ngarkesën e madhe fizike dhe emocionale që Zadeja kishte në veprimtarinë e tij të përditshme. Alma ishte gruaja ideale tek e cila Zadeja u mbështet për të krijuar muzikën e tij, e po ashtu zonja e shtëpisë e cila priste me dhjetëra e qindra artistë e njerëz të thjeshtë të cilët i lidhte puna me aktivitetin e Zadejës si krijues, pedagog, muzikolog, drejtues institucionesh dhe personalitet i jetës artistike të vendit. Shtëpia e Zadejës ishte faktikisht një institucion i pashpallur artistik në Tiranë, pasi prezenca e Zadejës e bënte atë të tillë dhe unike.

    Në intervistën fundit që Zadeja ka dhënë vetëm 2 muaj para ndarjes nga jeta, pyetjes sime “Profesor, cilat janë specifikat e marrëdhënieve që krijohen nëpërmjet Jush, kompozimit, aktivitetit tuaj të shumanshëm artistik dhe shkencor dhe familjes Suaj”, ai u përgjigj: … Familja është e shenjtë dhe nuk duhet “vlerësuar” nga burrat si hotel qëndrimi dalje e hyrje. Por nuk them asgjë të tepërt kur shtoj se posaçërisht familja është një frymëzim i veçantë për krijuesit. Në të vërtetë qenia ime është marrë me artin skenik koreografik, ashtu edhe fëmijët i kam në rrugën e artit të interpretimit. Unë kam pasur gjithnjë një mirëkuptim dhe mbështetje të përzemërt në punën time krijonjëse e studimore.

    Pas vdekjes së Zadejës, zonja Alma dhe fëmijët e saj, Albani dhe Delina, kanë bërë dhe po bëjnë gjithçka që nevojitet për t’u kujdesur për trashëgiminë muzikore dhe artistike të Zadejës.  Ndarja  e saj nga jeta mbyll një kapitull të rëndësishëm të kësaj familjeje të madhe të muzikës sonë, që kishte në qendër të saj Zadejën dhe bashkëshorten e tij Alma, e cila der isa mbylli sytë thoshte E kujtoj me mall, ç’do ditë e kujtoj. Për mua është gjithmonë i gjallë kur dëgjoj muzikën e tij!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË