Një nga temat kresore të poezisë së Martin Camajt është Natyra e vendlindjes së tij:
“Dheu im asht i përmendun për humneret e thella ndër banorët e malit e të fushës deri në det…
Në muzg atje secili prek ballin e vet e ndien ndër gishta fillin e jetës e gëzohet”
(Dita e Malit tem”)
Kjo natyrë e ashpër malore është një nga burimet kryesore të frymëzimit të poetit:
“Tingujt e currilave n’lagsina
e zani monoton i pipzës fëminore
me mote n’mue janë rritë,
si lulja e gjakut n’shullaje,
për të dalun kangë, nii ditë.”
(Tingujt e Parë)
Tematika e lirikës së tij mbi natyrën është e pasur dhe e larmishme. Ajo është burim i përjetimeve emocionale të njëmendta. Ai përjeton lidhjen ekzistenciale të heroit lirik me përjetësinë. Natyra, si një qenie e gjallë, përjeton ciklet e saj natyrore, duke reflektuar ndaj emocioneve të njerëzve, që jetojnë në gjirin e saj.
Poeti i shpirtëzon drurët.
Drurët në poezinë e Camajt simbolizojnë lidhjen e njeriut me natyrën.
Në traditën e lashtë drurët janë quajtur “poezi të shkruara nga njeriu në qiell”.
Poeti veçon tre nga drurët më karakteristikë të vendlindjes së vet: Foljetën(Caracën), Lisin dhe Qarrin.
FOLJETA e Camajt është një dru, që për nga bukuria i ngjan “nuses s’udhtarit, që mbrama e pret n’ shpi”; gjethi i saj “ dridhet n” puhi/Si rrgjande t’imta n’ fytin e nuses”.
Ai e quan foljetën:
“zoj me elbizën,/
Që plak e t’ri njillojit i flladit “.
LISI
Druri i lisit perceptohet poetikisht si një simbol mistik, gati një tempull pagan. Hija e tij është për poetin një strehë e vyer sa çlodhse, po aq edhe mistike, Hija e tij e çlodh njeriun e lodhur dhe i fal atij paqen:
“Kur dielli bjen në mal, o lis,
eshtmat e njerit pushojn” nën hijen t’ande
si cokla, si dru.
Hija e jote Asht e qetë si tis
prej mëndafshit të zi n’faltore.”
Gjinkallat, që këndojnë në degë lisit “sikur vaitore/me ftyr” të gërvishna n’gjamë”.
Dhe hija e lisit:
“Hija e jote e zezë, o lis,
hija e jote më tremb“
Nuk kemi thjesht një peizazh me lis. Kemi bisedimin e malësorit me Lisin, e heroit lirik me natyrën. Një bashkëbisedim i poetit, që natyrën e percepton si pjesë të jetës së vet.
QARRI është jo thjesht një stoli epke.
Ai është një institucion shoqëror i shenjtë i Maleve, që:
“Ora e malit (e), ruen’ “
……………………………..
”Etnit e vjetër spatën n(të) s’e çuen”
Ai është vetë Kanuni i Malësisë:
“në kuvend të par’t për nën kta krahë
N’ëmën t’ kanunit përmbi fis urdhnuen.”
Qarri është një simbol institucional!
SHPENDËT
Martin Camaj Shpendët i poetizon duke i pajisur me ndjeshmëri dhe koncepte psikologjike njerëzore, me reflekse morale dhe etike:
“Erdhi nje korb te dheu i butë nën shkrepa.
Ai s´dinte me ndjekun vallet e pllumbave
palë e palë nën hijen e ullive.
E u ruente mos me lshuemun za
mes gazullimit te pergjithshem
për mos me prishë
ritmin e flatrave nder valle.
Kur te e vona pllumbat kthyen në banesa,
e ndiu vehten korbi pëllumb në shpirt”
(Korbi)
Me një sqimë të veçantë dhe plot delikatesë përshkruan poeti “magjinë hipnotizuese” të muzgut, që po sjell mbrëmjen: “gurzit që/ bashin zhurmë/i përpiu dheu”; zhurmën e tyre e pason “heshtja” që mban frymën duke “njeh gjurmët e diellit npër qiell.” (Mbramja ashtë larg )
STINËT kanë sharmin e tyre.
Stinën e Verës e përcjell me një lirikë elegjiake peizazhi.
Jo vetëm një elegji për këtë stinë me një ditë të gjatë plot diell, por një simbol të dritës, të ngrohtësisë dhe të begatisë.
Poeti, bir i bjeshkëve, me “sy të përlotun të sjellun kah mali” trishtohet sepse ajo zgjat vetëm “sa nji mëngjes me vesë”.
Poeti i qëmton krahasimet, epitetet e brishta, zgjedh simbolet më të përshtatshme duke i personifikuar stinët.
Me heroin lirik bashkohet dhe “Vjeti” bashkë me “qiriun (diell) “pikë e dyllit në diegie” “pikëlluar për “stinën e humbun”, që po ik.
Kurse “e sotmja”, përditshmëria malësore “ ka ndijen e dridhjes/së fletëve të shqemes/para dhambëve të sutës”
(“Nji Stinë e Humbun”).
Poeti i ruan të gjalla kujtimet e shtrenjta e të pashlyera të natyrës së vendlindjes së vet:
“Verat e lugjeve i ruej në gjoks
e n’fletzat e gjethit të blertë dhe sod
vendet e mija të para i shof.”
(Tingujt e Parë)
Poeti e vlerëson natyrën përmes reflektimit të saj në shpirtin e tij, duke i transformuar peizazhet në simbole, duke festuar bukurinë dhe fuqinë e saj si burim frymëzimi, duke përdorur metafora dhe alegori për të shprehur përvoja personale, duke evokuar dashurinë për vendlindjen dhe duke krijuar një botëkuptim poetik ku natyra është një botë e gjallë, shpirtërore që i përgjigjet thirrjes së zemrës njerëzore.
Vetë Camaj e pohon: “Motivet kryesore, për sa i përket lirikës, kanë ardhë prej shtytjevet të mia të mbrendshme, don me thanë nga përjetimet vetjake… prej kombinimeve të ndryshme të rrethanave jetësore apo biografike dhe prirjeve psikike, më kan shty të shkruj këto motive.”.
Poeti jetoi dhe krijoi në emigrim. Në emigrim ai i mbylli edhe sytë e tij të përmalluar për vendlindjen. Ai na la zërin e tij poetik të papërsëritshëm e të pavdekshëm me vargjet e jashtëzakonshme.
Ligjërimi i tij poetik ka disa faza, nga ndikimi i folklorit, nga poezia klasike dhe së fundi, stili i tij evropian, një ligjërim modern, i cili është etiketuar “hermetik”.
Vargu i Martin Camajt përcjell një imazh të ri asociativ, që mbart ngarkesë estetike dhe semantike të veçantë.
Ai gjeneron kuptime dhe imazhe të reja përmes krahasimeve të papritura, të koncepteve, që janë të largëta nga njëri-tjetri, por që krijojnë një imazh unik ku logjika ia lë vendin rrjetit të mendimeve.
Vargu është një varg i veçantë, që krijon një një imazh unik me efekt të veçantë emocional të të menduarit poetik, që e bën lexuesin, jo vetëm të mendojë, por edhe të ndiejë edhe të kuptojë.
Poezia “Shi mbi Lum” është një nga kryeveprat e tij poetike, është etiketa e stilit të tij të veçantë.
Dy janë temat dhe metaforat kryesore të kësaj poezie : “Shiu” dhe “ Lumi”.
Figura e Shiut i lidh asociacionet shpirtërore të poetit me Natyrën. Shiu dhe mjegulla, që nuk rreshtin, e shoqërojnë heroin lirik
Heroi lirik është i lodhur nga jeta, që po rrjedh bashkë me Lumin.
Lumi, në këtë poezi, është metafora e jetës njerëzore. Ai përcjell gjendjen psikologjike të heroit lirik. Ai përcjell trishtimin dhe ndjenjën e pakapshmërisë së kohës njerëzore, të përballjes së përjetësisë së natyrës dhe vdekshmërisë së njeriut.
Lumin Camaj na e paraqit si një forcë elementare e pandalshme dhe në poezi të tjera:
“Pava n’për qiellin e vërrinit dikur
tue kalue shum rë .
dhe lumejt e turbulltë tue baijtun
gur e landë.”
(Tingujt e parë)
“Nji lum mes fshatit rrjedh — dimnit idhnak
E hovin mur s’ ia pret,
Dheun e arave e merr pa dhimbë aspak”
(Katundi)
Poezia “Shi mbi Lum” ka tri strofa:
Mjegulla nga bjeshka ulet kadalë
e pikat e shiut po bijnë mbi lum,
në qiellin e vrantë lëviz nji halë,
shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.
Ujë â bâ gjethi e teshat e blegës
e pikat e shiut po bijnë mbi lum,
dëshira e pjekun po bjen prej degës,
shpirti s’don dhimba e shtati lyp gjum.
Në votër flaka po del krandeve
e pikat e shiut po bijnë mbi lum
veshët e mij janë lodhë prej zâneve
Shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum.
Të trija strofat kanë si refren të përbashkët vargun:
“Shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum”.
Krahasimet e secilës strofë janë krahasime të papritura, por të lidhura nga brenda nga koncepte, që janë të largët nga njëri-tjetri.
Strofa e parë:
Në këtë strofë krahasimi bëhet midis “mjegullës” që” ulet kadalë” dhe “nji halë”. Kemi krahasim midis dy gjërave të ndryshme për nga forma dhe përmbajtja. Njëra mbi tokë dhe tjetra në qiell, një ndodhi mistike midis dheut dhe qiellit.
Të dy krahasimet na krijojnë një imazh të përbashkët me një efekt të natyrshëm: edhe toka edhe qielli janë të shqetësuar nga ky shi që bie pa pushim mbi lumin, metaforën e jetës në lëvizjes të përjetshme, që nuk e ndal as ky shi, që nuk pushon.
Strofa e dytë:
Krahasim midis “gjethit” dhe “teshat e blegës (bareshës)”të bëra qull” dhe të dëshirës së “pjekun”, që nuk mund të mbahet e “bjen prej degës”. Një proces ky i një sendi material fizik dhe i një procesi intim shpirtëror.
Kemi krahasim midis dy gjërave të palidhura midis tyre. Këto nuk mbahen dot më as në degë të pemës dhe as në shpirtin e njeriut , ashtu sikurse frutat e pemëve, që arrihen dhe bien përdhe.
Strofa e tretë:
Në vatër digjen krandet(filizat e njomë), veshët janë të lodhur nga kumtet që përcjell jeta. Një krahasim i largët ky mbi fatin e një bisku të njomë dhe i një veshi të lodhur nga bëmat e jetës.
Dramë natyra, dramë dhe jeta!
Të tre këta krahasime na lindin imazhe të reja asociative që mbartin ngarkesë estetike dhe semantike të veçantë.
Ato na dëshmojnë për mënyrën e të menduarit të poetit, i cili, nëpërmjet tyre shpreh perceptimin unik të një jete në të cilën sundon trishtimi.
Këtë perceptim e vulos vargu i përbashkë, refreni i të trija strofave:
“ Shpirti s’don dhimba e trupi lyp gjum”.
Ky është Poeti unikal e i pashëmbullt – Martin Camaj!
Dhe ky cikli lirik i tij – monumenti poetik që ia kushtoi natyrës së vendlindjes së vet.

