More
    KreuOpinionVangjush Saro: Tallavaja virtuale dhe ‘krijimtaria letër’

    Vangjush Saro: Tallavaja virtuale dhe ‘krijimtaria letër’

    Dëshirojnë pavdekësinë dhe pastaj nuk dinë ç’të bëjnë një pasdite me shi.

    Teknologjia dhe interneti, gjithnjë në ‘ekspansion’, kanë ndryshuar dhe po e zhvillojnë botën me një shpejtësi pothuaj të frikshme. Megjithatë, ekspozimi i tepërt ndaj modeleve online të jetës e krijimtarisë, përfshi atë letrare, gjendet përballë performancave që ende shpresojnë të mbrojnë autenticitetin e qenies, atë çka e bën njerëzore pamjen. Në këtë përballje, lipset të themi që ende ka një ndryshim të madh ndërmjet asaj çfarë shpërndahet falas e pa asnjëlloj vëmendjeje në botën virtuale dhe asaj që mund ta quajmë ‘krijimtaria-letër’. E para vërtet ka pushtuar botën, brezat, po ribën bibliotekat, trashëgiminë, studimet korente, etj., por ndërkohë ka shpërndarë kaq shumë mjegull, ka devijuar vende-vende teknikën dhe parimet e të shkruarit, ka provokuar si kurrë ndonjëherë dëshirën e njerëzve për t’u shfaqur me çdo kusht, ka prodhuar pa fund poetë amatorë, prozatorë gjithaq, gjuhëtarë, historianë po të atij kallëpi, etj. Kurse e dyta, krijimtaria-letër, realisht në pozita që lënë për të dëshiruar, ende respekton disa parime e rregulla; fundja është ende më e besueshme për një shumicë krijuesish.

    Po përpiqemi të themi diçka për dy nga problemet që ka sjellë aksioni i paprerë virtual: I pari, ai i nënshtrimit ndaj formateve të robotit e sensorëve të tij; dhe i dyti presioni i mediokërve dhe krijuesve të rastësishëm, që falë mundësive virtuale, po hapen si vaji në lakra. Arritjet digjitale nuk mund të fshehin problemet e rënda të të shkruarit. Brenda një kohe relativisht të shkurtër, gjithçka e ka marrë në dorë kompjuteri dhe programuesit, roboti po dikton teknika dhe versione të çuditshme, rëndom të gabuara; natyrisht, ende jo atje ku njerëzit e kulturuar dinë të dallojnë ndryshimet funksionale nga teprimet dhe marrëzitë. Sot shohim se si, vend e pa vend, fjalët shkruhen me shkronjë të parë të madhe; sa për shkak të arrogancës së robotit, aq edhe falë ndikimeve të ndonjë gjuhe që gjithashtu dikton gjerësisht me rregullat e saj. Në shumicën e poezive që publikohen, sikur edhe dy fjalë të jetë vargu, ky fillon me shkronjë të parë të madhe (!) Po ashtu, në shumë shkrime publicistike, madje edhe në disa proza letrare, paragrafët ndahen e veçohen me hapësira të panevojshme; sikur të ish fjala për shkresa zyrtare apo për episode të reja e kapituj të rinj. Dhe ‘ë’-ja e shumëpërgojuar me çfarë nuk zëvendësohet, thua se jemi duke luajtur me shenja e jeroglife.

    Roboti, kompjuteri, nënshtrimi digjital – kur mbyllen sytë dhe hidhet në tastierë çfarë të jetë – ofrojnë në publik gjithfarë marrëzish. Ato e sjellin fjalën në një version të habitshëm, edhe të shëmtuar pse jo; sidomos kur kujdesi për gjuhën dhe radhitjen, është gjëja e fundit që u shkon nëpër mend shkruesve. Më ndiqni: “Fundi i fundit pasardhesit e ketyre barinjve jane sot ne Parliamentin qe votoi per Hodgin. I cili te drejtoje dhe te shkruaje mbi historine e antikitetit te trojeve ku barinjte piqnin ndonje dele dhe e shkembenin me vazo plot piktura te prodhuara nga nje kulture superiore Helene qe kishte themeluar qytetin.”

    Çfarë është kjo? Si mund t’i besojmë studjuesit apo hulumtuesit që vjen në publik me këtë shqipe? Veç nëse e kanë tjetërsuar në blog a në rrjet. Edhe kështu mund të ndodhë. Përtej modestisë, po ju tregoj çfarë i është bërë një shënimit tim për filmin në një media-tallava. U lutem lexuesve të nderuar të kenë pak durim:

    “Ato krijuan edhe figura që i qëndruan kohës, zbutën disi vështirësitë dhe vrazhdësinë e dekadave – në një jetë pothuaj absurde – duke shkëlqyer në disa nga filmat e mirë të Kinostudios dhe RTSH.

    Po ashtu falë edhe skenarëve gjithashtu të mirë të disa autorëve të spikatur si N. Lera, B. Hoxha, N. Tafa, B. Myftiu, etj.

    Dhe kinoregjisorëve gjithaq Dh. Anagnosti, V. Gjika, K. Mitro e I. Muçaj, P. Milkani, E. Musliu, A. Xholi, etj. (Duaje emrin tënd, Apasionata, Telefoni i një mëngjesi, Në çdo stinë, Të shoh në sy, Brazdat, Unë e dua Erën, Fillim i vështirë, etj.”

    E gjithë kjo rrëmujë – e kam vënë në thonjëza për t’u dalluar që po e risjell siç e kanë sakatuar – tregon më së miri nivelin e pakët kulturor të botuesve në fjalë, si dhe faktin që ata tashmë janë nënshtruar nga roboti. S’po ankohem që e kanë vjedhur shënimin; po e heqim këtë episod. Shkrimi është coptuar. Fjalitë janë shpërndarë. I kanë rinisur ato siç u thotë kaplloqja. Kur e kam lexuar rastësisht, jam skandalizuar. Duhet të shpëtojmë nga kjo epidemi që po e trand lexuesin dhe tregun; por vërtet, nuk di si mund të vëmë pak rregull në shtëpinë tonë të fjalës.

    Problemi tjetër më i ndeshur në këtë udhë (‘i dyti’ u quajt më lart) është përfshirja masive e njerëzve në ‘krijimtari’ apo duke u ‘ushtruar’ si të munden në disiplina të ndryshme: art, gazetari, gjuhësi, histori. Në dukje, nuk ka ndonjë të keqe, kanë dëshirë të shprehen. Ajo që nuk shkon, është dalja në këtë shesh me shpatë të madhe. Fundja, ja edhe këtë po e pranojmë. Por kur ‘shpata e madhe’ – që të mos them ndonjë fjalë tjetër, se nuk i duroj dot termat e forta – kur gjithë ky pretendim pra, vjen përmes një konfuzioni sintaksor, si dhe me shumë gabime drejtshkrimore e pikësimi, atëherë duhet të ndalemi. ‘Mëtonjësit’ e kësaj dalldie, siç thotë diku Ç. Dikens, “jo vetëm që s’kanë mbetur në zall, por  tani kanë hyrë në ujërat më të thella dhe nuk po ia gjejnë dot fundin… mendjemprehtësisë së tyre.”

    Sa për një ‘marrëveshje fjale’, doemos që edhe në kushte virtuale mund të ketë përsosmëri, përkujdesje për redaktim, korrektim letrar dhe faqosje të pranueshme. Por e vërteta është që këto kuota po merren nëpër këmbë në emër të… nuk di t’i gjej një ‘pronar’ kësaj dukurie. Pra, duke u bashkuar diktati apo thjesht modeli robotik me paditurinë dhe nivelin mediokër në disa tregues, përftohet një tallava letrare e publicistike që nuk dihet ç’pamje do të marrë më tej. Në këtë udhë, po publikohen shkrime e krijimtari pa asnjëlloj recensioni, pa redaktim, pa korrekturë letrare. (Tash edhe disa shtëpi botuese, për fat të keq – dhe e them me dhimbje – janë kaq pranë tallavasë; ato botojnë çfarë të duan ‘autorët’, mjaft që ata të paguajnë; dhe rëndom, nuk i hidhet një sy lëndës letrare, për të mos folur për procese të tjera parapërgatitore, të duhurat që libri të shkojë në publik sa më bindshëm.)

    Sigurisht, edhe pse duke bashkëjetuar me teknologjinë, një shumicë (unë bëj pjesë ndër ta) ende anojnë nga ‘krijimtaria-letër’; me çka kuptoj një gazetë të shtypur, një TV a një shtëpi botuese me staf, që do të thotë se projekti (krijimi) që është në shqyrtim… lexohet, diskutohet e, nëse merr viston, redaktohet, korrektohet për të shkuar në publik në trajtën e duhur, për nga brendia, por edhe në pikëpamje gjuhësore e strukturore. Mbase kjo rrugë është pak e gjatë dhe e mërzitshme për shumë shkrues e botues të sotëm. Punë e tyre!

    Ajo që po shfaqet gjithnjë dhe më imponuese, është ndërkaq ‘ujdia’ mes mediokritetit dhe snobizmit; rrjetet e kanë favorizuar këtë aleancë. Gjithnjë e më shumë shihen letrarë që flasin për letërsinë e librin duke marrë poza prej njeriu të shumëditur, por (në fakt) duke u shprehur në një mënyrë që as ata vetë nuk e kuptojnë; dhe fundja, mbase nuk dinë çfarë kërkojnë nga ajo lloj e folure, ndërsa koka u mbetet vetëm në qiell.Është e frikshme që nuk përmenden termat e Teorisë së Letërsisë dhe të Tekstit, por flitet kuturu, pa përgjegjësi, sikur jemi në një disiplinë krejt tjetër, që s’ka asnjë lidhje me fjalën. Disa nga këto llomotitje, me gjasë ‘të veçanta’, nuk i gjen askund, qoftë edhe në njëlloj përafrimi. S’është fjala për t’i shenjuar fjalë për fjalë – ja u bë lëmshi – por me qenë të tilla që të të kujtojnë diçka nga terminologjia letrare, nga estetika, nga çfarë kanë thënë ata që kanë përcjellë në publik vepra me jetë të gjatë.

    Ndonjëherë snobizmivishet edhe me ngjyra krahinarizmi, siç ndodh me ndonjë blog tek-tuk apo edhe me ndonjë revistë letrare, ku lançohen vetëm (ose kryesisht) autorë nga Veriu dhe Kosova (!) E keqja merr vërtet trajta të frikshme teksa animi nga të folmet e dialektet mplekset me mosnjohjen e parimeve të të shkruarit e, më tej, edhe me problemet e robotit, pra çfarë kompjuteri dikton ‘shqeto’ për atë që s’ia vë veshin. Ani. Pa u prishur punë ‘të dashuruarve’ me dialektet, prapë duhet thënë që ende nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar, ndonjë vendim shtetëror që mediat të mos i qëndrojnë Gjuhës Letrare, thënë ndryshe Standardit; pa le që, edhe kështu, jemi mjaft të trallisur nga çfarë hyn e del nëpër të shkruara gjithfarë, pra nuk besoj se e kemi luksin të kthehemi pas e të shumëzohemi sërish në të folme e dialekte.

    Përtej të gjitha marrëzive – sikur të ishte pak të shkruarit keq dhe me gabime e që, siç u tha, ndonjëherë bien në sy edhe më tepër për shkak të ‘rolit’ të robotit – ledhatimet me terma të tillë si ‘trendi’, ‘i papërsëritshëm’, ‘gjeni’, ‘princ’, ‘perandor’, ashtu e kështu, janë bërë më shumë se qesharake. Ndonjëherë, këto lojëra më kujtojnë episodin e parë të romanit “Komedianët” të G. Grin, ku autori sugjeron të ngrihet një përmendore a bust për një nga personazhet e tij, aventurierin dhe mashtruesin e trishtë Xhons… Unë nuk jam keqdashës, nuk paragjykoj. Por këto teprime, emfaza, dasi e përzgjedhje me hile dhe pa pikë profesionalizmi, edhe pse janë të përkohshme, trazojnë pamjen, krijojnë tablo të rreme. Qasja e verbër në një rreth të ngushtë të njohurish, kapardisja përtej domosdosë së redaktimit e korrektimit letrar, por dhe kërkesave të tjera më teknike, loja me terma bombastikë dhe aspak realistë, mosvëmendja ndaj parimeve kryesore të të shkruarit dhe publikimit, të gjitha këto vijnë si një fyerje për mediat dhe botuesit që bëjnë ndryshimin në këtë fushë, gjithaq për krijuesit që kanë gjetur në mënyrë bindëse mbështetjen e publikut dhe të mendimit letrar.

    Po ndalem pak në këtë episod. Ja një fragment nga një ‘kritikë letrare’, shkëputur nga një media-tallava: “Autor i shume librave,ne gjini e zhanre te ndryshme,per te gjitha moshat e per gjithe hapsirat shqipfolese,ai ka zene me merite nje vend te rendesishem ne letersine shqipe.” (Shikoni që përveç brendisë naive e bërtitëse, ka shumë gabime gjuhësore dhe mandej edhe probleme teknike, si spaciot (hapësirat nga fjala në fjalë,) etj. etj.) Një tjetër produkt i kokëshkrepjes internetike: “Teksa ke lexuar dy veprat e tij të mëparshme dhe me padurim pretë të tretin, ja ku erdhi romani befasues “X” (botuar nga Y) si pjesë përmbyllëse trilogjisë, “Z” të cilën, pas leximit, e fusim në atë që mund ta quajm, “Tresor” i letërsisë shqipe dhe jo vetëm.” (Inicialet janë vendosur nga autori i këtyre radhëve, për të mos e afektuar më tej shkruesin. Besoj, lexohet qartë emfaza e padurueshme dhe gabimet e shumta e të shumëllojta.) Ja edhe një tjetër ‘kritikë’, të cilën nuk di nga ta kapësh: “Eshtè ky libèr ku mpleksen shumè objektiva qè ka poeti, sic janè pamjet qytetare ku orèt e qytetit n+ mènyrè metaforike projektohet nga poeti né tè gjashtè pamjet e mundèshme, para, mbrap, lart, poshtè, anash majtas dhe anash djathtas, pamje qè tè lejojnè pèr tè kuptuar turbullirat e kohès.”

    Ndokush mund të thotë që nuk kemi pse të merremi me përjashtime të tilla apo asish që u zunë goje më lart; (në fakt, ato nuk janë më përjashtime). Rrjetet tash janë ‘me barrë’, libraritë gjithashtu. Marrëzia virtuale po depërton gjithandej. Janë të pakta entet (mbase dhe autorët) që arrijnë të krijojnë a të mbrojnë një staturë për të qenë.Kemi parë madje shkrimtarë deri diku të njohur që shënime si ato më sipër, apo aty afër, i risjellin në rrjet sikur çfarë do të fitojnë prej tyre, duke shfaqur kështu indiferencë ndaj dukurisë, sikurse edhe një padurim të dyshimtë në lidhje me cilësimin e treguesve të krijimtarisë së tyre.

    Në këto e sipër, autorët ‘e shtuar’ të shkrimeve, kritikave dhe krijimeve të tjera në fjalë – version virtual i mjegullon edhe më shumë – shkojnë larg. Ata marrin guximin të përgojojnë vlera reale, ata kërkojnë skeptër, mëtojnë të njëjtin vend e nder në librari, në panaire, nëpër TV, madje u bëjnë presion edhe lexuesve duke treguar kioskat ku mund të gjenden libra e tyre, por që rëndom i kanë në shtëpira dhe i shesin edhe vetë si të mundin… (“Janë miliona ata që dëshirojnë pavdekësinë dhe pastaj nuk dinë ç’të bëjnë një pasdite me shi.”  S. Ertz)

    Teprimi gjithnjë është bezdisës dhe i dëmshëm; në çdo lëmë, ca më tepër në art. Teknologjia po ngutet pareshtur; madje Inteligjenca Artificiale mund të zhbëjë shumë pamje të botës e të arritjeve njerëzore. Por le të shpjegohemi edhe njëherë: Nuk ishte fjala thjesht për librin-letër, gazetën-letër, por për përgatitjen e gjithanshme të një teksti a pune (pavarësisht versionit teknik) përpara se ai të shkojë në publik; me ç’rast, duhet të dimë nëse do t’i shërbejë zhgënjimit apo zhvillimit e pasurimit të arritjeve më të spikatura. Tallavaja virtuale s’e bën dot punën e vizatuar më sipër; përkundrazi, po sulmon vlerat më të qenësishme. Sigurisht – ajo si e tillë, jo teknologjia funksionale – nuk mund dhe s’do ta fitojë betejën me letrat dhe artin.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË