More
    KreuLetërsiShënime mbi libra“Vallja shqiptare” e Kadaresë - Gjuhë, muzikë, lëvizje… një magji e...

    “Vallja shqiptare” e Kadaresë – Gjuhë, muzikë, lëvizje… një magji e përkryer

    Nga Dr. Riza Braholli

    Ky shkrim e ka zanafillën kohë më parë, gjatë një ore mësimi. E kisha lexuar herë pas here këtë poezi dhe kishte mbetur brenda meje si një gjë me shije të mirë e pikante; imazhet tejet origjinale, thellësia e mendimit dhe mesazhi që përçon, më kishin lënë një dritë të bukur dhe një qasje monumentale. Tash vonë, në një nga ditët e kësaj vjeshte, duke pirë kafe me një nga miqtë e mi më të dashur, me poetin Petrit Ruka, po bisedonim rreth poezisë, folklorit dhe rreth poetëve e krijuesve që kanë hapur hulli e kanë lënë gjurmë të thella me lëvrimin e tyre të shkrimit shqip.
    E nëse bëhet fjalë për letërsinë e sotme shqipe, nuk ka si të mos shkojë fjala te kontributi estetik-poetik i Ismail Kadaresë. Mes llojeve të shumta të komunikimit, më erdhi befas gjuha e shënjimit të lëvizjeve. “Vallja shqiptare” e Ismail Kadaresë m’u shfaq me imazhet e saj në çast e më erdhi kaq e qartë e plot dritë; secili detaj e imazh më hapi një dritare për të folur rreth valles, shenjave, marrëdhënieve të saj me muzikën, shënjimin e një bote në erë, nevojën njerëzore për të shprehur nëpërmjet kësaj gjuhe atë marrëdhënie që ndodh midis trupit e shpirtit, midis tokës dhe qiellit; diçka që është e prekshme nga syri, e perceptueshme nga mendja dhe e ndjerë nga zemra. Arti i ngritur mbi vallen më kishte dhënë kështu një tempo më shumë në ligjërimin tim.
    Pse? Mbase, sepse vetë poezia i dha ligjërimit tim përjetime e pamje të pashlyeshme, që më vinin edhe nga fëmijëria. Që sa e mbaj mend këtë botë, vallja ka qenë bashkudhëtarja ime. E kam parë si hiqej, hidhej e dridhej nëpër dasma, festa apo skena; si mrekulloheshin njerëzit e si përfshiheshin në të, duke harruar ku ishin e kush ishin: rangun, shtresën, radhën, racën apo gjininë. Ritmet dhe lëvizjet e tyre i çonin njerëzit në një tjetër hapësirë, në një tjetër mendësi, ndjesi sociale e demokratike, që t’i iknin realitetit të përditshëm.
    Më kujtohet Devolliçja magjike, valltarët e veshur me takije, xhamadanë të qëndisur, këmisha të bardha, fustanella e opinga me xhufka. Hynin në skenë të lehtë si ajri, duke tundur shamitë në erë. Fillonte muzika dhe opingat e tyre, me ato zjarret e kuqe të vogla mbi to, trokisnin lehtë, sikur nuk i mbante dheu, e donin të niseshin. Në fillim rrëshqisnin me majat e gishtave, centimetër për centimetër, pastaj me hapa të vegjël, e pastaj mbi thembra mbi dyshemenë apo lëndinën ku hiqej vallja, mbështetur mbi gjokset e supet e njëri-tjetrit me krahët e lidhur, sikur të donin të pushtonin tokën, hapësirën, kohën: ngadalë, të vendosur e të sigurt, derisa ajo kthehej në një vrundull energjie të papërmbajtur, një qerthull ere e çuditshme që dilte nga shpirtrat e atyre burrave të dalldisur pas muzikës e lëvizjes, në një tjetër kohë, në një tjetër hapësirë përjetimi: valltarët ngriheshin drejt tavanit, më saktë, drejt qiellit dhe e godisnin me kokë apo i jepnin dyshemesë një të goditur me thembrën e këmbës, sa tundej krejt shtëpia, si për të thënë se dhoma ishte e ngushtë, e vogël dhe donin t’i thyenin muret, tavanet, dyshemenë dhe marrëdhënia e tyre duhet të ishte me tokën, me qiellin. Në lëndina ishte ndryshe, vëmendjen e merrte shamia që tundej në erë sipas ritmit; mua më dukej sikur në dorë mbanin një copëz reje të bardhë, që lëkundej nga juga midis qiellit të kaltër. Dhe, të jem i drejtë, me xhelozinë e të qenit bir i asaj treve, ku kërcehej e luhej ajo valle, ma donte zemra që Kadareja ta kishte marrë flakën e krijimit të kësaj poezie atje, prej saj, prej Devolliçes apo Gorarçes, që janë gati e njëjta valle, por me rifinitura të veçanta të lëvizjeve; tek ato xhufka të kuqe mbi opinga që kisha parë edhe unë, që seç më ndiznin ca zjarre adhurimi e mitizimi në zemër.
    Megjithatë, sapo çlirohesh nga hapësira e ngushtë, përjetimi shkon më tej e më përtej fushave, kodrave e maleve, lëndinave e livadheve të këtyre trojeve, në festat pagane e ato fetare, në dasmat e në sheshet e luftës, para e pas saj; që nga vallja e Osman Takës apo vallet e Labërisë, vallja e Librazhdit, Myzeqarja, e Kolonjës, apo Dardharja me finesën e kërcimit të grave veshur me kostumet kuqezi e deri te vallet e skajeve më veriore të etnisë sonë: Rrugovarja, Vallja e Tropojës, e Kukësit, e Dibrës apo Vallja e Shpatave. E më përtej këtyre, vallja kthehet në një simbol të fuqishëm shprehjeje e komunikimi artistik të paimagjinueshëm. Gjuha e saj, nëpërmjet kodifikimit të këtyre lëvizjeve përmes muzikës dhe shpesh e shtuar në vlera edhe me peshën e fjalës, shenjave në erë apo në sinjalet që i jep tokës dhe njerëzve përreth, bëhet menjëherë e perceptueshme dhe e asimilueshme, deri në atë shkallë, sa nxit dëshirën për t’u përfshirë në të, në atë vorbull të një realiteti tjetër, që e jep vetëm arti i valles, drejt një lumturie, shprehje dashurie, ëndërrimi, guximi apo trimërie.
    Sa herë e lexoj këtë poezi më habit thjeshtësia dhe madhështia e fillimit të saj; më duket kaq tokësor dhe njëherësh aq i pazëvendësueshëm vargu i saj i parë: Tri herë opinga rrahu dheun… Ka muzikë aty, pezulli, heshtje para gjëmimit; një uverturë e tërë mund të ngjizet e të luhet me të. Të sjell ndër mend një stuhi që pritet të fillojë pas kësaj qetësie, që prishet nga tri trokitje që fshehin e mbartin në vete gjëmime e vetëtima. Kështu je i detyruar të hapësh, jo vetëm veshët, por krejt kraharorin, krejt qenien, për ta shijuar, për ta përballuar e për ta festuar atë që do të vijë. Nuk është një shenjë dokudo, por një sinjal që e animon dheun, një komunikim me tokën, me Perëndinë e lashtë, mbase, me më të lashtën, me Gjean. Pra, troket në derën e Perëndisë …Sikur kërkoi leje prej tij. Ç’lajm do të japë e ç’lajm do të marrë? Marrëdhënia, njëherësh, shndërrohet në një marrëdhënie kozmike e mistike të qenies me botën. Mesazhi nuk është më aq i thjeshtë dhe komunikimi nuk është më vetëm njerëzor: është i gjithë universi, e gjithë plotësia që merr pjesë në këtë marrëdhënie dhe shkëmbim të mesazheve mes tyre me një pafundësi interpretimesh.
    Dhe më pas: tri herë shamia palët ndehu… Po pse tri herë e jo katër, dy apo pesë? Edhe këmba, e zëvendësuar me opingën – duke na dhënë një metonimi të goditur – aq trokitje jep: tri herë opinga rrahu dheun. Simboli i treshit? Duket si interpretim i sforcuar, por nuk mund ta shmangim këtë simbol faktik e biblik, aq shumë të përdorur në poezinë botërore, sidomos kur vetë marrëdhënia që krijohet është metafizike, në kufijtë e abstraktes: marrëdhënia e përjetshme midis qiellit e dheut, tokës, apo trupit e shpirtit, që na sjell kështu në një përfundim të veçantë, siç është përzierja e të përjetuarit pagan me atë teik, duke i dhënë rëndësi e peshë asaj çka ndodh dhe jo filozofimit për të arritur në përfundime për to. Kështu kemi trinomin tokë-njeri-qiell. Pra, midis tokës dhe qiellit, njeriu, valltari që luan dhe që është mesazher midis tyre, që çon e merr lajme, një Hermes që e bën këtë botë të qenësishme e të njësishme me të gjitha shtresimet, valencat apo ngjyrimet e saj. Por le të mbetemi te shamia që: …palët ndehu/ me qetësi dhe madhështi. Me një ligjërim metonimik, ajo animohet si gjymtyrë e qenies njerëzore, një zgjatim i saj dhe simbol e shenjëzim, pikërisht, i lëvizjes. Madje të fokusimit te ky send që i tejkalon përmasat e qenësinë e një objekti të zakonshëm. Shamia gati kthehet në një shpend, në një Shqiponjë. Mjafton të zëvendësojmë palët ndehu me krahët ndehu, të shoqëruar me dy epitete epike: me qetësi dhe madhështi. Krahët mund t’i ndehë vetëm një shpend i madh; dhe nga të gjithë shpezët që njohim krahët mund t’i ndehë e shpalosë me qetësi dhe madhështi vetëm shqiponja. Vini re: jo, t’i hapë, por t’i ndehë, ku lëvizja përfundon me një pozicionim statik e të palëvizshëm në erë, në qiell, siç rëndom ndodh me këtë zog të fuqishëm e madhështor, që është edhe simboli i flamurit tonë. Kështu, ky element bëhet pjesë e një qenieje më shumë se njerëzore, e një vepruesi që është i ndërthurur dhe i pashkëputur nga elementet e sendet përreth, diçka që është send e ide, qenie e mesazh bashkë, duke e çuar përpara e duke e dimensionuar edhe me përfytyrimin, mendimin dhe idenë për atë çka përfaqëson lëvizja, këmba, muzika, veshja, ngjyrat, mjetet, shpesh edhe fjalët me të cilat realizohet kjo marrëdhënie mistike e poetike; madje, të gjitha bashkë, si një shfaqje e plotë e unike e mesazhit poetik dhe estetik.
    Pastaj poeti na çon në zanafillë: Kështu midis qiellit edhe botës/ Vallja u lind, vallja u shpall… dhe më tej na shpjegon edhe qëllimin dhe mesazhin e saj të madh, përse u lind dhe përse u shpall. Të bën përshtypje mënyra se si ai e jep këtë lajm: me një timbër të gëzuar që zakonisht jepet nga lindja e diçkaje të madhe, të paimagjinuar, fjala vjen, siç ndodh me lindjen dhe ngjalljen Krishtit: “Krishti u ngjall.” Vallja u lind, vallja u shpall. Pra ajo lindet dhe shpallet, ashtu siç lindet dhe shpallet një mbretëri apo një kushtetutë, një kumt i madh; dhe lajmi kalon me shenja nëpërmjet syve e gojës së erës, vesh më vesh, fushë më fushë, mal më mal, siç kalojnë vetëm lajmet a kumtet e mëdha që ndryshojnë historitë.
    Vallja, ky monument artistik njerëzor i gjithkohshëm, me një kod të gjithëkuptueshëm e gjithënjerëzor, ashtu si edhe muzika, përtej ndarjes së kombeve, erdhi si një mjet universal: Këmba sinjale i çon tokës/ Dhe dora qiellit i jep lajm. Pra, siç e thamë edhe më lart, valltari bën pikërisht atë që bëjnë profetët, mesazherët apo të dërguarit e mëdhenj të njerëzimit, marrin e japin, bëhen ndërlidhës të tokës me qiellin, kryejnë atë që filozofikisht quhet marrëdhënie midis tokësores dhe qiellores, midis materies e shpirtit. Mos është i fshehur dhe Dionisi aty? Mbase… edhe Dionisi edhe Apoloni. Sipas Niçes po: Apoloni nuk mund të jetonte pa Dionisin!
    Pra, ajo që është materie dhe ajo që rrjedh prej materies e natyrës vetë e që quhet ideale, iluzion, ëndërr, shpirt. Kështu ndodh edhe me lëvizjet dhe ndjesitë që rrjedhin prej tyre. Kur njerëzimi filloi të hyjë në erën e moralit, një mënyrë për të fshehur lakuriqësinë e trupave dhe të veprimeve e ndjenjave ishte edhe nëpërmjet lëvizjeve dhe tingullit, si gjuhët më të gjithëkuptueshme, por edhe me kuptimet më të fshehura.
    Vështrimi kozmik e poetik i Kadaresë na e rrokullis vallen në kohëra sikur të ishte një gur hobeje në një hapësirë pa kahe: tutje, në një cak pafundësie, sa në gjenezën e lashtë, aq edhe drejt ardhmërisë, vetëm me dy vargje për nga fryma e përfytyrimit epik homerik: Dhe vallja rrokulliset tutje/ Në kohëra hedhur si hobe. Zhvendosja që u bën tablove, si për nga fuqia e krijimit ashtu edhe ajo e përfytyrimit, është me përmasa epike. Tërë historia e zhvillimit të valles është thukur, në mënyrën më të mundshme, vetëm në këto dy vargje. Me dy vargjet e tjera ai na jep një thelbësim të saj, gjithë epizmin, lirizmin e dramacitetin që mbart, në tërë kompleksitetin e tij, duke e metonimizuar sikur të ishte një qenie e perëndishme apo si një Hermes, lajmëtar mitologjik që fluturon në mënyrë të përhershme midis qiellit e tokës, për të përmbushur misionin e saj, duke mbartur edhe lulet e prillit, por edhe borërat e dimrave: Prilli përsipër i hedh lule,/ Dhjetori borën shkund atje. Ajo është mesazhiere dhe vetëm mbart mesazhe, tragjedi, dramë apo bubullima gëzimesh e finesa lumturie. Duket sikur na thotë se ky është fati i saj (valles), misioni i saj është epik e lirik dhe më shumë se historik, është historia e vetë qenies njerëzore, por dhe e një etnie e kombi. Nëse tek tre strofat e para ai përqendrohet te simbolika e valles dhe çfarë ajo është në shumësinë e pafundësinë e universit e në marrëdhënien që ka me qenien e me botën, te dy strofat e fundit fokusi përqendrohet në mënyrë të posaçme te Vallja shqiptare:

    Valle shqiptare, shenja n’erë
    Ylbere tirqesh tej-tëhu
    Kush ju kërceu ju njëherë
    Dhe këmbët rob s’i mbenë te ju?

    Këtu do të na duhet të ndalemi te një veçori e tërë veprës së Kadaresë, të fillit që e përshkon krejt veprën e tij, fillit historik e kombëtar. I dashuruar me atdheun e tij, në pamundësi të datave dhe fjalëve të shkruara, nga ato që quhen dokumente historike, me një grusht vlerash e të dhënash të nxjerra pikërisht nga folklori, nga këngët, vallet dhe duke marrë lëndën e tij e duke e kaluar nëpër enzimën e tij krijuese të pashoqe, ai gjakon dhe arrin të krijojë një Shqipëri ashtu siç e gjen në lëndën artistike të popullit: një Shqipëri të begatë arbërore, si te folklori ynë i arbëreshëve, ashtu siç ai e përfytyron dhe e ëndërron, pa ndryshkun osman dhe tjetërsimin kulturor e asimilues; jo që t’i shërbejë shkrimit të historisë, por ngulitjes së vetëdijes kombëtare në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve. Kështu, pa pikën e drojës, na duhet të pohojmë se Kadareja kthehet në një mesazher e nuk e teproj nëse them një profet i ri e modern i shqiptarizmit, që filloi me Rilindjen Kombëtare. Shqiptari, kombi dhe liria janë tre elemente, tre dimensione të pandashme të një trupi apo qenësie që plotësojnë njëra-tjetrën në një tërësi tredimensionale, që në veprën e tij shfaqet si një konvergim drejt një pike, te historia e qenësia e kombit shqiptar, me synimin e ngjizjes së mëtejshme të një ndërgjegjeje kombëtare, por me thelb modern. Në këtë vijimësi na duhet ta nënvizojmë edhe këtë krijim. Ajo është valle si gjithë simotrat e tjera në botë, por ai e sjell edhe me të veçantat e saj. Cilat janë karakterizimet që i bën? Shenja n’erë dhe Ylbere tirqesh tej-tëhu. Vërejmë dy sintagma pa folje. Pra, nga ana stilistikore, shikojmë një ndërtim mungesor, që i jep dorë dendësimit të kuptimësisë e domethënieve, përveç metonimisë që përdor për heqjen e valles: tej-tëhu. Tej-tëhu e kthen hapësirën në përmasa të papërcaktuara e të stërmëdha për një lëvizje valleje, duke e kthyer në një supervalle e, kështu, në një valle mbarëshqiptare. Pra, shohim përpjekjen e tij, deri në gjakim, për të shkruar dhe ngulitur në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve vlerat, qenësinë e historinë dhe kombit tonë. Mitizimi i valles, si vlerë shpirtërore e artistike, jepet thjesht, por duke mihur në krenarinë që e ruajnë pikërisht vallja apo kënga. Tek të dyja strofat ky mitizim i saj, me të gjitha vlerat që mbart, është i tërthortë e metonimik: Kush ju kërceu ju njëherë/ Dhe këmbët rob s’i mbenë te ju. Si te këto dy vargje dhe te dy vargjet e tjera: Kush ra midis vorbullës suaj/ Dhe s’u përzhit, dhe s’u përflak, ai e potencon shprehjen dhe i jep jetë e hapësirë qëllimit të tij, pikërisht duke na dhënë atë çka reflekton kjo gjë e shpirtëzuar si një magji e përkryer, që ne i shohim vetëm pasojat dhe prej tyre na duhet të ndërtojmë madhështinë e saj. Kjo vjen nëpërmjet një shtresimi figurativ, metaforik e metonimik, duke na dhënë analogji apo zëvendësim kuptimesh, si p.sh. pasojën për objektin: varësinë e këmbëve që janë të urdhëruara nga dëshirat e pasioni i magjisë që fsheh vallja; dhe zjarrin, më saktë vorbullës së flakës, që përzhit e përflak si një perëndi zjarri. Dhe për ta mbyllur me një dyvargësh përsëri metaforik, të pakrahasueshëm për nga bukuria, epizmi dhe fuqia shprehëse që përcjell: Ju bubullima me opinga,/ Që nëpër shekuj bridhni varg, duke ia dhënë të gjithë ngarkesën kuptimore një pranëvënieje të tillë të paimagjinueshme, siç është: bubullima me opinga, por që ia jep abstragimi i thellë dhe logjika koherente artistike e kuptimore e tërësisë ideore dhe poetike. Metonimia bubullima, që nënkupton valltarët apo vallet e tyre, plotësohet e rritet kuptimisht me metoniminë tjetër me opinga, që me mjetin për lëvizjen, zëvendëson kuptimisht hapat në valle, por, gjithashtu, me pranëvënien e tyre, duke na dhënë një sintagmë të plotë metonimike: bubullima me opinga që bredhin nëpër shekuj, kohëra, ashtu si vetë Kadareja, që nuk kërkon të ndalet në shekujt e afërt, por shkon thellë në histori, larg…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË