More
    KreuArte pamoreValentina Hysi: Libri-skena-ekrani, letërsia në lëvizje

    Valentina Hysi: Libri-skena-ekrani, letërsia në lëvizje

    Në epokën moderne, ku teknologjia mbizotëron dhe ekranet janë pjesë e pandashme e jetës sonë të përditshme, libri shpesh shihet si dicka e vjetëruar ose e largët… shihet si një medium tradicional, i heshtur dhe kërkues. Ky perceptim është i njëanshëm. Në fakt  arti i fjalës së shkruar është më i gjallë  se sa duket, sidomos kur ai  bashkëpunon me skenën  dhe ekranin. Nga libri në skenë  dhe ekran, dhe nga skena dhe ekrani  në libër, është  udhëtim i dyanshëm, është një dialog i gjallë ndërmjet arteve që pasurojnë njëri tjetrin, lexuesin, shikuesin. Libri ka qenë gjithmonë  një burim i pashtershëm për skenën dhe ekranin, edhe skena dhe ekrani janë ura që na çojnë  tek libri duke e bërë leximin më tërheqes, më të afërt.

    Në këtë këndevështrim, në lidhjen e ngushtë që qëndron në mes letërsisë, skenës dhe ekranit,  në  mbrëmjen e 12 qershorit 2025, në ambjentet e  Tulla-Kulturë Center, Tiranë, u zhvillua aktiviteti  kulturor letrar me temë “Nga libri në skenë dhe ekran, nga skena dhe ekrani …në libër”, projekt i mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me pjesëmarrjen e artëdashësve, dashamirës të librit, të skenës dhe ekranit, autorë e botues, nxënës e studentë.

    Në  takim u sollën fragmente  nga perlat e lirikës  shqiptare dhe të huaj, të marra nga librat e autorëve më të mirë  në shekuj si: Ndre Mjeda, Ali Asllani,Faik Konica, Lasgush Poradeci, Petro Marko, Jakov Xoxa, Ismail Kadare, Dritero Agolli, Fatos Arapi, Xhevair Spahiu etj, apo dhe autorëve të huaj si Whitman, Kipling, etj, sjellë nëpërmjet interpretimeve emocionues të Elva Çaushit, Sokol Angjelit, shoqëruar me ilustrime filmike, pergatitur enkas për këtë takim. Fragmente këto, të shkëputura nga filma dokumentarë  kushtuar autorëve të njohur të letërsisë shqipe, Ndre Mjeda, Ali Asllani, Jakov Xoxa,  realizuar me mjeshtri artistike nga regjizori i mirënjohur Ylli Pepo, Artist i Merituar.

    Këtë mbrëmje kulturore letrare  e  nderuan me pjesemarrjen e tyre dy miq të ngushtë të  librit, studiuese Alda Bardhyli, Drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit si dhe përkthyesi, gazetari i njohur Ben Andoni, të cilët ndanë me të pranishmit pikepamjet e tyre  mbi letërsinë e sotme, lidhjen e lexuesit me librin, që janë aq komplekse dhe ndikohen nga faktorë kulturorë, teknologjike, sociale, ekonomike. Diskutuan për rrugët dhe  politikat që duhen ndjekur.

    Nga bashkëbiseduesit u  ngritën pyetje të tilla  – Si një film apo një pjesë interpretimi në skenë mund të na nxisë  të lexojmë, pasi  shihet  zbehje e lidhjes emocionale me librin fizik? Kush është roli i shkollës dhe instucioneve kulturore në këtë rast?  Ngritën problematikat  e ditëve të sotme, si rrjetet sociale kanë ulur ndjeshëm kohën që njerzit i kushtojnë leximit, apo mungesa e kohës nga vet ritmi i jetës moderne.

    Takimi synoi të tregonte pikërisht  se si arti skenik, ekrani mund të na shërbejnë  si aleatë, për të ofruar publikun me librin dhe leximin.  Eshtë një  mënyrë kreative  për ta rikthyer  dashurinë për librin përmes skenës dhe ekranit,   dhe anasjelltas kur një  libër kthehet në film apo  interpretim në skenë,  ai merr jetë të re,  afrohet një audiencë më e gjërë dhe i jep lexuesit një përvojë më të thellë.

    Libri, skena dhe filmi janë tre formate ndryshme arti, por lidhen ngushtë me njëra tjetrën. Në takim u përdorën  interpretimet dhe  pjeset filmike si dritare qe të na kthejnë tek fjala, tek libri, tek teksti origjinal për të zbuluar më shumë.

    Keshtu  ndodhi me interpretimet e aktorëve, me lirikat  e zgjedhura prej tyre,  të cilat edhe  i  komentuan,  apo fragmentet  filmike që u shfaqën për  autorët e  shquar të letërsisë Ndre Mjeda, Jakov Xoxa, Ali Asllani,  ku disa prej të rinjve u ndjenë të befasuar përballë veprës së tyre, pak e njohur e  pak e lexuar prej tyre.

    Kalimi i një vepre nga letra në skenë dhe në ekran është një transformim emocional artistik, edhe anasjelltas  kur ekrani dhe skena na rikthen tek libri.

    Kur shohim një film bazuar në libër, shpesh na lind dëshira të lexojmë veprën origjinale  për të zbuluar më shumë detaje, ndjenja apo  për të parë ndryshimet, po ashtu, një shfaqje teatrale, një interpretim,  mund të zgjojë kuriozitetin për letërsinë që fshihet pas saj.

    Qëllimi i aktivitetit ishte pikërisht  të ngjallim  dashurinë për librin, nëpërmjet skenës dhe ekranit në mënyrë që të nxitet leximi, kureshtja dhe dëshira  për të lexuar e njohur  autorë të shquar të letërsisë shqipe dhe asaj botërore, të rrisim interesin ndaj veprave të hershme  e të sotme letrare, e sidomos tek brezi i ri.

    Dashuria e lexuesit për librin është një ndjenjë e veçantë, ajo lind nga lidhja emocionale, intelektuale dhe shpirtërore. Fillon shpesh me një faqe të parë, me një fjali që ngacmon, dhe rritet ngadalë  në çdo kapitull që kalon. Librat flasin pa zë, po ndikimi i tyre është i thellë.

    Siç thoshte Umberto Eco: Ai që nuk lexon, jeton vetem një jetë. Ai që lexon, jeton mijëra jetë.

    Filmi dhe skena,  nuk e zëvëndësojnë librin, por e shpjegojnë,  e pasqyrojnë, e bëjnë më të dashur dhe më te afërt, sidomos për brezat e rinj.

    Aktiviteti e pati  këtë interes të veçantë, disa prej tyre, adhurues të letersisë, e poezisë në vecanti, njëra vinte nga radhët e policisë, Entela Çaushi, interpretuan   mrekullisht vargje nga  Fan Noli, Naim Frashëri,  Ismail Kadare, Dritëro Agolli  etj. Naimi ushqen tek lexuesit  zemrën dhe ndjenjat, Noli ngacmon mendjen dhe ndërgjegjen, Kadare i jep librit forcë mendimi dhe histori që frymezojnë, nxit lexuesin të mendojë,  Agolli jep shpirt e butësi, e ndihmon lexuesin të ndjejë.

    Duhet theksuar që mbrëmje të tilla kulturore letrare mungojnë, duhet të jenë më të shpeshta në të tre fushat libër- skenë-ekran, letërsi në lëvizje. Në një botë ku gjithshka ndryshon me shpejtësi, libri mbetet një strehë e sigurt, një vend ku koha ndalet, ku fjalët mbajnë peshë dhe zemra flet lirshëm.

    Një thënie nga Carl Sagan, astronom amerikan:

     “Të shkruarit është ndoshta shpikja më e madhe  njerëzore, që lidh njerzit  të cilët nuk e njohin njëri tjetrin, janë qytetarë të epokave të largëta. Librat thyejnë prangat e kohës. Një libër është dëshmi se njerzit janë te aftë për magji”.

    Dhe vërtet libri është magji. Nëse filloni të shkruani njëherë, është e sigurtë që do të shkruani sërish e sërish…

    Nga mbresat e këtij takimi interpretiv dhe filmik, bashkëbisedues, ku nuk mungoi edhe kitara, luajtur nga Rubin Kaso, vlerësojmë që kjo mënyrë perceptimi, kompozimi i lidhjes së librit me skenën dhe ekranin  është tepër tërheqëse për publikun. Një aktivitet, apo dy,  asnjëherë nuk mjaftojnë.

    Ndaj të tilla  aktivitete  duhen vazhduar, zgjeruar, të realizohen edhe më gjërë, në  auditorë të tjerë  me nxënës e  studentë  në  Shkodër, Elbasan, Vlorë, Korçë etj., duke e pasuruar me interpretime e fragmente filmike edhe nga autorë të tjerë të shquar të letërsisë shqipe dhe të huaj.

    Kam  patur fatin të punoj për këtë projekt me dy personalitete do t’i quaja të Radio Televizionit Shqiptar, regjizorin e njohur, Artistin e Merituar Ylli Pepo dhe operatorin Xhemal Reci,  bashkepunetorë të ngushtë  në  gjithë rrugëtimin tim në një sërë  projektesh, filma dokumentarë dhe jo vetëm.

    Kjo mbrëmje  me interes kulturor  letrar  nga libri në skenë dhe ekran, nga skena dhe ekrani në liber, nuk mungoi të përcillej nga media e shkruar dhe ajo televizive.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË